Eljani, ata të dy dhe aeroplani prej letre

June 23, 2018 10:09

Eljani, ata të dy dhe aeroplani prej letre

Entela Resuli

“Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash-avash…”

Eljan Tanini këto kohë është duke lënë gjurmët e tij në Tiranë. Disa instalacione të vendosura në kryeqytet janë ideja dhe realizimi i tij.

Kujtojmë këtu një avion që duket si “prej letre” i vendosur tashmë pranë lagjes së ish-Fushës së Aviacionit, ndërsa ditën e djeshme u njohëm më dy personazhe të vjetër, por të rinj për nga mënyra se si janë sjell: Çufo dhe Bubi Kaçurrel ju presin që t’i takoni në lulishten përball Presidencës.

Ata të dy, të cilët këtë vit kanë mbushur 40 vjeç kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes instalacionit të ideuar dhe konceptuar nga artisti Eljan Tanini.

“Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash-avash…”. Ju kujtohet!? E kush nuk e ka thënë të paktën njëherë në jetë këtë batutë.

Kjo vepër artistike vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët të frekuentojnë këndin e lojërave aty pranë. Instalacioni u përurua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ideatori Eljan Tanini dhe krijuesi i dy personazheve, shkrimtari Gaqo Bushaka.

Ndërkohë, Tanini në këtë periudhë një pjesë të mirë të kohës e ka kaluar mbi bojëra. Nëse kaloni nga Rruga “Myslym Shyri” do të shihni faqen murit të një pallati të vjetër të ngjyrosur me ngjyra të forta,  ku mbizotëron verdha më të cilën Eljani punoi për disa ditë.

  -Eljan, kohët e fundit, Tirana ka disa shenja të cilat janë ndërtuar nga dora jote, një avion si ata prej letre…. disa piktura murale, tashmë e kemi edhe ata “miqtë” tanë me të cilët jemi rritur, Çufon dhe Bubin Kaçurrel. Duket sikur je përqendruar të fëmijëria e atyre që sot janë të rritur. Pse?

Jam i lidhur edhe me memorien kolektive. Vjet në 2 Korrik, inauguruam instalacionin për Kamionin e Lirisë që theu murin e pasëm të Ambasadës Gjermane. Vepra të tjera si kjo do të vijnë shumë shpejt. Është në stilin e jetës sime personale që të merrem me fëmijërinë, ose me ato gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje në vitet kur fëmija krijon bazat e para të dëshirave personale. Dua të provokoj me fëmijërinë tonë. Sepse më vjen keq që shpesh herë lindim të egër! Për këtë arsye nuk dua të rritem kurrë duke u përqendruar  te ajo fëmijëri që më ka bërë përshtypje. Mbase në ato të tjerat për të cilat kam plane, pak më vonë.

-Çfarë ju thonë këto simbole dhe çfarë duan të thonë për qytetin?

Që Tirana kërkon të jetë çdo ditë e më shumë qytet me fëmijëri të jetuar e që ka qenë e tillë sepse ky qytet mbahet ende me kujtime. Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, kanë ndikuar dhe vazhdojnë të prekin ende jetët e mijëra shqiptarëve të vegjël dhe të mëdhenj me batutat e tyre, ndaj kjo vepër arti që i kushtohet të vegjëlve vjen edhe si një mirënjohje për Gaqo Bushakën që i ka krijuar dy personazhe origjinalë shqiptarë.

-Pse është kaq e nevojshme që këto kujtime t’i takojmë në disa pika të Tiranës?

Sepse është e rëndësishme të shihen, të na shohin. Jam gjithmonë i mendimit që Tiranës nuk i duhen shumë vepra realiste, por vepra që të bëjnë të mendosh më shumë se ajo që ka dashur të thotë autori. Të paktën unë këtë po përpiqem të përcjell.

-Sot (dje), ju përuruat Çufon dhe Bubin Kaçurel, si dhe me çfarë janë punuar këto vepra?

Ata të dy, kështu më pëlqen t’i quaj Çufon dhe Bubin Kaçurrel janë origami. Ashtu siç tha edhe Gaqo Bushaka: Tani Çufo dhe Bubi u bënë japonezë! Është në stilin e punëve të mia, që të bëj një vazhdë veprash prej origami. Kështu i kam parë qenushin dhe derrkucin. Veprat janë përkrahur menjëherë nga Bashkia e Tiranës dhe Satin, duke u mbështetur nga Emira Zenelaj e cila është edhe donatorja. Pra me pak fjalë është dhuratë për Tiranën. Ata të dy edhe kur u qëndron pak larg duket sikur janë prej letre, ose kartoni! Por jo, janë më të fortë dhe të rëndë. Më vjen mirë që njerëzit i pëlqejnë duke u ngjallur kureshtje.

-Ju vetë ç’marrëdhënie keni patur me… avionin prej letre, apo edhe me Çufon dhe Bubin… na trego ndonjë moment nga fëmijëria?

Mbaj mend që kam bërë pafundësisht aeroplanë prej letre sa oborri poshtë pallatit nga rruga dhe pas tij, mbushej me letra të bardha. Kur u përurua aeroplani te Ish-Fusha e Aviacionit, fqinjët nuk e kishin harruar këtë kohë. Ma kujtuan me kënaqësi kur panë lajmet në televizor! Ndërsa me të gjithë personazhet e tjerë të Gaqo Bushakës, e kam nisur vetë leximin e tyre pa më thënë kush. I gjeta një ditë në një dollap në shtëpi dhe nuk u ndava kurrë më. Aq shumë, sa më vjen çdo ditë e më shumë dëshira që të bëhen në këtë stil prej origami të gjithë personazhet e krijuar nga Gaqo Bushaka, të vendosur në një hapësirë të dedikuar.

-Ndërkohë, Eljan, duket së fëmijët sot janë shkëputur nga lojërat e fëmijërisë sonë, tashmë në duart e tyre është teknologjia, e shikoni këtë si problem apo… pjesë e periudhës ku jetojmë?

Duke falenderuar përzemërsisht Gaqo Bushakën për humorin e tij fin që nuk fyen askënd, i shkruar në kohën kur Shqipëria jetonte vite të vështira, uroj shumë që këta dy personazhe të vendosur në park, të jenë një ogur i mirë për t’u kthyer më shumë te libri, te politikat mbi librin, te autorët e ndryshëm, por edhe te këta personazhe që unë mendoj se duhen lexuar patjetër nga çdo shqiptar. Çufoja është simboli i shpirtit të lirë dhe aventurierit që e jeton jetën si t’i vijë e që gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet që has.

E shoh si një problem mes gjithë problemesh tona që nuk do të ketë kurrë zgjidhje te ne. Një gjë është e sigurtë: Po rrisim fëmijë që nuk do e duan natyrën dhe që do u vijnë ndot prej saj. Për këtë kanë faj sistemet dhe familjet.

-Do të kemi ndonjë krijim tuajin, personazhet e kësaj epoke, të fëmijëve të sotëm, apo do të qëndroni në fëmijërinë tuaj?

Nuk kam ndonjë kureshtje për personazhet e ditëve tona, ose për ata që janë ndërkombëtarë e qe nuk i njoh fare. Jo nuk ndalem dot te ata pasi nuk jam fëmijë i këtyre ditëve! Por shumë shpejt do të keni krijime të miat edhe jashtë këtyre fushave që keni parë.

-Po punoni edhe me pikturat murale në Tiranë, na tregoni diçka më shumë për punët që keni bërë apo për planet që keni?

Muralja e fundit e krijuar në Rrugën Myslym Shyri, është pjesë e Mural Fest 1. Në atë sfond të verdhë, me titull Portrete shpendësh nga Shqipëria, shfaqen imazhet dhe karakteret njerëzore të shpendëve tanë. Të tjera do shihni shumë shpejt!

-Kjo është një pyetje që e ndjej të nevojshme për sqarim t’ia u bëj: Keni qenë ndër zërat me kritikë ndaj parkut të liqeni, çfarë ndodhi që ndryshuat mendje, u bindët që ishte një projekt i duhur apo bashkia u beri pjesë të projekteve të saj dhe ju heshtët?

Pyetja që bëjnë të gjithë. Jam mësuar me dyshimet e njerëzve të këtij vendi. E që vetëm kanë dyshime për atë që kurrë nuk e kanë nisur vetë, por vetëm kanë shijuar telekomandën e televizorit. Unë jam ende kundër çdo betonizimi hapësire brenda çdo vendi që ka qenë më herët me gjelbërim. Por në thelb kundër betonit në natyrë. Ti më njeh shumë mirë, pasi ke qenë ndër të parat gazetare që ke bërë intervista në lidhje me Mbill Pemën Tënde, nismën vullnetare që pata krijuar me miqtë e mi, mbi bindjet kombëtare për të mbjellur pemë. Unë mbarova protestën, dhe më pas bëra paqe. Por këtu paqja keqkuptohet. Shqiptarët janë mësuar të të vrasin me të gjitha format edhe kur ti i shtrëngon dorën me respekt kundërshtarit. Unë as nuk e vrava, e as nuk e shita Tiranën ose Shqipërinë. Është e thjeshtë të flasësh për të tjerët, kur nuk bëhesh pjesë. Ai nuk është projekti i duhur në vendin e duhur. Bashkëpunimet e mia me Bashkinë kanë qenë edhe para kësaj Bashkie. Nuk kam heshtur, thjeshtë nuk mund të flas unë për të gjitha gjërat që ndodhin në këtë qytet. Nuk është vendi këtu të përmend shumë gjëra. Ashtu siç e kanë treguar edhe protestat e fundit në Tiranë: Ne dalim në rrugë të protestojmë vetëm kur vijnë të na prishin vendin e punës ose shtëpinë. Kur i thërret ti po këta njerëz për shumë arsye të tjera, ose të gënjejnë, ose nuk ta hapin telefonin. Pa merak, prapë do jem në protestë.

– Shpesh shoh që njerëzit ju “sulmojnë” për këtë gjë, si do u përgjigjeshit atyre që ju  shkruajnë vazhdimisht edhe në rrjetet sociale?

Vazhdojnë ende, madje edhe në rrugë. Në fakt ishin thuajse njësoj. Edhe kur dilja për Parkun e Liqenit ishte e njëjta gjë kundër asaj që unë apo ne bënim. Ka disa që paguhen mjaft mirë nga ish dhe zyrtarë të ndryshëm. Thjesht duan të denigrojnë shoqërinë aktive (civile) përmes meje. Unë nuk jam shokët e mi që kam protestuar, e as ata s’mund të jenë si unë. Ka shumë negativitet të tepruar dhe sulme injorantesh si në rrjetet sociale, në popull por edhe media. Por këtu nuk përjashtohen edhe ata profesorët e mediave tona që vetëm ndrisin me statuse në Facebook. Është shumë e thjeshtë të rrish ulur e të shash tjetrin nga telefoni. A del dot në rrugë? A kundërshton dot? A përballesh dot me policinë dhe me shtetin? A ta mban të stresohesh e sëmuresh dhe ti hapësh telashe vetes? Apo ta lëmë fare më mirë se jemi popull dembel?!

Mezi më hapen dyert! Ndërsa gjithë të tjerët vazhdojnë e merren me mua për ndonjë korrupsion që nuk e kam bërë kurrë, prej gati 2 vjetësh e ca që kanë mbaruar protestat mbi Parkun e Liqenit, unë jam i papunë.

 

 

June 23, 2018 10:09
Komento

2 Komente

  1. Latif June 23, 10:47

    Aktivisti i liqenit

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D June 23, 14:41

    Ah qe jam tej oqeanit e s’te ndjek dot; te behesha BINJAKU yt,si PENE artisti masovik,edhe pse ne buze te varrit tej oqeanit..vitet pas 90tes bere punen e vet…
    Faleminderit Entela Resuli,..PENE e njohur.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*