Emigrimi i të rinjve shqiptarë për një jetë më të mirë

DW August 14, 2013 15:59

Emigrimi i të rinjve shqiptarë për një jetë më të mirë

12 gushti, që njihet si Dita Botërore e Rinisë, fokusohet këtë vit më shumë tek problemi i emigracionit. Shqipëria vijon të jetë një vend me nivel të lartë të emigrimit të të rinjve.

Eduardi është njëri nga të rinjtë shqiptarë që ka kryer studimet universitare në Itali dhe prej disa muajsh është punësuar në një kompani marketingu në Tiranë. Ai mendon të rezistojë deri në fund të vitit se mos gjen një variant punësimi në kushte më të mira profesionale dhe page, në të kundërt, do të shkojë në emigracion në përpjekje për të përmbushur objektivat e tij.

“Angazhimi im aktual është një zgjidhje e momentit, pasi jam jashtë profilit për të cilin jam diplomuar. Kam aplikuar në disa zyra dhe shpresoj që të marr një pozicion më të mirë. Jam gati ti kthehem qëndrimit jashtë vendit, pasi kam energji dhe ide” – thotë Eduardi, që ka piketuar SHBA-në ose Kanadanë si stacione “për një jetë më të mirë”.

Por ai nuk është i vetmi që ka “plan b” në karrierën e tij largimin nga vendi. Nga Shqipëria vijon largimi i të rinjëve në emigracion, për qëllime ekonomike, për të kryer studime e kualifikime të ndryshme universitare, për bashkime me pjesën tjetër të familjes etj.

Ka ndryshuar perceptimi për emigrimin

Vladimir Thano drejton Degën për Shqipërinë e Federalistëve të Rinj Europianë

Vladimir Thano, i cili prej vitesh drejton degën për Shqipërinë të Federalistëve të Rinj Europianë, mendon se në rradhët e të rinjve shqiptarë ka ndryshim në këndvështrimin ndaj emigrimit. Ata janë për një emigrim më të sigurtë, kjo pas shumë historive dëshpëruese dhe përjetuese nga të afërmit e tyre para rreth dy dakadash, thotë Thano për DW.

“Disa mendojnë se jeta e re nis me një bursë studimi jashtë vendit. Në të njëjtën kohë edhe arsimohen edhe krijojnë lidhje të reja me komunitetin në vendin pritës, për të qendruar përgjithmonë. Kjo shikohet si një mundësi shumë e mirë per t’ju ‘ikur’ halleve të jetesës në Shqipëri. Të tjerë mendojnë të kenë një punë sezonale si një mundësi shumë e mirë drejt pozicionimit në një vend të sugurtë pune. Një pjesë tjetër rendin pas kompanive të cilat promovojnë pune jashtë vendit. Ka dhe nga ata që mendojnë se mundesia më e mirë është ajo që ofron tregu i punës pertej kontinetit europian i cili ndodhet për vete në një periudhë të vështirë. Pra vihet re një lloj inteligjence në përzgjedhjen e vendeve, renditjen e tyre, informimin mbi kushtet ekonomike etj.”

Vladimir Thano shton se organizata e tij në mënyrë të vazhdueshme ka në axhendë çështjen e emigrimit të të rinjve. Specifike është se debati mbi këtë argument bëhet përmes tryezave me të rinj nga vende të ndryshme.

Emigrimi si debat mes të rinjve nga vendet europiane

Pamje nga jeta e të rinjvë në Tiranë

“Ne kemi planifikuar që në javën e tretë të tetorit të këtij viti të mbledhin në Shqipëri më shumë se 150 të rinj nga Europa në një aktivitet multidimensional nën temën ‘Modeli i Bashkimit Europian nëShqipëri’. Një nga konferencat e posaçme do ti kushtohet sfidave të emigracionit në rradhët e të rinjëve. Interesante është se do të ketë një shkëmbim eksperiencash mes përfaqësuesve nga vendet anëtare të BE, por dhe nga vendet e rajonit që e aspirojnë anëtarësimin. Të rinjtë kanë shumë për të ndarë me njeri tjetrin dhe kjo përbën një prej dobive kryesore të aktiviteteve multinacionale ku në fokus janë tema që janë me interes të përbashkët”.

Thano mendon se koalicioni fitues u zgjedhjeve që do të qeverisë vendin pas pak javësh duhet të mbajë premtimet për të rinjtë, për të rritur besimin se ata mund të kontribuojnë për këtë vend. Në një vend si Shqipëria me një popullatë me moshë mesatare të re, sipas tij, kjo është shumë e rëndëisshme për dinamikën e zhvillimeve ekonomike e sociale dhe thellimin e reformave.

“Mesazhi më i qartë për krizën europiane dhe papunësinë në kontinent erdhi nga presidenti francez Holande dhe kancelarja gjermane Merkel pak kohë më parë, me dakordësinë e tyre që paketa financiare për të rinjtë dhe aftësimin profesional në Europë të mbetet e lartë, si mënyra e vetme e ndihmës në këto momente të vështira. Në fund të gjithë duhet të pranojmë se kriza nuk erdhi nga të rinjtë, por pasojën e saj e vuajnë më shumë të rinjtë. Nën këtë moto shtetet europiane kanë rritur buxhetin e përbashkët për të ndihmuar sa më shumë të rinjtë me subvencione në arsim profesional, trajnime kualifikuese, mekanizma dhe masa lehtësuese”.

Vladimir Thano, nga dega për Shqipërinë e Federalistëve të Rinj Europianë, thotë se Shqipërisë i lipset të punojë shumë në këtë drejtim. Qeverisja e re, sipas tij, “nuk duhet ta shikojë rininë si përkatësi të një ministrie, por si çështje kombëtare, pasi me të do të identifikohet kombi i së nesërmes”.

DW August 14, 2013 15:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*