Ekskluzive: Deputetja Uljana Gurmazi sqaron me sukses gafën dhe emocionon gazetarët

September 8, 2016 17:55

Ekskluzive: Deputetja Uljana Gurmazi sqaron me sukses gafën dhe emocionon gazetarët

Në një konferencë të zgjeruar për mediat të thirrur me urgjencë para pak çastesh, deputetja Uljana Gurmazi ka arritur me sukses jo vetëm të sqarojë një lapsus të rëndomtë të sajin, që mund t’i ndodhë kujtdo, por edhe të hedhë dritë mbi idenë që donte të shprehte në seancën e Kuvendit.

Gojët e Liga kanë mësuar se deputetja Gurmazi e nisi fjalën e saj me një parashtrim historik mbi shtetin shqiptar që donte të ndërtonte Sali Pashë Tepelena.

“Që atëherë, tentativat e udhëheqësve me origjinë shqiptare nuk kanë reshtur për të ngjizur shtetin shqiptar. Prandaj dhe poeti ynë Naim bej Këlcyra ka thënë për Sali pashë Tepelenën: O Sali mos vdeksh kurrë / unë me bukë e ti me gurë!”, theksoi deputetja.

Në vijim ajo foli për rilindësit tanë, duke filluar nga Veqil Naumharxhi që shkoi deri në Palma de Majorka për të sjellë speca, që i kishte mbushur brenda me shkronjat shqipe.

“E ç’t’ju them pastaj për ideatorët e shqiptarizmës, si Mimi Thitko, Andon Pashko Fishta apo Plakun e Fierit, Ismail Qemal Gurakuqin”, tha deputetja, duke kujtuar edhe vargjet e paharruara të Jeronim Kristoforidhit:

Qysh e le qengji kopenë

Cili je ti more burrë,

Eja-eja dallëndyshe,

Mbidhuni këtu këtu!

Në këtë moment, Gojët e Liga mësojnë se gazetarët e përlotur nga emocionet nuk mundën ta ndiqnin më tej sqarimin e deputetes Uljana Gurmazi.

 

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Por nuk e dimë sa do vazhdojmë me konkurrencën që na vjen nga qarqe shumë serioze  

September 8, 2016 17:55
Komento

2 Komente

  1. Niku September 9, 00:44

    Ku e keni gjet!!! Uljana Gurmazi, eruditja e madhe, hahhaha

    Reply to this comment
  2. KORÇARI September 11, 17:46

    Hahahhahahaha , Dita , je njësh fare hahahahaha

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*