Ekskluzive/ Projekti nazist për Shqipërinë dhe bashkëpunimi me ballistët

November 26, 2019 09:37

Ekskluzive/ Projekti nazist për Shqipërinë dhe bashkëpunimi me ballistët

Strategjia e pushtimit gjerman dhe bashkëpunimi i shqiptarëve me pushtuesit në fazën e parë të pushtimit shtator 1943 – mars 1944. Mukja hodhi bazat e politikës gjermane ndaj Shqipërisë. Ribbentrop-i e skicoi politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë bazuar pikërisht në Proklamatën e Mukjes. Për të siguruar bashkëpunimin e shqiptarëve, Ribbentrop-i mendoi t’u premtonte shqiptarëve atë që ata dëshironin më shumë

Dr. Marenglen Kasmi

 

Si pasojë e ndryshimit të situatës strategjike në detin Mesdhe, instancat drejtuese gjermane llogarisnin në fund të vitit 1942, si me një zbarkim të aleatëve në Ballkan ashtu edhe me kapitullimin e Italisë nga lufta. Vlerësimi i këtij realiteti mundësoi që, duke nisur prej fillimit të vitit 1943, Shqipëria të mos lihej më jashtë vëmendjes nga strukturat drejtuese gjermane. Në këtë kuadër, Komanda e Lartë e Wehrmacht-it e vlerësonte pozitën gjeografike të Shqipërisë si më të favorshmen në Ballkan për të kryer një zbarkim ushtarak.

Konsulli gjerman në Tiranë, ndiqte me shumë interes zhvillimet politike dhe ushtarake në Shqipëri. Ai raportoi në Berlin për takimin e Mukjes, në datën 31 korrik, 2 gusht, 5 gusht dhe 23 gusht 1943. Madje, Proklamatën e Mukjes të përkthyer, Schliep-i ja dërgoi Ribbentrop-it në Berlin, disa ditë më vonë, pas përfundimit të mbledhjes së Mukjes. Ky veprim të shtyn të mendosh, se ai ishte i mirinformuar.

Është pikërisht Mbledhja e Mukjes që detyroi Ribbentrop-in më 21 gusht 1943 të udhëzojë konsullin Schliep në Tiranë si më poshtë, përsa i përket planeve gjermane për Shqipërinë: “Në lidhje me ngjarjet në Itali, është e një rëndësie të veçantë për ne që të kemi një panoramë të qartë për situatën e tanishme politike në Shqipëri. Është e mundur që në Itali mund të ndodhin ndryshime të tjera, të cilat diktojnë largimin përfundimtar të italianëve nga Shqipëria. Prandaj, për ne mund të jetë e nevojshme, duke pasur parasysh edhe zbarkimin e anglezëve dhe amerikanëve në Italinë e Jugut që, përveç masave ushtarake, të marrim sa më parë edhe një vendim politik për marrëdhëniet tona të ardhshme me Shqipërinë. Vendimtar për marrjen e këtij vendimi është mendimi që, nëse është e nevojshme të organizojmë një mbrojtje ushtarake të bregdetit shqiptar dhe sidomos të Kanalit të Otrantos, të paqësojmë politikisht Shqipërinë, në mënyrë që, trupat tona të lehtësohen sa më shumë nga detyra e mbrojtjes. Kjo do të thotë që, mundësisht aspak ose fare pak trupa gjermane do të nevojiten për t’u kujdesur për ruajtjen e qetësisë dhe rregullit në Shqipëri. Kësisoj, rrugët e lëvizjes do të jenë plotësisht të sigurta për trupat tona luftarake në bregdet”. (PA/AA R27772)

Sipas konceptit të paqëtimit politik të Ribbentrop-it të gushtit 1943, pra ende pa kapitulluar Italia, konsulli Schliep duhej të kujdesej që të kontaktonte sa më shpejt me personalitete të përzgjedhur politikë shqiptarë, të cilët ishin të gatshëm që “me ndihmën tonë [gjermane] politike dhe ushtarake të merrnin drejtimin e vendit sa më shpejt në dorë dhe të viheshin në krye të një qeverie të tillë kombëtare”, e cila sigurisht që në plan të parë, duhej t’u shërbente interesave gjermane. Për të mbajtur nën kontroll situatën, por po ashtu edhe për t’i dhënë zemër ushtrisë italiane për të qëndruar sa më fort ushtarakisht, por edhe për të përgatitur pushtimin, në Shqipëri mbërritën disa qindra trupa gjermane.

Ribbentrop-i shpresoi fillimisht në një bashkëpunim me Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë, dalë nga Mukja. Por, ky opsion nuk rezultoi i suksesshëm, sepse sipas Schliep-it “Organizata për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë (siç gjermanët quanin Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë) nuk mund të merret në konsideratë [për bashkëpunim], sepse në të është i pranishëm fuqishëm elementi komunist, të cilët mbajnë lidhje me armikun. Fronti [Balli] Kombëtar, të cilët i janë bashkëngjitur organizatës, pavarësisht [se janë bashkuar në Komitet] më kanë dërguar lajm se, Fronti [Balli] Kombëtar do të luftojë vetëm italianët dhe jo kundër gjermanëve. Kryetari i bandës Abas Kupi (Bazi i Canës) pritet të mbajë të njëjtin qëndrim”. (PA/AA R27772)

Siç lexohet, nga gjithë pjesëmarrësit në Mukje, kushtet e bashkëpunimit nuk i plotësonin vetëm komunistët. Balli Kombëtar, për gjithë arsyet e sipërpërmendura, ndonëse fillimisht nuk u shpreh i gatshëm për bashkëpunim, deklaroi se të paktën nuk do të luftonte kundër tyre. Kësisoj, vendimi i Ballit Kombëtar në Mukje për një“luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbarë”, bie ndesh me atë çka ata prapa kulisave i kishin premtuar konsullit gjerman Schliep. Për çfarë lufte kishte premtuar Balli Kombëtar në Mukje ndërkohë që, prishja e Marrëveshjes së Mukjes u shpall nga E. Hoxha në Labinot, më 49 shtator 1943?

Mukja hodhi bazat e politikës gjermane ndaj Shqipërisë. Ribbentrop-i e skicoi politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë bazuar pikërisht në Proklamatën e Mukjes. Për të siguruar bashkëpunimin e shqiptarëve, Ribbentrop-i mendoi t’u premtonte shqiptarëve atë që ata dëshironin më shumë. Fakti që në vija të përgjithshme dhe për interesa ushtarake, politika gjermane ndaj Shqipërisë, konsistonte formalisht në krijimin e Shqipërisë së Madhe, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverisjen e vendit nga një qeveri bashkëpunëtore pro-gjermane, e shoqëruar me propagandën që ushtarët gjermanë nuk janë pushtues, por kalimtarë, të shpie natyrshëm në këtë përfundim.

Urdhri përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë u dha më 8 shtator 1943, menjëherë pas shpalljes së kapitullimit pa kushte të Italisë fashiste dhe ushtrisë së saj. Detyra kryesore e Divizioneve gjermane ishte padyshim organizimi i mbrojtjes së vijës bregdetare nga ndonjë zbarkim i mundshëm i forcave aleate. Kjo detyrë nënkuptonte pushtimin e territoreve të rëndësishëm bregdetarë, ndërtimin dhe zgjerimin e pozicioneve të artilerisë bregdetare dhe rikthimi në gjendje luftarake i baterive të artilerisë bregdetare, që u ishin kapur forcave italiane. Më tej, duhej të merreshin masa edhe ndaj ushtrisë partizane, për aktivitetin e së cilës, konsulli gjerman kishte raportuar rregullisht.

Në ditarin luftarak të div. 100 malor, në raportimin e datës 12 shtator 1943, pra vetëm katër ditë pas pushtimit të Shqipërisë, shkruhet se “Gjatë ditës së sotme dhe të djeshme u kristalizua më qartë mendimi se forcat e divizionit nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur sadopak detyrat e shumta në një rajon veprimi kaq të madh. Situata operative dikton bashkimin e trupave të pakta në rajonet më të rëndësishme në bregdet. Po ashtu, ka në dispozicion forca të pakta për çarmatimin e italianëve si edhe evidentimin dhe ruajtjen e materialeve dhe depove.  […] Reflektimet e divizionit për përforcimin e forcave janë dy: e para, ardhja e trupave të reja gjermane, sidomos ardhja e një batalioni tjetër të div. 297 në Tiranë dhe më pas rekrutimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve si edhe përfshirja e ushtarëve italianë si vullnetarë për të ndihmuar gjatë transportit si edhe në frontet e punës. Po merren masat e para për realizimin e këtyre mendimeve.

Situata vazhdon të përkeqësohet nga aktiviteti komunist, të cilët zotërojnë territorin në jug të grykës së Shkumbinit dhe në Tiranë, duke shkaktuar trazira të shpeshta. “[…] Do të jetë e nevojshme që, nëpërmjet aktivizimit dhe fuqizimit të shqiptarëve nacionalistë të mbajmë nën kontroll komunistët, sepse trupat e nevojshme gjermane për të mbajtur të pushtuar vendin në mënyrë të kënaqshme, nuk do të jenë asnjëherë në dispozicion”. (BA/MA RH 26-100/32).

Sikurse lexohet më sipër, nevoja për të mbledhur bashkëpunëtorë shqiptarë rreth vetes ishte tepër e madhe për gjermanët.”Sapo hyri [në Shqipëri –M.K] divizioni mori kontakt me disa drejtues nacionalistë bandash”, raportohet në dokumentet gjermane për periudhën 17 shtator – 12 tetor 1943”. (BA/MA RH 26-100/45). Një ndër ta, që vlerësohej në veçanti nga gjermanët për luftën e tij të vendosur ndaj ushtrisë partizane, ishte Kadri Cakrani, i cili menjëherë u furnizua me armë dhe municione nga gjermanët qysh më 20 shtator, 11 ditë pasi ushtria gjermane pushtoi Shqipërinë. (BA/MA RH 26-100/45).

Me fillimin e shirave të vjeshtës 1943, komanda gjermane arriti në përfundimin se moti i lagësht dhe terreni i vështirë dhe pa infrastrukturë të përshtatshme, nuk e favorizonte një zbarkim të mundshëm të forcave aleate në bregdetin shqiptar. Kështu që, vëmendja duhej të përqendrohej në luftën kundër ushtrisë partizane, e cila qysh në ditët e para të pushtimit ishte kthyer në një problem shqetësues për ta. Gjithmonë sipas kësaj komande, moti i vështirë favorizonte trupat e stërvitura malore dhe jo partizanët. Po ashtu, në një raport të muajit dhjetor 1943, komanda gjermane në Tiranë vlerëson se “zbarkimi i anglo-amerikanëve nuk ndodhi, sepse Churchill dhe Roosevelt në Konferencën e Teheranit ja kanë premtuar mesa duket gjithë Ballkanin bolshevikëve”. (BA/MA RH 16-100/45)

Si pasojë, komanda gjermane mori vendim të organizonte operacione ndëshkimore, me synim likuidimin e lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto operacione kishin një strategji të qartë: asgjësimin e ushtrisë partizane dhe pastrimin e territorit prej tyre d.m.th. shkëputjen e popullsisë nga ndikimi i FNÇ-së dhe lënia më pas e këtyre zonave në ruajtje Ballit Kombëtar, të cilit duhet të ngrinin strukturat e tyre dhe të mos lejonin më depërtimin e ndikimit komunist në këto zona.

Sa më sipër, ky qëllim del qartë  qysh në tetor 1943, kur doli urdhri i komandës së këtij divizioni për organizimin e “Operacionit 505” në zonën e Arbanës.  Sipas vlerësimit të kësaj komande, përvoja e deriatëhershme në luftën kundër partizanëve, duke synuar asgjësimin e tyre me forca të shumta, kishte dështuar. Taktika e ndjekur nga ushtria partizane dhe zhdërvjelltësia e tyre, kërkonte hartimin e teknikave të reja të luftimit, që u konkretizuan në kryerjen e operacioneve me pjesëmarrjen e shumë forcave, deri në nivel kompanie e batalioni, që vepronin në drejtime të ndryshme.

Qëllimi i këtyre operacioneve ishte rrethimi i forcave partizane dhe asgjësimi i tyre. Këto operacione, të zhvilluara në dimrin e vitit 1943 dhe verën e vitit 1944, historiografia shqiptare i ka emërtuar operacioni i dimrit dhe ai i qershorit, ndonëse sikurse thamë, në vetvete këto veprime ishin më shumë se një operacion.

Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm në asgjësimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishin edhe forcat e Ballit Kombëtar. Ishte detyrë e tyre që pasi të pastroheshin zonat e territoret nga elementët komunistë, ato të mbaheshin në ruajtje nga Balli Kombëtar, me qëllim që të orientonin popullsinë drejt tyre dhe ushtria partizane të mos kishte mundësi të hynte më në këto zona: “Për të arritur një paqëtim afatgjatë në zonën e pastruar pas përfundimit të 505-ës [emri i operacionit ushtarak –M.K], është e një rëndësie të veçantë që popullsia e atjeshme të organizohet nga forcat nacionaliste dhe të armatosen për vetëmbrojtje ndaj ndonjë tentative të re të komunistëve për të hyrë në këto zona”, planifikonte komanda gjermane. (BA/MA RH 26-100/45).

Në këtë kontekst, duhet parë dhe merr kuptim edhe Qarkorja nr. 6 e Ballit Kombëtar, nënshkruar nga Midhat Frashëri më 7 tetor 1943, ku ai urdhëron se “me qenë se vendi i jonë sot ka nevojë ma të nguthshme për rregull dhe disiplinë, gjithë Komitetet dhe Çetat e Ballit Kombëtar, porositen që me të arritur kjo qarkore të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave Gjermane tash për tash”.

Siç lexohet, arsyeja e këtij urdhri bazohet në domosdoshmërinë e ngutshme për rregull dhe disipline, – çka kërkonte në fakt dhe mundohej të arrinte edhe ushtria gjermane. Një ditë më pas, më 8 tetor 1943, Neubacher-i raportonte: „Bandat nacionale [Balli Kombëtar – M.K], të cilat gjatë pushtimit italian ishin deklaruar kundër Boshtit Qendror dhe pro Anglisë, kanë autorizuar udhëheqësin e tyre Mithat Frashëri të na njoftojë nëpërmjet Mehdi Frashërit se ata nuk do të ndërmarrin asnjë akt armiqësor kundër ushtarëve gjermanë. Një nga këto formacione, u shpreh i gatshëm të fillojë luftën kundër bandave komuniste. Për ruajtjen e kontakteve me këto grupe të rëndësishme politike do të kujdesemi në vazhdimësi”. [PA/AA, Bürodes Staatssekretärs, Albanien (1), f. 200-201].

Ndonëse në rrafshin lokal deri në nivel çetash, bashkëpunimi me ushtrinë gjermane kishte filluar, në pikëpamje institucionale, dmth. organizate, urdhri për bashkëpunimin hapur të çetave të Ballit me gjermanët do të jepej afërsisht tre javë më vonë:“Më 26.10 Cakrani njoftoi divizionin [div.100 këmb. malore] se, ai kishte marrë urdhër nga drejtuesi më i lartë i organizatës së tij, Midhat Frashëri, […], që të luftonte hapur kundër komunistëve në krah të gjermanëve, e sidomos kundër brigadës së Mehmet Shehut dhe kundër Myslim Pezës” – shkruhet ndër të tjera në raportin e zhvillimeve ditore të divizionit 100, për datën 26 tetor 1943. (BA/MA 26-100/31).

Me fillimin e operacioneve gjermane kundër partizaneve ne fund-vjeshtën dhe dimrin 1943, Balli Kombëtar si organizatë, u rreshtua plotësisht në krahun e gjermanëve, për të luftuar kundër FNÇ-së. Ditari luftarak i div. 100 këmb. malore përshkruan në mënyrë të detajuar, kohën, vendin dhe llojin e bashkëpunimit. Nëse fillimisht u bashkuan me gjermanët vetëm çetat balliste të Jugut, më pas, duke shpresuar në suksesin e strategjisë gjermane, për asgjësimin total të lëvizjes partizane, spastrimin e zonave prej tyre dhe marrjen e këtyre zonave të spastruara nën zotërim prej tyre, BK rrëshqiti plotësisht si organizatë në bashkëpunim me gjermanët. Në thelb, për BK kjo nuk ishte asgjë tjetër, veçse zbatimi i një politike organizative politiko-ushtarake, që ishte vendosur edhe në Mukje, për ngritjen e Këshillave Krahinorë.

Në një listë të hartuar nga gjermanët për forcat që bashkëpunonin me të në fillimvitin 1944, janë 77 çeta nacionaliste me emrat e drejtuesve të tyre, që së bashku përbënin rreth 15.600 burra. Pjesa më e madhe e tyre, i përkasin Ballit Kombëtar. Nëse vlerësojmë se, edhe historianët e BK, japin një numër të përafërt për pushkët që kishte BK në këtë kohë, atëherë vlerësohet qartë se e gjithë kjo organizatë, kaloi në bashkëpunim me gjermanët, duke shpresuar në suksesin e strategjisë gjermane.

***

Tashmë është e pakundërshtueshme që, E. Hoxha ishte i interesuar për një sundim të vetin pas luftës, por që t´ia hedhësh vetëm atij fajin e dështimit të një bashkëpunimi mes këtyre dy grupeve nuk përkon plotësisht me realitetin.

Supozimi që Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët si pasojë e fillimit të luftës civile është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm sepse, ndërmjet partizanëve dhe ballistëve kishin ndodhur deri në fund të tetorit 1943 vetëm përplasje ushtarake sporadike dhe nuk ekzistonte akoma asnjë direktivë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ për të luftuar kundër Ballit Kombëtar apo grupimeve të tjera jokomuniste.

Nga ana tjetër, dokumentet e sipërcituara e tregojnë qartë qëndrimin dhe taktikën që ndoqi Balli Kombëtar.

Hyrja e shpejtë e trupave gjermane në Shqipëri si edhe strategjia e tyre pushtuese kërkonin një orientim të ri politik dhe strategjik të Ballit Kombëtar. Pa marrë parasysh se cila palë ishte përgjegjëse për dështimin e Marrëveshjes së Mukjes, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera jokomuniste dhe me mbështetjen e anglezëve mbeti i hapur. Ndërkohë një opsion tjetër ishte edhe ai që të qëndronte neutral dhe të priste ndonjë zbarkim të aleatëve ose të bashkohej me pushtuesit gjermanë dhe, së bashku, të luftonin kundër partizanëve.

Siç vërehet, si Balli Kombëtar ashtu edhe Partia Komuniste kishin të njëjtin shqetësim, sigurimin e drejtimit të vendit pas largimit, tashmë të parashikueshëm, të gjermanëve nga Shqipëria.

Bashkëpunimi i hapur i Ballit Kombëtar me gjermanët i shërbeu Partisë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta godiste përfundimisht. Nga ana tjetër, Balli Kombëtar ndiqte po të njëjtën strategji, likuidimin me çdo kusht të lëvizjes komuniste. BK nuk ndërtoi me gjermanët një bashkëpunim ideologjik, por pragmatik.

Si gjermanët dhe BK kishin interes në këtë strategji. Pas-asgjësimit të ushtrisë partizane, gjermanët mund të përqendroheshin vetëm në ruajtjen e vijës bregdetare. Ndërsa Balli Kombëtar, arrinte që me forcën e ushtrisë gjermane të shkatërronte kundërshtarin politik, me qëllim krijimin e kushteve të favorshme për të marrë pushtetin pas largimit tashmë të parashikuar të gjermanëve nga Shqipëria.

November 26, 2019 09:37
Komento

7 Komente

  1. Gjethja November 26, 17:52

    Shkrim i ngushte dhe me plagjarizem dokumentash arkivore.

    Reply to this comment
    • Alidemsi vjeter November 27, 14:07

      Ore Gjethe, shkruaj me emrin tend qe te te vleresohet verejtja jote si “specialist” se keshtu i bie verejtje per shou…apo jo…? Faleminderit…

      Reply to this comment
  2. KOZi November 26, 20:12

    Kur cilesohen dokumentet arkivore nuk eshte plagjiature as plagjarizem. Sido problemi ka menyre te ndryshme trajtimi/Kemi Frontin nacional – clirimtaren me rol drejtues komunist dhe anti gjermane,por kryesisht atentatet e lufta drejtohej kunder administrates shqiptare te atij viti me prezence te misioneve aleate,Jugosllavet kryesore, anglez, amerikan dhe ne fund Sovjetik.,, zogistet pjesetare te Frontit gjer ne dhjetor 1943 dhe pas kesaj dolen formacion ne vehte,tolerante ndaj administrates shqiptare me qendrim prites por kunder gjermaneve ,kete e verteton se edhe si pjestare te Frontit edhe kur u larguan nga Fronti prane tyre ishte i atashuar nje mision aleat Anglez.Ballistet qe nuk ishin asnjehere pjestare te Frontit,me qendrim prites, antizogiste dhe bashkepunetore kryesisht ne 1944 dhe asnje mision aleat nuk ishte i atashuar prane tyre.
    Sipas frymes se artikullit dhe qendrimit te Z. Kasmi edhe ne luften e pare boterore kishim pushtim Austro- Hungarez.Ku administrata shqiptare drejtoi njelloj si ne lufte te dyte, por nuk u quajt bashkepuntore e armikut.Forcat e drejtuara nga Esat Pashe Toptani luftuan ne krah te aleatve dhe dolen fitues si dhe partizanet ne lufte te dyte por per cudi quhet tradhetare, Ne perfundim Shqiperia ne asnje lufte nuk ishte direkt nderluftuese por territori i saj u pushtua per aresye operative ushtarake. Ne njerin krah ne realitet pro serbo-sllav ishin ne lufte te pare Esat Pasha me te tijet dhe po keshtu Enver Hoxha me te tijte.Duke u mbrojte me idene se jemi krah aleatve.
    Ne krahun tjeter ishin Luigj Gurakuqi,Hasan Prishtina, Ahmet Zogu, Fejzi Alizoti e shume tjere e ne te dyten Rregjenca me Mehdi Frasherin ,Pader Antonin, Lef Nosin, Caf Ulqinin e shume tjere. Si perfundim kemi pro Austro Gjermane dhe pro Ruso-Serbe. ….

    Reply to this comment
  3. demo November 27, 01:13

    Keshtu na pushtofte prape Gjermania,me Kosove,Gjysmen e Malit te zi,gjysmen e Maqedonise,Camerine.
    Me hajdut se Berisha Meta,Rama nuk do te jete.
    Naften e shqiptareve nuk do ta coje ne Kanada,Bakrin dhe floririn nuk do ta coje ne Turqi.
    Edhe rruget do ti ndertoje me paret e veta,si ndertoi Italia Tiranen dhe gjithe rrugat ,urat qe pate deri ne 90.
    Horrat e politikes po kane nxjerre ne rruget e botes gjithe pasurite e tokes shqiptare,qe nuk do ta bente as Italia,as Gjermania.
    Hitleri e respektoi Shqiperine me 800 mije banore me shume se Saliu me maloket dhe Rama me shoqet.
    Mor po ku eshte nje Hitler tjeter,te na pushtoje,por po na lene ne dore te ketyre klouneve hajdute.

    Reply to this comment
  4. Ujguri November 27, 05:07

    Ç’te mire sollen sllavo-komunistet me “Luften Nacional Çlirimtare” qe te quhet e mire?

    Reply to this comment
    • sadrazemi November 29, 05:08

      Po si nuk sollen te mira more Ujguri ? Pak eshte qe ta qine te tembe dhe gjithe cfare te permbante fisi ty dhe ca horrave si ti ? Pak te duket kjo ty ?!

      Reply to this comment
  5. gjoni November 27, 17:53

    Per nostalgjiket e LNC dhe te shokut Enver, epoka jugosllavo-sovjetiko-kineze mbetet me nditura.
    Ajo epoka tjetet e “tradhetarve dhe kolaboracionisteve’ me figurat me te spikatura te patrioteve dhe intelektualeve qe aspiruan nje Shqiperi te bashkuar dhe demokratike eshte epoke e erret….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim