Ekskluzive: Zbulohet dorëshkrimi i Konicës, dallohet stili i tij lakonik

July 28, 2016 22:45

Ekskluzive: Zbulohet dorëshkrimi i Konicës, dallohet stili i tij lakonik

 

Një grup studiuesish e historianësh kanë bërë publike përmes një konference shtypi të martën, atë që e kanë cilësuar si “zbulimi më i rëndësishëm letrar i shekullit”. Kritiku letrar dhe studiuesi i apasionuar i jetës dhe veprës së figurës së shquar të kombit shqiptar, Faik Konica, prof. Zhulat Tëmthi, njoftoi mediat për gjetjen e një blloku të vjetër shënimesh të Konicës, me fletë të zverdhura nga rrebeshet e kohës.

“Ndoshta rrebesh është fjalë e madhe, por ky bllok me siguri është lagur disa herë”, tha prof. Tëmthi, që hyri menjëherë në detaje:

“Dihet tashmë se Konica shquhej për stilin e tij lakonik dhe therrës. Ai mund të quhet i munguari i madh i letërsisë shqipe, pikërisht sepse nuk është marrë me këtë zhanër sa do të donim të gjithë. Këtë këshillë ja ka dhënë dhe Fan Noli”.

Por, shtoi studiuesi, “fletët e këtij blloku të vjetër jemi të bindur se i përkasin një vepre të pashkruar për kushedi ç’arsye nga Konica i madh!”

32 fletët e shkalafitura, i tregoi para gazetarëve historiani Nuro Kallëmi.

“Ato datojnë në vitet 20 të shekullit të kaluar, dhe si hapësira janë plotësisht të mjaftueshme për të shkruar një dramë me dy, mbase dhe me tre akte. Jam i bindur se Faiku do ta kishte shkruar veprën, nëse nuk do t’i dilnin ca punë në Uashington ato kohë”, tha me emocion Kallëmi, duke vijuar me kulmimin e këtij zbulimi: “Tani, drama, ose komedia, mund të jetë aty, në ato faqe, por ne ende nuk arrijmë ta dallojmë. Megjithatë, ne si grup studiuesish, do përpiqemi të lexojmë mes rreshtave, megjithëse na duhen disa fonde për këtë qëllim”.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm sesi është e mundur të lexosh mes rreshtash, kur nuk ka rreshta, Kallëmi reagoi flakë për flakë: “………”.

Dhe në fund shtoi, “E kuptuat ç’do të thotë të jesh lakonik?”

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Fakti që detyrohemi ta vëmë këtë shënim, është trishtim më vete.

July 28, 2016 22:45
Komento

3 Komente

  1. Albani August 1, 11:05

    E gjithe puna per fondet behet

    Reply to this comment
  2. Gazmir August 6, 18:55

    Pergezoj autorin, i cili nuk e di pse mbeteet anonim, te ketij shkrimi!

    Reply to this comment
  3. Gazmir August 8, 21:35

    Pergezime per autorin anonim.
    Gazmir

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*