Ekskluzive/ Vickers: Nga Alia tek Berisha. Venitja e ëndrrës demokratike

August 13, 2014 14:21

Ekskluzive/ Vickers: Nga Alia tek Berisha. Venitja e ëndrrës demokratike

Në këtë intervistë të gjatë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ me historianen angleze Miranda Vickers, bëmë një parakalim të shpejtë të historisë shqiptare, ngjarjeve historike dhe zhvillimeve politike të Shqipërisë gjatë më shumë se 80 viteve të fundit. Është kjo një histori e rrëfyer nga një studiuese e huaj që është dashamirëse e Shqipërisë. Pavarësisht se mund të ketë përkime dhe kundërshti në këtë rrëfim me historitë e treguara nga të tjerë, Vickers u përpoq të sjellë sa më shumë fakte e dëshmi të reja që ajo ka zbuluar nëpër arkiva apo nga njerëz të gjallë që ka takuar, sidomos për periudhën e Luftës Antifashiste dhe atë të regjimit komunist. Në këtë pjesë të pestë dhe të fundit, bashkëbisedimi ynë u ndal në kapërcyellin nga diktatura në demokraci. Pse degradoi sistemi i vjetër dhe pse u vonua Shqipëria me proceset demokratike. Si u bë transferimi i pushtetit nga Partia e Punës tek Partia Demokratike, apo thënë më shkoqur: nga Ramiz Alia tek Sali Berisha. Zbehja e shpresave të shqiptarëve tek demokracia që kultivoi PD dhe Berisha, metodat e dhunshme dhe diktatoriale që u përdorën deri në largimin e tyre të turpshëm nga pushteti në vitin 1997 pas një rebelimi të armatosur…

Bisedoi Xhevdet Shehu

Zonja Vickers, ju thoni se Alia filloi të distancohet gradualisht nga trashëgimia e Hoxhës. Por si shpjegohet që Shqipëria u fut në rrugën e proceseve demokratizuese më vonë se vendet e tjera të Europës Lindore, pas më shumë se pesë vjetësh nga vdekja e Hoxhës?

Pikërisht për shkak të kësaj trashëgimie ka ndodhur dhe vonesa. Ndonjë vit e ca para shembjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore më 1989, Shqipëria nisi të zbatojë politika të buta reformiste, për arsye shoqërore dhe ekonomike. Sidoqoftë, shembulli i revolucioneve të vitit 1989, sidomos rënia e shpejtë e regjimit në Rumani (dhe në mënyrë të veçantë pamja e trupit të Nikolae Çausheskut të bërë shoshë nga plumbat), duhet të ketë shkundur udhëheqjen shqiptare që ajo të kuptonte se mbijetesa e saj varej nga ndarja në mënyrë të menjëhershme me politikën e vjetër të izolimit ndërkombëtar dhe të mbështetjes në forcat e veta, si dhe me një deklarim publik të gatishmërisë për të ndërmarrë reforma. Popullsia shqiptare mund të ketë qenë e izoluar dhe e burgosur brenda kufijve të saj, por ajo ishte e vetëdijshme për atë se çfarë ndodhte në botë, pasi shihte me lakmi televizionet italiane, greke e jugosllave. Impulset për ndryshime erdhën fillimisht nga inteligjenca dhe nga brenda vetë PPSH-së, veçanërisht nga elita e saj e shkolluar. Ndërsa ata panë lëvizjet popullore në Europën Lindore që bënin trysni për ndryshime, u bë gjithnjë e më e qartë se PPSH nuk mund të priste të mbante pafundësisht monopolin e pushtetit. Në nëntor u dukën shenjat e para të liberalizmit politik, kur u njoftua një amnisti për disa të burgosur politikë. Ritmi i reformës u përshpejtua kur zemërimi i ndrydhur, zhgënjimi dhe dëshpërimi i 45 vjetëve shpërthyen në një numër demonstrimesh dhe grevash gjatë pranverës së vitit 1990. Në janar demonstruesit antiqeveritarë në Shkodër u shpërndanë me dhunë nga forcat e sigurisë, por gjatë muajit u njoftuan demonstrata të tjera. Sigurimi u përgjigj duke intensifikuar veprimet e tij kundër kundërshtarëve të regjimit. Më pas erdhi Plenumi i 9-të i Komitetit Qendror të PPSH, i cili u mblodh për të miratuar një plan reformash me 25 pika që synonin një decentralizim më të madh të ekonomisë, shpërblime për punëtorët në disa sektorë të rëndësishëm të industrisë, ndryshimin e disa çmimeve dhe njëfarë decentralizimi të autoritetit të partisë (i cili u jepte mundësi organizatave në bazë të zgjidhnin vetë të gjithë drejtuesit, përveç zyrtarëve më të lartë të vendit). U premtua rritja e furnizimet me ushqime dhe mallra të konsumit, ndërsa ndërmarrjet u lejuan të shisnin një pjesë të mallrave të tepërta në tregun e lirë. Sidoqoftë, Alia vazhdonte të mos e pranonte idenë e një sistemi shumëpartiak, duke pretenduar se nuk ishte i përshtatshëm për Shqipërinë. Por popullsia mendonte ndryshe.

 

Në korrik 1990 ndodhi ngjarja e ambasadave. Si u komentua kjo ngjarje nga të huajt dhe a ishte ajo në sinkron me hapjen e vendit drejt Perëndimit?

Kjo çështje vazhdon të ngjallë debate për shkak të disa qëndrimeve kontradiktore të asaj kohe. Megjithë liberalizimin në rritje, në korrik 1990 pati trazira të mëtejshme, gjatë të cilave forcat e sigurisë përdorën dhunën për të shpërndarë demonstruesit anti-qeveritarë në Tiranë. Menjëherë pas dhunës, katër shqiptarë kërkuan strehim në ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë dhe, brenda pak ditëve të ardhshme mijëra të tjerë ndoqën shembullin e tyre dhe kërkuan strehim në ambasadat e tjera të huaja. Skenat dramatike të Tiranës ishin një kujtim i turbullt i verës së mëparshme kur gjermano-lindorët u dyndën në ambasadën e Gjermanisë Perëndimore në Pragë, gjë që shkaktoi rënien e sundimit komunist në të gjithë bllokun lindor. Me shqetësimin e kësaj krize u organizua një mbledhje urgjente e Komitetit Qendror, i cili bëri zëvendësimin e personelit në poste të ndryshme ministrore, duke përfshirë shkarkimin e një prej konservatorëve më fanatikë, Simon Stefanit, si ministër i Brendshëm. Megjithatë, shumica e ndryshimeve që u bënë prekën më tepër qeverinë se sa qendrën e vërtetë të pushtetit, Byronë Politike. (Stefani, për shembull, megjithëse u hoq nga Ministria e Punëve të Brendshme, mbeti anëtar i Byrosë Politike). Kriza e refugjatëve më në fund u zgjidh kur rreth pesë mijë shqiptarë u lejuan të iknin nga vendi, të mbështetur nga një operacion ndihme shumëkombëshe në bashkërendim me Kombet e Bashkuara, nën vështrimin e teleshikuesve kuriozë nga mbarë bota. Ndërsa vëzhguesit e huaj debatonin nëse kurthi i ambasadave ishte pasojë e ndonjë opozite të organizuar politike, në TV shtetëror u shfaq Ramiz Alia i cili i quajti refugjatët si ‘persona të çoroditur, vagabondë, demagogë dhe spekullantë kafenesh’.

 

Është komentuar shpesh fakti nëse ikja e shkrimtarit Ismail Kadare në tetor të atij viti i dha, si të thuash, goditjen e funditsistemit. Ju ç’mendim keni?

Ndërkohë që procesi i ndryshimeve kishte arritur kulmin, besueshmëria e programit të reformave të Alisë pësoi një kthim prapa kur shkrimtari më i shquar shqiptar, 54 vjeçari Ismail Kadare, duke ndier se do të ishte i lirë të bënte të njohur botërisht gjendjen tejet të vështirë të Shqipërisë, kërkoi strehim në Paris në tetor 1990. Ikja e Kadaresë ishte një goditje e rëndë për Alinë dhe një tregues mjaft domethënës pasi Kadare ishte një kritik i reformave gjysmake që po ndërmerreshin. Autori deklaroi nga Parisi se ‘Premtimet për demokracinë kanë vdekur’. Koha e dezertimit shkaktoi gjithashtu një telash të madh për qeverinë shqiptare, e cila ishte mikpritësja e një Konference të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit. Në vazhdim të demonstratave të tyre në Tiranë, tashmë studentët kërkonin kushte më të mira jetese dhe futjen e një sistemi shumëpartiak për zgjedhjet e ardhshme për në Kuvendin Popullor të planifikuara për t’u mbajtur në shkurt 1991. Në një fjalim të ngutshëm drejtuar kombit në TV, Alia paralajmëroi rrezikun e dështimit të ‘demokracisë’, pasi vendi po shkonte në paqëndrueshmëri dhe anarki. Sidoqoftë, mbështetja për studentët u rrit me shpejtësi dhe, më 11 dhjetor, të tmerruar nga shtimi i trazirave, Komiteti Qendror i PPSH më në fund ra dakord të legalizonte partitë e pavarura politike. Ditën tjetër, më 12 dhjetor 1990, u njoftua formimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PDSH), e para parti opozitare e ligjshme që para Luftës së Dytë Botërore. E udhëhequr nga ekonomisti Gramoz Pashko dhe Dr. Sali Berisha, kardiolog, PD njoftoi se dëshironte të shihte zbatimin e dispozitave të Aktit Final të Helsinkit (i cili sanksiononte vetëvendosjen e popujve duke përdorur lirinë për të votuar në zgjedhje shumëpartiake) si bazë për shoqërinë shqiptare. Këshilli i Ministrave i dha Partisë Demokratike një milion lekë dhe një hua prej 50 mijë dollarësh për të ndihmuar mbulimin e shpenzimeve. Por PD mori gjithashtu një sasi të konsiderueshme në të holla nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Zvicër dhe Gjermani, tok me një shumë të madhe nga grupimet shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

 

Pikërisht kjo parti e parë opozitare, një vit e ca më vonë do të vinte në pushtet. Pra u realizua ëndrra demokratike. Sa u përmbushën këto ëndrra, sipas jush?

Unë do të thosha se ardhja e PD-së në pushtet ngjalli shumë shpresa si tek shqiptarët, ashtu dhe në ëndrrën ndërkombëtare. Por më duhet të them se me mënyrën se e përdori pushtetin PD-ja dhe sidomos Sali Berisha, i cili zëvendësoi Ramiz Alinë si president, ëndrra demokratike u venit shumë shpejt, aq sa pas 5 vjetësh PD do të largohej thuajse me dhunë nga pushteti pas revoltave të armatosura dhe ngjarjeve të dhimbshme të pranverës së vitit 1992. Le t’u referohemi fakteve. Më 22 mars PD më në fund korri fitoren në zgjedhje me 62 për qind të votave, kundrejt 25 përqindshit të PS. PD siguroi 92 vende në parlamentin e ri me 140 deputetë, duke iu dashur vetëm një deputet për të siguruar shumicën e dy të tretave. Socialistët fituan 38 vende, Socialdemokratët 7, si dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut 2. Partia Socialiste e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe argumentoi se disfata e saj ishte shkaktuar nga fakti që ‘edhe në Shqipëri elektorati ishte i ndikuar nga prirja e tanishme europiane drejt së djathtës politike’. Kryetari i partisë, Fatos Nano uroi PD-së fat në zgjidhjen e problemeve që e prisnin. Kështu u mbyllën thuajse pesë dekada të sundimit komunist. Më 4 prill Presidenti Alia njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Dr. Sali Berisha, me origjinë nga rrethi verilindor i Tropojës, u bë presidenti i parë jo komunist i Shqipërisë që nga koha e Zogut (i zgjedhur në këtë detyrë duke qenë kandidaturë e vetme me një shumicë dërrmuese në parlament). Berisha mandej emëroi qeverinë e re të kryesuar nga arkeologu 53-vjeçar Aleksandër Meksi.

 

Ju thatë se filloi të zbehej shpejt ëndrra demokratike. Mund të përmendni fakte për këtë?

Për këtë duhet parë me kujdes se çfarë bëri dhe nuk bëri PD në ato vite. Pak ditë më vonë pasi mori pushtetin, qeveria e re e PD-së kreu një nga detyrat parësore të saj. Trupi i Enver Hoxhës u zhvarros pa zhurmë nga varrezat e dëshmorëve dhe u rivarros në varrezat publike në periferi të Tiranës. Gjithashtu nga varrezat e dëshmorëve në një kodër që lartësohet mbi Tiranë, u hoqën edhe eshtrat e 12 ish-zyrtarëve të lartë komunistë. Zhvarrimi u bë në fshehtësi, në mëngjes herët dhe në një ruajtje të rreptë. Arkivoli i plumbtë i Hoxhës u hoq nga mauzoleu i betontë i veshur me mermer, ndërsa vetëm pak njerëz të afërm të tij morën pjesë në ceremoninë e rivarrimit. Çmontimi i shpejtë i shtetit njëpartiak kishte sjellë njëherësh edhe rrënimin e thuajse krejt autoritetit të shtetit, duke çuar jo vetëm në shkatërrimin e ekonomisë, por edhe në shtimin e krimeve serioze. Në verën e vitit 1992 mbështetja për demokratët në pushtet filloi të binte ndjeshëm. Në zgjedhjet vendore që u mbajtën më 27 gusht, Partia Demokratike pa se nga dy të tretat që kishin votuar pak muaj më përpara për të, vetëm gjysma e tyre votuan sërish në favor të saj. Partia Socialiste fitoi në mënyrë të befasishme, madje dhe në disa zona bastione të PD-së. Fillimisht, shqiptarët kishin pritur një ndryshim të shpejtë nga mbështetja e fortë që ata i kishin dhënë demokracisë, sikurse kishin ëndërruar shumë shqiptarë nga kushtetuta xhonturke më 1908. Por arritja e pjekurisë politike nga ana e tyre shkaktoi krizë të besimit dhe zhgënjim nga proceset demokratike që, ndryshe nga ç’prisnin, çoi në rritjen e pakënaqësisë shoqërore. Zhgënjimi u shtua pasi planet e premtuara për punësim dhe rritje të standardit të jetesës nuk arritën të përmbushen as në nivele minimale. Ndërsa vendi zhytej më tej në mjerim ekonomik dhe retë e luftës dendësoheshin në veri, qeveria e drejtoi vëmendjen nga larja e hesapeve të vjetra. Në ato vite u arrestuan Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe gjithë udhëheqja e vjetër komuniste. U fut në burg dhe kryetari i PS-së, Fatos Nano. Por gjyqet ndaj tyre përfunduan në farsa dhe shkaktuan një zhgënjim të ri në opinion. Një nga treguesit kryesorë të humbjes së besimit ndaj PD-së dhe Sali Berishës ishte referendumi për Kushtetutën në nëntor 1994. Rezultati përfundimtar i referendumit të mbajtur më 6 nëntor ishte një votë dërrmuese e mosbesimit në qeverinë e PD-së; 55 përqind votuan kundër kushtetutës së re dhe vetëm 40 për qind votuan pro saj. Ditën tjetër një Berishë mjaft i tronditur pranoi humbjen në TV. Rezultati e dobësoi seriozisht pozitën e Berishës…

Takimi i ish-Presidentit r amiz a lia me përfaqësinë e Lëvizjes s tudentore, 8 dhjetor 1990

Takimi i ish-Presidentit Ramiz Alia me përfaqësinë e Lëvizjes Studentore, 8 dhjetor 1990

Gjithsesi, mendohet se zgjedhjet e majit 1996 ishin ato që i vunë vulën përfundimisht natyrës së regjimit të Berishës, apo jo?

Mendoj se është i saktë ky konkluzion. Pra, në këtë sfond të ankthshëm me trazira shoqërore dhe politike, Shqipëria përgatitej për zgjedhjet e përgjithshme problematike të majit 1996. Fushata kishte filluar e zellshme gjatë verës së vitit 1995 kur Partia Demokratike miratoi një numër ligjesh të rinj e radikalë, me anë të cilëve ajo shpresonte se do të garantonte një fitore të dytë dhe në një proces që në të vërtetë vendoste shtetin njëpartiak. Ligji për Gjenocidin ishte në themel të këtyre objektivave. Sipas Partisë Demokratike, Ligji për Gjenocidin synonte ‘të ndalonte ata që shkaktuan rrënimin ekonomik, fizik dhe psikologjik të vendit nga pasja e një shansi tjetër për të përsëritur ato akte’. PD kishte ndërmend që, duke izoluar socialistët dhe dëmtuar partitë e vogla të opozitës, të mos lejonte formimin e një koalicioni opozitar. Në fjalimet e tij gjatë fushatës Berisha e vinte theksin se vendi do të pushtohej nga kaosi në rast se PD nuk fitonte. Ashtu si gjatë regjimit komunist, fitorja e partisë barazohej drejtpërdrejt me fitoren dhe forcimin e shtetit dhe të vendit. Por pasditen e 26 majit, pra ditën e zgjedhjeve, manipulimet dhe frikësimet ishin bërë aq alarmante saqë Partia Socialiste dhe disa parti më të vogla të opozitës njoftuan tërheqjen nga zgjedhjet dhe i bënë thirrje popullit të bojkotonte votimin vetëm pak orë para se votimet të mbylleshin. Duke injoruar deklarimet për dhunë dhe manipulime, Partia Demokratike e shpalli veten fitimtare të qartë të zgjedhjeve me rezultatet që tregonin se deputetët e saj fituan një shumicë me më shumë se dy të tretat në parlamentin 140 vendesh. Partia Socialiste që kishte pasur 38 vende në parlamentin e fundit, nuk pranoi të zinte pesë vendet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se i kishte fituar në raundin e parë. President Berisha kishte tashmë kontroll të fortë mbi parlamentin, policinë, sistemin gjyqësor dhe mbi median, ndërsa ecja e vonuar e Shqipërisë drejt demokracisë kishte pësuar një kthim të madh mbrapa. Përballë këtij realiteti mund të thuhej fare mirë se, ndërsa bunkerët e betontë të Hoxhës të mbuluar nga barishtet dhe ferrat kishin filluar të zhdukeshin nga shikimi dhe kujtesa e njerëzve, trashëgimia e tij politike në mënyrën se si po manifestohej, do të ishte tepër e vështirë të kapërcehej. Diplomatët perëndimorë kishin qenë mbështetës të fortë të administratës së Berishës, mbi bazën e asaj që dukej si mrekulli ekonomike dhe e transformimeve shoqërore të arritura qëkurse PD erdhi në pushtet më 1992, por skenat e dhunës dhe brutaliteti i policisë në Sheshin Skënderbej pas zgjedhjeve çuan në kritika ndërkombëtare nga të gjitha anët. Amerikanët, në veçanti, ishin tepër kritikë për tërë procedurat zgjedhore dhe e nxitën Berishën ‘të tërhiqej dhe t’i rishqyrtonte ato’ për të zgjidhur atë që nga të gjithë të interesuarit ishte konsideruar një situatë tepër shqetësuese. Për rrjedhojë, diplomatët e Shteteve të Bashkuara nuk morën pjesë në seancën e hapjes së parlamentit të ri, për të bërë të qartë me këtë gjest se Shtetet e Bashkuara nuk besonin që problemet zgjedhore ishin kapërcyer. Megjithëse kishin qenë për një kohë të gjatë mbështetës të Sali Berishës, amerikanët shprehën një pakënaqësi të fortë për zhvillimin e zgjedhjeve, duke thënë se përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur krizën politike ishin krejtësisht të pamjaftueshme.

 

Ju, Miranda, bashkë me autorin tjetër të njohur anglez, James Pettifer, kini ndjekur nga afër dhe kini një ide tashmë të qartë se ç’ngjau në Shqipëri në vitin 1997 pas krizës së firmave piramidale të fajdeve. Vendi u pushtua nga anarkia dhe filloi një rebelim i armatosur. Për këtë ju kini shkruar edhe një libër. Mund ta përmblidhni me pak fjalë pse degradoi vendi në atë anarki të dhunshme?

Ne, studiuesit e huaj të interesuar për zhvillimet shqiptare, i jemi kthyer dhe rikthyer asaj që ndodhi në Shqipëri në vitin 1997. Por, parë nga distanca mendoj se ajo nuk ishte një ngjarje e rastësishme dhe as e shkëputur. Ashtu si shumica e njerëzve unë isha e kënaqur të shihja mbërritjen e demokracisë në Shqipëri në vitin 1992 dhe isha e impresionuar fillimisht me retorikën e fuqishme dhe karizmën e dukshme të Sali Berishës. Megjithatë, në vitin 1994, prodhimi i një projekt-kushtetute nga Partia Demokratike pa miratimin parlamentar përkoi me një polarizim politik në rritje dhe me spastrimet që kishin për qëllim një sundim presidencial të jashtëzakonshëm. Kjo kulmoi me manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 1996-s, me frikësim dhe terror të jashtëzakonshëm të mbështetësve të opozitës. Ky ishte një hap i madh prapa nga zgjedhjet relativisht të drejta të vitit 1992 dhe ishte një epitaf i keq për qeverisjen e parë të Berishës. Mbaj mend se pasi në Tiranë ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme dhe Berisha rizgjidhej president i vendit në kushte shtetrrethimi, në gazetën e Londrës “The Guardian” më 5 mars i bëra thirrje Europës të rishqyrtonte mbështetjen e pakushtëzuar të deriatëhershme dhënë Berishës, ndërsa një karikaturë e paraqiste Berishën mbi një kuti votimi të shpartalluar. Grupi pro-Berishian i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Oksford reagoi për këtë në publikimet e mëvonshme. Megjithatë, unë besoj se ngjarjet e tmerrshme që tronditën Shqipërinë në vitet 1997 – 98, ishin me origjinë nga diktatura presidenciale e Berishës gjatë administratës së tij të parë dhe përpjekjet e tij për të injoruar votën popullore në vitin 1996 dhe për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Kjo është arsyeja e vërtetë që Shqipëria u zhyt në kaos dhe anarki në vitin 1997 – rënia e skemave piramidale ishte vetëm katalizatori që shkaktoi kryengritjen e armatosur, ndërkohë që shqiptarët panë se u ishte vjedhur e vetmja mënyrë paqësore dhe demokratike për të hequr qafe një diktaturë të re.
Faleminderit Miranda për këtë intervistë të gjatë ekskluzive për gazetën ‘DITA’. Pasi kemi zhvilluar edhe disa intervista të tjera për qeverisjen e Berishës në vitet 2005-20013, mendoj ta mbyllim këtu këtë bashkëbisedim, me besimin se do të bëjmë intervista të tjera në të ardhmen.
Faleminderit juve për interesimin që tregoni. Mirupafshim (në shqip)!

 

August 13, 2014 14:21
Komento

5 Komente

  1. Fieraku 123 August 13, 15:55

    Shpellar i rendomte dhe shkaterrues i Shqiperise nepermjet cmendurise se tij shtazarake.Ky eshte dhe ka qene Sali Berisha.Nje anti-Shqiptar i terbuar dhe agjent i kahershem Serb.

    Reply to this comment
  2. shpatar August 13, 18:02

    Do te jete me shume interes qe nga kjo zonje te dime mendimin pse rezistoje e pati jetegjatsi aventura e Berishes.Si mund te perkrahet nje udheheqes shteti nga perndimoret kur dukeshin hapur tendencat diktatorjale e kriminele te nje drejtuesi .Pse perkrahej e i krihej bishti nga shume titullar Evropjane e te Amerikes.Pse Shqiperia eshte lene me keq nga gjithe vendet e lindjes kur ka nje popullsi sa nje grushte mizash dhe pasuri shume here me shume per fryme popullsie .Cilat jasne konjukturat qe kete popull po e mbajne jashte ritmeve te zhvillimit .
    Keto e shume te tjera kane rendesi e jo se kush ishin komunistat shqiptare e R.Alia qe i ka tretur dheu me kohe .
    R.Alise ja dhane pushtetin dhe dihej qe do ta linte .Tipi i tije nuk ishte per te bere ndryshime rrenjesore ne Shqiperi Ai u provua kur Shqiperine e vizitoje Shtrausi dy here .Gjermanet u habiten qe , me porosi te Alise, nuk kerkohej te forcoheshin lidhjet ekonomike por donin arme qe te mbroheshin nga Rusia .Nuk kishte kurajo te dilte jashte natyres Hoxhjane si ndjekes i keq i linjes se tije .Bota ziente , Lindja po digjej per ndryshim, ky mbate fjalime se shqiptaret nuk jane te pergatitur per demokraci .Keto e shume te tjera zgjuan mendjet e ekstremistve shqiptare qe i rrinin prane Ramizit duke marre situaten politike te vendit ne dore. Si asnjehere agjenturat e huaja u interesua qe ne kete kaos te Ramizit te nxirnin ne pah elementet e tyre per ta patur me te lehte ndikimin ne politikeberjen shqiptare .Keto dihen dhe ai qe duhet ti vere gjishtin kokes eshte populli qe duhet te zgjohet e te mari frenat e fatit ne dore sic po bejne shume popuj te tjerte.

    Reply to this comment
  3. Ericson August 13, 19:14

    Jashte Salih Berisha, njeri i ulet, kriminel politiko-ordiner e faqezi!

    Nuk kam kohe per momentin t’i bej nje analize taman ketij maloku te mirefillte tropojan gdhe me tete qoshe, delirant, komunist fanatik, te shkolluar me paret e E.Hoxhes deri ne Paris e te katapultuar ne krye te PD-se e shtetit nga administrata amerikane e kohes me ndihmen e Elez Biberajt ,bashkefshatar i Salihit dhe nje fare William Rayerson ,ish ambasadori i pare amerikan ne Shqiperi.

    Mund te them vetem se se Miranda Vickers ,nje historiane britanike, nuk eshte e afte dhe e sakte te depertoje ne esencen dhe mentalitetin e kombit shqiptar, nje komb i ashper e luftarak e njekohesisht shpirtmadh e tejet mikprites dikur, ne te cilat u perpoq te hulumtoje Faik Konica, peshkopi Fan Noli e shume dinjitare te tjere te kultures e politikes shqiptare!

    Per fat te keq , sot, me te gjitha menyrat e perversitetit mediatik e perfitimit te castit ,mundohen te demonizojne regjimin 40 vjecar socialist, si gjema me e madhe qe i ka ndodhur ketij kombi edhe shkrimtare te shquar si I.Kadare i cilli ka shpallur edhe njefare “manifesti” me librin e tij ‘Mosmarrveshja shqiptare” ku tenton te beje antropologjine e kombit shqiptar!

    Me se pari duhet ditur se Fronti Nacional Clirimtar ishte jo vetem per nje lufte te vendosur ndaj pushtuesve fashiste e naziste, por edhe per nje revolucion shoqeror kunder bejlereve turkoshake e qehallareve te tyre (lufte ndaj bejlereve te cillen e beri i pari Ali Pashe Tepelena) dhe bashkepunetoreve te fashizmit.

    Kjo lufte u be me teprime e madje krime, me ndihmen e jugosllaveve te Titos, edhe per ceshtjen e Kosoves e per shkaqe objektive , pasi Shqiperia u gjykua te mbetej ne sferen e influences sovjetike ne konferencen e Jaltes ku Roosevelt ,Stalin dhe Churchill ndanin harten e Europes se pas luftes e jo sic thote Vickers ketu!

    Vazhdon….

    Reply to this comment
  4. Pëllumb zaimi August 13, 20:45

    Gjithçka ka qënë një “poker spiunësh” qe luhej nën rrogoz dhe dirigjohej nga ramiz taip alia? Ndryshimet nuk filluan në 90-ën,kishin filluar shumë kohe me parë në prapaskenën e ramiz alise. Ky përgatiste terrenin për ate qe do të ndodhte më vonë? Ndryshonte njerez,kryetare rrethesh,komandante repartesh,drejtorë etj.etj. Zgjidhte njerezit më me vese dhe me moral te degraduar për ti pasur si neutralizues në atë kthesë qe bluante per me pas, koka e tij prej spiuni te hershëm..? Nderkohe në bodrumet e thella instruktonte kòntigjentin e tij të spiunëve të planifikuar e te seleksionuar mbi kritere te rrepta konspiracioni..? Këta do t’i nxirte në momentin e duhur kur terreni te ishte tëresisht i pergatitur… Ka mijra deshmi,dëshmitarë e fakte të kesaj periudhe por ramiz alia bënte kujdes qe ta maskonte diversionin e madh me fraza gjoja revolucionare por edhe dy kuptimëshe… Mund te rrezikohej nga ndonje kunderveprim i tipit “po tradhetohet enver hoxha”…!? Nejse,pokeri i spiuneve ja arriti qellimit. Miranda Vickers nuk kishte si t’i dinte keto,ajo thjesht vinte ne kandar pikpamjet e saj per demokracinë me ato qe identifikoheshin nga levizjet legale te spiunëve dhe ka gjykuar se nuk ishin demokratike!? Ajo nuk mund ta shihte dot prapaskenën dhe për këtë nuk ka faj…!? Nuk mund ta lexonte dot ate qe pergatiste pushteti okult i ramiz alise dhe i kelysheve te tij te llojit berisha. Rezultatet e perzgjedhjes se ramiz alise jane tipike punë spiunesh!? Dy njerezit me te ndyre gjeti dhe i vuri ne krye te forcave politike masive? Ju i njihni kush janë? Natyrisht perzgjodhi dhe te tjeré por ata ishin thjesht numërore te dy topave te medhenj qe shqiptaret i kane identifikuar tashme si bolet me te medhenj te anarkise demokratike shqiptare? Sali berisha dhe fatos nano! Ketu po i japim fund ketij komenti sepse “pokeri i spiunëve” ka histori pa fund,ai vazhdon dhe do te vazhdoje kushedi se deri kur… Mbase Miranda do te depërtoje ndonjehere ne ketë “poker”? Hidhja njehere idene e nje libri te tille o xhota? Ajo mund ta bëjë për shkak te aksesit të madh në shumë arkiva e burime!? Nderime!

    Reply to this comment
  5. Pëllumb zaimi August 13, 20:54

    Në Shqipëri nuk ka pasur një lojë me rregulla demokratike por thjesht një “Poker Spiunësh”!!??? Gjithçka ka qënë një “poker spiunësh” që luhej nën rrogoz dhe dirigjohej nga ramiz taip alia? Ndryshimet nuk filluan në 90-ën,kishin filluar shumë kohe me parë në prapaskenën e ramiz alise. Ky përgatiste terrenin për ate qe do të ndodhte më vonë? Ndryshonte njerez,kryetare rrethesh,komandante repartesh,drejtorë etj.etj. Zgjidhte njerezit më me vese dhe me moral te degraduar për ti pasur si neutralizues në atë kthesë qe bluante per me pas, koka e tij prej spiuni te hershëm..? Nderkohe në bodrumet e thella instruktonte kòntigjentin e tij të spiunëve të planifikuar e te seleksionuar mbi kritere te rrepta konspiracioni..? Këta do t’i nxirte në momentin e duhur kur terreni te ishte tëresisht i pergatitur… Ka mijra deshmi,dëshmitarë e fakte të kesaj periudhe por ramiz alia bënte kujdes qe ta maskonte diversionin e madh me fraza gjoja revolucionare por edhe dy kuptimëshe… Mund te rrezikohej nga ndonje kunderveprim i tipit “po tradhetohet Enver Hoxha”…!? Nejse,pokeri i spiuneve ja arriti qellimit? Miranda Vickers nuk kishte si t’i dinte keto,ajo thjesht vinte ne kandar pikpamjet e saj per demokracinë me ato qe identifikoheshin nga levizjet legale te spiunëve dhe ka gjykuar se nuk ishin demokratike!? Ajo nuk mund ta shihte dot prapaskenën dhe për këtë nuk ka faj…!? Nuk mund ta lexonte dot ate qe pergatiste pushteti okult i ramiz alise dhe i kelysheve te tij te llojit berisha. Rezultatet e perzgjedhjes se ramiz alise jane tipike punë spiunesh!? Dy njerezit me te ndyre gjeti dhe i vuri ne krye te forcave politike masive? Ju i njihni kush janë? Natyrisht perzgjodhi dhe te tjeré por ata ishin thjesht numërore te dy topave te medhenj qe shqiptaret i kane identifikuar tashme si bolet me te medhenj te anarkise demokratike shqiptare? Sali berisha dhe fatos nano! Ketu po i japim fund ketij komenti sepse “pokeri i spiunëve” ka histori pa fund,ai vazhdon dhe do te vazhdoje kushedi se deri kur… Mbase Miranda do te depërtoje ndonjehere ne ketë “poker”? Hidhja njehere idene e nje libri te tille o xhota? Ajo mund ta bëjë për shkak te aksesit të madh në shumë arkiva e burime!? Nderime!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*