Emigrantët shqiptarë respektojnë LANÇ-in dhe luftëtarët e lirisë

March 15, 2019 15:53

Emigrantët shqiptarë respektojnë LANÇ-in dhe luftëtarët e lirisë

Ajo ka 20 vjet që është larguar nga Shqipëria. Jeton pranë familjes së djalit të madh, Ilirit në Detroit të SHBA-së. Para pak muajsh erdhi për vizitë për disa javë, në familjen e vajzës, Natashës.

Erdhi të çmallej e t’i gëzohej jo vetëm vajzës, por edhe nipit e mbesës si dhe stërmbesave e stërnipërve që ka në Nju Jork. Për ta respektuar Vitorinë, këtë nënë të mirë, veterane të luftës e të punës, një grup anëtarësh dhe simpatizantësh të Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ për Nju Jorkun dhe Nju Xhersin, u takuam në ditët e para të nëntorit, vitin e kaluar. Merrnin pjesë edhe disa intelektualë të shquar, me banim në Astoria. Bisedën e zhvilluam në lokalin ”Kuq e Zi”, që është nën administrimin e bashkatdhetarit tonë Kristaq Ilo Foto në Astoria.

Ky lokal shërben edhe si qendër e aktiviteteve kulturore – historike – edukative – mësimore, për shqiptarët në mërgim.

Me dëshirën e mirë u takuam për të respektuar Vita Gjeçin, ish partizanen antifashiste, këtë nënë të nderuar, këtë grua të njohur, të moshuar dhe me kontribute në jetë. Kontributi i saj ka qenë i dukshëm si gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ashtu edhe pas saj.

Kjo luftëtare, ka pasur kurdoherë në krah shokun e jetës, Nikolla Lili Gjeçin. Nikolla ishte antifashist, nga partizanët e parë të Lushnjes, por edhe me kontribut aktiv në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Vitoria e Nikolla sollën në jetë, rritën dhe edukuan me përkushtim e me dashuri për vendin e popullin, katër fëmijë të mrekullueshëm, Natashën, Elisabetën (Elsën), Ilirin dhe Piro Gjeçin.

***
Që në pamjen e parë Vitoria shfaqet një zonjë e nderuar, si dikur, edhe pse mosha ka bërë të vetën. Ajo sapo ka kaluar të ’90 – vitet e jetës së saj. Por dinamizmi dhe logjika e saj pasqyrohet edhe në pamjen e saj fizike edhe në bisedat që zhvillon me të. Manifeston një memorie të shkëlqyer dhe u bën një trajtim realist e mjaft tërheqës ngjarjeve të shumta, që ka kaluar në rrugën e gjatë e të vështirë të jetës.

Na takon te gjithëve me mjaft mall e dashuri, sikur të ishim fëmijët e saj. Ndalet dhe pyet e shpreh mirënjohje për prindërit, për të gjithë familjet tona. Ndërkohë kujton edhe shokët dhe shoqet e saj të luftës e të punës. Në sytë e saj duken lotët e dhimbjes dhe të dashurisë për njerëzit që i mungojnë dhe për atdheun tonë të dashur, Shqipërinë.

Ndër fjalët që belbëzoi që në fillim të takimit me ne ishin: ”Nuk vijnë me ato kohëra, ai patriotizëm dhe ato sakrifica që bëri brezi ynë si idealistë që ishim për të ndërtuar të ardhmen e vendit e të shoqërisë shqiptare në tërësi. Lypset t’i njohim dhe t’i respektojmë ato vlera e sakrifica. Ajo luftë dhe ai unitet mes nesh kishte vlera të larta morale dhe humane. Për idealin e lirisë u bënë shumë sakrifica. Ne vinim nga një mjedis i varfër e i mesëm familjar, por manifestonim vlera të shumta të atdhedashurisë e humanizmit. Vinim nga një prapambetje e madhe shekullore e shoqëruar me pushtime të vazhdueshme nga të huajt…”

Fjalët e saj të prera dhe të qarta na shtuan kërshërinë të mësonim diçka më tepër për jetën dhe aktivitetin e nënë Vitorisë. Interesimi ynë ishte të dëgjonim nga goja e saj episode e ngjarje, përjetime të luftës e të rindërtimit të vendit, prandaj dhe pyetjet tona ishin të adresuara, ishin konkrete e të sinqerta.

***
Vita Gjeçi është një ndër partizanet e para në Fier, që bashkë me 68 shoqet e saj dualën partizane në një ditë, më 14 shtator 1943! Për to ka shkruar në librin…”Nënë moj do pres gërshetin” edhe shkrimtari e publicisti i njohur fierak, Kostandin Boçova. Në librin e tij mes tjerave thuhet : ”Vajzat hoqën varëset e floririt të çupërisë e vendosën gjerdanin me fishekë të trimërisë… Ato u përfshinë në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare…”. Këtë e bënë ne emër te idealit te lirisë e të atdheut, si të reja me bindje të theksuara antifashiste.

Kam qenë shoqe në një lagje të Fierit me shumë nga vajzat që dualën partizane – tregon në rrëfimin e saj nënë Vita… Me disa ishim edhe kushërira. Për mua kanë mbetur në kujtesë dhe nuk do i harroj kurrë Heroina e Popullit Liri Gero, Penollopi Piro, Leonora Panda, Margalina Ngrehësi! Aktivistet dhe partizanet e njohura Shpresa Hoxha (Fuga), Frosina Plaku (Muzha), Ismini Kokobobo, Manushaqe Qadhimi, Gjinovefi Muça, Gjenovefa Pogaçe, Liri Paloli, Kristina Bakalli, Liri Dema, Liri Rrusku (Gajtexhiu) e dhjetra e dhjetra të tjera.

Krahas nesh kishte edhe djem që u organizuan e morën pjesë aktive në luftë. Ata i kujtoj sot me nostalgji e shumë respekt. Djemtë e rinj liceistë ishin promotor të kësaj lëvizjeje antifashiste… Mes tyre dua të përmend, Janaq Kilica, Andon Xoxa, Sokrat Bufi, Mimi Dema, Jani Jano, Jorgji Sota, Loni Papuçiu, Josif Pogaçe e shumë te tjerë. Ata kishin treguar trimëri e guxim në aksionet kundër nazisteve gjermanë dhe ballistëve jo vetëm në Fier, por edhe në rrethet e tjerë të vendit, deri në kryeqytet, ne Tiranë.

Ne ishim të gjithe njerëz shumë të sakrificave, të lidhur me njeri tjetrin, ishim të vendosur! Mjaft nga të afërmit e familjes sime ishin të lidhur me Luftën Antifashiste dhe dhanë në të edhe jetën. Ishte kushëriri im, gjimnazisti i Shkodrës dhe shok me Qemal Stafën, trimi Teodor Shkurti, që u vra me 3 shkurt 1944 së bashku me Vangjel Capon në një pritë nga forcat e Xhaferr Deves në Tiranë. Djali i tezes sime, Vangjel Rrusku me një tank të rrëmbyer nga gjermanët sulmonte në luftën për çlirimin e Tiranës, dhe mbetet i vrarë. Edhe dy kushërinjtë e mi të parë, Mihali dhe Llambi, pjesëtarë të familjes Bego, ranë në fushën e luftës. Shtëpia e Pionierit e dy rrugë në Fier, mbajnë emrat e tyre, ndërsa eshtrat e Mihalit janë vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë. Për ata është shkruar edhe një libër nga Demir Ismet Korita, me titull ”Dy vëllezër dy yje të Lirisë”. Nipi i dëshmorëve, Landri Bushi Lena u ka kushtuar edhe një vjershë, e cila titullohet, ”Dy vëllezër dëshmorë”.
Po ashtu nga familja e bashkëshortit tim, Nikollës, ra në fushën e luftës Vangjel Gjeçi, me grupin e vet prej gjashtë vetësh, ku bënte pjesë edhe Mihal Kozma Jano, Mehmet Kurti, Vangjeli, etj. Heroizmit të tyre populli i Skraparit i ka ngritur edhe një këngë, ku midis të tjerave thuhet… / Mehmet Kurti moshatari / Vangjel Gjeçit i thërret / me një zë prej partizani / mbi gjermanët shtije e vret…./

Pjesë nga aktiviteti i Vitës në kohën e Luftës…
Pyetjes se si u aktivizua në formacionet e Ushtrisë ANÇ-re, nënë Vitoria i përgjigjet thjesht dhe rrjedhshëm. Isha vetën 16 vjeçe. Ishim të moshave të ndryshme. U mblodhëm në shtëpinë e … Muços. Ai ishte babai i shoqes tonë Gjenovefit, e cila pas luftës u martua me Myzafer Trebeshinën. Disa nga ne i kthyen, mbasi prindërit i kishin të vetëm e pa ndihmë për jetesë. Nga aty na dërguan në fshatin Qenas (Afrim?) ku morëm udhëzime për të vazhduar misionin tonë. Mua dhe disa shoqe të tjera bashkëmoshatare na dërguan në Libofshë, ku ishte edhe qendra e grumbullimit e ku kishte shumë familje e partizanë inisiatorë të ngritjes së Grupit partizan të Zonës. Prej aty u inkuadruam në Batalionet e Grupit të Myzeqesë, që më vonë formuam Brigadën XVI Sulmuese.
Në përbërje të atij formacioni, morëm pjesë në luftime në Darsi të Lushnjes, Dumre të Elbasanit. Më tej në Berat e deri në malësitë e thella të Skraparit, në terrene shumë të vështira. Dimri i vitit 1943 -1944 ishte shumë i egër. Ne nuk ishim të përgatitur sa e si duhet. Na mungonin shumë gjëra, por dëshira dhe vullneti asnjëherë nuk na kanë munguar. Kam në kujtesë shumë ngjarje, nga Lufta, por, për të mos ju marrë shumë kohë, po ju tregoj shumë pak prej tyre.
Isha vajzë qyteti dhe kushtet në familje i kisha jo të këqija. Jeta partizane kishte vështirësitë e veta. Duke ecur me ditë të tëra më këmbë, në zona shkëmbore, këpucët, që kisha, u grisën. Shputat e këmbëve kontaktonin me tokën e dëborën e ftohtë. Si rrjedhojë këmbët m’u infektuan keq. Në këto kushte, shtabi i kompanisë më dërgoi në një familje. Ishte familje relativisht e varfër, një mesogrua pa burrë me dy fëmijë. Ajo më mori e më mbajti në shtëpinë e saj në gjendje të fshehtë. Me mjete popullore, duke përdorur edhe trahananë, filloi të më mjekojë duke m’i mbajtur këmbët vazhdimisht të ngrohta. Pas një jave shtabi dërgoj një grup partizanësh me korrier e me mushka. Ata më morën. Kur më pa doktori italian, një burrë rreth të 60 – tave, nuk donte të besonte, për atë që pa e kishte ndodhur me mua. U shëruan – u shpreh ai – nga mosha e re kësaj vajze, por edhe nga mençuria e mjekëve tuaj popullorë.
Më tej veterania Vitori Gjeçi tregon episode nga lufta, mes tyre edhe komunikimin me një grup humanistësh amerikanë. Ja se çfarë tha ajo midis të tjerave :
”Një grup mjekësh e infermieresh amerikane, gjithsej 28 persona, situatat klimatike e gabimet e bëra në drejtimin e avionit, i kishin hedhur padashur në rajonin e luftimeve në Dumre. Ata ishin te dislokuar në Bari të Italisë dhe shkonin për misione humane në rajonet e Egjiptit. Ishte personel mjekësor që shërbenin në Frontin e Mesdheut. Takimi me ta do të mbetet i paharruar për mua! Njohja me vajzat amerikane dhe ekuipazhin në tërësi na ngriti shumë moralin dhe na shërbeu për afrim e bashkëpunim më tepër mes nesh. Ato ditë tetori të vitit 1943, nga takimi në Dumre si dhe gjatë kohës qe qëndruam së bashku në qytetin e Beratit e në bazat e luftës, nëpër fshatrat malor përreth Tomorrit, na dhanë mjaft kurajo e energji. Na forcuan moralin dhe ndërgjegjen dhe na bënë më shumë optimistë e të përgjegjshëm për të ecur më tej në rrugën tonë drejt lirisë. Përherë e më mirë po kuptonim e po e preknin nga afër edhe ndihmën e aleatëve tanë anglo – amerikanë”.
Njëri nga antarët e shoqatës, si me shaka e pyet Vitën, – mirë luftën e bëtë, po me dashurinë si ja bënit? Si je njohur me bashkëshortin tuaj, Nikollan, ku dhe kur ?
Kaq u desh dhe nënë Vitoria vazhdon të tregojë:

”Në grupin ku ndodhesha kisha disa shoqe nga Fieri, si Liri Paloli, Kristina Bakalli, Liri Rusku etj. Nga Lushnja ishin, Nije Puka, Vasilika (Sila) Gjeçi, Lute(Haxhiu) Bano, Lumturi Kokona, e cila me origjinë ishte nga Gjirokastra, por banonin në Lushnje. Më vjen keq por ajo shkoi me studime në BS e atje u sëmur dhe u nda nga jeta në moshë të re. Kur flinim në mbrëmje, mblidheshim të gjitha bashkë. Një natë, Sila Gjeçi, më shikon që në qafë mbaja një rrip të zi. Asaj i bëri përshtypje dhe më pyeti një natë se përse e mbaja. Unë i them se këtë e mbaja në kujtim të vëllait tim të vetëm, Ilias, i cili u nda nga jeta në moshën 26 vjeçare. Sila kishte parë e ndjekur sjelljen e veprimet e mia dhe një ditë i thotë të vëllait, Nikollas, edhe ai partizan. Kjo vajzë më duket shumë e mirë. Shiko dhe mos e merr dhe e fusim në familjen tonë. Kaq u desh dhe pas Luftës, Nikolla vjen në familjen time njihet nga afër me ta, u tregon qëllimin dhe familjarët e mi dhe ranë dakord. Ne u martuam, pasi kishim ca kohë të dashuruar. Po unë dua të them edhe disa fjalë për rolin e femrës në luftë dhe opinionet që shfaqeshin për to”, vazhdon tregimin Vitoria.

Roli i gruas në LANÇ-re dhe opinionet për të…
Reaksioni dhe qarqe të caktuara, në ato kohë flisnin keq për vajzat partizane dhe bënin një propagandë dashakeqe për të njollosur figurën e aktin e tyre antifashist. Edhe në ditët e sotme janë ringjallur format e kësaj fyerje për pjesëmarjen e femrës në luftë. Kjo ishte dhe mbetet fryma dhe psikologjia e antikombëtarëve.
Unë kurdoherë kujtoj kujdesin që tregonin kuadrot kryesorë, Shtabi i Brigadës për ne vajzat e reja. Shpesh vet komandanti i brigadës XVI S, Daj Rahmani (Ruçi), siç e thërrisnim, së bashku me patriotin Llazar Bozo nga Kolonja e Lushnjes, na mbanin pranë e na këshillonin. Na trajtonin sikur na kishin vajzat e tyre. Populli i Skraparit, i cili i ka dhënë shumë luftës ANÇ në atë kohë u tregua mjaft bujar. Na hapi dyert, na strehoi dhe na ushqeu me sa mundi, pa llogaritur edhe koston qe vinte nga hakmarrja e forcave balliste e legaliste e zonës malore.
Qëndrimi i femrës shqiptare në këtë lufte ishte dhe një element tepër progresiv për kohën dhe situatën. Ky qëndrim bëri dhe diferencimin e madh midis forcave politike që pretendonin për drejtimin e luftës e marrjen e pushtetit pas saj. Ekzistonte një ndarje e diferencim i madh, mes Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe qeverisë kuislinge e forcave kolaboracioniste nga njëra anë dhe qëndresës së vërtetë të luftës antifashiste, që drejtohej nga Fronti Nacional Çlirimtar.
Nuk mund të gjesh asnjë ngjarje apo dokument historik, që të tregoj për kontributin e grave në radhët e Ballit, Legalitetit apo formacioneve të tjera, të cilat ishin në fakt pasqyrë e dështimit e urrejtjes mbarëpopullore.
Unë kujtoj me respekt gjithë shoqet e mija – vazhdon tregimin Vitoria-por edhe ato që përbënin kordonin e nderit e sakrificave, mbi 8000 femrat, që luftuan me armë në dorë që nga njësitet guerile e deri në formacionet e mëdha te luftës partizane antifashiste. Edhe ato me gjithë pjesmarrësit e tjerë në luftë, e vëndosën Shqipërinë në vendin e nderit, krahas me forcat fituese, me SHBA-në, Anglinë dhe BS. Ato gra trime e të zgjuara me aftesitë e tyre pas çlirimit, zunë pozicione drejtuse, në fronte të ndryshme të shtetit të sapokrijuar, me rininë, me organizatën e gruas, në parti, ushtri, shëndetësi, industri, bujqësi, e kudo”.

Aktiviteti i Vitorisë në periudhën e rindërtimit të vendit…
Kur e pyes Vitori Gjeçin për jetën dhe punën e saj pas çlirimit të vendit ajo nuk dëshiron të flasë. Si unë ka shumë të tjerë-shprehet ajo-, flisni e shkruani për to. Jeta e saj është e mbushur me punë, sakrifica por edhe me arritje. Një ndihmesë të madhe i ka pase dhënë edhe nëna, Grigora, e cila, pas fatkeqësisë, që i ndodhi me djalin, qëndroi me familjen e Vitorisë.
Vitoria ka ditur t’i përballojë mirë dallgët e jetës sado të vështira u shfaqën ato. Jeta e saj i ngjan jetës së montatorëve. E nisi punën në vitin 1945 në Gjirokastër, ku bashkëshorti i saj u dërgua të punonte në formacionet e ushtrisë. Në Gjirokastër, tregon në bisedën e saj Vitoria, qëndruam pak kohë, vetëm gjashtë muaj. Me porosi të Fiqrete Shehut, mua më emërojnë në punë në ”Shtëpinë e Gruas”, ose siç quhej, ”Organizatën e gruas” të Gjirokastrës. Më tej ne u transferuam në Shkodër. Në këtë qytet fillimisht nisa punë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit si sekretare teknike. Që në kohën e luftës, kisha mësuar e përdorja shumë mirë makinën e shkrimit, me të cilën pregatisnim traktet. Më vonë më dërguan si drejtore në Shkollën Jetimore të qytetit.
Nga Shkodra në vitin 1947 transferohemi në Tiranë. Fillimisht kam punuar si drejtoreshë në shkollën e Infermiereve, më vonë më tërhoqën si sekretare në administratë në Ministrinë e Shëndetësisë. Merresha me plotësimin e dokumentacioneve për kuadrot e rinj, që përgatiste kjo Ministri. Kam punuar si sekretare edhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Në vitin 1950, Nikollan e transferuan dhe e dërguan Sekretar Organizativ në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Lushnjes. Mua më emëruan fillimisht sekretare teknike po në Komitet Ekzekutiv të rrethit. Më vonë u emërova sekretare në Komitetin e Qytetit apo siç quhej ”Komitetin e Lokalitetit”. Aty kryetar ishte Todi Bozo. Më tej më lëvizën dhe emërohem Drejtoreshë e Kopshteve e Çerdheve me drekë, ku punova disa vite. Më pas më dërguan në Ndërmarrjen e Bonifikimit, me qendër në qytetin e Lushnjes. Atje kam punuar kryesisht në zyrën e kuadrit.
Pasi punova disa vite në këtë ndërmarrje, në fundvitet ’60 më emëruan përgjegjëse kuadri në Ndërmarrjen Tregtare të qytetit, që quhej NTAN….. Aty punova deri sa dola në pension.
Kudo ku kam punuar kam qenë korrekte, kam zbatuar ligjet e shtetit dhe puna ime është vlerësuar. Kam bërë sa kam mundur mirë dhe këto mirësi më janë njohur. Po ju jap një rast konkret. Kur punoja në NTAN, Pilo Lalën, një myzeqar i mirë e punëtor, e dërgova fillimisht në shkollën e guzhinierëve. Pasi e mbaroi shkollën, punoi disa vite në restorantin ”Myzeqeja”, që ishte nga më të mirët në atë kohë. Në fundvitet ’90, kur filloi privatizimi, atë e nxorëm në profeson të lirë, si person fizik. Me punën e tij te palodhur edhe të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij arriti të jetë sot nga biznesmenët më të suksesshëm të Lushnjes. Po sa e sa të tjerë ka si Piloja, madje edhe shitëse, që unë i kam futur në punë, morën prona (dyqane) dhe u pasuruan e rregulluan më së miri. Ndërsa ne që drejtonim, sipas ligjeve të kohës në demokraci, nuk përfituam asgjë dhe mbetëm vetëm me pensionet e u drejtuam edhe emigracionit.
Nënë Vitorisë, në këtë moshë, më tepër i pëlqen të flasë e të çmallet me pasardhësit, me nipërit e mbesat. Kam gjithsej katër mbesa e katër nipër. Të gjithë me shkollë të lartë e në punëra të mira–tregon ajo. Ata më kanë sjellë në jetë e më kanë bërë stërgjyshe shtatë herë. Kam katër stërnipër, nga të cilët dy janë shqiptarë, një amerikan dhe një me origjinë greke. Nga stërmbesat, një e kam me kombësi franceze, një amerikane dhe një greke. Që të gjithë i dua dhe kënaqem, kur i shikoj që rriten e arsimohen me kushte të mira. Mundohem që t’i edukoj me ndjenjën e dashurisë për vendin tonë, Shqipërinë. Synoj e dëshiroj që ta njohin e duan vendin e gjyshërve e prindërve, ta duan e ta mësojnë edhe gjuhën tonë të bukur, shqipen. Një kënaqësi të veçantë po përjetoj edhe këto ditë, që po qëndroj këtu në Nju Jork. Ju uroj të gjithëve shëndet, punë, gëzime e lumturi në familjet tuaja, përfundon bisedën me ne nënë Vitoria.

Dirka Xhakolli (Malaj) dhe Mihal Llaqi Jano

 

March 15, 2019 15:53
Komento

7 Komente

  1. Pasardhes veterani te luftes e te punes March 15, 20:13

    Respekt per nene Vitorine.

    Respekt per ate brez qe vertet nuk vjen me.

    Te ndershem, idealiste, patriote, me nje dashuri te pakufishme per popull e atdhe, qe dhane gjithshka, gjak, djerse mund ne lufte per clirimiN e vandit nga nazi-fashizmi dhe per rindertimin e vendit te shkateruar nga Lüfta, per emancipimin e vendit e te shoqerise e ne vecanti te gruas shqiptare.

    Lavdi te perjeteshme ketyre bijave e bijve me te mire te populli shqiptar, lavdi jetes e vepres se tyre!

    Poshte tradhetaret e vendit!

    Reply to this comment
  2. Dh.Xhoga (Guri Naimit D ) March 15, 22:05

    Mbrodhesi Pasuesve veterane..!
    Ditet njemije; Ditka Xhakolli e Mihal Ll Jano!.
    Respekti per veteranet eshte rrespekt se pari per atdhetarizmin se Veteranet ateheut perkushtuar e amanat ate lene.amanet.Jemi krenare qe jemi pasues veterane do mundohemi qe ta justifukojjme ate deri ne me sublimen,si bene te paret tane. Na kenaqni me keto aktivitete te nderuar Bashkeatdhetare ne Sh B.A.qe shembullin tuaj po e njekin dhe “pasuesit veterane, ne vende te tjera.I Falenderojme’Pasuesit Veterane” ne SHBA..
    Pasuesi Veteran 83 Vecar.Dh Xhoga.(GND.)

    Reply to this comment
  3. Zgalem March 16, 00:35

    Meritone falnderime , Dirka dhe Mihali , qe na sollen nje shembull te emancipimit te femres shqiptare , me shembell nga jeta e vajzave te thejshta partizane. Kemi pare, ne shtyp, vetem komandante te armatosur dhe me mjeker , qe simbolizojne luften dhe fitoren . Autoret e kesaj eseja na sjellin elemntin real , te emancipimit te femres dhe shoqerise , qe ishin vajzat partazine te kohes . Nje nga me te shquarat eshte protogoniste e esese . Vita , qe sot gezon moshen e trete . Bisedon shtruar dhe me llogjike te hekurt . Ajo ka c’ t’u thote brezavet . Te tera etapat e jetes se saj jane epope me vete . Femra shqiptare e ardhur nga Perandoria osmane , ishte skllave e paragjykimeve shoqerore , obskurantizmit fetar dhe e te drejtes kanunore . Nuk ishin te rralle rastet , qe gra te vecanta , kishin rrembyer pushken , per gjakmarrje , per sinore , per mbrojtje vetiake . Geraltina , Zogu dhe Motrat bene perpjekje , per permiresime , ne jeten arsimore , kulturore dhe mardheniet shoqerore te gruas . Geraltina vinte nga nje ish Perandori finike , ku kishin gjetur veten grate e shtreses se larte dhe Universiteti ishte me vjetersi shekullore .
    Emancipimi I femres shqiptare mbeti simbolik . Grate partizane , si Vita Sinjari me shoqe e grisen masken e shoqerise me tipare feudale . Moren ne dore fatet e tyre dhe hap pas hapi , kemi shoqerine e sotme feministe shqipetare te krahasuar me boten globaliste .Une I mbaj mend shume mire formacionet partizane . Kane qene reparte te organizuara me disipline te hekurt . Ndonje devijim , qe kemi lexuar ne shtyp , eshte perjashtim . Jeta e vajzave partizane dhe vijimi I jetes se tyre pas clirimit , vertetoi se emancipimi nuk mund te kryhet , jo me nderhyrje nga lart , por nga masa e vete vajzave dhe grave , sic na I verteton eseja e ketyre autoreve .Ne luft e siper vajzat mesuan shkrim e kendim , mesuan artin e komunikimit me popullin dhe keto aftesi i vune ne jete , ne paqe .Te tera keto veprime i kryen natyrshem, pa u dehur nga sukseset , me idealin , per t’i sherbyer Atdheut , pa fudullek dhe megallomani . Po e mbyll me nje shembell , per kete karakteristike , qe permenda . Viten e kam pasur mehallije 20 vjet , por nuk e dija , qe kishte qene partizane .Ne ate kohe biografia pasurohej te kishe partizane dhe kusheriren e larget .
    Zgalem

    Reply to this comment
  4. MH March 17, 13:07

    Keto jane dhe mbeten jo vetem krenaria e jone,po krenaria e historise nga ma e lavdishmja e kombit Shqiptare.
    Aq ma teper sot qe po i perjetojme te gjitha llojet e demokracive alla demokratike.Kur ke frike te dalesh jasht deres se shtepise.

    Reply to this comment
  5. Dn March 18, 04:02

    Keto ishin dhpellaret qe dje zdryoen nga malet e futen Shqiperine ne nje rruge pa shpreseb prej asaj kohe e deri tash…. luftuan tane jeten kunder amerikes , per me perfunduar n’amerike, me lypin ate qe pshtyn , pra as minimumi i veterespektit…

    Reply to this comment
  6. T. Voda March 19, 07:30

    — Nderim e respekt Zonja VITORI.
    Po keshtu , edhe per te dy autoret e ketij shkrimi modest, realist dhe shume mbreslenes-
    — Me gjithe se i paralizuar prej disa vetesh, do te kisha shume deshire te kisha mare pjese ne ate takim qe eshte realizuar ne vendin ku banoj prej disa vjetesh. .
    —- JU kini nderin se ini pjesa e nje brezi te lavdishem .,JU beni pjese tek brezii i luftes , i gjakut dhe heroizmit per clirimin e shqiperis, tek brezi punes , djerses dhe sakrificave per ndertimin e shqiperise se re . kulturimin dhe emancipimin e gjithanshem te popullit e ne vecanti te gruas shqiptare..
    —- Brezi juaj ndikoi drej perse drejti tek ne qe lindem kur ndihej akoma kudo era e pushkes dhe barutit. Ne kemi fatin qe punuam e jetuam prane apo te shkrire me nje brez te tille .
    — QOFSH GJITHNJE E KUDO E NDERUAR DHE E RESPEKTUAR . .
    Tomor Voda –NY–USA

    Reply to this comment
  7. Dh.Xhoga (Guri Naimit D ) March 21, 17:45

    “DITA e NAIMIT” me e Vepren e F.S Nolin Kryefjale

    25 Maji Ketij viti(2019,-172 vjetorin e ditelindies se poetit tone te madh Rilindas;Naim Frasheri),do te festohet, me Fan,S..Nolin kryefjale, ne Frasherin NAIMJAN,”Diten e NAIMIT”,na njofton Kryetari i shoqates “Vellezerit Frasheri” i nderuari Tomor Kotorri.Lajm i vecante jo vetem per mua .(Une Njeheresh, kujtoj e kremtoj 105 vjetorin e renies si bien trimat e kapedan Jano Xhoga Zavalani,me 1913 ne mbrojtie te Pavaresise, sa shpallur ,sulmuar vendi, nga fqinjet grabitqare jugore.Ne vleresim te atij akti atdhetar,Ai shpallur ne 100 vjetorin e renies me Titullin “MIRENJOHIE” nga Qarku Gjirokastres…sa ne 105 Vjetor Komiteti Pergjithshem i veteraneve te shqiperiser e propozoi per “Deshmor”te atdheut.).. Ju faleminderit. E pres kete dite te shenuar ,une 83 vjecari,nje jete MESUES,bir i asaj TREVE te “Dangellise Naimjane”, me”shpirt ne dhembe”.Sa kthyere ne atdhe,kaluar nje ishemi cerebrale ne Toronto te Kanadase,Mire qe mbeti tranzitore fal atij sherbimi mjekesor,te personelit te nje spitali ne Skalboro te Torontos,qe i jam mirenjohes,(prane ruges “Viktoria Park”.
    Ani se ne kete gjendie,mezi po pres te vije ajo dite,ku do te manifestohet mes Frasherit Naimjan “Dita e Naimit”me kryefjale te aktivitetit: Jeten dhe veprimatarine e te MADHIT atdhetar Fan Stilian Noli, ne shenje rrespekti e mirenjohie, kam pasqyruar ne Romanet e mia: Kur Falasin Zemrate” dhe “Ne rruget e jetes”,disa shkrime deri POEZI ne nderim te asaj figure te shquar te; IMZOT FS.NOLI,dhe nje nga temelluesit dhe te shoqates pare”Vatra” ne Sh.B.A . Nje nderim bere z. Tomor Kotori, vene ne rend te dites te atij aktiviteti ,dhe nje PERKUSHTIM timin: ne vargje: “Verte kaluan 55 Vjet pa NOLIN e Madh,sa shkrimet: “I madhi Noli gjithnje aktual”,”Duke lexuar Nolin erdhe tek Ty.ATDHE.” “C’mesova nga i madhi F.S Noli sot,ne 65 vjetorin qe po nis” sa :”Te ishte i Madhi Noli gjalle!”. Ne to,jetuar me veprimtarine e ketij HEROI te HISTORISE se KOMBIT tone, IMZOT F,S. NOLI,pos te tjerave; kreesuesi i Revolucionit Demokaratik te Qershorit 1924 ani se forcat antishqiptare me Ahmet Zogun ne krye, te ndihmuar nga fqinjet veriore(Serbet), bene te dshtonte ajo arritie ani disa mujore…Nje jete Ai atdheut perkushtuar me veprat e TIJ madhore-shembelltyre e atdhetarit te rrale Rilindas…(Une fatkeqesisht,25 vjet rrugeve te emigracionit pas 90tes).
    Tomor Voda t’u befshin ditet njemije..sa Emigranteve atdhetare ne SH>B>A, me vellezerit ne KANADA….
    ***Mirupafshim ne “Dangelline Naimjane” Vellezer e motra,femije bashkekombas si gjithnje ne UNITET..

    Dh,Xhoga (Guri Naimit D)

    Tirane 21-03-2019 Dh Xhoga (Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin