Eksodi i tretë për Kukësin

February 14, 2016 14:03

Eksodi i tretë për Kukësin

Jo më larg se javës së kaluar, disa projekte për prodhimin e energjisë kishin në fokus luginën e Drinit të Zi, një pjesë e mirë e të cilit kalon në Qarkun e Kukësit.

Për fat të mirë, kësaj radhe, kompania e huaj konsulente i sugjeroi Ministrisë së Energjisë të mos merrte parasysh projektin që do të përmbyste mijëra hektarë tokë e duhet të zhvendoste mbi 10 mijë banorë lindur e rritur në ato fshatra.

Në fakt, luginat më pjellore të gjithë qarkut, të cilat do të mund të kishin furnizuar me prodhim fshatrat kodrinore e qytetin, gjenden tashmë nën Liqenin e Fierzës.

Kontributi i kësaj zone për të gjitha familjet shqiptare që marrin energji me çmim të subvencionuar, nuk i është këmbyer as nga shteti e as nga privati. Përveçse u bë qarku me tokën më të pakët bujqësore në dispozicion (vetëm 25 mijë hektarë, sipas INSTAT), Kukësi është qarku i fundit në vend për vlerën e fondeve publike të shpenzuara ndër vite e sipërmarrjet private.

Të fokusuara vetëm në tregti, bizneset atje janë disa ushqimore, pjesa më e madhe e të cilave shesin me listë.

Të hapësh vjetarin statistikor rajonal të INSTAT-it botuar në fund të vitit të kaluar, kupton pse Kukësi po përjeton sot një eksod të tretë. Largimi i mbi 30 mijë familjeve me përmbytjen e qytetit të vjetër dhe dhjetëra fshatrave, migrimi për një jetë të mirë me rënien e komunizmit dhe sot emigracioni masiv drejt Gjermanisë. Në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e socialë, Qarku i Kukësit dallon për keq.

Në periudhën 2013-2014, Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë 2%.

Vendi me nivelin më të lartë të papunësisë, shkallës së varfërisë dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit.

Prodhimi i brendshëm bruto për frymë është vetëm pak më i lartë se në Dibër. Me rreth 320 mijë lekë për frymë në vit, niveli i PPB-së për frymë është 30.5% nën mesataren e vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit. Edhe për hendekun e varfërisë nuk zbret shumë nga kryesimi, duke u renditur i dyti pas Lezhës. Pra, jo vetëm që ka nivelin më të lartë të të varfërve, por kësaj pjese të popullsisë (3.8%) i duhen më shumë para për të arritur te kufiri i varfërisë.

Nuk dimë nëse mund të themi që përbën lajm të mirë për kuksjanët lindja e fëmijëve. Për vendin që paralajmëron orientimin drejt plakjes, sigurisht që po. Është i vetmi fakt për të cilin Kukësi kryeson duke pasur 15,3 lindje për 1 mijë banorë. Mesatarja e vendit, sipas INSTAT-it, është 12 lindje për 1 mijë banorë. Por, ndërsa po flasim për një jetë vitale gati në përpjekje për të kompensuar ikjet e vazhdueshme, është tragjike lidhja direkte e të pasurit fëmijë me varfërinë. Instituti i Statistikave tregon se me rritjen e numrit të fëmijëve, rritet edhe përqindja dhe rreziku i tyre për të qenë i varfër.

Si një vend me lindshmëri më të lartë se qarqet e tjera, Kukësi kryeson mes vendeve me varfëri të lartë mes fëmijëve. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 37% e pupullsisë që jeton në kushte varfërie në Kukës, ka tre ose më shumë fëmijë. Kukësi kryeson edhe për kategorinë e familjeve të varfra me dy fëmijë. Ku rreth 25% e të varfërve janë në kushte të tilla, shkruan Monitor.

Kur flet për varfëri, nuk përjashtohen as kushtet minimale të jetesës. Qarku verilindor renditet ndër vendet e fundit për zotërimin e pajisjeve afatgjata, ku lavatriçe ka 80% e popullsisë, frigorifer gati 90% e popullsisë dhe makinë pjatalarëse vetëm 0.6% e popullsisë.

Një tjetër faktor i rëndësishëm ku Kukësi kryeson është mungesa e aksesit në kushtet bazë. As 88% e popullsisë nuk kanë kushte të përshtatshme për të jetuar. Me 57% të popullsisë që ka mundësi për një ngrohje të përshtatshme, Kukësi është vendi më në hall në këtë drejtim. E kjo jo vetëm për kushtet e ftohta të motit. Korça i shkon për krah, por gjithsesi, arrin të sigurojë ngrohjen e duhur mbi 70% e popullsisë.

February 14, 2016 14:03
Komento

3 Komente

  1. DIBRANI I MBYTUR February 14, 16:40

    Dibra, me Skavicën, me përmbytjen totale të të gjitha tokave më pjellore që në shekuj kanë mbajët me bukë jo vetëm malësinë e Dibrës por edhe malësitë në thellësi të maleve veriqëndrore, do të përjetojë LARGIMIN MË TË MADH DHE MË TË DHUNSHËM TË TË GJITHA KOHËVE, largimin nga masakrat e osmanllinjëve, largimin biblik të viteve 1913,-1922, largimin nga mbytja e tokave më pjellore të Dibrës së Madhe nga ndërtimi i hidrocentralit të Spiles, LARGIMIN E VITEVE NËNTËDHJETË DHE LARGIMET NË VIJIM.
    MOS LEJONI QË DIBRA TË MBYTET. MOS LEJONI QË AJO TË ZHDUKET NGA HARTA. DIBRA PA LUGINËN E DRINIT TË ZI ËSHTË E VDEKUR.

    Reply to this comment
  2. Shaqua February 14, 17:11

    Mire e ke ti qe shkruan keshtu, u permbyten nga liqeni aq e kaq hektare ne luginen me pjellore te qarkut.Dikur i bihej lapsit sa eshte raporti midis prodhimit bujqesor qe do te jepte kjo lugine me prodhimin e energjise elektrike, doli qe leverdia ishte te prodhonte energji se sa speca, domate e patate.
    Pse nuk i ben analizen mijra hektareve toke bujqesore anembane Shqiperise qe nuk punohet, e lene djerre ketu e 25 vjet te shkuara, dhe te vete mendja qe njerzit largohen se ua ka zene liqeni tokat. Qenke nje budalla i madh fare ne gazetari dhe cinik ne shpirt.

    Reply to this comment
  3. luli February 14, 19:47

    o debil gazetar KUKESIT NUK I PERMBYTET AS NJE HA TOK PO NE DIBER JAN TOKAT DHE LEVIZJA E 10 NJERZVE ESHTE NE DIBER

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*