EMOCIONUESE / Përlotet kamarieri i ri, shihni bakshishin e klientit kavalier

March 13, 2018 23:13

EMOCIONUESE / Përlotet kamarieri i ri, shihni bakshishin e klientit kavalier

Sa e sa herë jemi emocionuar kur në rrjet kanë dalë video apo lajme të punonjëseve modeste të fast foodeve apo kamariereve nëpër restorante e gjellëtore, që thjesht duke bërë punën e tyre me përkushtim e ndershmëri, janë befasuar nga bakshishi i jashtëzakonshëm?

Kanë bërë xhiron e botës vajza kamariere që si nëna beqare u është dashur të bëjnë nga tre punë, apo studentë që punojnë për të përballuar kostot e shkollimit. Në anën tjetër të tablosë kanë qenë klientë të rastësishëm, zakonisht në gjendje të mirë ekonomike, që në shenjë inkurajimi, por edhe falenderimi për shërbimin e mirë, kanë lënë bakshish shuma që kalojnë dy-tre fish atë çka konsumuan. Madje në një restorant amerikan, kamarierja e re është përlotur kur ka marrë si bakshish një çek 2 mijë dollarësh.

E pra, krahasuar me ngjarjen e para disa muajve në Tiranë, që ka parë dritën e shtypit vetëm së fundmi, episodet e mësipërme janë pesë me hiç.

Skena e ngjarjes është një lokal modest pranë aeroportit të Rinasit, ku djaloshi kamarier Lulrrafsha Mosuvrafsha u shërben klientëve, përgjithësisht pasagjerë, pije të ngrohta, alkool dhe freskuese, si salep, bozë, shlivovicë apo gazozë dhe vapik, si dhe trigona dhe torona.

U buzëqesh të gjithëve, pavarësisht nëse është i mërzitur. Falenderon për çdo bakshish dhe dora-dorës, ka mësuar dhe ca fjalë të huaja, sidomos hollandezçen gegërishte dhe anglishten e Rrugës së Kombit.

Luli, që ecën si sorkadh mes tavolinave dhe as bie e as vritet, ka fëmijë për të rritur. E shoqja, që vjen nga një familje e dërrmuar pas rrëzimit të firmave konike në Shqipëri, rropatet në Holandë. Ndërsa ai i dërgon ndonjë lek dhe rroba të përdorura që harrojnë femrat në tualetin e lokalit, sa herë mundet.

Pikërisht këtij të riu, i ndodhi surpriza e çuditshme. Një klient i gjatë i gjatë që s’pushon as ditë as natë, pasi piu një makiato me qumësht të vakët, e thirri Lulrrafshën mënjanë dhe i tha:

-“Je çun i mirë. Lekë me vete nuk kam, por…”. Djali e ndërpreu me mirësjellje:

-“S’ka gjë. E ke nga unë makiaton. Ose ma paguan pas 18 majit”.

Klienti buzëqeshi me pafajsinë e djaloshit dhe ja preu shkurt:

“Nuk kam kohë, megjithëse ke buzëqeshje magnetike demokratike. Dëgjo, do të të jap bakshish një pallat”.

Djalit i ranë të fikët. I hodhën pak bozë në fytyrë për ta përmendur, pastaj i bënë fresk me një gazetë RD. Burri i gjatë, vijoi sikur të mos kishte ndodhur gjë:

-“Pallati është në Vlorë. Është afër detit, pra afër mbretit. Mos i bëj naze”.

Djaloshi nisi të mbrohej, i tha se nuk i duhej pallati, se s’kishte ç’e donte, se ai i varfër kishte lindur dhe ashtu do ta ngryste, me bukë të ndershme, se s’dinte të menaxhonte pasuri të patundshme që lëkunden buzë valëve etj etj.

-“Mirë mirë,” ja ktheu burri me zë grykor, “tullat vërtet nuk të hyjnë në punë. Atëherë do të të jap lekët e pallatit, nja 13 milionë euro. Se je çun i mirë, çun me zemër… hë tani, buzëqesh se nuk të shoh dot kështu”. Dhe iku.

Tani siç është mësuar, disa muaj më pas djaloshit i erdhën vërtet paratë e premtuara në llogari bankare.

I entuziazmuar dhe i prekur, Lulrrafsha ka qerasur gjithë kolegët në lokal me paçe e pilaf, nën tingujt e këngës “Vlora, Vlora”, ndërsa pohon për Gojët e Liga:

-“Ka njerëz të mirë në këtë dynja, ka. Mjafton të bësh mirë punën tënde, sado modeste të jetë, dhe shpërblimi të vjen andej nga s’e pret. Mua më erdhi nga një bamirës që ja boft Zoti ‘mar ishalla!”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që merr shtysë nga ngjarje (ir)reale.   

March 13, 2018 23:13
Komento

4 Komente

  1. hahahahahaa... March 13, 23:24

    fantastike ,
    cifti me komik i politikes

    Reply to this comment
  2. dani March 14, 17:50

    Ky kamarieri si mole e bute, do e keni kryeminister, pret radhen duke buzqeshur. Ju do e votoni o shqiptare, do harroni cdo gje pasi tjua shpife rama dhe do i jepni voten si dele. Mola do vazhdoje te qeshi e te marri bakshishe. Kshtu…

    Reply to this comment
  3. alphade March 15, 09:50

    Shyqyr, qe me ne fund ia gjeten zanatin Lulit te “vocerr”,
    kamarier,nuk eshte i afte per pune tjeter. Kam respekt
    per kamarieret por ne fund te fundit mendjen kamarieri
    nuk e ka se si duhet te sherbeje klientit por cfare klienti
    do t’i jape bakshish,”tip” ?! Edhe Luli i “vocerr” vetem pu-
    nen e kamarierit mund te beje . Ne politike eshte komplet
    profan. Harroje se “neser” do te jeshe K/minister …..!

    Reply to this comment
    • Kris 1 March 16, 18:46

      Profan,profan por pasi iperfitoi partine dhe parate nga Saliu tani i eshte qepur te gjatit.Parate po ja merr me keste te majme por pushtetin ben sikur e kerkon.Luli po rritet e zbukurohet nga pranvera socialiste e te gjatit.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*