Emërimet e reja, 19 shkollat e Tiranës ku ndërrohen drejtuesit

May 19, 2017 11:54

Emërimet e reja, 19 shkollat e Tiranës ku ndërrohen drejtuesit

 Pranvera Kola – DITA

Ndërrimi i drejtuesve për 19 shkolla të arsimit parauniversitar dhe gjimnaze të kryeqytetit tashmë është fakt. Pas vlerësimit të bërë, ekspertët e drejtorisë rajonale të arsimit kanë konfirmuar hapjen e garës për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj që do të fitojnë kontratën e re të punës si drejtor në institucionet shkollore që i gjeni të detajuara në tabelën bashkangjitur shkrimit.

Lëvizjet më të shumta do të bëhen në shkollat 9-vjeçare, ndryshime të cilat synojnë edhe rritjen e cilësisë arsimore që këto shkolla duhet të ofrojnë. Mund të konkurrojnë për të fituar një nga këto kontrata pune të gjithë mësuesit që plotësojnë kriteret e kërkuara për të qenë drejtues shkolle, siç janë: zotërimi i diplomës së nivelit të dytë në fushën e edukimit, eksperienca disa vjeçare e punës në shkollat e arsimit parauniversitar.

Mësuesit që garojnë për këto vende pune duhet të kenë fituar edhe kategorinë mësues i kualifikuar, çka duhet dokumentuar nëpërmjet dëshmisë përkatëse, si dhe të mos jete ndëshkuar për shkelje. Shkresa e firmosur nga numri një i kësaj drejtorie, Arjola Byzyka përcakton se data 24 maj është edhe afati i fundit për dorëzimin e dosjes së dokumenteve të kërkuara nga të gjithë kandidatët që duan të jenë pjesë e konkursit për të fituar një nga këto poste drejtuese.

Në fazën e parë të gjithë kandidatët duhet që të dorëzojnë sipas afateve të caktuara dosjen e kërkuar të dokumenteve të kërkuara, ku duhet të përfshijnë:

“Kërkesë me shkrim në lidhje me institucionin publik arsimor në të cilin kandidati kërkon që të aplikojë për vendin e lirë të punës të paraqitur, CV dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në të, tabelën e plotësuar me të dhënat përkatëse të kërkuara për secilin aplikant sipas udhëzimit nr.57, datë 12.11.2013, dëshminë e penalitetit të lëshuar jo më herët se sa tre muaj nga data konkrete e aplikimit, si dhe dy rekomandime nga mësues ose drejtorë të institucioneve arsimore ose titullarë të njësive arsimore vendore që kanë punuar me aplikantin gjatë viteve të fundit.

Faza e parë e konkurrimit do të mbyllet në datën 25 maj, ku komisioni i ekspertëve të përzgjedhur do të vlerësojë një e nga një të gjitha alternativat e paraqitura.

Komisioni mbledh pikët e secilit aplikant, duke veçuar dy prej tyre që kanë shumën më të madhe të pikëve dhe duke përcaktuar kështu kandidatët e mundshëm për drejtor. Këta dy kandidatë do të intervistohen sërish deri në përzgjedhjen e alternativës më të mirë drejtuese të shkollës përkatëse.

Ndërkohë që pak më herët u hap gara për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të dhjetëra shkollave të arsimit parauniversitar që janë pjesë e qarkut të Tiranës, ku përgjatë ditës së sotme zhvillohet edhe konkursi final para komisionit të ekspertëve, të cilët do të vlerësojnë mësuesit më të mirë për të drejtuar shkollën e mesme të Bashkuar “100 Vjetori i Pavarësisë” në Kashar, shkollën “Ymer Lala” në Surrel, shkollën “Shaban Sheshori” në Prezë, shkollën e mesme në Kllojkë, shkollën 9-vjeçare “Ramazan Dervishi”, shkollën 9-vjeçare “Sami Kalsa” në Mullet, shkollën 9-vjeçare “Mihal Duri” në Arbanë, si dhe shkollën 9 vjeçare të Sharrës.

Në udhëzimin zyrtar të MAS për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të shkollave, bëhet më dije ndër të tjera se kriter vlerësimi i punës së një drejtuesi shkolle janë edhe notat e provimeve kombëtare të maturës, si dhe provimeve të lirimit.

Në këto kushte, titullari i njësisë arsimore shqyrton mundësinë e shkarkimit të drejtorit edhe kur brenda një periudhe prej pesë viteve të njëpasnjëshme shkollore:

“Pikët mesatare në provimet e Maturës Shtetërore të shkollës në tre vitet e fundit janë më të ulëta se në dy vitet e mëparshme, kur përqindja e notës “5” e shkollës në provimet e Maturës Shtetërore në tre vitet e fundit është më e lartë se në dy vitet e mëparshme, si dhe kur në provimet e lirimit, nota mesatare e shkollës në tre viteve të fundit është më e ulët se e dy viteve të mëparshme”.

 

Drejtuesit e rinj do të përzgjidhen për:

Shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”.

Shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”

Shkollën 9-vjeçare “Kosova”

Shkollën 9-vjeçare “Mustafa Greblleshi”.

Shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”.

Shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku”.

Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi”.

Shkollën 9-vjeçare  “Shyqyri Peza”.

Shkollën 9-vjeçare “1 Qershori”.

Shkollën 9-vjeçare “Musine Kokalari”.

Shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”.

Shkollën 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani”.

Shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada”.

Shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”.

Shkollën 9-vjeçare “Kol Jakova”.

Shkollën 9-vjeçare “Gjergj Fishta”.

Shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi”.

Shkolla e mesme e futbollit “Loro Boriçi”.

Shkolla e mesme me drejtim gjuhësor “Asim Vokshi”.

May 19, 2017 11:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*