Emigrantët nuk janë numra!

December 27, 2017 12:38

Emigrantët nuk janë numra!

 Nga Kosta Barjaba

Beteja me burokracinë, betejë për jetën

Nuk  munda t’i ndryshoja mendim ambasadorit të një vendi të rëndësishëm europian mbi problemin e emigrantëve shqiptarë në vendin  e tij, në një debat të disa kohëve më parë mbi emigracionin. Ai përpiqej të argumentonte, në fakt qetësisht, se emigrantët shqiptarë janë kriminelë e trafikantë. Unë insistoja, në fakt me pasion, që emigrantët shqiptarë janë të tillë sa edhe emigrantët e tjerë, madje edhe sa vendasit. Ai tundte disa statistika të burgjeve të vendit të tij të respektuar, ndërsa unë flisja me logjikën e fenomenit dhe tundja disa statistika nga konteksti global. Në fund ai mbeti në të tijën, unë në timen. Ky debat mu kujtua këto ditë, kur djaloshi shqiptar Florenc Beqiraj, humbi betejën për jetën në një spital të Francës, një vendi tjetër europian të respektuar, sidomos për liritë njerëzore. Por Florenci, para se të humbiste luftën për të jetuar, kishte humbur betejën me burokracinë europiane. Nuk kanë rëndësi detajet dhe fajësia individuale për humbjen e jetës së re të djaloshit shqiptar. Problemi është se burokracia europiane po dështon në trajtimin e  imigrantëve dhe azil-kërkuesve si qenie njerëzore. Ajo thjesht i konsideron ata flukse ose numra. Që janë brenda ose jashtë kuotave të caktuara prej qeverive!

Mitet për emigrantët shqiptarë

Në fakt, insistimi i diplomatit të respektuar europian, nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Ai reflektonte përshtypjen e gjerë të krijuar për emigrantët shqiptarë, sidomos në vitet e para të emigrimit. Kjo përshtypje, e krijuar më shumë prej gazetave dhe ekraneve, krijoi disa mite për emigrantët shqiptarë. Fakti që shqiptarët emigruan në mënyrë masive dhe ilegale, ishin ndër arsyet pse ata, më shumë sesa emigrantët prej vendeve të tjera, vuajtën një proces të gjatë diskriminimi dhe inkriminimi. Ndër to, mbizotërueset ishin miti i uzurpatorit, miti i kriminelit dhe miti i përfituesit.

Por periudha e gjatë e bashkëjetesës me popujt vendas dhe vlerat që kanë treguar emigrantët shqiptarë, i kanë rrëzuar dhe zëvendësuar këto mite. Miti i uzurpatorit të punës së vendasve po zëvendësohet nga miti i konkurrentit në treg. Emigrantët shqiptarë nuk janë më grabitësit e punës së vendasve, për një pagë më të ulët, edhe pse disa herë ndodh edhe kështu. Tashmë ata konkurrojnë me vendasit, jo vetëm me pagat më të ulëta, por me shprehitë  e punës. Ata janë bërë mjeshtra, profesionistë, teknikë, të tjerë kanë mbetur ashtu siç kanë qenë, punëtorë krahu, në ndërtim apo bujqësi, dhe gratë punëtore shtëpie. Ndërkohë, mjaft të tjerë, siç ka fiksuar në albumet e tij dinjitoze mbi diasporën shqiptare artisti i apasionuar Roland Tasho, janë bërë bankierë, profesorë, mjekë apo inxhinierë të shquar.

Miti i përfituesit nga sistemet e mirëqenies në vendet pritëse po zëvendësohet nga miti i sponsorit të sistemit. Emigrantët shqiptarë janë bërë prej vitesh punëtorë europianë. Ata paguajnë rregullisht taksat, madje një pjesë e tyre janë bërë qytetarë e nënshtetas europianë, nëpërmjet procesit të natyralizimit. Ata jo vetëm përfitojnë, por edhe paguajnë për sistemet e mirëqenies.

Emigrantët shqiptarë po çlirohen gradualisht edhe prej mitit të kriminelit. Studimet tregojnë se ritmet e përfshirjes së emigrantëve në veprime kriminale nuk janë më të larta sesa të vendasve. Studimet serioze tregojnë gjithashtu se emigrantët shqiptarë nuk janë më shumë kriminelë se emigrantët nga vendet e tjera. Më shumë sesa nacionalitetin dhe etnicitetin e krimit, sot shkenca e kriminologjisë po konsideron ekonometrinë e krimit.

Këto mite janë rrëzuar për qytetarët europianë, madje edhe për shumicën e qeverive europiane. Por humbja tragjike e Florenc Beqirit tregon se janë ende veprues për burokracinë dhe sportelet e Europës.

Imigrantët janë njerëz

Na fakt, politikat e sotme për migracionin po priren nga kontrolli, shpesh edhe nga bllokimi i flukseve. Ajo që bën përshtypje jo të mirë është se gjatë dekadës së fundit, politikat migratore në vendet pritëse të Europës janë bërë ekskluzivitet i ministrive të rendit. Pra, imigrantët konsiderohen një çështje e sigurisë. Me fjalë të tjera, një kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Jo pjesë e lëvizjes së forcës së punës drejt tregjeve të hapura europiane. Ky perceptim ushqen demonizimin e imigrantëve. Prandaj shifrat e të burgosurve të huaj ”shumëfishohen”, jo vetëm në institucionet e dënimit, por edhe në mendjen e shtetarëve. Prandaj reagimi ndaj azil-kërkuesve, edhe pse mbështetet në një legjislacion korrekt,  po zhvishet nga humanizmi dhe ata po bëhen ”pre” e burokratëve, sporteleve dhe policëve që i trajtojnë thjesht si numra. Imigrantët, qofshin refugjatë, azilkërkues apo punëkërkues, janë njerëz, duhet të trajtohen si njerëz dhe prej njerëzve. Por për këtë pengojnë shifrat e të burgosurve dhe hiperbola e azilkërkuesve.

 

December 27, 2017 12:38