EKSKLUZIVE / Detajet: Ngjarja e Rinasit zbulon ekzistencën e Rinasit

April 11, 2019 19:54

EKSKLUZIVE / Detajet: Ngjarja e Rinasit zbulon ekzistencën e Rinasit

Shqipëria ka një aeroport ndërkombëtar dhe ai ndodhet shumë pranë kryeqytetit të vendit, Tiranës, njoftuan dje dhe sot të surprizuara agjencitë e shumta të lajmeve, që ashtu si aeroporti, janë ndërkombëtare.

Gojët e Liga mësojnë se në Rinas ndodhet aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, dhe shkas për këtë gjetje të këndshme është bërë shpronësimi për nevoja publike, të një shume prej rreth 10 milionë euro, e vendosur në thasë specialë.

Thasët, që mesa duket ishin gjithashtu ndërkombëtarë, u zhvendosën nga një furgon tek barku i një avioni (mësohet se pikërisht ato çaste piloti po thoshte: hajde dhe një vend për në Vjenë, kur do nisemi se na hapët barkun!) dhe pastaj te një furgon tjetër, pastaj te një tjetër, thonë burimet.

Mësohet se në çastet e ndërrimit të pronësisë të thasëve, në avion ndodheshin si pasagjerë tre ish prokurorë të përgjithshëm, njëzet deputetë, pesë shefa policie, një kryeministër, ndërsa pak më parë kishin zbritur në Rinas katër ministra, një president Republike dhe dy sekretarë amerikanë shteti.

Pikërisht për shkak të pasagjerëve specialë, shpronësuesit u kujdesën të mbaronin punë shpejt, pa zhurmë dhe në majë të gishtave.

Reporterët e kronikës pranë Gojëve të Liga, që gjysmën e ditës e kalojnë tu pi kafe me prokurorë dhe gjysmën tjetër me gjykatës – të cilëve u transmetojnë se çfarë thoshin prokurorët – konfirmojnë se dyert metalike në hyrje dhe në dalje të fushës së aeroportit të porsazbuluar, janë hapur me kruajtëse dhëmbësh.

Nga ana tjetër, vajtje-ardhjet e furgonëve me thasë parash, janë vëzhguar sistematikisht dhe për shumë kohë nga një vilë luksoze e ngritur në një pozicion strategjik pranë Rinasit.

Burime të policisë sqaruan se ato e vëzhgonin gjithashtu për një kohë të gjatë vëzhguesin e Rinasit, që vëzhgonte nga vila e vet.

Por siç pohoi ministri i Brendshëm Aleko Pambuku, “përderisa nuk kishim fakte të forta, nuk mund të vepronim ndaj vëzhguesit, se ndryshe do shkelnim të drejtat e njeriut. Hë si thoni ju, çfarë t’i bënim, t’i hidhnim gaz lotsjellës brenda në banesë?”

Ndërkohë, nëpër gjithë Shqipërinë dhe vendet e rajonit u zbuluan furgonë të djegur ose në djegie e sipër, indicie këto që e orientuan policinë për të zbuluar edhe aeroporte të tjerë më të vegjël si dhe pako të tëra me kruajtëse veshësh.

Gjithsesi, entuziazmi i zbulimit të aeroportit të Rinasit solli edhe disa andralla. Kryeministri, pikërisht ai që kishte qëlluar pranë ngjarjes së Rinasit, kërcënoi hapur Republikën Popullore të Kinës, duke deklaruar se aeroporti duhet t’i kthehet Shqipërisë.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes kaloi në sulm, duke çuar batalionin special të ushtrisë për të ruajtur perimetrin e jashtëm të Rinasit. Ky gjest nga ana e vet, konfirmoi edhe ekzistencën e shumëdebatuar të vetë batalionit special.

I vetmi që nuk e fshehu dot harenë, pohojnë Gojët e Liga, për faktin se Shqipëria u bë me aeroport ndërkombëtar ashtu siç Berati u bë me kombinat, ishte ministri i Turistave Klendi Blosi.

“Këtë sezon turistët që do vizitojnë Shqipërinë do shtohen me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të ardhshëm, minus përqindjen e atyre që do ikin për t’u rikthyer që mos ua pafsha surranë!,” deklaroi i gëzuar ai, duke shtuar: “Deri në vitin 2030 do mbjellim 700 milionë fidanë!”

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike që beson se Nënë Tereza ka vëjë kujën atje lart, kur sheh çfarë ndodh në aeroportin e saj 

April 11, 2019 19:54
Komento

6 Komente

  1. Partia komuniste April 10, 21:42

    Dhe pensionet di te rrifen me dy perqind dhe rrogat do te rriten po’ rritje me te madhe do te kete korrupsioni me 200 perqind kte e thote edhe edi rama ky vend ka mare fund

    Reply to this comment
  2. Shoqata e hajdutave April 11, 00:27

    Gjate diskutimeve te fundit opsioni qe koncensionin ta japim me koncension eshte me i sakti.

    Reply to this comment
  3. Genti April 11, 07:06

    E dreq o pune. Si nuk na vajti mendja qe gjithe ata qindra police qe shikonim brenda e jashte Rinasit, paskan qene te gjithe Kineze.

    Reply to this comment
  4. Nuci April 11, 13:15

    Edhe hajdutet tane jane euroatlantike. Me palmerin skemi pune, thane ata, kemi ardhur se na ka derguar ceta per ushqime dhe veshmbathje

    Reply to this comment
  5. Tani April 11, 13:15

    Edhe hajdutet tane jane euroatlantike. Me palmerin skemi pune, thane ata, kemi ardhur se na ka derguar ceta per ushqime dhe veshmbathje

    Reply to this comment
  6. 888 April 11, 20:27

    E keni gabim!
    Pyeta Ramen me WhatsApp nga Kina dhe me deklaroi per agjensine groendlandeze si me poshte:
    -Kudo ne bote vidhen thase me para ne pista avionesh,bile vidhen edhe me keq banka te tera,rrembehen avione qe i rrezojne pastaj ne toke ose oqean!
    Pse duhet t’u cudise ky rasti i Rinasit ku fundi u vodhen vetem 10 milione euro?
    Pastaj kush ju siguroi juve se ne thase ishin 10 milione euro e jo mbushur me letra e gazeta te vjetra per te provokuar gjithe kete tymnaje kunder sigurise kombetare?
    Policia vertet e vrau njerin prej tyre,,por nuk i ndoqi te tjeret nga pas se gjykuan qe edhe ata ishin me femije dhe po t’i vrisnin hynin ne gjynah!
    Pastaj edhe policewt njerez jane dhe kaq fuqi kishin,se nuk i ndiqnin dot,se hajdutet ishin me te stervitur gje qe na del qe te punojme me shume ne te ardhmen!
    E pranojme se kemi punuar shume,por duhet te punojme akoma me shume!
    He si thoni ju a nuk eshte nje rrefim i sinqerte ky i kryeministrit?
    Shpirt njeriu i shkreti,qe kerkon ndjese e jo si Berisha qe vrau dhe tha se prap do ju vras!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*