Emergjenca Covid-19, duhen më shumë mjekë/ QSHA shpall një tjetër sezon për licencimin e tyre

December 11, 2020 12:54

Emergjenca Covid-19, duhen më shumë mjekë/ QSHA shpall një tjetër sezon për licencimin e tyre

Duhen më shumë mjekë për të përballuar pandeminë e Covid-19 në vend. Nisur nga situata e krijuar për shkak të pandemisë dhe nevojës emergjente për mjekë të licencuar, strukturat përgjegjëse të shëndetit dhe Qendra e Shërbimeve të Arsimit kanë marrë masat për organizimin dhe zhvillimin e një tjetër sezoni të provimit të shtetit, nëpërmjet të cilit do të mundësohet licencimi i mjekëve të rinj. Ndërkohë që më herët ishtë deklaruar se testimet e radhës për licencat e reja në shëndetësi do të zhvilloheshin në janar të vitit të ardhëshëm.

“Janë marrë masat për organizimin dhe zhvillimin e provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mjekut, në datat 14 dhe 15 dhjetor. Kandidatëve, të cilët nuk e kanë të mundur pjesëmarrjen në provimin e shtetit në këto data të përcaktuara, do t’u mundësohet pjesëmarrja në vijim të sezonit, brenda muajit janar të vitit 2021”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Kjo qendër tashmë ka detajuar edhe listën e 282 mjekëve të rinj që do të konkurojnë gjatë javës së ardhëshme në dy datat e aprovuara, për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në këtë profil. Për secilin prej kandidatëve që është pjesë e kësaj liste (të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit) është përcaktuar data dhe orari konkret se kur duhet të paraqitet në ambientet e QSHA-së për të zhvilluar testin e informatizuar.

“Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bën me dije Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Gjatë pjesëmarrjes në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara. Kështu, duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Në ndihmë të mjekëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

Për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për mjekët testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë. QSHA është udhëzuar tashmë për ofrimin e sigurisë maksimale dhe kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare, duke ofruar pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të provimit me solucione dezinfektuese të miratuara, përpara dhe pas çdo seance provimi, pastrim dhe dezinfektim të pajisjeve fizike të ambienteve të provimit, si: kompjuterët, pajisjet elektronike, karriget, tavolinat, etj, vendosje të solucioneve dezinfektuese në hyrje të çdo ambienti provimi, respektim të distancës 1,5-2 metër ndërmjet kandidatëve gjatë gjithë proceseve të zhvillimit të provimit, mundësinë e kryerjes së provimit në kabina të veçanta për secilin kandidat, duke respektuar distancën fizike nga njëri- tjetri, si dhe pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse si maska dhe doreza plastike, të stafit të institucionit dhe personave të jashtëm, të përfshirë në proceset e zhvillimit të provimit. 

Në ditën e provimit çdo kandidat duhet:

  • Të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para nisjes së provimit.
  • Të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
  • Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 – 2 metër nga kandidatët e tjerë.
  • Të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit.
  • Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit.
  • Të mos ketë me vete celularë, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.

 

Lista e kandidatëve Mjekësi

December 11, 2020 12:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim