Emmet dhe ngjashmëria e irlandezëve dhe shqiptarëve sipas Nolit

April 17, 2018 09:24

Emmet dhe ngjashmëria e irlandezëve dhe shqiptarëve sipas Nolit

Kalendari  “Korça”, i shtypur në Manastir në 1911, jep një pjesë të përkthyer prej anglishtes që titullohet “Dënimi” i Robert Emmet.  Pjesa e mëposhtëme është recituar në provim nga nxënësja Ollga e Shkollës së Vashave në Korçë në vitin 1910. Kjo pjesë është përkthyer nga Grigor Cilka, i cili ka qënë  mësues në këtë shkollë dhe është pikërisht ai që  ua ka dhënë këtë pjesë nxënëseve – shkruan Dita.

Le të themi edhe dy fjalë se kush ka qënë Robert Emiti për të kuptuar më mirë fjalën e fundit të tij para varjes në litar.

Robert Emiti (Emmet) ka qënë një ndër nacionalistët irlandezë më të njohur të kohës i cili u bë i famshëm për qëndrimin burrëror dhe për fjalën e fundit që tha para varjes. Ai ka lindur në Dublin më 1778 ku dhe ndoqi studimet e larta duke treguar aftësi të shquara sidomos në lëndët e matematikës dhe të kimisë. Ai ka qënë dhe orator i mirë.

E braktisi shkollën për t’iu kushtuar tërësisht veprimtarisë politike, sidomos kryengritjes të prillit të vitit 1798, ku ai ishte anëtar i organizatës së fshehtë revolucionare (United Irishman), në të cilën vëllai i tij Tomas, ishte sekretar.

Kjo organizatë kërkonte dëbimin e britanikëve nga Irlanda. Kjo ishte arsyeja që më 1802 ai shkoi në Francë për të nxitur dhe organizuar bashkatdhetarët e tij të mërguar, që të mbështesnin një pushtim të Irlandës  nga Franca. Për këtë i ishte premtuar mbështetje nga  vetë Napoleon Bonoparti [në këtë kohë Konsull i Parë], me të cilin u takua më 1802.

Miqtë e tij mendonin se ideja nuk ishte shumë praktike, por Emiti u entusiazmua nga ky premtim dhe kur u kthye në Dublin, në tetor të vitit 1802, iu përkushtua organizimit të kryengritjes antibritanike. Ai mblodhi fshehurazi armë dhe bëri planin ushtarak të kryengritjes, e cila shpërtheu më 22 korrik 1803. Ai ia tregoi planet e tij të fshehta një anglezi të quajtur Lorenc, por ky vuri në dijeni autoritetet.

Emiti planifikoi që të udhëhiqte sulmin kundër kështjellës të Dublinit, që njihej si” Shtëpia e Pëllumbit”. Tradhëtia brënda rradhëve të kryengritësve dhe mungesa e përvojës bënë që kjo kryengritje të dështonte qysh në fillim. Në kulmin e dëshpërimit Roberti u fsheh në malet Uiklou ku dhe e kapën më 25 gusht dhe më 20 shtator të vitit 1803 u dënua për tradhëti të lartë me varje në litar.

Shkolla e vashave shqip

Më poshtë po japim fjalimin e tij ashtu siç është shqipëruar nga Grigor Cilka me ndonjë saktësim të vogël drejtshkrimor dhe duke shtuar ndonjë nyjë në kllapa katrore. Kllapat e thjeshta janë të vetë përkthyesit.

DËNIMI i Robert Emerit (folur në provimet e vashave në Korçë më 1910, prej zonjëzës Ollgë).

“Unë jam dënuar prej jush, sikur se kam qënë shpirti i kryengritjes. Ju më jepni nder më shumë se sa meritonj. Ka njerëz ndë këtë kryengritje të cilët jo vetëmse janë njerëz më të lartë se mua, por dhe shumë më të lartë se ju zotërinj. Njerëz përpara madhërisë, mirësisë dhe mjeshtëris së tyre unë me nder të madh ju falem, dhe [të]cilët nuku dot’e nëmërojnë për nder ti quanj miqtë tuaj, të cilët kurrë nuku do poshtërohen të zënë të gjakosurat duart tuaj.

Ç’farë zotërinj dot më thoni se dyke shkuar për ndë varjet, të cilën kjo tirani, së cilës ju jini i vetëmi nënpunës, është ngritur për vrasjen time; se unë jam shkaku për gjithë atë gjak që është derdhur edhe do të derdhet ndë këtë luftë ndë mes të skllavërosurit dhe tiranëve? Do të thoni këtë edhe më pandehti kaq të poshtër sa mos helmohem? Unë i cili s’kam frikë t’i afrohem [të] Gjithpushtetshmit Gjukatës që t’i përgjigjem për të sjellat e mija ndë këtë jetë të shkurtër? Dot trembem e dot verdhem për të pakët orë që më mbeten- edhe prej jush të cilët ndë qoftë se mund të mblidhej në një pellg të madh gjak’n të pafajshmë të cilin ju ini bërë shkak që të derdhet në kohë të qeverisë tuaj, ju do të muntnit të binit me not në atë!

As njeri të mos kuxonjë të më dënjonë për pabesëri, as njeri le të mos ndot një kujtimin tim, duke mbesuarë se unë s’mund të ngatërohesha me tjatër ndonjë punë, përveç ndë këtë: për lirinë dhe vetëqeverimin të atdheut tim. Të fituarit  të një qeverie të përkoshme tregon mendimet e mija. Unë kurrë nuk do të bindesha njëj tirani[e] të huaj, gjithë për këtë shkak, unë i kundërshtohem edhe tiranisë brëndëshme.

Për madhërinë e lirisë unë do të luftonja gjer në kufit të atdheut edhe armiku do të mund të hynjë vetëm dyke kapërxyer trupin tim të vdekur. Edhe unë i cili rronja vetëm për atdhenë tim, i cili rezikova jetën (time) dyke ditur- edhe ndashti jam buzë varrit vetëm që t’u ap bashkëatdhetarëvet te drejtat e tyre edhe atdheut vetqeverimin- a dot të jem mbushur me kallëzime edhe nuk do të më epet koh’ e pëlqyer që t’i rrzonj- Jo! Perëndia mos e dhëntë.

Ndë qoftë se shpirtrat të të dënuarit të vdekur marën pjesë në punërat edhe kujdesjet të atyre të cilet kanë qënë të dashur ndë këtë jetë, O, ngahera e dashur edhe e nderuarë hie e babait tim: vëzhgo me kujdes sjellat të tët  biri edhe shiko ndë qoftë se vetëm për një thërime jam hequr nga atoporosi të mirëvetijëvet dhe atdhedashjes të cilat ju me kaqë kujdes të madh i mbualltë ndë mëndjet edhe  për të cilat ndashti unë bënj kurban jetën time.

Zotërinj! Ju duki të paduruarshim për vdekjen time-gjakun për të cilin kini et[etje] nuk ka ngrirë nga tmerret të cilat kini pregatitur përpara kurbanit tuaj. Ay po rrëdhon [rrjedh] ngadalë ndëpër rëmbat të cilat Perëndia i krijoi për qëllime të fisçme po të cilat ju i kini vendosur t’i prishni për qëllime kaqë të ashpra sa zër’ i tyre dëgjonet gjer ndë qiell. Duroni, unë kam të them edhe ca pak fjalë- unë hynj ndë var tim të ftohtë edhe të  shurdhër.

Drit e jetës sime po thuaj se shuhet, puna time mbaronet, vari hapet të më rrëmbenjë edhe unë zbres ndë pëqi të ti edhe kam vetëm një lutje të bënj përpara se ta le këtë botë. Ajo është sa të më bëhet kjo mirësi: mos flitet për mua. Asnjeri mos shkruanjë as gjë përmi var tim, sepse ata që dinë qëllimet e mija nuk kuxojnë t’i mburojnë[mbrojnë] ato.

Paditja le të mos i nxijnë ato- lini ato  edhe mua të rimë ndë panjojtje edhe paqtim-edhe varjen- le të mbetet pa mbishkrim, gjersa të tjera kohëra edhe të tjerë njerës do tëçëmojnë me të drejta karakternë tim. Kur atdheu tim mer vendin e tij mest kombeve të dheut-atëhere dhe vetëm atëhere të shkruhet epitafi im. Unë mbaronj!”.

(Shqipëruar prej G.M.Cilka)

Robert Emmet

Lexues i nderuar, pasi ke lexuar këtë ligjëratë para varjes së Robert Emitit, të lutem pusho pak, lexoje përsëri ngadalë dhe zbërthe çdo fjalë. Në fund lexoje me zë, recitoje, atëhere ajo merr kuptimin e plotë të saj.

Në gazetën “ Dielli “ të datës 12 mars 1909 ka një shkrim për këtë hero, i titulluar: Robert Emmet.

Ky shkrim, ashtu si shumë të tjerë nuk e ka emrin e autorit, por kuptohet se është i Fan Nolit. Në veprën “Noli- Vepra 2”, botuar nga Akademia e Shkencave më 1987, shumë shkrime të kësaj kohe që janë pranuar si të Fan Nolit, janë shënuar “pa emër”. Fan Noli duke qene kryeredaktor nuk e ka shënuar emrin e vet duke kujtuar se ai vetkuptohet por ky shkrim nuk është mbledhur.

Ky shkrim  ka filluar me dy rreshta të një poezie në të cilat ndjehet penda e përkthimeve të  ardhme të Nolit. Më poshtë ai ka përkthyer disa rreshta të tjera, që jepen si prozë poetike. Këto janë perkthime të hershme të Fan Nolit, të cilat i kam shtjelluar në librin tim “Noli i panjohur” dhe në disa artikuj të botuar në gazetat “Drita” dhe “Rilindja”. Stili nolian i këtyre përkthimeve është mjaft i qartë në këtë shkrim ‘pa emër”

Dielli-12 mars 1909 nr 3

Robert Emmet: Irlandë! Ora jote s’ka arrirë edhe. Rënko, o komp që vajton”. Fjalët e Emmet-it në burg ditën më parë vdekjes së tij.

Irlandezët e Amerikës dhe të gjithë botës kremtuan më 4 të marsit ditlindjen e Robert Emmet, trimit kryengritës Irlandes, i cili bëri therorë jetën e tij, dyke u përpjekur të shpëtonjë Irlandën nga Anglia dhe  ta bëjë vend të lirë dhe të vetëqeverisur. Kujtimi i Emmet-it është i mallëngjyer për popullin Irlandes. E nderojnë për të mirën që u përpoq të mbarojë, me gjithë që s’mundi të goditë[të realizojë–ed] nga që nukë kishin organizimtë mirë.

Vjershëtori irlandes Thomas Moore [lexo  Mur] ish një nga miqtë më të afërmë të Emmetit. Pas vdekjes së tij tragjike shkrojti këtë vajtim:

“O mos e pëshpërit emërin e tij; lere të flerë më hije atje ku i prehen koskat, të ftohta e të pa-nderuara. Të helmuar, të heshtur dhe të herrët ishin lotët që derdhi, si ves’e natës që bie në lëndinë përmi kryet e ti. Po ves’e natës që bie megjithë që qan e heshtur, do ta zbukurojë me gjelbësira[ gjelbërime-ed] varrin ku fle. Dhe lottë që po derdhin, megjithë që rriedhin së fshehurazi, do ta ruajnë për shumë kohë kujtimin e tij të  lulëzuar në shpirtet tona”.

Më pastaj gjithë ky vjeshëtor shkroi vjersha të tjera përmi jetën e mikut të tij, një nga të cilat gjeti vend mëçdo zemër Irlandezi më gjithë botëndhe të cilën e dinë të gjithë me gojë dhe e thonë si një lutje prej kishe. Ja katër vargjet e kësaj vjershe e cila ka titullin:

Emmet i Irlandës:

“Në ty fluturonin ëndërat e dashurisë sime të parë;

Çdo mejtim në krye tim ish yti.

Po më i mallëngjyeri bekim që qielli mund të falë

është kryelartësia të vdes kështu për ty”.

Këtu në Boston u kremtua kjo ditë prej Ligës Irlandese së Bashkuar ku foli Z.F.Mc. Gettrick. Të dielën që shkoi Degët e Urdhërit Bibernian dhe shoqëria Irlandeze Clan-na-Gacl mbajti kremtime të veçanta. 

Robert Emmet-i lindi më 1780 (duhet 1788-ed) në Cork të Irlandës dhe mësoi për avokat në Dublin. Atje hyri në shoqërinë e fshehtë kryengritëse dhe shpejt arriu të jetë një nga krerët e saj. Ky  ish shpirt i kryengritjes. Ditën tiatër ia prenë kryet. Vdiq 23 (25) vjetsh. Irlandezët (Airishet) janë shumë të afërmë me  Shqiptarët, se gjyshërit e tyre Qeltët [Keltët] me pellazgët ishin  kushurinj të parë. [Fan Noli]

b.m. / dita

 

 

 

April 17, 2018 09:24
Komento

1 Koment

  1. Fierakja April 17, 16:53

    Gjithe popujt e Europes jane kusherinj..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*