Elemente sureale në romanin e Namik Dokles

September 11, 2019 11:45

Elemente sureale në romanin e Namik Dokles

Izet Duraku

Edhe letërsia e mirë do ta kishte të pamundur t’i mbijetonte rrethit të egër të izolimit në regjimin totalitar, ku edhe Dodës, komandant i  postës kufitare në fshatin Bukojna, personazh i romanit “Ditët e lakuriqëve të natës”, i qe krijuar ose ushqente iluzionin se ishte kryeministri i atij vendi, se mund të vendoste për fatet e tij, pa pyetur kryeministrin.

Pa përmendur shkrimtarët e traditës sonë, të cilët u shkolluan jashtë vendit, madje jetuan një kohë ose gjithë kohën jashtë vendit, edhe shkrimtarët më të mirë shqiptarë që sot njihen si brezi i viteve ’60 si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi u shkolluan jashtë vendit, ku regjimet komuniste në frymën hrushoviane hodhën poshtë dhe dënuan praktikat çnjerëzore staliniste. Atje, ndonëse nuk i shpëtuan plotësisht ndëshkimit dhe persekutimeve, u lejua botimi i disa veprave që krijuan edhe disidencën letrare.

Njëkohësisht kurrë nuk u vu në dyshim përvoja botërore e letërsisë. Sic është vënë shpesh në dukje, avantazhet e kësaj kulture solide vihen re në veprat më të mira të shkrimtarëve që përmendëm. Sa nga një frymë hyjnore që bekohet talentit i duhen rrethanat e përshtatshme që të kultivohet.

Namiku është përpjekur herët t’i përvidhet perdes së hekurt kulturore. Ndoshta fillimisht jo me ndonjë qëllim të përcaktuar kaq qartë siç mund ta themi sot në liri. Vetëpërmbajtja shpesh deformonte mendimet më të fshehta. Në fillim të viteve ‘80, ai ia doli të mësojë spanjishten,  prej së cilës qenë përkthyer mjeshtërisht në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë botërore në prozë e poezi. Mjafton të përmendim Servantesin, Lorkën, Pablo Nerudën. Ndërkohë përmes kësaj gjuhe të madhe mund të përthithej përvoja më e mirë e letërsisë botërore.

Si gazetar i terrenit për një kohë të gjatë ai mësoi të njohë njërëzit, të hulumtojë karaktere, të depërtojë deri në palcën e disa të vërtetave të thjeshta që fshiheshin, heshteshin, shurdhoheshin nga propaganda e regjimit. Shkroi në frymën e kohës një sërë dramash e dramatizimesh që i shërbyen për tu shkathtësuar me skalitjen e figurave njerëzore shumë dimensionale.

Përmes urtësisë popullore u aftësua të ndërtojë monologje e dialogje të mprehta me sens humori e ironie. Duhej në një farë mënyre të shpartallohej edhe një rreth i hekurt izolimi, vetizolimi të brendshëm për t’i mbijetuar fizikisht ndëshkimeve të diktaturës që prodhonte çdo ditë armiq të rinj. Ndërkaq është e njohur përvoja e tij e gjatë mbi një çerek shekullore në jetën politike të vendit deri në majat më të larta të saj.

Në këtë sens bëhet e kuptueshme pse në romanet e Namikut, një trilogji e plotë për vendlindjen, kërkojmë paralele e përngjasime me vepra të njohura të letërsisë botërore që ka ndikuar e ndikon vazhdimisht në botën shpirtërore të miliona lexuesve anekënd lëmshit të dheut.

Romani “Ditët e lakuriqëve të natës” që në prologun e tij të ngjall asosacione të këndshme në përqasje me një letërsi tashmë të njohur botërisht nën shenjën e realizmit magjik.

Autorë të njohur si Migel Anhel Asturias me librat “Uikend në Guatemalë”, “Zoti President”, “Papa Jeshil”, etj , të cilat, ndoshta edhe për shkak të specifikave politike që bartnin vendet e Amerikës Latine, për fat të mirë, arritën ta shohin dritën e botimit në Shqipërinë e mbyllur komuniste në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Më vonë nga kjo trevë e begatë letrare e kulturore e botës erdhën edhe emra të tjerë po kaq të shquar si Garsia Markes me “Dashuria në kohën e kolerës”, etj.

T’i kthehemi prologut të romanit. Mikrobiologu i ngarkuar nga Akademia e Shkencave me zbulimin e shkaktarëve të sëmundjes së tërbimit që po jepte shenja të forta përhapjeje në një zonë të skajshme të vendit, pas kthimit nga ky mision, mëson se do të internohet. Lajmi shokues që në fakt e priste prej kohësh, jepet që në faqen e parë të librit. i kumtuar dhimbshëm e me drojë të kuptueshme njerëzore, po krejt qartë dhe pa ekuivoke. Diku lart është vendosur dëbimi i tij jo vetëm nga Akademia.

Vijimi i romanit është një digresion rrëfimi, një palimpsest kujtimesh përmes episodesh hulumtuese si rrathët koncentrikë në trungun e prerë të pemës që pas numërimit tregojnë moshën e saj. Epilogu zbulon shkaqet e vërteta, po askush nuk do të ngazëllehet prej saj. Heroi, tashmë i dërmuar nga luzma e dyshimeve do të ndjehet edhe më i lodhur, më i trishtuar prej zbulimit. Dhe kjo ka arsyet e veta.

Pavarësisht shkallës së lartë të vlimeve shpirtërore gjuha e narracionit është e ftohtë, gati neutrale. Ajo mëton të zhbirojë imtësitë e shprehëse të mendimit përmes një pasurie leksikore, edhe kjo një veçori e ndërtimit të situatave, skenave të gjera e mjediseve më intime duke mbajtur gjithnjë frymën pezull përballë befasive jetësore. Ngjarjet rrjedhin pa sforcime, ashtu të paparashikueshme, siç është e pa parashikueshme rrjedha jetësore.

Dialogjet, një mjeshtëri e selitur hershëm prej autorit, herë janë të drejtpërdrejtë, të tërthortë, aludues apo edhe të pakuptueshëm deri në hermetizëm. Monologjet, bisedat e heshtura me veten, janë më të hapura, më informuese. Meditimi shpesh arratiset në vise e kohë të largëta.

E kaluara rreket të zbusë sadopak vrazhdësinë e së tashmes. Karaktere pasionante në roman në përgjithësi ruajnë tonin e përmbajtur të ligjërimit duke shmangur patetikën. Mungesa e retorikës edhe në gjuhën e profesorit e bën më të besueshme figurën e tij, që përmes pasionit për punën dhe të vërtetën shkencore arrin pahetueshëm deri në caqet e akteve sublime.

Duke hetuar shenjat e pasojat e sëmundjes misterioze të tërbimit, Profesori vëren në një shkallë ngritëse se si molisja e melankolia njerëzore, shndërrohet në brengë, vuajtje të pakuptueshme, dhimbje therëse deri në humbje të vetëdijës dhe jetës ndër djemtë e vajzat e reja të fshatit. Zhgualli i së vërtetës ishte i vështirë të thyhej.

Natyrisht i pambërritshëm për miqtë e largët si Profesori. Sepse shkaku i tërbimit ishte para sysh, mund të shihej edhe nga të verbërit. Mungonte dëshira për të parë? Jo. Verbëria ishte e stisur. Banorët e dinin prej kohësh mizorinë e kësaj të vërtete të thjeshtë që po e vuanin në kurriz.

Të gjithë shihnin, po e kishin të ndaluar të tregonin çfarë dukej krejt qartë. Prej shkeljes së tabusë, 13 familje ishin arratisur nga ferri, do të shtohej racioni i vuajtjes për banorët e mbetur brenda kufirit që kishte ndarë për së gjalli dajën nga nipërit e mbesat, bijën e martuar këtej ose matanë kufirit para se të mbyllej hermetikisht nga shtëpia e prindërve, nga motrat e vëllezërit.

Qenë ndarë miqtë e hershëm, farefisi, qenë ndaluar të hynin e dilnin as për dasma e vdekje. Situata e veçantë, ajo gjendje alarmi e përhershme nga rreziku i armikut të jashtëm që do të rrezikonte sipas ithtarëve të regjimit lirinë dhe pavarësinë e vendit, mbante të lartë për secilin temperaturën e ankthit dhe tmerrit. Një tmerr që duhej pranuar, që i duhej dorëzuar vullnetarisht pa e hapur gojën. Regjimi të rrihte, po nuk të lejonte të qaje.

Mjegullimi i arsyes prej tmerrit ndëshkues duhej të mbulohej edhe me një alibi shkencore. Pa e shfaqur, Profesori i biologjisë dora dorës do ta kuptonte se po përdorej prej regjimit. A do të pranonte ai të shndërrohej në një instrument mashtrimi?!

Doktori, që mendohej se do të ishte në krah të tij, do t’i kundërvihej në çdo hap. Analizat e pafundme për të gjetur qen, mace, lakuriqë, dhelpra të infektuara, synonin për të treguar kujdesin e rrejshëm të regjimit, shkaktarit të vërtetë të tërbimit njerzor. Sa herë shkencëtari shmangej nga protokolli strikt shkencor, në pamundësi për ta ndalur, doktori bënte të habiturin. Misteret nuk ekzistojnë atje ku nuk ka mistere. Profesorit si në mjegull i dukej se doktori nuk ishte në mision për të ndihmuar, po për ta penguar me çdo mjet.

Madje ky udhëtim i pazakontë do të ishte një kurth për vetë Profesorin e nderuar. Në të vërtetë ai po dërgohej me shërbim për ta larguar nga Akademia, për të sajuar prova për të që mund ta vinin pas hekurave ose për ta internuar larg kryeqytetit, duke e privuar nga mundësia e lëvizjes dhe e jetës shkencore. Ndaj nuk mund të ishte entuziast për absurditetin e një zbulimi të cilin regjimi e dinte. Në një situatë absurdi mund vetëm të indinjohesh me të gjithë, edhe me veten, ndonëse ai kishte dyshuar që në ditën e parë.

Në hullinë krahasimtare fundin tragjik të personazhit e kemi parë që në fjalinë e parë të romanit “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” të G. G. Markes. Edhe këtu prologu ngjan si epilogu i veprës. Një vdekje që ndonëse e paralajmëruar, erdhi si pasojë e indiferencës njerëzore, apatisë për ta ndalur dorën e krimit, ose ligësisë së fshehur që lutej në heshtje që premtimi për vrasje të ndodhte. Romani hy thellë në shpirtin e një shoqërie që e ka të pamundur të përballet me të keqen, që , edhe pse e njoftuar, lejon që tragjedia të ndodhë.

Në ndryshim prej absurdit të kësaj shurdhërie, në romanin e Namikut, shtypja shoqërore favorizon zgjatjen e izolimit dhe të fatkeqësive që rrjedhin prej tij. Përndjekja e përnatshme synon të asfiksojë shpirtrat kryengritës. Mekanizmi absurd i dhunës bëhet edhe më agresiv përmes argatëve jo të paktë të së keqes, banorë të fshatit. Acari i shtuar synonte të ngrinte lulet e jetës, të shuante e vriste dashurinë si pëmën e jetës duke asgjësuar shpirtërisht e fizikisht ekzistencën e saj. Si një reagim memec, dridhjet, konvulsionet e shenjat e tjera të tërbimit vrastar, do të mbeteshin si i vetmi reagim kundërshtues ndaj dhunës së verbër të regjimit.

Ndërsa krejt romani “Murtaja” i Albert Kamys ngrihet gjithashtu mbi parabolën e sëmundjes së murtajës duke krijuar një paralelizëm me situatën aktuale politike në një qytet bregdetar algjerian ku krejt papritur shfaqen në rrugë e kudo minjtë e ngordhur, shkaktarë të përhapjes së sëmundjes fatale,  prej fatkeqësisë së të cilës rrallë kush mund të shpëtonte. Madje nga regjimi i karantinës së vendosur për të frenuar murtajën do ta pësonin edhe familjarët e mjekëve të ngarkuar me stopimin dhe kurimin e sëmundjes shfarosëse. Izolimi absurd shpesh hakmerret përmes shfarosjes së familjeve të tëra për shkak të izolimit të tyre të detyrueshëm.

Edhe në romanin e Namikut situatat e absurdit këmbehen me njëra tjetrën. Mbi realitetin jetësor rikrijohet një realitet tjetër paralel me elemnte sureale ku jetojnë së bashku të gjallët e të vdekurit, legjendat e hershme dhe të reja, të larguarit dhe sedentarët, shpresa dhe makthi i ëndrrave.

Në strukturën shtresore të romanit hetohen qartë gjurmët e strukturës së përrallës ku dalin qartë arketipet e personazheve të njohura , që shkojnë krahas si e mira dhe e keqja. Udha është përsonazhi i pranishëm kudo. Lëvizja në kohë dhe hapësirë e personazheve bëhet si për ta mashtruar përditshmërinë e zymtë. Duket sikur burimet tentojnë rikthimin në gjirin e tokës. Koha lëviz mbrapsht nga e sotmja  në të shkuarën ndoshta për të gjetur fillin e humbur, po udhët e së ardhmes duken të zëna. Mungojnë përbindshat e frikshëm, dragonjtë e kuçedrat, po hetohen hija e të bukurës së dheut që e mbajnë të lidhur, jo në një shpellë, po në fshatin e harruar duke ia vrarë dëshirën për ripërtëritje.

nënë e zgjuar, si nëna e jetës mban gjallë lidhjet me të shkuarën për t’i dal zot të ardhmes. Ajo ka gati shpresë, ilaçin e vazhdimësisë së jetës përmes inkurajimit të dashurisë midis të rinjve. Në qiellin e zymtë të romanit vërtiten luzma lakuriqësh me krah shqiponje e turinj miu, në tokë kërkohen e hetohen gjurmë dhelprash të kuqe. Bukojna ,një pikë në dukje e humbur e globit është në fakt një miniunivers i jetës njerëzore ku skajet më të largëta të jetës njerëzore lidhen me metropolet më të ndritshme të botës.

Paralelizma të tilla nuk kanë mbetur thjesht si përngjasime të rastësishme në sipërfaqe të veprës. Ata nuk kanë lindur nga imitimi po prej pjekurisë artistike. Është e vështirë të shkohet larg pa brumin vetjak të arsenalit të shumtë të mjeshtrisë narrative. Ndonëse që në fillim jepet fati i keq i kryepersonazhit, kjo ndjehet natyrshëm pa zhurmën artificiale të kataklizmës. Jo. Fundin e botës e afron gënjeshtra, mistifikimi dhe jo e vëteteta.

Duke pritur me stoicizëm e qetësi ndëshkimin, ai arrin të ruaj ekuilibrin shpirtëror për t’i shkuar deri në fund hetimit të tij shkencor. Hetim që shkon përmes dijeve të shkencës, ku vendi, koha dhe hapësirat këmbehen shpesh me njëra tjetrën. Profesori është i vetëdijshëm si një prift misionar në xhunglën njërzore kur mohohej besimi e shpresa. Ashtu si dritën besimit ai kërkon edhe të vërtetën e sëmundjes pa besuar aspak në broçkullat që mund të thuheshin.

As në alibitë shkencore. As në paragjykimet përçmuese rreth vendeve e njerzve në viset e largta, gjoja të pazhvilluara. As në hijet e hapta dhe të fshehta që e ndiqnin në çdo hap që ndiqte udhëve të fshatit. As nga fjalët aluzive, shumkuptimshe apo të mjegulluara prej jermit të frikës. As prej heshtjes së rëndë të netëve plot terr. As prej lehjes së qenve dhe dinakërisë së dhelprave të kuqe.

Realiteti i ka mundësuar autorit një fantazi të ndezur plot elemente sureale. Në semantikën e e fjalës fantazi, siç dihet qëndrojnë fantazmat. Këtej rrjedh edhe fantazmagoria e pasur e romanit të mbushur me ngjyra, hije shoqëruese që nuk i ndahen askujt ditën dhe natën, hije që kërcënojnë haptas apo që mbajnë shënime kërcënuese. Në ajrin e rënduar të udhëve enden shpirtra të shqetësuar, që ndonëse gjallë kanë kapërcyer përtej kufirit politik që ndan njërëz, toka, peisazhe, duke thyer një tabu të shenjtëruar prej regjimit.

Pas thyerjes së tabusë, ashtu si në botën primitive në ag të njerëzimit, shtohen ndëshkimet jo aq të shenjta për banorët e fshatit që duhej ta harronin se mund të kapërcëhej kufiri. Aleat i regjimit shndërohej terri , që sfidohej prej një pjese banorësh duke shtuar llampat. Fantazma që përmes shenjave e kujtimeve të lëna, kthehen nga hadi si sirena joshëse që grishin për të dalë në brigje tashmë të ndaluara. Shpirtra dhe fantazma shpirtrash u ngatërrohen nëpër këmbë njerëzve.

Fantazma e Stalinit të vdekur me kohë në Rusinë e largët, tashmë të shpallur armike, nuk mjaftonte të ndiqej verbërisht nga Diktatori, por edhe të rimishërohej edhe tek figura tragjikomike e një fshatari, shërbyes i zellshëm i së keqes. Lakuriqët e tuneleve plot rrezatim të Nimçës ngujohen në shtëpitë e braktisura të fshatit që bashkë me tartabiqet u prishin gjumin e jetën çdo miku e banori. Ato janë rojet e ferrit. Turinjtë prej miu ndotin e përhapin tërbimin duke prishur ritin e lashtë të vazhdimësisë së jetës.  Fantazmat e reja si Gjethi i Thatë bashkë me Gjethin e Njomë shtojnë rrezikun e shumfishimit të së keqes.

Fantazmat e vjetra të magjistarëve e magjistareve që arrinë të ulin për ta mjelë hënën në tokë japin zemër se e keqja mund të përballohet. Fantazmat e vjetra rikthehen për ta fituar betejën me fantazmat e reja si krijesa artificiale të krijuar kundër ligjeve të natyrës njerëzore. E keqja e mishëruar te ndalimi, mbyllja, veçimi dhe ngritja e barrierave të pakapërcyeshme midis sekseve, vajzave e djemve nuk ka të ardhme. Jeta e gjen shtegun për të dalë nga rrethi i mbyllur i vdekjes.

Bukojna është metafora e një vendi të izoluar me mjetet e shtrëngimit e të dhunës. Nuk është vetëm drama tragjike e një grushti njerëzish që fati i dënoi të jetonin pranë kufijve shtetëror që do të mbyllte politika. Si mënyrë jetese, izolimi arriti të ndante shtete, krahina, familje e individë nga njëri-tjetri duke hyrë në çdo qelizë jetësore. Veçimi do të bëhej dhuna e përhershme që synonte të bëhej pushteti absolut. Megjithatë bota e madhe me diellin e saj të jetës është e pamundur të mbahet mbyllur. Ajo rikthehet përmes kujtimeve të së shkuarës. Harrimi sfidohet nga mprehja e kujtesës që duke regjistruar ngjarjet e mëdha e të vogla, do t’I  shërbente rritjes së rezistëncës dhe të imunitetit në organizmin e jetës së drobitur nga izolimi i gjatë.

September 11, 2019 11:45
Komento

2 Komente

  1. Vasili September 11, 16:36

    Shqiperi,moj me byth perpjete
    Qe dokle,ruci,sali,meta….
    Te mbyten,si qemoti me diarret

    Reply to this comment
  2. po, k'ta m..uter, kane lexuar dhe ...KAPITALIN !? September 11, 17:05

    k’ta idiotet e ..politikes, qe bejne romane, t’i varesh prej ..gjuhe . romani eshte nje menyre informacioni ose trajtim e zgjidhje proplemesh te kesaj bote, duke e bere sa me masiv e publik problemin, ne mungese te mjeteve te PERHAPJES ne mase (mediave) . po kur nje politikan deputet, mbi te gjitha, i mirepritur per te shfaq’ idete e veta, pa kufi e kufizim, meret t’i publikoje keto me shpejtesine e breshkes, me ane ..romanesh, duhet shqyer prej b..ythe dhe jo te paguhet e nderohet .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*