Pjesa II / Izet Haxhia: Çfarë di unë për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Xhevdet Shehu April 30, 2015 14:05

Pjesa II / Izet Haxhia: Çfarë di unë për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Remzi Hoxha është aktivisti shqiptar nga Maqedonia që u zhduk pasi u arrestua nga Shërbimi Informativ i Shqipërisë.

Eshtë folur se ai mund të kishte fakte kompromentuese mbi një takim okult të presidentit të kohës, Berisha, me homologun e tij serb Millosheviç dhe atë maqedonas Gligorov.

Askush nga të kërkuarit e mëpasmë nga drejtësia shqiptare për çështjen “Remzi Hoxha”, ku kryesori ishte Ilir Kumbaro, ose nuk është dorëzuar, ose nuk ka pësuar asnjë dënim.

Vijon nga dje

– Ndikimet serbe kanë vazhduar edhe pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri?

– Pikërisht. Dhe jam në gjendje ta argumentoj këtë me fakte. Në vitet 90-91 u vendos krijimi i grupeve të armatosura dhe dërgimi i tyre në Kosovë për fillimin e luftës çlirimtare. Këto kanë qenë bërthamat e para luftarake që do të pasoheshin me krijimin e UÇK-së. Kuptohet, këto grupe u krijuan edhe me dijeninë e shtetit shqiptar e ndihmën, që më vonë doli që nuk ishte e tillë, por ishte një tradhti ndaj tyre nga ana e Shqipërisë e shërbimit të saj sekret me në krye Irakli Koçollarin.

Shumë prej këtyre pjesëtarëve me futjen në Kosovë ose u burgosën ose ranë në pritat e sigurimit serb. Më ka pasë çuditur gjithmonë një afërsi e shefit të parë të SHIK-ut Koçollari, i zgjedhuri i Ramizit, me krerët e PD-së së sapokrijuar, sidomos me Berishën dhe Hajdarin. Selia e PD-së në rrugën e Kavajës ishte një vend vizitash të vazhdueshme në orët e vona të natës nga Koçollari.

Jo rastësisht, këtë e them tani, ka qenë zgjedhja e Berishës në krye të forcës së parë opozitare nga ana e Alisë. Kontaktet e Alisë me Berishën kanë vazhduar në vitet 91-92 në mënyrë intensive, ku bëheshin ndërmjet të dërguarit të Alisë, Spiro Dede. Dihet vërshimi i shqipfolësve në Shqipëri pas vitit ‘91 që hiqeshin si kosovarë e që ndikuan në prishjen e imazhit të shqiptarëve të Kosovës në sytë e popullit shqiptar. Besoj se kjo ka qenë pjesë e një lufte psikologjike që kishte synime të caktuara e të mëvonshme. Që të linte pa përkrahje nga shqiptarët luftën e mëvonshme për çlirim të Kosovës.

Në një kohë kur këta shqipfolës bridhnin lirshëm në Shqipëri të pashqetësuar nga shërbimet e saja inteligjente, duke krijuar një imazh e nam të keq për shqiptarët e Kosovës, heronjtë e mëvonshëm të luftës e ata që donin me shpirt atdheun mëmë persekutoheshin, futeshin burgjeve e spiunoheshin tek regjimi serb. Dhe kjo bëhej nga ai që në fjalimin e tij para studenteve në dhjetor ’90, bënte thirrje për bashkim kombëtar dhe propagandën e tij e ndërtonte duke bërë si një patriot e përkrahës i flaktë i Kosovës.

E kam fjalën për Berishën. SHIK-u i Gazidedes u kthye si një gjuetar shtrigash ndaj djemve patriotë të Kosovës duke i burgosur, torturuar apo zhdukur pa lënë gjurmë, nën akuzën e shpifur se këta ishin njerëz të UDB-së jugosllave. Mjafton vetëm kjo që të kuptojmë se kush janë patriotët apo ata që kanë sabotuar çështjen e Kosovës. Njerëzit e Rugovës e Bukoshit u bënë hjeksit më të mëdhenj të këtyre djemve e burrave kosovarë që vetëm pse kishin ato bindjet e tyre naive ideologjike të majta, të bëheshin pre e persekutimit të komunistëve të konvertuar në demokratë dhe pre e spiunimit LKJ të Kosovës të kthyer në LDK-ista.

Se kush u mundua të sabotojë luftën, tregon veprimtaria e tyre. Çfarë mund të prisni nga një njeri si Berisha që takohej fshehtas me ministrin e Millosheviçit e për t’u dukur si “patriot”, me bekimin e Beogradit kuptohet, të nesërmen deklaronte se fuqitë e mëdha duhet të bombardojnë Beogradin. Ky është Berisha patriot!… Dua të shtoj edhe diçka. Unë në lidhje me “patriotizmin” e tyre them që Berisha me Nanon janë të një niveli. Berisha ka përndjekur e persekutuar kosovarët patriotë duke i penguar në organizimin e tyre, ndërsa Nano u bllokoi armët e ndihmën në fillimin e luftës së tyre…

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhes

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhes

– Megjithatë, flitet se ish-Presidenti Sali Berisha ka punuar dhe luftuar për ta ndihmuar luftën e UÇK-së. Të paktën kështu linte të nënkuptonte ai ditët e fundit në deklaratën që bëri në mbrojtje të Rugovës dhe Mustafës. Ç’mund të thoni për këtë?

– Ç’është e vërteta, unë kam patur shumë kontakte me shqiptarët e Kosovës që erdhën në Shqipëri pas vitit 91. Pavarësisht se kush ka qenë në krye të shtetit shqiptar, kosovarët i kanë dashur pa paragjykim e me njëfarë naiviteti ata që kanë qenë në drejtimin e vendit tonë. Kjo ka ndodhur edhe në qeverisjen e Berishës.

Ky Berisha u kthye në një idol për kosovarët, por këtë dashuri të kosovarëve ndaj tij, Berisha ua ktheu duke i burgosur, përndjekur e dorëzuar tek regjimi serb të gjithë ata që po bënin përpjekje për të filluar rezistencën me armë në Kosovë. Në atë kohë ishte një blasfemi e madhe të ishe pjesëtar i këtyre grupeve. Shumë vite më vonë, kur filloi lufta çlirimtare, njerëz që kam ndenjur me ta e i kam ndihmuar, dolën haptazi që ishin pjesë e lëvizjes së rezistencës me armë në Kosovë, sepse kishin frikë e druheshin të dekonspiroheshin nga shërbimet e agjentët e SHIK-ut të Berishës e Gazidedes, të cilët u kishin shpallur një luftë të hapur këtyre patriotëve duke u munduar t’i damkosnin si agjentë të UDB-së. U bë i pamundur vazhdimi i veprimtarisë së këtyre në Shqipëri dhe shumica u detyruan të largoheshin ilegalisht në Kosovë apo në Perëndim.

Pra Berisha jo vetëm që nuk ka ndihmuar veprimtarinë e UÇK-së, por ka qenë pengesa kryesore për veprimtarinë e saj. Ai gjithmonë e ka quajtur UÇK-në, ashtu si Rugova, si një krijesë e sajim i shërbimeve sekrete serbe. Kur lufta çlirimtare e UÇK-së u bë e njohur në gjithë botën e fitoi dashurinë e gjithë shqiptarëve, edhe Berisha e ktheu pllakën.

– Si e ktheu pllakën? Mund të flasim më konkretisht se si ndodhi ky transformim i tij?

– Po, do ta tregoj. Në atë kohë ndodhesha në Tropojë e jam munduar të jap kontributin tim modest në ndihmë të luftës së UÇK-së. Nuk dua të flas për veprimtarinë time, por do t’u tregoj një episod të asaj

Izet Haxhia

Izet Haxhia

kohe, që tregon gjendjen e dëshpëruar e mjerane të Berishës. Me një të njohurin e tij dërgon në Tropojë një grup televiziv francez, të kanalit TF5 më duket. Si duket ishte në dijeni të veprimtarisë time dhe donte që të jepja një intervistë për këtë kanal ku do paraqitesha si ish shefi i sigurimit të tij dhe që luftoja në radhët e UÇK-së, kuptohet me direktivën e tij. U thashë që ketë intervistë nuk mund ta pranoj dhe nuk do ta jap!

Vërtet për të ardhur keq. Por Berisha kishte marrë atë që meritonte, ishte damkosur si një kundërshtar i vendosur i luftës çlirimtare dhe paraprirëses së saj, UÇK-së. As intervista ime, po ta jepja, as prononcimet e tij të mëvonshme hipokrite në favor të luftës, madje edhe po të merrte armën e të deklaronte se do nisem për luftë, nuk mund ta përmirësonin atë imazh të tij të damkosur keq si një kundërshtar e sabotues i luftës çlirimtare në sytë e shqiptarëve. Dhe kur them që patriotizmi nuk ka parti, këtë e tregon mbështetja e qeverisë së atëhershme të Shqipërisë për luftën e Kosovës. Vërtet jam ndjerë i befasuar sepse edhe unë si shumë naivë të tjerë në Shqipëri e Kosovë patriotë dinim Berishën e Rugovën, por që dolëm të zhgënjyer në besimin tonë.

– A ka ndonjë lidhje, Izet, midis çështjes së Remzi Hoxhës dhe luftës së UÇK-së? Si u implikuan në atë çështje Ilir Kumbaro dhe Gazidede?

– Zhdukjen e Remzi Hoxhës e kam marrë vesh pas interesimit të disa miqve të mi në lidhje me fatin e tij. Jam interesuar sa mund të çaja në atë konspiracion të plotë në lidhje me këtë. Para vitit ‘97 nuk kam arritur të mësoj asgjë për këtë çështje. Por kur shteti falimentoi dhe të gjitha të brendshmet e pista të tij filluan të dilnin haptas, jam munduar të marr informacion nga pjesëtarë të SHIK-ut që kanë pasë dijeni për këtë.

Të paktën për të mësuar varrin e tij. Di këtë: Që Remzi Hoxha ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK-ut, nga njerëz të SHIK-ut. Ka dy variante për vendndodhjen e varrit të tij. Njëri, që trupi i tij është transportuar në det me lundër e hedhur atje dhe, i dyti, që është transportuar diku prapa malit të Dajtit, ku pasi është djegur, është varrosur. Ka disa njerëz që janë të përfshirë në këtë krim. Por që arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Sepse Gazidede ka pasur një lidhje dhe i ka shërbyer shërbimit sekret maqedonas.

Nuk e di sa e vërtetë është që Remzi Hoxha ka filmuar një takim të Berishës, Gligorovit e Millosheviçit në vilën VİLJANA në Ohër. Që ka pasë një takim Berisha-Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë zyrtare, por ajo që më ka bërë përshtypje në atë takim është se asnjë nga shoqëruesit e Berishës apo delegacionit që shoqëronte atë nuk është lejuar të futet në brendësi të kësaj vile, gjë që nuk ndodhte në asnjë takim tjetër ndërkombëtar, madje as në Shtëpinë e Bardhë…

Një nga takimet Milosheviç-Grigorov në kuadër të liderve të republikave Jugosllave

Një nga takimet Milosheviç-Grigorov në kuadër të liderve të republikave Jugosllave

– Ju kini njohur nga afër edhe Rugovën, edhe Bukoshin. Çfarë do të thoshnit sot pas rreth 20 vjetësh për kontributin e tyre për Kosovën?

– Në vlerësimin e figurave të rëndësishme, nuk duhet të jemi të prerë apo t’i shohim bardh e zi, sepse ekziston edhe ngjyra gri. Ne shqiptarëve na pëlqen të gjejmë heronj në radhët e atyre që nuk e meritojnë e të bëjmë tradhtarë ata që nuk na shkojnë për shtat, apo nuk janë të krahut tonë ideologjik. Për Rugovën, që ky nuk ka qenë një hero është e sigurt, apo ndonjë burrë i madh shteti, edhe kjo është e pasaktë. Mund të ketë qenë kampion në pirjen e alkoolit apo cigares, të cilat i shkatërruan edhe shëndetin më vonë. Por mund të them me bindje që Rugova nuk ka qenë një tradhtar.

Që ai e ka dashur popullin e vet dhe trojet e veta, nuk mund ta vejë në dyshim dhe nuk duhet ta vejë asnjë shqiptar. Por Rugova ka qenë një frikacak, kjo është më se e vërtetë. Që ka zhvilluar një politikë të pashpresë, që ishte pajtuar me statukuonë e Kosovës. Që nuk ka asnjë kontribut në çlirimin e Kosovës, që humbi shansin të hynte në historinë e Kosovës si një hero, por hyri në historinë e saj si një frikacak, duke u takuar me xhelatin e shqiptarëve, Sllobodan Millosheviçin qoftë edhe nga frika…

-A bëhet mirë që hapen e diskutohen tema të tilla të nxehta tani dhe a duhet të dalin në dritë ca të vërteta të hidhura të së shkuarës?

Është një gjë mjaft pozitive që flitet për tema e ngjarje të tilla, edhe pse është një kohë e shkurtër që kanë ndodhur dhe shumica e protagonistëve janë gjallë e aktive në politikë. Njerëzit duhet ta marrin vesh e ta kuptojnë se kush ka ndihmuar e kontribuar në të mirën e Shqipërisë e çështjes shqiptare. Duhet të dalin në pah ata që kanë vënë çdo gjë në shërbim të kësaj çështjeje e ata që kanë përdorur atë vetëm për propagandë, e nga ana tjetër janë munduar ta pengojnë me çdo mjet fitoren e kësaj çështjeje jetike për kombin tonë. Duhet t’u jepet ajo që u takon atyre që kanë bërë sakrifica të çfarëdo bindjeje politike që kanë qenë. Mbeten për t’u sqaruar sqaruar shumë gjëra e ngjarje akoma të pasqaruara, sado të hidhura të jenë për dikë ato.

Duhet ta kuptojmë të gjithë që jemi një komb, një popull e nuk kanë rëndësi partitë politike të cilat fatkeqësisht e kanë shkatërruar e po shkatërrojnë idealet tona për bashkim e mirëqenie… Për të bërë vendin tonë një vend ku mund të jetojnë të gjithë, ku të sundojë ligji e drejtësia, ku t’u tregojmë të tjerëve e sidomos armiqve tanë që në shqiptarët jemi të aftë të bëjmë një shtet modern e jo një shtet ku drejtojnë interesat e klaneve e grupeve të caktuara, antishqiptare bile. Duhet të marrë fund njëherë e mirë blerja e politikanëve nga grupet e interesit. Të marrë fund ky tranzicion pambarim që në fillimet e tij një kryeministër i qeverisë shqiptare blihej për njëmijë dollarë ryshfet, siç i thoshte antishqiptari Hajdin Sejdia një mikut të vet arab kur e ftonte të krijonte biznese në Shqipëri.

Duhet të marrë fund politika e mosndëshkimit për cilindoqoftë ai që ka bërë krime në këtë vend. Ka ardhur koha e një reflektimi të të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë gjendje ku jemi katandisur, të gjithë atyre që dinë për këto ngjarje, sado e madhe të jetë përlyerja e tyre në to. Vënia përpara ligjit e fajtorëve, nuk duhet të shihet si një proçes hakmarrjeje apo revanshi, por si një shërbim në interes të vendit tonë për t’u kthyer në një vend normal, ku sundon ligji dhe e drejta e ku kushdo qoftë, të mos guxojë më të shohë veten sipër ligjit, duke bërë ligjet e tij e klaneve të tij.

 

Xhevdet Shehu April 30, 2015 14:05
Komento

4 Komente

  1. guri April 30, 14:34

    Kush je ti me vleresu Dr.Ibrahim Rugoven!!!
    …Fol sa te duash per Saliun sepse at e njeh por jo te tjeret…

    Reply to this comment
  2. askushi April 30, 14:35

    bravo gazeta DIta, e nje bravo te madhe Izetit, qe po ndriçon ate pjese te erret te historise antishqiptare nga ana e politikes se kohes dhe te tanishme!

    Reply to this comment
  3. arbereshi April 30, 14:42

    Le te tregoje te pakten se si dogji gazeten KOHA JONE me urdher te Berishes natyrisht. Atehere do te fillojne njerezit ta besojne, te filloje apologjine e tij sepse te gjithe e dine qe i ka bere me urdher te Berishes

    Reply to this comment
  4. sopiqoti April 30, 15:56

    Nuk dyshojme ne ato qe din dhe i flet Izet Haxhi POR ce do; Sali berisha kapardiset dhe as qe don ta dije per ato qe fliten ne adrese te tij.Shtrohet pyetja : se a do te vije ajo dite qe me fakte konkrete Sali Berisha te vendoset para pergjegjesise ligjore? Une jam pesimist,nuk e besoj.Remzi Hoxha ka mare me veti sekretin e madh qe e rendon dhe e ballafaqon Sali Bwerishen me te verteten dhe ketu mbaron gjithcka.Ato sa thuhen mbeten kuriozitete pamvaresisht se mund te jene te verteta.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*