Ekzekutimi: Çfarë kërkuan Kadri Hazbiu Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti para pushkatimit

Kujtim Boriçi February 17, 2013 10:48

Ekzekutimi: Çfarë kërkuan Kadri Hazbiu Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti para pushkatimit

 

DOSS 67-R

 

Ekzkluzive: Publikohet për herë të parë refuzimi i kërkesës për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe procescerbali ‘Tepër Sekret’ në mesnatën e 9 shtatorit 1983 në vendpushkatimin e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit

 

Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën për falje. Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse Llambi Ziçishti e Llambi Peçini nuk thanë gjë.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në përfundim të seancës së 28-të, trupi gjykues i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, kryesuar nga Aranit Çela, ka dhënë dhe vendimin përkatës për të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Mihallaq Ziçishti, Ali Çeno dhe Xhavit Ismailaga. Tre nga këta, përkatësisht Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini, me vendim të formës së prerë, u dënuan me vdekje. Ndërsa të akuzuarit e tjerë me heqje lirie nga 10 deri në 25 vjet. Në vendimin e formës së prerë të gjykatës theksohej se vendimi për ekzekutimin e tre të pandehurve është i formës së prerë, por ai nuk do të ekzekutohet pa vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kështu, tre të dënuarit me vdekje, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini, duke shfrytëzuar këtë të drejtë ligjore, i bënë kërkesë Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që t’u falte jetën. Referuar dokumenteve zyrtare që publikohen për herë të parë për lexuesit e ‘Dita’, Presidiumi i Kuvendit Popullor, pasi merr në shqyrtim kërkesën e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, u refuzon faljen dhe lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë. Ekzekutimi i vendimit ndaj tyre, përfshi dhe Llambi Ziçishtin, i dënuar dhe ky me vdekje nga një tjetër trup gjykues, u bë në orën 24:00 të datës 9 shtator të vitit 1983. Në ekzekutimin e tyre me armë morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi e Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti, të cilët firmosën dhe procesverbalin përkatës…

Kryetari(Aranit Çela): -Vazhdojmë me leximin e vendimit për të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno dhe Xhavit Ismailaga.

II. Vuajtja e dënimit të pandehurve u fillon nga data e arrestimit, të shënuar në pjesën hyrëse të vendimit.

III. Detyron të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga që solidarisht me njëri-tjetrin dhe me të dënuarit me vendimin nr. 7 datë 1 shtator 1983 të kësaj Gjykate, të dëmshpërblejnë buxhetin e shtetit me shumën 1.219.764 lekë.

IV. Sendet që kanë shërbyer si objekt kontrabande nga i pandehuri Ali Çeno merren dhe i kalojnë shtetit.

V. Vërtetohet sekuestro e vënë nga organi i hetuesisë mbi pasurinë vetjake të secilit të pandehur.

VI. Ky vendim është i formës së prerë. Por, për të dënuarit me vdekje, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe Llambi Peçini, pavarësisht nëse bëhet ose jo kërkesë prej tyre për falje, vendimi nuk mund të ekzekutohet pa u nënshtruar më parë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

U shpall në Tiranë më 5 shtator 1983

Anëtar, Ferdi Haxhiu(Firma), Anëtar, Muharrem Mulgesi(Firma), Anëtar, Selim Fili(Firma), Anëtar Luftar Jahaj(Firma), Kryetari, Aranit Çela(Firma).

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 8 e 7 AKTI.

Tiranë, më 19.9.1983

VËRTETIM

Vërtetohet se:

1-Kadri Hazbiu, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, si dhe me të dënuarit me vendim nr. 7, datë 1.9.1983 të Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

2-Feçor Shehu, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

3-Mihallaq Ziçishti, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 25 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

4-Llambi Peçini, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

5-Gani Kodra, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

6-Ali Çeno, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

7-Xhavit Ismailaga, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.

Vendimi është i formës së prerë.

KRYESEKRETARI I GJYKATËS SË LARTË

Ylli Mahmuda(Firma)

EKZEKUTIMI I VENDIMIT

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

TEPËR SEKRET

Ekzemplar Nr. 461

PROCESVERBAL

PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS SË LARTË, MBI DËNIMIN ME VDEKJE TË ARMIQVE KADRI HAZBIU, FEÇOR SHEHU, LLAMBI PEÇINI DHE LLAMBI ZIÇISHTI

Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 1582/1 datë 9.9.1983, nuk ua fali jetën të dënuarve:

1-Kadri Hazbi Hazbiut

2-Feçor Refat Shehut

3-Llambi Vasil Peçinit

4-Llambi Petro Ziçishtit.

Të dënuarit, pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit popullor u refuzon kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini nuk thanë gjë.

Pas këtij veprimi, në ora 24:00 të datës 9.9.1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti.

Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti.

Nënshkruesit, pjesëmarrës në ekzekutim: Zylyftar Ramizi(Firma), Agron Tafa(Firma), Afuz Murati(Firma), Nevzat Vigani(Firma), Nikolla Shkurti(Firma).

(Fund)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

Kujtim Boriçi February 17, 2013 10:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*