Elisabeth Carnarvon & Habry Erbert / Nënë e bir, emra të gdhendur thellë në zemrën e shqiptarëve

August 8, 2016 09:51

Elisabeth Carnarvon & Habry Erbert / Nënë e bir, emra të gdhendur thellë në zemrën e shqiptarëve

Zylyftar Hoxha

Lady Elisabeth Carnarvon, bashkëshortja e lordit Henry Howard Herbert-Carnarvon erdhi në Shqipëri në fund të vitit 1923, fill mbas vdekjes së të birit Habry Erbert. Ndryshe nga udhëtaret e tjera të huaja, asaj nuk i ra në sy ekzotika dhe bota kurioze shqiptare, por skamja dhe mjerimi i një populli të tërë. Domosdo që pasi njohu këtë realitet të hidhur, i vinte keq, ndaj vendosi që sipas mundësive që kishte të lehtësonte sadopak dhimbjet e plagëve të kësaj varfërie të papërshkrueshme. Një vit më vonë, kur erdhi për herët të dytë në Shqipëri, solli dy infermiere të specializuara angleze, miss Harrison e miss Hald Houghton, për Spitalin Psikiatrik të Vlorës, të cilat në fillim i paguante me buxhetin e saj familjar e më vonë nga Fondacioni Herbert.

Ky qe fillimi, por më pas ajo intensifikoi punën jo vetëm thjesht në mbledhjen e ndihmave, por më shumë për sensibilizimin e opinionit publik. Shfrytëzoi çdo lidhje dhe mundësi. Mes të tjerave edhe lidhjet familjare. I vëllai i saj ishte ambasadori britanik në Washington. Në një udhëtim të posaçëm në SHBA në vitin 1927 ajo krijoi dhe solli në Shqipëri “Fondacionin Rockfeller” si dhe Shoqatën bamirëse “Near East Foundation”. Këto organizata e shoqata për vite me radhë lozën një rol shumë të rëndësishëm për emancipimin, arsimimin, kulturimin dhe shëndetësimin e popullit shqiptar. Krahas kësaj u institucionalizua lufta kundër malaries me ngritjen qendrave mjekësore për mjekimin e mijëra shqiptarëve, por edhe eliminimin e vatrave të infeksionit.

 lady-lord-carnarvonPër gjashtë vjet me radhë ajo nuk e ndërpreu punën duke mbledhur fonde dhe sensibilizuar qarqe dhe shoqata bamirësie në Angli dhe në Amerikë, krahas të tjerave edhe për refugjatët e shumtë kosovarë dhe boshnjakë, të cilët të përzënë nga serbët u dyndën në Shqipëri. Me ndihmat e mbledhura, por edhe me fondet e saja personale sistemoi qindra familje kosovare në Myzeqe dhe Kavajë.  Madje në Kavajë ngriti një fshat me 50 shtëpi të reja ku u strehuan 50 familje kosovare, të cilave jo vetëm ua mobiloi shtëpitë, por u dha edhe nga një lopë të rracës Xhersej për çdo shtëpi. Në këtë fshat ajo ndërtoi edhe shkollën dhe objekte të tjera social kulturore. Fshatit i vuri emrin e djalit të saj, Herbert, por ky emër nuk rezistoi gjatë dhe u kthye në Qerret.

Në kuadër të ndihmave ajo i dhuroi Shkollës Teknike Amerikane pajisje, orendi e deri punishte të vogla industriale dhe mbajti me rrogë një pjesë të personelit të atij instuticioni.

Në atë periudhë Lady Carnarvon, ndonëse e sëmurë, filloi të ndërtojë bibliotekën “Djelmëria Shqiptare”, por që nuk e pa dot të ndërtuar dhe në funksion. Me të u morën pjesëtarë të tjerë të familjes.

Në atë gjendje të rëndë shëndetësore, për fatin e keq të shqiptarëve më 3 shkurt të vitit 1929 Lady Carnarvon në moshën 72 vjeçare vdes në Porto Fino të Italisë, duke lënë në mes shumë plane dhe projekte.

Biblioteka “Carnarvon”, një dhuratë angleze për të rinjtë shqiptarë

Aty ku dikur ka qenë kinema “Ali Demi” dhe ku një ndërtesë nga ato të të sotmet, të mëdhatë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vjetër ka qenë “Biblioteka Carnarvon”, e ndërtuar në vitin 1928 dhe e përuruar më 1929, si dhuratë e familjes së lordëve (Earls) anglezë Herbert dhe personalisht e bamirëses së madhe filoshqiptare konteshës Carnarvon, e quajtur nga vetë shqiptarët “Nëna e shqiptarëve” dhe e dekoruar me Urdhrin Skënderbe më 1929. Kontesha Carnarvon e kishte zgjedhur këtë vend nën kurorën e dendur të ullinjve si kult në kujtim të të birit, por fatkeqësisht, ndërroi jetë pak ditë para inaugurimit. Kjo bibliotekë i përkushtohej të birit, mikut të madh të Shqipërisë, avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Aubrey Herbert (1880-1923). Edhe pse ka patur një rrugë me emrin Carnarvon, asaj i është ndërruar emri dy herë dhe tani ka emër tjetër. Po kështu edhe emri i rrugës “Habry Herbert” është hequr!

Biblioteka në atë kohë arriti në një  koleksion prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj., u shndërrua për Tiranën në bibliotekën e dytë të rëndësishme pas 41163567_pasaj Kombëtare. Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi, 26 sergjenë për libra me 7 dollapë secili. Ajo asokohe ishte bërë një qendër e rëndësishme kulturore, argëtimi, zbavitjeje, ishte bërë një mjedis në kuptimin e gjerë të fjalës mjedis i jetës së kulturuar dhe emancipuar. Veç fushës së tenisit dhe të pingpongut, në sallat e saj çdo javë organizoheshin konferenca të ndryshme me tematikë kombëtare, shkencore, shfaqje filmash kinematografike me artistë të mëdhenj, ekspozita me punime artistike etj.

Në ceremoninë përurimit të bibliotekës Lady Carnarvon i dha ps vdekjes dekorata më të lartë e kohës ”Oficere e Madhe e Urdhrit të Skënderbeut”, dekoratë e cila i u dorëzua djalit të saj Mervyn Herbertit. Për fatin e keq të shqiptarëve Mervyn Herberti dy javë mbas largimit nga Shqipëria, më 30 maj 1929 vdes papritmas në Romë dhe amanetin e familjes e ndoqi dhe e zbatoi me shumë dinjitet Marry Herbert, bashkëshortja e nderuar e kolonel Aubrey Herbertit.

Pushtimi i vendit nga italianët solli edhe fundin tragjik të këtij instuticioni. Fashistët vodhën 12 arka të mëdha të mbushura me librat e vyera të asaj biblioteke, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes Herbert u larguan nga ky vend që e deshën dhe i deshi aq shumë.

 

Ja veprat e dy fisnikëve anglezë

Në vitin 1926 Mit’hat Frashëri shkruante për këtë kontribut të familjes aristokrate angleze: “Mirënjohja nuk është vetëm një cilësi që i ushqen, i shton virtutin njeriut, po është edhe një detyrë. Janë do njerëz, vepra dhe ndihma e të cilëve vlen një ushtri të tërë. Kështu qe për neve i ndjeri Aubrey Herbert.”

Lady Carnarvon

  1. Me buxhetin e saj familjar që në vitin 1923 pajisi me mjete, ilaçe dhe dy infermiere të specializuara Spitalin Psikiatrik të Vlorës
  2. Solli nga Anglia miss dr.Ruth Penningtonin, një personalitet të fuqishëm që për 14 vjet rresht bëri një revolucion të vërtetë për emancipimin e gruas dhe të familjes shqiptare, punoi si mjeke, infermiere, mësuese dhe amvisë e kujdesshme.
  3. Nëpërmjet fondacionit “Herbert” krijoi dhe solli në Shqipëri “Fondacionin Rockfeller” dhe shoqatën bamirëse “Near East Foundation”, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër varfërisë
  4. Institucionalizoi luftën kundra malaries duke ngritur qendra shëndetësore për mjekimin e rregullt të mijëra shqiptarëve që vuanin prej vitesh nga kjo sëmundje. Krahas kësaj u luftua për eliminim të vatrave të infeksionit me mjete të luftës kimike dhe biologjike
  5. Ndihmoi në përgjithësi në sistemimin e muhaxhirëve kosovarë, por kontributi i saj më i madh ka qenë krijimi i fshatit Qerret të Kavajës, ku u bëri shtëpitë, shkollën dhe u dha nga një lopë të racës Xhers 50 familjeve kosovare që u sistemuan aty
  6. I dhuroi Shkollës Teknike Amerikane pajisje, orendi, punishte të vogla industriale si dhe mbajti me rrogë për disa vjet një pjesë të stafit drejtues të kësaj shkolle.
  7. Veçanërisht i një vlere të jashtëzakonshme ishte kontributi i kësaj familjeje në ndërtimin e funksionimin e “Bibliotekës për Djelmërinë Shqiptare” me një fond prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj.

Photo1Aubrey Herbert

  1. Nxitës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë, pasi vizitoi vendin për herë të parë në vitin 1907. Kur delegatët shqiptarë shkuan në Konferencën e Londrës 1912-1913 ata gjetën ndihmën e Herbertit si këshilltar dhe shoqërues.
  2. Herbert ka qenë një nga miqtë më të afërt dhe më të sinqertë të shqiptarëve dhe veçanërisht i figurave të shquara të kombit tonë si Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Dhimitër Berati, Pandeli Vangjeli, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Konica, Faik Konica, Çarles Telford Erikson etj.
  3. Për ditët që delegacioni shqiptar ishte në Londër, ka mbajtur në shtëpinë e vetë Isa Boletinin, miqësia me të cilin vazhdoi deri sa ai vdiq
  4. Që në vitin 1912 Herbert kishte ngritur një shoqëri filo-shqiptare me parlamentarë, dijetarë dhe gazetarë. Pas vdekjes së tij kjo shoqëri u kthye në institut dhe misionin në Shqipëri e vazhdoi e ëma e tij, kontesha Carnarvon
  5. Aubrey Herbert ishte edhe poet. Parlamenti Anglez ka botuar librin “Miku më i madh i Shqiptarëve Sir Aubrey Herbert” (Albania’s Greatest Friend) që përmban shënime, ditare, artikuj të Herbert me shumë vlerë për diplomacinë dhe ata që duan të njohin Shqipërinë
  6. Denoncoi fuqishëm krimet e shëmtuara të sërbëve në vjeshtë të vitit 1913. Duke qëndruar në prapaskenë, por shumë aktiv, ndihmoi në përgatitjen e Kongresit të Lushnjes dhe të Luftës së Vlorës në vitin 1920 .
August 8, 2016 09:51
Komento

2 Komente

  1. Dielli August 12, 16:07

    Nderim e mirenjohje per kete Mik te Madh te popullit shqiptare qe dha sa mundi per nje Shqiperi te lire e te pavarur.
    Kujtesa per keto njerez te medhej eshte gjeja me normale e njerezore qe shqiptaret e qeveritaret duhet te bejne per To.
    Historia ka treguar ne shekuj se bukeshkalet te c’do forme, ngjyre apo besimi qofshin kane qene dhe do te mbeten pjese e jashteqitjes shqiptare ne vite
    Sir Aubrey Herbert me ndimen vellazerore qe ka dhene per Shqiperine financiarisht,dhe politikisht, Ai e ka gdhendur emrin e Tije familjarisht ne ndergjegjen e popullit shqiptare,packa e zuzaret e politikave te dites nuke kujtohen per kete Mik te Madh te popullit Shqiptar.
    NE SHEKUJ DO TE MBETET KUJTIMI PER TO,nuke do vonoje qe emri i djalit te tyre Herbert ti kthehet fshatit Qerret,fshat qe e krijoje familja me shtepi e shkolle,dhe qender te perkujdesit shendetsor.Pushtetare e Politikane kthejani nderin Mikut te Madh te shqiptareve,se ne mos sot jo shume larg do te skalitet ne hyrje te Qerretit.Turpi do t’u mbuloje o bukeshkale.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D. (Dh.Xh) August 13, 16:48

    Pergezime i palodhuri Zylyftar Hoxha.

    Faleminderi z. Zylyftar Hoxha, sa po na sjell keto, jo se te panjohura per tiu dhene c’meritojne.
    Veret shkrim i qelluar dhe ne kohe, sidomos per ne, larg vendlindies…
    Ju pergezoj sa pershendeie miqeve qe te pasojne e, pin kafene e mengjezit.
    Me dhimbie si lar Jush fizikisht po per dite me Ju, qe pena s’ndjen lodhie.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*