Emancipimi erotik i Shqipërisë

September 25, 2018 10:58

Emancipimi erotik i Shqipërisë

Duke filluar nga sot Dita boton një bisedë me sociologun e njohur Fatos Tarifa për një ndër subjektet më sensitivë e më tabu në shoqërinë tonë, siç është emancipimi erotik i shoqërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë bisedë Prof. Tarifa i zhvillon më gjerësisht në një studim monografik, që e ka titulluar “Erosi dhe Demokracia” dhe që pritet të botohet së shpejti.

Ëndrra e emancipimit erotik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit politik të tij./ Wilhelm Reich

Intervistoi Erion Habilaj

Profesor Tarifa, Erosi dhe Demokracia është një projekt intelektual i juaji, për të cilin keni vite që punoni. Mos vallë pikëpamjet që po ndani sot me redaksinë e Ditës në këtë bisedë—dhe përmes saj me publikun e gjerë—janë ende në formën e tyre embrionale—pra, thjesht një projekt?

Çdo krijim intelektual mbetet, edhe pas “përfundimit” të tij, një projekt, një vepër e papërfunduar. Punimet shkencore gjithashtu. Një autor gjithnjë mund t’i rikthehet një pune të tij, si rregull një pune të rëndësishme, për ta plotësuar e thelluar përmbajtjen e saj. Në shkencat sociale ndodh jo rrallë që një autor ta ribotojë të zgjeruar një vepër për shkak të rrethanave shoqërore të ndryshuara dhe reflektimit dialektik të vetë autorit mbi to. Unë vetë, një ndër studimet e mia më të rëndësishëm, Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë, pasi ai u botua dy herë në anglisht (The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia), më 1997 (në SHBA) dhe më 2001 (në Hollandë) dhe i përkthyer në shqip (më 2000 dhe 2009), e shoh edhe sot si një projekt të papërfunduar, me të cilin kam kohë që vazhdoj të merrem. Po kështu, edhe pse së pari (më 2008) u botua në anglisht (Vengence is Mine: Justice Albanian Style) dhe më pas (më 2014) në shqip, i ripunuar dhe i zgjeruar (Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes), një tjetër vepër, për mua shumë e rëndësishme, që kam shkruar për dukurinë e gjakmarrjes dhe për të cilën kam punuar rreth 20 vite, mendoj se mbetet ende një projekt i papërfunduar. Erosi dhe demokracia, subjekti për të cilin jam ftuar të bisedoj në redaksinë e gazetës suaj, është një projekt i hapur dhe do të mbetet i tillë—pra një projekt—edhe pasi monografia të cilën kam nisur të shkruaj të botohet.

 Profesor Tarifa, në analizat tuaja sociologjike mbi shoqërinë shqiptare, në mëse një rast ju keni theksuar, veç të tjerash, se tiparet e familjes së sotme shqiptare kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në krahasim me 30 ose 20 vite më parë. Dëshirojmë t’ju pyesim se cili është vlerësimi juaj për familjen dhe për shoqërinë tonë të sotme?

Sot, familja shqiptare përjeton të gjitha ato dukuri e ndryshime të thella që karakterizojnë mbarë shoqërinë tonë. Tipari i saj më i përgjithshëm është se ajo është një familje në tranzicion. Tiparet e saj dhe problemet me të cilat përballet ajo janë po ato tipare dhe po ato probleme që shoqërojnë transformimin ekonomik, politik e kulturor të shoqërisë shqiptare, me veçoritë që kushtëzon vetë natyra e familjes si një prej institucioneve bazë të shoqërisë.

Por, nëse do ju kërkonim që ta shtjelloni më tej këtë pohim, a mund të veçonit disa prej tipareve më karakteristike të familjes shqiptare në stadin e sotëm të zhvillimit të shoqërisë sonë?

Një ndër tiparet më të theksuara të familjes shqiptare në ditët tona është ndryshimi i strukturës dhe i karakteristikave demografike të saj. Ky tipar ka të bëjë me shpërbërjen graduale të familjes së zgjeruar, të përbërë nga tri breza, ose nga dy ose më shumë çifte të martuar. Me përjashtim të disa zonave të thella rurale, në qytetet shqiptare dhe në një pjesë të mirë të fshatrave të vendit, familja e zgjeruar është sot një formë arkaike dhe “në zhdukje” e organizmit familjar, një traditë, e cila pothuajse është ndërprerë, ose që shumë shpejt nuk do të ekzistojë më. Vendin e saj e ka zënë një familje numerikisht më e vogël, e përbërë nga çifti i martuar (me të cilin gjithnjë e me rrallë bashkëjetojnë prindërit e burrit) dhe fëmijët e rritur. Me këtë tipar ka të bëjë edhe reduktimi i numrit të fëmijëve të lindur nga martesa. Familjet e reja kanë, përgjithësisht, një, dy, ose tre fëmijë; familjet me pesë, gjashtë ose më shumë fëmijë, të cilat dikur kanë qenë të zakonshme, sot janë shumë të rralla. Migrimi i një pjese të madhe të popullsisë nga fshati në qytet ka çuar në shtimin e numrit të familjeve urbane dhe në pakësimin e familjeve që jetojnë në zonat rurale të vendit. Një tjetër tipar thelbësor i familjes shqiptare në periudhën e sotme ka të bëjë me ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në marrëdhëniet martesore e bashkëshortore, si dhe, përgjithësisht, në marrëdhëniet familjare.

 Sot, martesat me mblesëri janë bërë një dukuri e rrallë, që e gjejmë kryesisht në zonat rurale. Po kështu, kanë ndryshuar marrëdhëniet mes burrit e gruas përsa i përket rolit, detyrimeve dhe përgjegjësive që ata kanë në familje, si dhe kontributi që ata japin në mirëqenien ekonomike e psikologjike të saj. Ç’mund të thoni për këto dukuri?

Burri dhe gruaja, sidomos në familjet qytetare, janë sot në një pozitë më të barabartë sesa në të kaluarën, jo thjesht përsa u përket të drejtave ligjore, por edhe në shumë aspekte e veprimtari të jetës së përditshme. Një dukuri thuajse joekzistente 20 ose 15 vite më parë, por relativisht e përhapur në ditët tona, është bashkëjetesa para martesës, ose bashkëjetesa si një formë alternative e martesës.

 A jeni ju në favor të bashkëjetesës para martesës, ose në vend të saj?

Kjo pyetje mund të ishte me vend 30 ose 20 vite më parë. Sigurisht që po, jam në favor të saj. Emancipimi i femrave dhe dëshira e tyre për të marrë arsim universitar e pasuniversitar, si dhe për të nisur një karrierë profesionale, kanë sjellë si rezultat shtyrjen e moshës mesatare të martesës, si për ato vetë, ashtu edhe për meshkujt. Por, come on, a mund të besohet—dhe a është vërtet e domosdoshme, ose e dëshiruar—që të rinjtë e të rejat e sotme të rrinë pa krijuar marrëdhënie intime me një partner të besuar deri sa vjen dita që ata të martohen?  Shtyrja e moshës së martesë ka sjellë si pasojë shtyrjen e moshës kur lind fëmija i parë dhe, ipso facto, reduktimin e numrit të fëmijëve të lindur nga martesa. Në këtë rrugë—dhe përmes ndryshimesh të tilla graduale—janë zhvilluar të gjitha shoqëritë moderne dhe vetë familja si institucion.

 Këtu, besoj, ju nënkuptoni edhe ndryshimet që kanë ndodhur në funksionet tradicionale të familjes, për shkak të ekonomisë së tregut të lirë dhe të rolit të agjentëve të tjerë socializues në shoqëri.

Pa dyshim. Faktori ekonomik është esencial dhe ndryshimet për të cilat flisni ju përbëjnë një tipar tjetër shumë të rëndësishëm të familjes shqiptare në stadin e sotëm të zhvillimit tonë shoqëror. Ekonomia e tregut e ka çliruar individin punonjës nga kushte të tilla detyruese të punës që, në të kaluarën, lidheshin me një punëdhënës të vetëm (shteti ose kooperativa) dhe që shoqëroheshin nga një shpërblim minimal. Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, punonjësit shqiptarë vërtet kanë humbur një pjesë të garancive sociale dhe sigurinë minimale të jetesës që kishin në periudhën e socializmit shtetëror, por kanë fituar shumë të drejta dhe garanci të tjera, të mbrojtura me ligj, të cilat nuk i kishin në të kaluarën. Fjala vjen, punonjësi i sotëm është i lirë të ndërrojë profesionin dhe punëdhënësin e tij, të arsimohet ose të specializohet në një profesion të ri, të investojë e të krijojë një aktivitet profesional, ose një biznes privat ose familjar të vetin. Këto të gjitha kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën e individit e të familjes shqiptare: çlirimin nga format e regjimentuara të punës së kontrolluar nga shteti; lirinë për t’u zhvendosur nga fshati në qytet, ose për të lëvizur nga një qytet në tjetrin, gjë që, në të kaluarën, ishte thuajse e pamundur; lirinë për të emigruar jashtë vendit dhe për t’u kthyer sërish në atdhe (një gjë absolutisht e pamundur në periudhën e socializmit shtetëror), ku mund të investosh e të krijosh një biznes familjar, ose një sipërmarrje ekonomike më të gjerë; një mobilitet social vertikal që i lejon shumë individë dhe familje shqiptare të përmirësojnë kushtet, nivelin dhe statusin e tyre social-ekonomik, duke dalë nga varfëria dhe duke iu bashkuar një klase të mesme që rritet numerikisht etj.

Ndikimi i këtyre faktorëve në marrëdhëniet dhe në jetën e familjes së sotme shqiptare është i drejtpërdrejtë. Por, a nuk mendoni se duhet theksuar, veçanërisht, edhe ndikimi i madh që ka shkolla e lartë dhe arsimi më i diversifikuar që ofron ajo dhe, mbi të gjitha, roli që luajnë media, interneti dhe rrjetet sociale.

Një pjesë gjithnjë e më e madhe e brezit tuaj rritet në kushtet e teknologjisë dixhitale, e cila e ka minimizuar kohën që fëmijët dhe të rinjtë e sotëm kalojnë në familje, në praninë dhe në përkujdesjen e prindërve të tyre, në raport me kohën që ata kalojnë jashtë familjes, në shoqërinë e moshatarëve të tyre dhe në kontakte virtuale me individë të tjerë. Edhe pse konflikti mes brezave nuk është një tipar vetëm i shoqërive moderne, faktet që përmendët ju dhe ato që theksova unë kanë bërë që ndryshimet në marrëdhëniet mes brezave, sidomos në marrëdhëniet mes prindërve e fëmijëve, të jenë sot më të theksuara edhe se 15 ose 10 vite më parë dhe, po kështu, është bërë më akut konflikti mes brezave. Ky është një tjetër tipar i familjes së sotme shqiptare. Ai kushtëzohet nga vetë procesi i zhvillimit shoqëror, i cili gjithnjë është bërë i mundur përmes konfliktit mes formave të vjetra të organizimit shoqëror (përfshirë edhe organizimin familjar) dhe formave të reja; mes normave, vlerave, traditave, mentaliteteve e mënyrave të vjetra të jetesës e të bashkëjetesës në shoqëri dhe normave, vlerave e mënyrave të reja të jetesës; mes përpjekjeve për të konservuar format dhe marrëdhëniet ekzistuese të autoritetit në shoqëri e në familje dhe përpjekjeve për t’i sfiduar e zëvendësuar ato me marrëdhënie të reja, më pak autoritariste, më libertine, më egalitariste e më meritokratike.

Është veçse e natyrshme që familja e sotme shqiptare, siç thoni ju, të karakterizohet nga kontradikta që manifestohen, në radhë të parë, në marrëdhëniet mes brezit të ri dhe prindërve të tyre (konflikti i brezave), ose mes burrit dhe gruas (konflikti i gjinive). A duhet të shqetësohemi nga këto dukuri?

Ju vetë i cilësuat këto dukuri si “të natyrshme”. Unë mendoj se, nëse nuk bëhet fjalë për raste ekstreme të dhunës në familje, siç lexojmë të raportohet thuajse çdo ditë në faqet e shtypit tonë, dukuritë dhe konfliktet e sotme në marrëdhëniet mes brezave e gjinive nuk ka pse t’i shohim me shqetësim. Në fund të fundit, zhvillimi shoqëror nuk do të ishte i mundur nëse e reja nuk zëvendëson të vjetrën. Normat dhe parimet e reja të organizimit shoqëror e të sjelljes shoqërore, përfshirë dhe etikën apo sjelljen seksuale, bëhen të mundura vetëm nëse njerëzit, sidomos brezat më të rinj të shoqërisë, i refuzojnë vlerat, normat, parimet e mënyrat tradicionale të sjelljes dhe përpiqen të afirmojnë vlera, norma, e koncepte të reja mbi organizimin, mënyrën e jetesës dhe sjelljen shoqërore.

Ky proces është i vështirë dhe merr kohë. Si rregull, ai zhvillohet përmes kontradiktave e konflikteve, si brenda familjes, ashtu dhe në kontekstin më të gjerë shoqëror. Por, nëse në këtë proces të refuzimit të së vjetrës dhe të afirmimit të së resë, vlerat dhe normat e reja gjejnë përkrahjen e një pjese gjithnjë e më të gjerë të shoqërisë, atëherë, e reja bëhet normë e zhvillimit të mëtejshëm shoqëror, ndërsa e vjetra bëhet pengesë për të. Këtë kishte parasysh Émile Durkheim kur fliste për rolin funksional të sjelljes devijante në shoqëri, pasi, sipas tij, nëse shkelja e normave shoqërore gjen mbështetje të mjaftueshme në një pjesë gjithnjë e më të madhe të shoqërisë, atëherë normat e reja bëhen shoqërisht të pranueshme dhe pikërisht kjo çon në ndryshime të mëtejshme sociale e kulturore.

A përbën kjo që sapo thatë një tipar universal të zhvillimit të shoqërisë?

Sigurisht që po. Kjo është një ligjësi sociologjike, që gjen konfirmim të plotë në historinë e zhvillimit të çdo shoqërie, si në Perëndim, ashtu dhe në Lindje. Sidoqoftë, për shkak të një kombinimi faktorësh ekonomikë, politikë e ideologjikë, të cilët nuk është rasti t’i analizojmë këtu, veprimi i kësaj ligjësie në zhvillimin historik të çdo shoqërie manifestohet sipas karakteristikave lokale të veçanta.

 A mund të themi se ndryshimet më të theksuara që duket se kanë ndodhur në Shqipëri—dhe që kanë sjellë e sjellin konflikte më të mëdha në familjet shqiptare—kanë të bëjnë me një etikë të re seksuale, që gjithnjë e më shumë karakterizon sjelljen seksuale veçanërisht të brezit të ri. Në fakt, kushdo i vë re ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur, gjatë këtij një çerek shekulli të fundit në moralin dhe në sjelljen seksuale të të rinjve shqiptarë, edhe pse, përpos “kurioziteteve” dhe “këshillave” mbi seksin, që ndonjëherë ndihmojnë shitjen e disa gazetave të palexueshme që dalin në vend, askush prej studiuesve tanë, nuk ka marrë mundimin që t’i studiojë e të sjellë në vëmendjen e publikut rëndësinë sociale, teorike e praktike të ndryshimeve që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin dita-ditës në mentalitetin dhe në mënyrat e sjelljes seksuale të shqiptarëve.

Keni të drejtë. Askush deri më sot nuk ka marrë mundimin të studiojë se si shoqëria shqiptare, nga një shoqëri tradicionale e patriarkale, ka ndryshuar në këtë masë dhe për një kohë kaq të shkurtër sa, herë-herë, çuditemi me shpejtësinë dhe thellësinë e këtyre ndryshimeve, sidomos kur bëhet fjalë për moralin dhe sjelljen seksuale. Studiuesit dhe analistët shqiptarë kanë qenë e janë të preokupuar me “analizat” mbi ndryshimet politike dhe ekonomike të këtyre njëzet e pesë viteve të fundit dhe e kanë lënë krejt pas dore studimin e ndryshimeve sociologjike dhe atyre në fushën e psikologjisë e të marrëdhënieve morale në shoqërinë shqiptare postkomuniste, ndër të cilat, një vend shumë të rëndësishëm zënë etika dhe sjellja seksuale.

 Këto ndryshime janë vërtet të thella. A mendoni ju se në vendin tonë po ndodh një “revolucion seksual”, i ngjashëm me atë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore në mesin dhe në fundin e viteve 1960 dhe në fillimin e viteve 1970?

Që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dhe që të rinjtë e sotëm dhe një pjesë e prindërve të tyre t’i kuptojnë më mirë shkaqet dhe natyrën e transformimeve në këtë sferë të jetës së shoqërisë, si dhe faktorët që përpiqen t’i pengojnë ato, do të ishte me vend të shqyrtonim sesi kanë evoluar mentaliteti dhe qëndrimet ndaj seksualitetit human në shoqëri të tjera, sidomos në ato shoqëri që u bënë avangardë e revolucionit seksual.

Lexuesit do të donin të dinin më shumë, pasi te ne, për seksualitetin është shkruar dhe flitet shumë pak, saqë pjesa më e madhe e njerëzve janë krejt të paditur, ose të painformuar, të paktën për historinë dhe teorinë e tij.

Njerëzit, në çdo shoqëri, kanë synuar që ta çlirojnë seksualitetin e tyre nga interdikti që u kanë vënë historikisht feja, klasat sunduese, morali patriarkal, zakonet dhe traditat konservatore. Nëse nuk flasim për Athinën dhe Romën klasike, ndryshimet e para ndodhën me shembjen e feudalizmit, sidomos nën ndikimin që pati fryma humaniste në periudhën e Rilindjes Europiane. Kujtoni, fjala vjen, fillimet e letërsisë erotike në shekullin e 14-të, përfaqësuar më së miri nga Giovanni Boccaccio, me Dekameronin e tij, një vepër, e cila konsidohet si një himn për kënaqësitë fizike të jetës.

Sidoqoftë, ishin Iluminizmi dhe Revolucioni Industrial, me të cilët nis periudha e modernitetit, ata që bënë të mundur ndryshimet më të rëndësishme deri në atë kohë në standardet seksuale të shoqërisë, sidomos në Angli, në Shtetet e Bashkuara dhe në disa prej vendeve të Europës kontinentale, në mesin dhe në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të. Nga fundi i atij shekulli, një sërë idesh të reja dhe praktikash seksuale, brenda dhe jashtë martesës, u bënë subjekte të preferuara bisedash të hapura, jo thjesht në mjedise private, por edhe në mjedise publike, duke e transformuar gradualisht kulturën seksuale në këta vende. Në rrethe të caktuara, seksi filloi të shihej e të pranohej tashmë edhe thjesht si një gjë e natyrshme, që të sjell kënaqësi. Megjithatë, liria më e madhe seksuale që filloi të vihej re ishte kryesisht një fenomen urban dhe vetëm për libidon heteroseksuale të meshkujve të bardhë. Për një grua të pamartuar, lindja e një fëmije jashtë martese do të thoshte shkatërrim i jetës së saj, ndërsa seksi mes dy meshkujve ishte edhe më i rrezikshëm. Fundi i shekullit të 18-të dhe fillimi i shekullit të 19-të u karakterizuan nga një relaksim i ndjeshëm i formave policeske të survejimit të jetës seksuale nga ana e kishës dhe e shtetit, si dhe nga rënia e influencës së qarqeve intelektuale e shoqërore që e kishin mbajtur në këmbë atë sistem.

Ajo periudhë njihet, gjithashtu, si epoka e artë e kurtizaneve angleze, ndërsa prostitucioni heteroseksual, të cilin e inkurajoi zhvillimi i industrisë dhe i tregtisë dhe shtimi i popullsisë në qytetet e mëdha, u bë një dukuri e përhapur kudo. Edhe pse të ndaluara, letërsia erotike dhe tregtia e saj morën në atë kohë përhapje të gjerë. Nga ana tjetër, gazetat, të cilat ishin media kryesore e kohës, filluan të shkruanin gjithnjë e më hapur për skandale seksuale dhe për sëmundje dhe çështje të shëndetit që lidheshin me seksin.

(vijon nesër)

September 25, 2018 10:58