EMOCIONUESE / Politikonia themelon fondacionin e fëmijëve që vuajnë nga narcizizmi

April 16, 2018 11:44

EMOCIONUESE / Politikonia themelon fondacionin e fëmijëve që vuajnë nga narcizizmi

 

Në një përpjekje të lavdërueshme për të ndihmuar të gjithë ata që vuajnë nga egocentrizmi patologjik i formës së rëndë, politikonia e çquar Grinda Puma shpalli ditën e djeshme përmes një konferencë për shtyp, themelimin e fondacionit në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga narcizizmi kronik.

“Unë jam përballur me këtë gjendje gjatë gjithë jetës sime, ndaj e ndjej si detyrë dhe përgjegjësi personale ndihmën për këta fëmijë që vuajnë nga egoizmi ekstrem,” deklaroi e emocionuar Grinda Puma. Ajo nënvizoi se fëmijët që kanë lindur me sindromën e mungesës së empatisë, bashkëpunimit, ndihmës për të tjerët dhe altruizmit, nuk duhet të ndihen të turpëruar. “Përkundrazi, ata duhet ta pranojnë dhe përqafojnë këtë situatë të vështirë, duhen inkurajuar që ta duan natyrën e tyre egoiste,” shtoi Puma.

Sipas politikones, në Shqipëri ka shumë fëmijë e adoleshentë sot, që ushqejnë pikëpamje shumë grandioze për veten, për talentet që besojnë se kanë edhe pse s’kanë asgjë; por askush nuk është pranë tyre për t’i udhëhequr.

“Unë do të doja shumë të kisha një model, një mentor gjatë kohëve të mia të vështira, kur si adoleshente ulërisja për të marrë vëmendjen e të tjerëve. Flisja shumë dhe për gjithçka, nuk më mbyllej goja, vetëm e vetëm për të rënë në sy,” kujtoi me emocion Grinda Puma. Vetëm rreth moshës 19-20 vjeçe ajo gjeti dikë që i mirëkuptoi dhe ushqeu talentet e saj për të rënë në sy, për ta tërhequr shatin gjithnjë nga vetja, për të akumuluar të mira materiale të natyrës borgjeze etj.

“Vuajta shumë derisa gjeta në Durrës një mentor që i kuptoi streset e mia egoisto-materialisto- akumuluese. Pastaj gjeta dhe një tjetër, në Elbasan,” deklaroi Grinda, duke shtuar, “ah, po, pastaj gjeta dhe një…jo dy, në Tiranë”.

Prandaj, pohoi ajo, “le t’u mësojmë këtyre të rinjve se ata e meritojnë trajtimin preferencial dhe admirimin konstant të të tjerëve, të cilët duhen të jenë gati të shesin apo braktisin gjithçka për ta, ashtu siç ndodhi me mua”.

Puna për ngritjen e këtij fondacioni, tha Grinda Puma, ishte një përvojë e mrekullueshme, paçka se do ishte mirë që “ato copa mishi që punojnë për mua, të mësojnë të ndjekin urdhrat dhe të mos i japin shumë kamares, përndryshe do t’ua marr shpirtin qelbësirave”.

Shënim / Gojët e Liga është rubrikë satiriste anti-egoiste

 

 

April 16, 2018 11:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*