Ekskluzive / Fushata anti-hashash, një propozim radikal i Tahirit: Mos ta djegim, por…

August 25, 2016 22:07

Ekskluzive / Fushata anti-hashash, një propozim radikal i Tahirit: Mos ta djegim, por…

 

Ditët e fundit rubrikat televizive janë mbushur me raportime policësh që korrin dhe djegin me mijëra bimë hashashi. E gjitha kjo, pasi janë ngjitur me stërmundim në pika majash të larta, ku jo rrallë u del përpara edhe ndonjë roje parcele, i cili në mungesë të radio Tiranës, nuk e ka marrë vesh se janë bërë zgjedhjet dhe qeveria ka ndryshuar.

Gojët e Liga mësojnë se kalvari i policëve të thjeshtë nuk ka lënë indiferent ministrin e Brendshëm, pra Sajmen. Aq më tepër që uniformat blu duhet të numërojnë, fotografojnë dhe dokumentojnë sasitë  hashashit të kapur, për proceset e ardhshme gjyqësore.

Kjo, në një kohë kur fotot e shumta të hashashit janë ngatërruar me njëra tjetrën, duke dëmtuar dosjen hetimore. Në aparatet fotografike dhe në celularë, parcelat e Vlorës janë bërë lëmsh me ato të Tepelenës, të Krujës me të Leskovikut, ndërsa të gjitha bashkë, ka bërë vaki që edhe janë miksuar me foto familjare, ditëlindjesh, dasmash apo pushimesh të familjeve të policëve.

Në këtë kuadër, Sajme ka bluar një zgjidhje të re, që ua ka propozuar shefave të lartë të policisë për ta përtypur në mendje.

“Dëgjoni”, u tha Sajme, “unë besoj se djegia e hashashit nuk na zgjidh punë. Le që ndonjëherë ka marrë flakë dhe pylli dhe më shumë kemi bërë zarar. Jam i mendimit që kjo bimë e ndyrë të korret, të thahet dhe të paketohet, në mënyrë që ta kemi gati si provë materiale nëse ndonjëherë zbulojmë ata që i kanë mbjellë”.

Ministri shtoi se ministria e Brendshme i ka kapacitetet për të strehuar hashashin e paketuar.

“Siç e dini, hashashi duhet presuar vetëm pasi është tharë për dhjetë ditë, por jo më shumë. Në mënyrë që të ruajë atë pak lagështirë që i jep shije dhe aromë kur e pijnë ata narkomanët e poshtër. Se pastaj i bie çmimi… dmth cilësia para gjykatës. Dihet se idealja është që presimi të bëhet me vakum, pasi kështu ruhen karakteristikat lokale që dallojnë, për shembull, hashashin e Memaliajt nga ai i Devollit”.

Në vijim, Sajme porositi që hashashi të mos mbahet kurrë në tokë ose në çimento, por në distancë nga dyshemeja. “Mund të instalojmë rafte dhe ta magazinojmë hashashin e qelbur sipas datës së prodhimit, llojit dhe veçorive të tokës ku është mbjellur… Që të mos ngatërrohemi, jo për gjë…”, dhe Sajme pa ngultazi shefat e policisë.

“Më kuptoni drejt…”, shtoi Sajme, “mund edhe t’u ngjisim pakove çmimin që do kishin në tregun evropian sipas kryeqyteteve kryesore të BE-së. Hë, si thoni?”

“Jo për gjë, por që gjykata ta dijë se si i mbledhim ne provat nga vendi i krimit. Që të jemi gjithnjë një hap përpara krimit, apo jo djema…”, e mbylli Sajme.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Hashashi, siç dihet, të ngre humorin. Pra si përfundim, Gojët e Liga janë hashash.    

August 25, 2016 22:07
Komento

6 Komente

  1. Shaqja August 26, 00:29

    Ha ahah, shume me vend ideja. Paketoje Taho, dhe mbae gati se nuk i dihet. I ditke dhe temperaturat e ruajtjes dhe te gjitha. Ky qeka minister kompetent more vllezer! Po kam nje propozim: Cmimin mos ja vur, se ku i dihet, mbase ritet

    Reply to this comment
  2. Petro August 26, 00:31

    Sajme profesori, nje ruge e dy pune: E thave qe e thave, futi nje te shitme qe te mbulosh kostot e operacioneve policore!!!!!! Se jena vend i vogel, s’kena buxhet

    Reply to this comment
  3. llogjika August 28, 22:00

    Aprovoni ligjin per lirimin e hashashit si shume vende te tjera, do jet frrymemarrje per ekonomine buqesore e turistike dhe grusht per trafikentet te cilet perfitojne nga ilegaliteti i kesaj bime.

    Reply to this comment
  4. Derrmokratet August 29, 00:12

    Qindra mil Euro digjen cdo jave Digjet xhepat e atyre qe mundohen te mbijetoje sepse papunesia ka hyre kudo Dhe varferia sjell poshterim Demokratet Dhe LSi Grabiten gjithcka Dhe tani ato sulmojne qellimisht per ta rrezuar Ramen duke veshtirsuar ne kulm jeten e mbare Shqipetareve
    Derrmokratet Jane shkatrrimtaret

    Reply to this comment
  5. vlora.al August 29, 12:59

    Je i pa pare fare ,dhe kete se kisha degjuar

    Reply to this comment
  6. Bujo August 30, 17:05

    Ka te Drejte Sajmiri …….Sot Maqedonia, Greqia dhe te tjeret shesin Vaj Ashashi ne treg….Pse mos ta bejme dhe ne

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*