Ekstremizmi dhe joshja e elitave

October 11, 2016 19:08

Ekstremizmi dhe joshja e elitave

Një sondazh i fundit i kryer nga YouGov* ka ofruar të dhëna interesante mbi qytetarët evropianë. Sondazhi konfirmon, se afërsisht gjysma e qytetarëve të pyetur në 12 vende të BE, mbartin pikëpamje autoritare-populiste. Pikëpamje, që janë të bazuara në matjen e besimit, të opinionit dhe qëndrimit kundër imigracionit, kundër të drejtave të njeriut, kundër institucioneve të BE dhe politikave integruese, si dhe pro politikave të forta në fushën e jashtme. Pra, rreth 48% e qytetarëve britanikë, 63% e qytetarëve francezë, 47% e qytetarëve italianë, 82% e qytetarëve rumunë, 78% e qytetarëve polakë, 55% e qytetarëve holandezë, 50% e qytetarëve finlandezë dhe 49% e qytetarëve danezë, mbartin pikëpamje autoritare populiste. Përkundrazi, këto pikëpamje rezultojnë të jenë në një shkallë më të ulët në vende si Gjermania 18%, Spanja 33% dhe Suedia 35%.

Rezultatet e këtij sondazhi, vijnë vetëm disa ditë pas deklaratave të forta të Kryeministres britanike Tereza Mei në Kongresin e Konservatorëve. Deklarata, që jo vetëm konfirmuan preferencën për ndjekjen e linjës së ashpër në negocimet për dalje nga BE, por që shpalosën edhe vizionin qeveritar në lidhje me çështjen e imigracionit, duke ripohuar në të njëjtën kohë vlerën dhe rëndësinë e sovranitetit britanik. Por, në vizionin qeveritar britanik të prezantuar gjatë Kongresit, tërhiqnin vëmendjen edhe elementë, që lidheshin me një mesazh të fortë ndaj klasës punëtore në Britani. Mesazh, që ndërthurej me luftën e hapur ndaj imigracionit, si kërcënues i mirëqenies së dëshiruar në Britani.

Brexit dhe politika e konservatorëve në Britani, nuk është veçse shembulli i fundit i konfirmimit të rolit të ideologjive ekstremiste në Evropë. Jo vetëm Kameron, por edhe kryeministrja aktuale Tereza Mei vazhdon të qëndrojë në një terren populizmi, të huazuar kryesisht nga politika e UKIP. Vizioni qeveritar i shprehur në fjalimin e fundit të saj, por edhe mënyra se si është konceptuar zgjidhja e çështjes së migrimit në vend, janë shenja të qarta të një shovinizmi social, apo e thënë ndryshe e një patriotizmi agresiv, që vetëm një kufi i hollë e ndan me nacionalizmin. Në kuptimin që shpëtimi i klasës punëtore në Britani, por njëkohësisht edhe i vendit, do të vijë si rrjedhojë e mobilizimit të shtetit për popullin, dhe kjo kryesisht duke goditur të huajën, që “rrezikon” mirëqenien e vendit.

Ashpërsimi i politikave dhe qëndrimeve të partive tradicionale mbi migrimin, është rasti më klasik i huazimit të ideve populiste ekstremiste. Ajo që vëzhgohet rëndom, në të gjithë spektrin e djathtë politik, është një retorikë e theksuar mbi sovranitetin, mbi shtetin, mbi nacionalizmin. Një retorikë, që ka marrë forcën e shndërrimit në konfigurime identifikuese të së djathtës tradicionale. Por, edhe pse kjo logjikë huazimi nga programet ekstremiste, gjen shpjegim në presionin që ushtrojnë kalendarët zgjedhorë, kjo nuk zbeh dhe nuk justifikon fenomenin, përkundrazi shfaq dobësi dhe pragmatizëm të përkohshëm, që rrënon vlerat. Dëshira për t’u rizgjedhur, po mbyt logjikën e rëndësisë së vlerave. Që të rizgjidhesh nga populli, duhet të kesh forcën morale, dhe kurajën për t’i qëndruar vlerave edhe kur shumica e opinionit publik të kundërshton. Dhe kjo kurajë duhet të të shoqërojë edhe atëherë kur sondazhet të tregojnë se pushteti po të humbet. I tillë ishte morali dhe kuarajo e Fransua Miteranit kur hoqi dënimin me vdekje në vitin 1981, edhe pse populli francez e kundërshtonte atë. Dy shekuj luftë për heqjen e tij, që prej aktit të parë të vitit 1791 të Lui Mishel Lëpëltjer.

E tillë u shfaq kjo kurajë edhe tek kancelarja gjermane Merkel, kur mbronte vlerat e humanizmit dhe solidaritetit në çështjen e refugjatëve, teksa qytetarët gjermanë ishin kundër saj dhe terreni politik po rrëshqiste në shifra dhe numra. Edhe pse jo e një niveli idealist, teksa kjo qasje njeh rrëshqitje, me afrimin e kalendarit zgjedhor, ky qëndrim spikat për momentin delikat, që u krye.

Kufi inteligjent

Që prej 20 vitesh, ekstremizmi nuk bën gjë tjetër veçse intensifikohet. Me theksimin e krizës ekonomike në Evropë, kemi dhe një përforcim të partive populiste dhe ekstremiste. Roli përforcues i tyre, nuk shfaqet vetëm tek elektorati në rritje, por tek ndikimi që ato ushtrojnë mbi partitë tradicionale, duke i detyruar këto të fundit të huazojnë jo vetëm retorikën, por edhe të marrin pika të tëra të programeve të tyre. Në rastet më delikate, kemi edhe ushtrimin e presionit, që shikohet rëndom në vendimmarrjet politike.

Ndërkohë mënyra se, si është pozicionuar klasa politike tradicionale, ka krijuar një hapësirë të gjerë debati, pasi ky pozicionim shfaqet si problematik. Së pari, vërehet se, ka një tendencë shpërfillje, zhvlerësimi dhe mos marrje në konsideratë të retorikës, që vjen nga partitë ekstremiste. Kjo për të mos bërë të mundur dhënien e kredos, që ato të ngrihen në platformën politike ku partitë tradicionale operojnë dhe fuqizimin e ideve të tyre. Së dyti, është zgjedhur një filozofi mosveprimi, me qëllim që duke i lënë të shtyhen në ideologjinë e tyre, ato do të gabojnë. Dhe duke gabuar, elektorati do ketë mundësi të reflektojë dhe të kuptojë se kë forcë po mbështet.

Problemi kryesor qëndron tek fakti se, ndërkohë që zgjidhet një filozofi e tillë operimi, është e gabuar të kopjohet retorika dhe programi i asaj, që ti e zhvlerëson dhe e shpërfill. Pasi kjo demostron dobësinë dhe jo forcën, djallëzinë dhe jo mençurinë, mungesën e vizionit dhe jo largpamësinë.

Gjithsesi, ky pozicionim i klasës politike tradicionale, ka rezultuar sa i suksesshëm, po aq edhe dëmshëm. Këtë sukses, mund ta shikojmë të konkretizuar në politikat populiste të Hungarisë së Orbanit, që gjetën refuzim në referendumin e fundit, duke çuar në gjykimin se drejtuesi politik gaboi. E njëjta logjikë mund të thuhet edhe për politikat populiste të Polonisë së Kaçjinksit, sidomos me tentativat e fundit për ligjin e abortit dhe penalizmin e grave, që e kryejnë këtë procedurë. Tërheqja nga ky ligj, që erdhi si pasojë e protestave në rritje, tërhoqi qeverinë nga miratimi i tij. Pra, janë dy momente ku elektorati njeh tërheqje, dhe kjo tërheqje mund të konsiderohet si pozitive, pasi mund të ndikohet nga rrëshqitja e mëtejshme e veprimeve të politikave populiste. Siç është rasti i kokëfortësisë së drejtuesit hungarez për të ndryshuar kushtetutën, që të reflektohet rezultati i referendumit, apo edhe mbyllja e gazetës më të rëndësishme opozitare, një prej zërave më kritikë ndaj pushtetit.

Por, kjo logjikë operimi njeh edhe anën e saj të riskut apo të dështimit. Fronti Nacional francez, edhe pse i krijuar që në vitin 1972, ka arritur në atë nivel në ditët e sotme, sa të bëjë të pranueshme dhe të votueshëm ide tabu dhe ekstremiste. Pranimi i këtyre ideve, është një proces në vazhdim dhe që mund të rrezikojë të çojë vajzën e Zhan Mari Lë Pen, brenda disa muajve në garën e turit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Por, a mund të thuhet se ekstremizmi po triumfon ideologjikisht në Evropë ?

Që ky ekstremizëm të triumfojë ideologjikisht, duhet që ai të vijë në pushtet. Aktualisht, edhe pse në vende të caktuara ka fraksione qeveritare, ku i gjejmë të përfaqësuara këto forca politike, ka gjithmonë një kufi inteligjent, që elektorati ka ditur ta vendosë, duke u shprehur nëpërmjet votës dhe penguar kësisoj ardhjen e tyre në pushtet. Suksesi lokal, që ai shfaq ka meritën edhe të partive tradicionale, që duke mos i goditur publikisht këto politika, shkaktojnë dëmin më të madh, pasi duke i huazuar dhe i kopjuar, i legalizojnë publikisht këto prirje ekstremiste. Dhe ky legalizim publik, ka efekte të parikuperueshme në elektorat. Shembulli tipik është ai britanik, ku kjo gjuhë urrejtje politike ka nxitur aktet e ksenofobisë në vend dhe sulmet ndaj të huajve. Edhe pse organizatat e të drejtave të njeriut, i kanë bërë thirrje politikës britanike të kuptojë dëmin, që vjen nga këto deklarata, Kongresi i Konservatorëve ishte arena e mungesës së plotë të reflektimit politik.

Por, pavarësisht rolit që luajnë ekstremet e djathta, qytetarët evropianë nuk dëshirojnë të mbyllen në guaskën nacionaliste dhe të braktisin Unionin. Kjo u vëzhgua edhe në situatën pas Brexit, ku pati një reagim shumë të fortë social, por edhe politik për të bërë të mundur qëndrimin në BE. Edhe të dhëna të tjera, siç do të ishte sondazhi i kryer nga Ifop* menjëherë pas Brexit në 6 vendet kryesore të BE, flasin për një reflektim të menjëhershëm pas situatës që u krijua në Britani, duke rezultuar me një nivel mbështetje për qëndrim në Union, shumë herë më të lartë nga përqindjet e mëparshme.

 

*Sondazhi është kryer ndërmjet 31 gushtit dhe 9 shtatorit 2016. 1711 individë janë pyetur në Britaninë e Madhe. Në të gjithë vendet e tjera janë pyetur të paktën 1 mijë individë. Modeli i kërkimit bazohet tek hetimi i peizazhit aktual politik dhe matja e mbështetjes së populizmit autoritar.

*Sondazhi “Evropianët dhe Brexit” është kryer në 6 vende kryesore të BE, menjëherë pas rezultatit të referendumit në Britaninë e Madhe, ndërmjet 28 qershorit dhe 6 korrikut 2016. Rreth 1 mijë individë janë pyetur në secilin vend, dhe rezultatet flasin për nivele të larta të pozicionimit pro përkatësisë në Union: Gjermania dhe Spanja 81%, Polonia 89%, Belgjika 75%, Franca 67% dhe Italia 59%.

Im.Ta.

DITA

 

October 11, 2016 19:08