Eksperti Baudin Kazani: Ja provat E veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut në Ministrinë e Brendshme

Kujtim Boriçi February 14, 2013 13:07

Eksperti Baudin Kazani: Ja provat  E veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut në Ministrinë e Brendshme

“Me synim marrjen e pushtetit, vunë Sigurimin mbi Partinë, ekzekutuan pa gjyq njerëz të pafajshëm, favorizuan kriminelët dhe punuan në interes të agjenturave të huaja”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Seanca e 26-të e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, pjesëtarë të “Grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja”, vazhdon dhe mbyllet me dëshmitë e përgjegjësit të grupit të ekspertëve, Baudin Kazanit, lidhur me aktivitetin armiqësor të Kadri Hazbiut e të pandehurve të tjerë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Me synim marrjen e pushtetit, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti e të pandehurit e tjerë, vunë Sigurimin mbi Partinë, ekzekutuan pa gjyq njerëz të pafajshëm, favorizuan kriminelët dhe punuan në interes të agjenturave të huaja. Edhe pas vdekjes së Mehmet Shehut, ata vazhduan veprimtarinë e tyre armiqësore, me qëllim eliminimin e Hoxhës e ndryshimin e regjimit në Shqipëri” -pohoi mes të tjerave në këtë seancë…

Seanca e 26-të

Kryetari(Aranit Çela): –Tani, eksperti Baudin Kazani. I njeh këta të pandehurit ti..?

Baudin Kazani(Ekspert): –Kadri Hazbiun, po, Mihallaq Ziçishtin po, Llambi Peçinin po, Feçor Shehun po, Gani Kodrën po…

Kryetari: –Gjykata kërkon të na thuash për akt ekspertimin që është bërë…

Baudini: –Shkurtimisht, do të parashtroj konkluzionet e ekspertëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ku ka konsistuar veprimtaria e këtyre armiqve kundër vijës së Partisë në organet e punëve të brendshme… Këta armiq kanë futur metoda armiqësore, trockiste në punën e Sigurimit, në përgjithësi në organet e punëve të brendshme dhe degjenerimin e kuadrove për burokratizimin e organeve dhe vënien e tyre në shërbim të komplotistëve… Çfarë bënë këta armiq? Kryesisht Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti, në atë periudhë urdhëruan të ndërpritej e gjithë veprimtaria e organeve të Sigurimit të Shtetit në drejtim të zbulimit jugosllav, të asgjësohen të gjitha dosjet e çdo material që disponohej në drejtim të këtij zbulimi. Pasojë e kësaj pune, e kësaj veprimtarie armiqësore ishte kjo: Agjenturës jugosllave ju la dorë e lirë të vepronte lirisht në Shqipëri.

Së dyti, hodhën në veprimtari të hapur agjentë të tjerë të zbulimit jugosllav Bedri Spahiun dhe Tuk Jakovën, organizuan komplotin e Konferencës së Partisë për Tiranën në vitin 1956… Kanë lëshuar urdhra e udhëzime që bien ndesh me Platformën e punës së organeve të punëve të brendshme… Gjithashtu, në urdhrin nr. 354, datë 10.7.1977, firmosur nga armiku, tradhtari dhe agjenti Kadri Hazbiu, theksohet se për anëtarët dhe kandidatët e Partisë, informacionet që vijnë nga bashkëpunëtorët, asgjësohen vetëm pasi t’i relatohen sektorit përkatës të Drejtorisë së Parë dhe merret miratimi nga ministri ose zëvendësministri përkatës. Pasojë e kësaj është se vetëm në Tiranë, në vitin 1980, nga 21 fashikuj dhe dosje që miratoi Sekretari i Parë i Partisë(Enver Hoxha) për asgjësim, ministria e Brendshme(Drejtoria e parë) miratoi vetëm 12. Këtu del haptazi Ministria e Punëve të Brendshme mbi Partinë… Pra, siç del, shokë gjyqtarë, jo pa qëllim dhe me synime armiqësore, i pandehuri Kadri Hazbiu del me propozime të tilla para Enver Hoxhës (letra nr. 297 datë 21.9.1974 me 4 faqe, dërguar Komitetit Qendror që në thelb kërkon vënien e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë) vetëm që të merrte miratimin e Partisë, për të pasur pastaj duar të lira që të vepronte kundër saj e popullit në interes të zbulimeve armike kapitalisto-revizioniste, të cilave u shërbente dhe nga kishte marrë detyra…

Urdhëri i dhënë nga Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu për t’u marrë komitetet ekzekutive të KLP të rretheve si objekte të rëndësisë së veçantë, tregon më së miri, që këta vendosën Sigurimin mbi Partinë dhe mbi pushtetin. I janë kundërvënë Vendimit të Byrosë Politike nr. 190 datë 21.12.1973 për unifikimin e hetuesisë dhe për qëndrimin e saj në Ministrinë e Punëve të brendshme dhe hetuesinë e kthyen kështu në një shtojcë të sektorit operativ. Kjo solli sorollatjen e të dënuarve. Kështu, që nga viti 1973 deri në vitin 1981, vëmendja u përqendrua kryesisht tek agjitacioni e propaganda, ku 52 për qind e të dënuarve për krime kundër shtetit janë nga kjo kategori.

Feçor Shehu, kur ka qenë zëvendësministër shante dhe ofendonte anëtarët e Komitetit të Partisë për qëndrimet parimore të tyre në Komitet dhe në organizatën bazë… Kadri Hazbiu, nga të gjitha dokumentet që disponohen, nuk ka respektuar dhe nuk ka dhënë asnjë herë llogari në Komitetin e Partisë së Ministrisë. Kjo frymë ishte futur deri poshtë, ku kryetarët e degëve nëpër rrethe nuk kanë dhënë llogari para organeve të zgjedhura të pushtetit shtetëror, por vetëm sektori i policisë. Feçor Shehu ka arritur deri atje sa ka thirrur në kolegjium për të dhënë llogari dhe sekretarët e byrove të Komiteteve të Partisë dhe reparteve, siç është rasti i Elbasanit dhe i Gramshit.

Së treti, ata kanë bërë shkelje të vijës së Partisë në fushën e organizimit të punës operative të organeve. Këta të pandehur kanë zhvilluar një veprimtari të mprehtë armiqësore në fushën e punës operative të organeve të punëve të brendshme… Ata kanë vepruar me qëllim që të degjeneronin vijën e Partisë në zhvillimin e luftës së klasave dhe ta përdornin goditjen si element tipik kundër revolucionar deri në goditjen e vetë Partisë. Për këtë kanë përdorur dhe falsifikime, prova të rreme, siç është bërë me Rukije Ramën nga Tropoja ose të ashtuquajturin grup diversionist të Prendush Dedës në Tiranë… Janë bërë pengesë dhe kanë dëmtuar punën për zbulimin e veprimtarisë së spiunazhit me anë të kanaleve legale. Çdo takim me person të huaj të ardhur nga jashtë, konsiderohej lidhje e zbulimeve. Kjo veçanërisht dëmtoi të ardhurit nga Kosova të cilët konsideroheshin tërësisht si të dyshimtë.

Këta armiq, nuk kanë vënë nën kontroll përfaqësitë e huaja kapitalisto-revizioniste. Tipik është rasti i mosvënies nën kontroll i ambasadës franceze dhe asaj jugosllave, heqja e radiopelengimit dhe radio zbulimit si dhe ndihmuan poliagjentin për t’u lidhur me zbulimet e huaja… Feçor Shehu arrin deri atje sa pas shpërthimit të bombës në ambasadën jugosllave nga vetë jugosllavët, urdhëroi që të ekspozoheshin 56 zbulues, punëtorë operativë ilegalë.

Kanë shkelur kriteret për pajisjen me pasaporta e dërgime për shërbime jashtë shtetit të personave të cilët organet e Sigurimit të Shtetit kishin materiale që provohej se zhvillonin veprimtari armiqësore siç janë rastet për Klara Nanon, Vera Tariatin, Veliq Kakulin, Aristidh Kristidhin, Nafije Kerrinin, Liri Saramën, Gjylizare Grazën, Emine Halilin, Nasibe Çaushin, Murat Gjoshin, etj… Së dyti, kanë lejuar të shkojnë jashtë shtetit persona, të afërmit e të cilëve kanë pasur të kaluar të keqe politike ose kanë pasur materiale që provonin  veprimtari armiqësore të tyre…

Së treti, veprimtaria e tyre armiqësore mbi kontigjente për veprimtari të mundshme. Këtu, veçanërisht në regjistrimin në kontigjent dhe objekt të punës së organeve të Sigurimit të Shtetit, fëmijë të elementëve nga mosha 14 vjeç, pa bërë asnjë diferencë… E këto nuk ishin pak, por përbënin 15% të popullatës së Republikës.

Mbi përpunimet. Me urdhër të tyre janë hequr nga kontrolli ose janë lënë jashtë kontrollit të sigurimit njerëz që zhvillonin veprimtari armiqësore si dhe janë vënë në përpunim të Sigurimit të Shtetit disa persona që nuk duhet të ishin. Me urdhër të Feçor Shehut u urdhërua të asgjësohej dosja e Qazim Turdiut(po në fakt nuk u asgjësua), që ishte i ati i të fejuarës së djalit të Mehmet Shehu… Pra, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, me këto orientime e qëndrime, ndiqnin një politikë sektare dhe oportuniste dhe njëkohësisht, nën pretekstin e goditjes së rreptë të armikut, orientonin sektorin operativ dhe të hetuesisë që të arrestoheshin e të dënoheshin sa më shumë njerëz, për të mbjellë frikë në popull, e veçanërisht tek rinia…

Shkurt mbi agjenturën. Është praktikuar nga këta të pandehur djegia e agjenturës për të siguruar prova e të ketë sa më shumë njerëz të dënuar. Tipike është ajo që thashë më lart për Rukije Ramën. Po ashtu, u futën në rrjetin agjenturor njerëz armiq të Partisë dhe të pushtetit popullor, veprimtaria e të cilëve ka qenë e vërtetuar katërcipërisht, me qëllim që ata të vepronin në mbrojtjen e Sigurimit të Shtetit. Këtu përmend ish-oficerin e UDB-së Xhafer Vokshi, Xhavit Pëllumbin, Sami Muhametin, etj… Ose këta armiq, kanë urdhëruar që agjentura të arrestohej, siç kanë vepruar me dy-tre bashkëpunëtorë të cilët ne i kemi cilësuar…

Kryetari(Aranit Çela): –Jep ndonjë konkluzion këtu…

Baudini: –Konkluzioni është ky, edhe lidhur me procesverbalin që mbahet për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje, ku thuhet nëpërmjet të tjerave që konform nenit 6 të dekretit 3584 i nëntorit 1968 dhe fjala e fundit e të ekzekutuarit. Një kopje e procesverbalit, thuhet në këtë udhëzim, i dërgohet degës së hetuesisë, Drejtorisë së Parë, ndërsa tjetra mbahet në organin që ekzekuton vendimin përkatës… Këta të akuzuar, nuk i kanë respektuar kërkesat e udhëzimit dhe ligjit për këto raste…

Kryetari(Aranit Çela): -Keni ndonjë pyetje?

Llambi Peçini: –Si mendojnë ekspertët, nuk duhet bërë tërheqje në bashkëpunim nga mesi i armiqve, se kështu e trajton problemin eksperti…

Baudini: –Në materialet e dosjes së hetuesisë është më se e qartë… Është provuar se është vepruar në kundërshtim me ligjet…

Kryetari: –Gani Kodra e Feçor Shehu, keni gjë ju?

Feçori: –Nëse e di eksperti ose përfaqësuesi i ekspertëve që tha aty që fjala e Enver Hoxhës në Byronë Politike në janar të vitit 1981 është mbajtur e fshehur!

Baudini: –Fill pasi është mbajtur fjala e shokut Enver dhe që kuadrot e Sigurimit nuk kishin marrë dijeni për këtë, dërgohen dy telegrame, përkatësisht nr. 91 dhe nr. 92 nga i pandehuri Feçor Shehu me porosi që t’i kushtojnë kujdes goditjes dhe të arrestojnë sa më shumë…

Feçori: –Çfarë faktesh keni ju që radhitni aty që unë kam marrë pjesë në prapaskenën e Konferencës së Tiranës?

Baudini: –Janë në dosjen hetimore.

Feçori: –U tha që janë goditur njerëzit tanë?

Baudini: –Me vendim gjyqi dënohen. Këtë e kemi thënë aty që jepet dhe kjo porosi, mjafton të dënohet Rukije Rama, pa e gjithë agjentura e Tropojës le të digjet…

Feçori: –Çfarë dokumenti kam pas falsifikuar unë për Rukije Ramën që thuhet nga ekspertët?

Baudini: –Për Prendushe Dedën, ju keni urdhëruar ekspertët të jepnin akt ekspertimi të rremë dhe rezultati i saj…

Feçori: –Tha që ka dhënë urdhër Feçor Shehu të digjet dosja e Qazim Turdiut? Ku bazohet?

Baudini: –Keni urdhëruar ju oficerin e drejtimit Pandeli Pandon. Më 18.7.1981 është ky shënim i oficerit të drejtimit Pandeli Pando: ”Këtë dosje e ka studiuar sot më datë 18 shoku ministër dhe më porositi që t’i rekomandohet Drejtorisë së Tiranës për ta arkivuar sepse jo vetëm është në moshë të kaluar dhe i sëmurë, por gjithë jetën e tij ka punuar mirë, ka bërë disa tekste matematike dhe për këtë kontribut, vitin e kaluar, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dhënë medaljen ‘Naim Frashëri’. Prandaj se i plotëson kriteret për të mbajtur nën kontroll operativ 2B, të arkivohet”… Ky urdhër jepet nga Feçor Shehu…

Feçori: -Meqenëse thuhet se kam bërë një politikë personale, ka mundësi të më thotë ndonjë kuadër që ka ardhur në ministri nga fisi im?

Kryetari: –Ja këtë e ke lexuar apo s’e ke lexuar? Shef seksioni është bërë Adrian Shehu, nipi i Feçor Shehut; Lirim Shyti, i martuar me mbesën e Feçor Shehut, në Vjenë a ku është!!!

Kryetari: –I pandehur Kadri Hazbiu, ke gjë?

Kadri Hazbiu: –Heqja e radio kundërzbulimit, thoni ju, ishte një favor, një lehtësim që ju bë Mehmet Shehut për t’u ndërlidhur me zbulimet e huaja. E keni një mendim teknikësh këtë, specialistësh…

Baudini: -Të heqësh nga duart e shtetit këtë mjet në një kohë kur zbulimet e huaja vepronin me anë të agjenturave të tyre dhe në kohën e Mehmet Shehut, i dha favor këtyre zbulimeve që Mehmet Shehu të veprojë… (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Feçor Shehu, kur ka qenë zëvendësministër shante dhe ofendonte anëtarët e Komitetit të Partisë për qëndrimet parimore të tyre në Komitet dhe në organizatën bazë… Kadri Hazbiu, nga të gjitha dokumentet që disponohen, nuk ka respektuar dhe nuk ka dhënë asnjë herë llogari në Komitetin e Partisë së Ministrisë. Kjo frymë ishte futur deri poshtë, ku kryetarët e degëve nëpër rrethe nuk kanë dhënë llogari para organeve të zgjedhura të pushtetit shtetëror, por vetëm sektori i policisë. Feçor Shehu ka arritur deri atje sa ka thirrur në kolegjium për të dhënë llogari dhe sekretarët e byrove të Komiteteve të Partisë dhe reparteve, siç është rasti i Elbasanit dhe i Gramshit. Kjo ishte veprimtari armiqësore me pasoja”

 

SOM 2

“Lidhur me urdhërin tuaj për zhdukjen e dosjes së Qazim Turdiut, më 18.7.1981 është ky shënim i oficerit të drejtimit Pandeli Pando: ’Këtë dosje e ka studiuar sot më datë 18 shoku ministër, Feçor Shehu dhe më porositi që t’i rekomandohet Drejtorisë së Tiranës për ta arkivuar sepse jo vetëm është në moshë të kaluar dhe i sëmurë, por gjithë jetën e tij ka punuar mirë, ka bërë disa tekste matematike dhe për këtë kontribut, vitin e kaluar, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dhënë medaljen ‘Naim Frashëri’. Prandaj se i plotëson kriteret për të mbajtur nën kontroll operativ 2B, të arkivohet”… Ky urdhër jepet nga Feçor, në interes të poliagjentit Mehmet Shehu, djali i të cilit sapo ishte fejuar me Silva Turdiun”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Deponimet e Sami Pashajt lidhur me veprimtarinë armiqësore të Feçor Shehut, mbrojtjen që i bëri Fadil Paçramit e Todi Lubonjës…

-Biseda e Feçor Shehut me Andrea Mançen lidhur me librin “Dimri i Vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, i sapobotuar.

-Sami Pashaj: Vizitat e kundërligjshme e Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut në dhomën e izolimit të Beqir Ballukut dhe interesimi i tyre për bisedën e zhvilluar në Itali nga Balluku me Konti(Xhemal) Ferrën.

Kujtim Boriçi February 14, 2013 13:07
Komento

2 Komente

  1. sopiqoti February 15, 09:01

    Baudin Kazani ka qene nje nga ata punonjes te sigurimit qe u thoshte “lepe? peqe.”Kadri Hazbiut dhe Fecor Shehut.U ka sherbyer me devotshmeri .Eshte i pa moralshem.

    Reply to this comment
  2. egli February 15, 19:07

    19 vjec jam sot dhe kur isha 17… lexova MAnifestin komunist te Karl Marksit … i pari liber jashteshkollor ne jeten time qe kam lexuar … i pari liber qe me ka terhequr …as ndonje liber shkollor sme ka bere pershtypje … vetem ky liber i shenjte me mbertheu … me ane te ketij libri po arrij te kuptoj se cfare po ndodhe , cfare eshte bere . Enver Hoxha i kapi keta horra me vonese , ata tashme i kishin bere maskaralleqet , per 40 vjet rresht… shqipetaret vuanin ne radhe per buke , qumesht , vaj a ku ta di une … vrane njerez te pafajshem … arrestoheshin ne mneyre te padrejte njerez te pafajshem , interrnonin familjet … imagjinoni sikur keta minj te ishin zhdukur …Si do te ishte bere Shqiperia …cfare Socializmi do te kishin kaluar … Por veprimtaria e Enverit u njollos … Ja prishen te gjithe verpimtarine Socliaste … Te pikellohet zerma per ket burre te madhe , qe harxhoi 60 vjet te jetes se tij per te ndihmuar kete popull … Por ky popull beson nje Amerike qe eshte ndertuar nga Mafia siciliane , New york u ngrit nga mafia siciliane , Las Vegasi po ashtu , FLorida nga Mafia Kubaneze”griselda Blanko” … Los Angeles nga mafia Meksikane dhe Japoneze “Jakuza” … Mos harrojme dhe privatizimet e shumta qe ka bere ky shtet i flliqur neper Afrik …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*