Emigrantët, si trimëri morale  

January 10, 2018 11:02

Emigrantët, si trimëri morale  

 Kosta Barjaba

“Kush është burrë, të iki/Kush s’është burrë, le të rrijë”! Dekada më parë, kur emigrimi nisi të bëhej tema ime e preferuar e kërkimit, iu drejtova më së pari kujtesës kolektive për kurbetin. Prej saj shkëputa thirrjen e mësipërme për emigrimin. Thirrje që të le të kuptosh se ikja, dikur kurbeti, është perceptuar prej kujtesës kolektive si një trimëri njerëzore, familjare e morale.

Një përgjigje ndaj sfidave të kohës. Pa dyshim, në thënien e mësipërme, fjala “burrë” përdoret në vend të fjalës “trim”. Dhe trimat nuk kanë frikë nga e panjohura. “Kush ka frikën në bark, le të rrijë se aq meriton”, e plotëson shprehjen e mësipërme një tjetër referencë nga urtësia popullore.

1.

Emigrimin si një veprim kurajoz, shqiptarët e kanë menduar dhe dëshmuar prej shekujsh. Ikja e burrave e djemve prej vendit, për shkak të mungesave të mëdha të burimeve për jetën e përditshme, natyrisht është e lidhur edhe me mentalitetin e përbotshëm për meshkujt si fitues të bukës së familjeve. Ky mentalitet, përveçse global, është edhe i përhershëm. Historitë dhe përvojat migratore të mjaft popujve, të vjetra e të reja, janë, të paktën nisin, si histori burrash, që marrin përgjegjësitë familjare.

Për më tepër shqiptarët, emigrimi tradicional i të cilëve është shkaktuar prej varfërisë, më tepër sesa prej shpirtit të aventurës dhe kërkimit të së resë, të panjohurës. Këtu është natyrisht, edhe ndikimi i natyrës patriakale të marrëdhënieve familjare në Shqipëri dhe tipologjia klasike e ndarjes gjinore të punës: burrat fitojnë bukën dhe gratë rrisin fëmijët e nikoqirisin shtëpinë. Në këto kontekste, diasporat shqiptare janë formuar nëpërmjet një procesi mbijetese të njerëzve të fortë e kurajozë, që u detyruan ta kërkojnë fatin e tyre dhe mjetet për mbijetesën e familjeve larg atdheut.

2.

Natyra burrërore e emigrimit u ruajt edhe nga ikjet nën regjimin komunist. Ata pak shqiptarë që emigruan në formën e arratisjes prej vendit, kryesisht për shkaqe politike, ishin të gjithë burra. Arratisjet, ashtu si edhe disidenca ndaj sistemit,  ishin kryesisht veprime të burrave apo djemve të rinj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Emigrimi presupozonte jo më një trimëri morale, por një guxim politik që presupozonte një rezistencë fizike.

Arratisja ishte, përveçse kurajo politike,  edhe një provë force fizike e njerëzore. Megjithatë, gratë dhe vajzat, ashtu si edhe pjesëtarët e tjerë të familjeve të të arratisurve, kishin pjesën e tyre të sakrificës. Dënimet, ndëshkimet, internimet, vuajtjet dhe izolimi prej pjesës tjetër të shoqërisë, ishte emigrim i një lloji të veçantë. Emigrimi i jashtëm i burrave e djemve, pasohej nga emigrimi i detyruar brenda vendit i grave, vajzave e fëmijëve. Familjarët e të ikurve syrgjynoseshin për të jetuar në zona të thella, të varfra, të njohura për ashpërsinë e kushteve të jetesës. Këto ngulime morën trajtën e enklavave migratore brenda vendit dhe ruhen akoma në kujtesën tonë kolektive. Emigrim i një lloji të veçantë, që shkaktohet prej diktaturave.

3.

Ndërkohë, formimi i diasporës prej shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës e ruajti natyrën burrërore e trimërore për dy rrethana. Natyra më konservatore e organizimit dhe e marrëdhënieve familjare, e cila bashkëjetonte me tipologjinë e kryefamiljarit bukëfitues, imponoi një karakter më mashkullor të flukseve të emigrimit prej këtyre vendeve.  Por me kalimin e kohës, këtyre dy rrethanave, sidomos në diasporën e shqiptarëve të Kosovës, iu shtua edhe një e tretë. Përshkallëzimi i rezistencës ndaj shtypjes serbe u shoqërua me krijimin e formave dhe strukturave të rezistencës në diasporë. Kjo e fundit, përveçse  si një faktor që garantonte mbijetesën ekonomike dhe financonte shërbimet jetësore bazë, shërbeu edhe si një faktor i organizimit të rezistencës aktive ndaj shtypjes dhe nxitjes së lëvizjes çlirimtare. Kjo e fundit e bënte edhe më instrumentale natyrën burrërore të flukseve dhe komuniteteve të emigrantëve shqiptarë.

4.

Emigrimi si një projekt e proces burrëror, nuk ka qenë megjithatë i imunizuar nga pjesëmarrja e femrave. Madje, diasporat shqiptare të formuara nga flukset masive të emigrimit për shkak të zhvillimeve të papritura, të paqëndrueshme apo të rrezikshme në atdhe, janë formuar edhe si komunitete familjare. Pas vdekjes së Skënderbeut, për shembull, një pjesë e madhe e kryezotërve, prijësve, luftëtarëve, madje edhe burrave të zakonshëm, emigruan  së bashku me familjet e tyre. Një natyrë familjare patën edhe flukset migratore të pranverës së vitit 1997, kur rreth 70 mijë shqiptarë emigruan drejt Italisë dhe Greqisë, shumica familjarisht. Ky “korrigjim” në projektin migrator ndodhi natyrshëm, për shkak se flukset nuk u prodhuan nga nevoja për mbijetesë individuale apo familjare, por kombëtare. Këto potenciale femërore të flukseve migratore u shndërruan në një tipar të emigrimit tonë gjatë tri dekadave të fundit. Ashtu si edhe shumica e popujve fqinjë ballkanikë, emigrimi ynë mori tipare të emigrimit familjar, më shumë sesa në popujt e rajoneve të tjera të botës.

5.

Por flukset e emigrimit të shqiptarëve, si çdo proces shoqëror, kanë prodhuar e prodhojnë edhe pasoja dytësore. Disa prej të cilave nuk na nderojnë dhe bien ndesh me natyrën trimërore të emigrimit të shqiptarëve. Fjala është për emigrimin e të miturve, të cilat në jo pak raste ose emigrojnë të pashoqëruar, ose braktisen prej prindërve në vendet pritëse. Sidomos ne, shqiptarët e Shqipërisë, kam përshtypjen se e kemi zhvilluar këtë përmasë më shumë sesa gjithë shqiptarët në rajon. Kjo “manovër” prindërore, e cila bëhet me synimin t’u krijojë fëmijëve mundësi jetese e zhvillimi në vendet e qytetëruara, e ka humbur kurajon, burrërinë dhe trimërinë morale. Një ditë ajo mund të kthehet në dëm të interesave të fëmijëve. Përballimi i këtij problemi kërkon jo vetëm më shumë përgjegjësi prindërore, por edhe më shumë përgjegjësi e burrëri politike e shtetërore.

Ky aspekt i emigrimit të shqiptarëve i ka kapërcyer me kohë aspektet njerëzore dhe morale. Tashmë ai është “përkthyer” në një realitet ekonomik. Diaspora përbën sot një përmasë të fuqishme të shoqërisë shqiptare. Trimëria dhe burrëria morale kanë prodhuar burime të fuqishme zhvillimi për vendin. Gjatë trajektores së tri dekadave të fundit vetëm në formën  e dërgesave financiare të këtyre trimave dhe trimëreshave kurajoze kanë hyrë në vend nga 500 në 900 milionë EURO në vit. Një pjesë e madhe e djemve dhe burrave, ashtu si edhe e grave dhe e vajzave të Shqipërisë, që lanë vendin gjatë flukseve të dekadave të fundit, kanë mbërritur me kohë në Europë. Një pjesë e tyre janë sot qytetarë europianë dhe rreth një milion punëtorë europianë. Përveç kapitaleve, ata sjellin në Shqipëri, kualifikime, profesione, mjeshtëri, vlera, emancipim dhe kulturë. Këto kontribute e bëjnë të natyrshëm hapjen e rrugës për lehtësimin e kontributit të tyre politik, siç është mundësimi i votimit në vendet pritëse. Ky është një hap i natyrshëm që trimëria morale, e cila ka gjeneruar zhvillim ekonomik, të sjellë edhe emancipim politik.

 

 

January 10, 2018 11:02