Ekskluzive/ Enveri dhe Tito sipas Nexhmije Hoxhës

August 5, 2018 14:10

Ekskluzive/ Enveri dhe Tito sipas Nexhmije Hoxhës

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Enver Hoxha ishte i vetëdijshëm që vendi i tij ishte i vogël për t’u matur ballë për ballë me shtete më të mëdha ose më të forta, si BS, vendet e demokracisë popullore, shtetet fqinje etj. Ai kishte nevojë për ndihma, miqësi e mirëkuptim. Por, për të mënjanuar ndërlikimet politike e diplomatike me këto shtete dhe, njëkohësisht, për t’u qëndruar presioneve që u bëheshin Partisë së Punës dhe Shqipërisë për ndryshime në rrugë revizioniste, Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i Kryeministrit, duke mbajtur vetëm atë të Sekretarit të Parë të Partisë, për të qenë më i lirë në qëndrimet e tij politiko-ideologjike. Ai zgjodhi dhe përpunoi strategjinë e luftës së pandërprerë në rrafshin ideologjik, duke u marrë kryesisht me devijimet revizioniste nga partitë, duke evituar në maksimum kundërshtitë a fërkimet në politikën e në marrëdhëniet shtetërore.

Drejtësinë e kësaj strategjie e ka vërtetuar historia. Megjithë luftën e gjatë që bëri Enver Hoxha kundër titizmit e Titos, mes dy shteteve tona dhe në kufijtë që na ndanin nuk ndodhi asnjë incident i rëndë, aq më tepër, edhe në situatat më të vështira nuk lindi asnjë konflikt.

Enver Hoxha evitonte me kujdes çdo provokacion që bëhej nga ana e titistëve dhe agjenturës së tyre, UDB-së.

Dushan Mugosha, agjent i vjetër i OZNA-s dhe i UDB-së, pas zullumeve që bëri në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shtabin e tij antishqiptar, diversionist, e ngriti në Prishtinë, duke grumbulluar përreth e duke bashkëpunuar me lloj-lloj kolaboracionistësh fashistë shqiptarë të arratisur dhe armiq të egër kundër Shqipërisë.

Gjatë gjithë jetës së tij, Enver Hoxha nuk u lodh së demaskuari Titon e titizmin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe ideologjike të udhëheqjes jugosllave, me vetadministrimin, “mosangazhimin” etj. Me luftën kundër titizmit ai mbante zgjuar vetëdijen dhe vigjilencën ndaj rreziqeve që u kërcënoheshin Kosovës dhe gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, mbronte të drejtat e tyre politike, kulturore e shoqërore. Në 12 libra, që janë botuar me artikujt e shkruar “Kundër revizionizmit”, shumica janë lidhur me Kosovën, politika e së cilës (e Jugosllavisë), veçanërisht ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi, ndiqej dita-ditës. Shumë nga këta artikuj janë shkruar nga vetë Enver Hoxha, qoftë edhe kur nuk kanë firmën e tij. Në shënimet që do të lexoni në këtë libër ju do të njiheni edhe me metodën e punës, veçanërisht në ndjekjen e politikës së jashtme, së cilës ai ia kushtonte kohën dhe kujdesin më të madh.

Për shumë artikuj, ai tezat i bënte vetë ose jepte me gojë porosi të zbërthyera. Kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet tona me fqinjët, që, sigurisht, më të shumtat ishin me Jugosllavinë, se në mes kishim gjysmën e atdheut e të popullit tonë, Enveri formulonte vijat esenciale të dokumentit. Në rastet kur duhej protestuar, ai nuk lejonte zvarritje dhe ishte i prerë. Për biseda diplomatike të funksionarëve të Ministrisë së Punёve të Jashtme dhe të ambasadorëve tanë ai ndiqte një stil tjetër, sipas rastit, por gjithmonë duke mbrojtur me dinjitet politikën e vendit tonë. Shënimet e Enverit, disa nga të cilat janë edhe në këtë libër, qenë dhe mbeten si një manual shkolle për diplomatët tanë, ai ua jep pothuaj të plotë tekstin e bisedës, duke përdorur shpesh një metodë të zakonshme të tij: ”për shembull, unë (Enver Hoxha – N.H.) do t’i thosha kështu… e ashtu”. Në këto shënime do të gjeni se si mendonte ai për të gjetur pikat e kontaktit edhe me funksionarë shqiptarë në udhëheqjen jugosllave e në Kosovë, megjithë qëndrimet e tyre pro Titos. Pasi porosit sesi duhet sjellë me ta, ai shënon edhe replikën e bashkëbiseduesit: “Po kujt t’i themi, Fadil Hoxhës, që është anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë?”.

“Po, mundet, edhe Fadil Hoxhës, – përgjigjet Enveri, – se është më mirë të jetë në krye të Kosovës një shqiptar, sesa një serb”.

Enver Hoxha ishte një politikan largpamës dhe bir besnik i popullit të vet, çdo veprim e bënte siç e donin interesat e vendit të tij. Kur në vitet ’60 ai vendosi të denoncojë publikisht, në Mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, devijimet revizioniste të Nikita Hrushovit dhe ndërhyrjet e udhëheqjes sovjetike në Shqipëri, Enver Hoxha nuk mendoi vetëm të mbështetet te një aleat i madh, tek Kina e Mao Ce Dunit, por filloi të reflektojё si duhet të ndërtonte politikën e marrëdhënieve me vendet fqinje e, kryesisht, me Jugosllavinë. E para, sepse Jugosllavia kishte të njëjtën origjinë sllave dhe të njëjtën fe si Rusia dhe, së dyti, sepse brenda kufijve të saj kishim gjysmën e tokave dhe të popullsisë sonë. Ishin vite jo të qeta edhe për Titon. Rënkonte toka dhe ziente gjaku i shqiptarëve në Jugosllavi nga shtypja dhe terrori i egër i serbomëdhenjve, nën komandën e Aleksandër Rankoviçit.

Viti 1968 qe një vit i mbushur me revolta në gjithë Europën. Ngjanë demonstratat e studentëve në Francë, Gjermani e gjetkë, si dhe demonstratat e përgjakshme në Kosovë e Maqedoni. Ngjau agresioni i turpshëm i trupave sovjetike dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë. Nga një anë, Shqipëria kërcënohej nga superfuqia e re sovjetike, me teorinë e saj arrogante “të sovranitetit të kufizuar” dhe, nga ana tjetër, për gjithçka ngjiste në Kosovë, Tetovë etj… udhëheqja jugosllave akuzonte RPS të Shqipërisë si nxitëse. Enverin e shqetësonte mendimi se mos forca ultrareaksionare e nacionaliste serbe, për të ruajtur interesat e Serbisë së Madhe, i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe e lejonin atë të realizonte ëndrrën e vjetër të saj për daljen në Adriatik, nëpërmjet Kosovës e Maqedonisë, duke pushtuar Shqipërinë, ashtu siç bëri me Çekosllovakinë. Për të përballuar këto rreziqe, Enver Hoxha deklaroi në një nga fjalimet e tij se Shqipëria dhe populli shqiptar janë gati të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë për mbrojtjen e vendeve tona nga një agresion i mundshëm nga ana e Bashkimit Sovjetik.

Kësaj deklarate, Titoja iu përgjigj nëpërmjet një ambasadori të tij: Rusët kanë kërkuar të kalojnë territorin jugosllav për të sulmuar Shqipërinë. Ne nuk do të lejojmë asnjë këmbë ushtari sovjetik në territorin jugosllav.

Kështu, hap pas hapi, lidhur me situatat e reja që u përmendën më lart, u krijuan premisat që, si nga ana jonë, shteti shqiptar, ashtu dhe nga Federata Jugosllave, të rishikonin pozitat e tyre për vendosjen e një mirëkuptimi në dobi të të dyja palëve.

Enver Hoxha analizonte pozitat në të cilat ndodhej Titoja dhe nxirrte konkluzione. Enveri gjykonte që Titoja, si nacionalist kroat, ishte shumë i interesuar që shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi t’i ketë si një kundërbalancim ndaj serbëve, sepse kanë qenë kurdoherë këta që i kanë shtypur dhe i kanë gjakosur më shumë shqiptarët. “Duke e ditur këtë, – theksonte Enveri, – si antiserb dhe antisovjetik që është, Titoja mendon se popullata shqiptare në Jugosllavi është jo vetëm një masë kompakte, por sot kjo ka nga pas edhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, që përbëjnë së bashku një forcë të konsiderueshme…”.

Nga ana tjetër, Titoja mendonte se tani që Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte mbetur vetëm, pa mbrojtjen e ndihmën e mikut të madh, Jugosllavia mund të rriste ndikimin e vet mbi shqiptarët e Shqipërisë Socialiste, duke reklamuar realizimet e Jugosllavisë vetadministruese, “mirëqenien” e krijuar nga miliarda dollarë kredi nga kapitali botëror. Filluan shkëmbimet e delegacioneve dhe vizitat e shqiptarëve te njëri-tjetri, me skena mallëngjyese takimi, pas shumë vite ndarjeje. Vizitorët vinin me duart plot me dhurata, por njerëzit tanë, në mbrëmjet e gjata të pagjumë, në muhabetet intime tregonin që, si shtëpitë, pajisjet e brendshme, autoveturat e gjithçka i siguronin me kredi.

Bije Vokshi më pati thënë: “Në Kosovë edhe fëmija qan në bark të nënës, kukú, – thotë, – kur do t’i paguaj gjithë këto borxhe?”.

Kurse Enver Hoxha, në kushtet e reja, kësaj hapjeje me Jugosllavinë mendonte t’i jepte një përmbajtje të re, me qëllim që të arrihej një afrim i tillë mes shqiptarëve, për këndej e andej kufirit, që do të na siguronte, në tё ardhmen, realizimin e aspiratës së gjithë shqiptarëve, bashkimin e tyre.

Më 1970, Enver Hoxha, mbajti një fjalim në Tropojë që, në fakt, qe një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve të reja me Jugosllavinë, duke pasur në qendër të saj “Çështjen e Kosovës” dhe të drejtat e saj. Ky fjalim pati jehonë jo vetëm në opinionin e gjerë publik, por vuri në lëvizje edhe kancelarinë diplomatike jugosllave. Fadil Hoxha, i cili kishte funksione të larta në Kosovë, por edhe në Federatën Jugosllave, për herë të parë mori pjesë në një ceremoni zyrtare  në ambasadën tonë në Beograd.

Në këtë atmosferë, J.B.Tito riformuloi Kushtetutën e RF të Jugosllavisë, që u quajt e 1974-ës, ku Kosova përcaktohej si Krahinë Autonome me të drejtën e pjesëmarrjes si anëtare konstituive në Presidencën e Federatës Jugosllave. Sigurisht, nuk ishte kjo që donin populli i Kosovës dhe populli shqiptar, por, si fillim, mund të shërbente për të shkuar më tej në vendosjen e marrëdhënieve më të lirshme njerëzore, kulturore, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Qëndrimi i Enverit në atë kohë, që u transmetonte emisarëve të vëllezërve kosovarë, personaliteteve politike, shkencore, kulturore, ishte: “Shfrytëzoni në maksimum të drejtat që ju njihen nga Kushtetuta e 1974-ës. Po kështu do të bëjmë edhe ne nga ana jonë”. Enveri mendonte se “njohja nga afër me njёri-tjetrin, arritja historike e unifikimit dhe e njёjёsimit të të folmes së përbashkët në gjuhën letrare, ecja në shina paralele në arsim, shkencë, art e kulturë do të krijonin atë bashkim shpirtëror kombëtar, për të realizuar më vonë ëndrrën shekullore të bashkimit të kombit tonë.

Pikërisht në këtë kohë u gjallëruan, sidomos nga ana jonë, shkëmbimet arsimore, shkencore, artistike e kulturore me Kosovën. Shkëmbimet dhe bashkëpunimi mes universiteteve tona, akademive dhe studiuesve të fushave të ndryshme, sidomos në fushën e shkencave gjuhësore, historike, kulturore etj., ndihmuan në njohjen dhe në lartësimin e kulturës sonë të përbashkët kombëtare, në përgatitjen e një armate të re intelektualësh me formim patriotik e bashkëkohor, në një rigjallërim të ndërgjegjes kombëtare në masat e të rinjve. Televizioni shqiptar, ansamblet e këngëve dhe valleve ngrinin peshë zemrat e zhuritura për liri të të gjithë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, të ndarë padrejtësisht nga atdheu amë.

Në këto kushte të reja filluan të vizitojnë Shqipërinë personalitete politike nga Jugosllavia. Kuadro zyrtarë ose shoqërorë nga Kosova filluan të vijnë ose të dërgojnë  përfaqësues të tyre për t’u takuar e këshilluar me Enverin. Kështu, dërguan Bije Vokshin të pyesnin Enverin ç’mendonte nëse mund të ngrinin një parti komuniste ilegale të kosovarëve jashtë Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Megjithë marrëdhëniet shumë shoqërore që kishim me Bije Vokshin, Enveri u rezervua të jepte një mendim të prerë.

Dihet që Enver Hoxha në sistemin e atëhershëm monist ishte, njëkohësisht, udhëheqësi kryesor i Partisë dhe i shtetit shqiptar. Duke qenë udhëheqës i shtetit amë, Enver Hoxha asnjëherë nuk u foli kosovarëve dhe udhëheqjes së tyre shqiptare “nga lart”. Ai i respektonte, i paralajmëronte për rreziqet, mbronte çështjen e madhe që kishin për zemër, jepte ndonjë këshillë kur ia kërkonin, por fjalën e fundit ua linte atyre. Prandaj ai i tha Bijes: ”Shokët që duan të ndërmarrin një niciativë të tillë me shumë përgjegjësi mund ta gjykojnë më mirë këtë çështje, sepse njohin kushtet, njerëzit, duke pasur parasysh edhe prirjet e zhvillimeve aktuale e të perspektivës në Jugosllavi e Kosovë”. Në fakt, Enveri kishte rezerva për këtë niciativë dhe në bisedë me mua, pasi iku Bija, shtjelloi se ç’mendonte për këtë çështje e përgjithësisht për formën e organizimit të kosovarëve. Në qoftë se këto nuk ia shprehu Bijes, këtë e bëri sepse Bije Vokshi, halla e luftëtarit të Spanjës, Heroit të Popullit, Asim Vokshi, vërtet ishte një grua trime, që kishte dhënë shumë prova guximi e zgjuarsie gjatë kohës që banonte në Tiranë, në shtëpinë e saj jo vetëm ishin strehuar Enveri, Qemali e shumë ilegalë të tjerë, por aty ishin bërë Mbledhja e Themelimit të Rinisë Komuniste dhe Konsulta e Parë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por, ajo ishte një grua e thjeshtë dhe Enveri nuk ishte i sigurt nëse do të ishte në gjendje t’u transmetonte shokëve, që e kishin dërguar, qartë e drejtë ato që mendonte ai.

Enveri gjykonte se në kushtet e Kosovës do të ishte mirë të kishte një Parti Komuniste ilegale të shqiptarëve të Kosovës, por ajo nuk do ta kishte jetën e gjatë në qoftë se nuk do të krijonte rreth vetes një front të gjerë popullor, që edhe do ta mbronte nga goditjet e aparatit shtetëror serbomadh, edhe do t’i jepte mundësi të shtrihej në gjithë Kosovën, gjë që s’e realizon dot një parti vetëm. Këto ide të Enverit mund të them se gjetën disi zbatim në Kosovë  disa vite më vonë.

Kur në Gjermani u vranë Jusuf Gërvalla me të vëllanë, Bardhin, dhe me shokun e tyre, Kadri Zekën, Enveri shumë i emocionuar nga kjo ngjarje tragjike, më foli për ta, veçanërisht për Jusuf Gërvallën, si poet dhe me kulturë të gjerë, se që të tre ishin jo vetëm patriotë të mirë, por edhe revolucionarë me horizont të gjerë e largpamës. Enveri nuk e kishte takuar drejtpërsëdrejti Jusuf Gërvallën, por, siç më tha, njëri nga grupi i tij kishte ardhur në Tiranë. Unë nuk e di nëse ky ka qenë Kadri Zeka apo ndonjë tjetër. Edhe atёherё ishte shtruar çështja nëse duhej organizuar një parti apo lëvizje, Enveri pati sugjeruar se do të ishte më mirë të organizohej një Lëvizje, një Front Popullor, që të vepronte me të gjitha metodat legale, në bazë të Kushtetutës së Federatës Jugosllave, kurse grupi niciator të mbetej si bërthamë që mund të drejtonte e të vepronte ilegalisht. Kur UDB-ja jugosllave e nuhati kush frymëzonte këtë lëvizje, e goditi pa mëshirë në kokë. Por Kosova vazhdoi të nxjerrë nga gjiri i vet bij të shquar, duke u bashkuar gjithnjë e më tepër rreth tyre, që si udhëheqës politikë e ushtarakë për Çlirimin e Pavarësinë e Kosovës e bëjnë “vdekjen si me le”.

***

Enver Hoxha ka qenë organizatori i Konferencës së Pezës, ku u hodhën themelet e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, duke bashkuar në të pjesën më të madhe të popullit nën thirrjen: ”Të gjithë për Çlirimin e Atdheut, pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Duke vlerësuar lart këtë përvojë, Enveri shfrytëzonte çdo rast për t’u këshilluar vëllezërve kosovarë bashkimin sa më të gjerë, pa dallim “feje, krahine e ideje”, sepse Kosova vazhdonte të ishte e pushtuar. Ndonёse te ne kishat e xhamitë ishin mbyllur, unë kisha dëgjuar Enverin t’u thoshte shokëve të vet që të porositnin njerëzit tanë, pedagogë, studiues, gazetarë etj. që shkonin me shërbim në Kosovë, në bisedime me kolegë e vendas t’u thoshin që t’i ruajnë xhamitë, se për ta ato janë si klube, ku mund të mblidhen, të bisedojnë e të qajnë hallet e tyre.

Ne, me ballistët në Shqipëri i kishim ndarë hesapet, por, kur një ditë Enveri më tha se ishte takuar me një ballist kosovar, unë shpreha habi. Enveri më tregoi se ky ishte një figurë e nderuar në Kosovë, quhej Demë Ali Pozhari, i ndjekur nga regjimi titist si separatist e irredentist, qe vendosur në Turqi dhe kishte ardhur në Shqipëri me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Enveri më shpjegoi se nacionalistët, ata që quhen ballistë, në Kosovë nuk janë si ballistët tanë, që na luftonin ne si komunistë, megjithëse ne ishim shqiptarë; nacionalistët kosovarë luftonin kundër pushtuesve serbë dhe forcave të tyre të armatosura, çetnikë etj., që kryenin akte terrori e masakra ndaj popullsisë shqiptare. Pavarësisht se në shumë raste nuk kanë bashkëpunuar me komunistët, ata ishin për shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pёr bashkimin me shtetin amë.

Një tjetër personalitet shumë i nderuar në Kosovë, Rexhep Duraku, babai i dëshmorit Emin Duraku, erdhi në Shqipëri dhe kërkoi takim me Enverin, i cili e priti me respekt e kënaqësi. Pas një bisede të ngrohtë, vëllazërore, baca Rexhep i tha Enverit se ishte i ngarkuar të bisedonte me të dhe donin të dinin se “ç’mendonte Enver Hoxha po të ngrihej kërkesa që Krahina Autonome e Kosovës të bëhej Republikë, si të tjerat, brenda Federatës Jugosllave?”.

Siç më tregoi Enveri, ky hap atë e kishte vënë në mendime, sepse, si popullsi Kosova ia kalonte dhe e linte shumë prapa Republikën e Malit të Zi, por sa do të ishte e arsyeshme që të kishte dy republika shqiptare, një këtej kufirit, shtet më vete, një më atë anë të kufirit, brenda shtetit të Federatës Jugosllave. Udhëheqja jugosllave, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kishte bërë përpjekje për krijimin e Republikës së 7-të të shqiptarëve, por jo duke i dhënë Kosovën Shqipërisë, por duke përfshirë Shqipërinë brenda Federatës.

Megjithëse çështja e Federatës Ballkanike, përveç përmendjes në ndonjë nga dokumentet e Kominternit, që drejtohej nga Dimitrovi, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk u ngrit në asnjë mbledhje të rëndësishme, as të Ballkanit, as të vendeve të demokracisë popullore dhe as në udhëheqjen e Partisë sonë Komuniste nuk u diskutua për këtë çështje, unë kisha dëgjuar të flitej pёr tё. Enveri mendonte se kjo mund të ishte një rrugë e bashkimit të tё gjithë shqiptarëve, por krejt në të kundërtën me atë që mendonin Titoja dhe udhëheqja jugosllave, jo nën çatinë e Federatës Jugosllave, por nën çatinë e një familjeje më të madhe, më dashamirëse, sesa ajo e shovinistëve serbë.

(Vijon)

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

August 5, 2018 14:10