Ëndrra në vapën e gushtit

August 12, 2018 12:29

Ëndrra në vapën e gushtit

Prof. Fatos Tarifa

 Gazeta Dita i mori këtë intervistë sociologut dhe diplomatit Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës dhe në Shtetet e Bashkuara dhe aktualisht Rektor në University of New York Tirana. Çfarë mendon ai për Tiranën, për politikën shqiptare, “rrëmujën e shtatorit”, reformën në drejtësi dhe për shkëmbimet e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha këto vëshguar nga prizmi i realizmit patriotik, siç e quan ai.

Prof. Tarifa, jemi në muajin gusht, një muaj veçanërisht i nxehtë këtë vit. A është edhe klima politike në vend po aq e nxehtë sa temperaturat e larta të kësaj stine?

Gushti dhe, përgjithësisht, stina e verës, kanë qenë e janë një periudhë politikisht e qetë te ne. Të lodhur nga politika, të zhgënjyer nga politikanët, të irrituar nga sa kanë parë e dëgjuar për muaj të tërë në parlamentin e vendit, të bezdisur (deri në përçmim ndonjëherë) nga llogjet dhe marrëzitë që thonë “opinionistët” tanë (ata “të përhershmit”, “të kudogjendurit”, “të gjithëditurit” ose “gjithologët”, “brahmanët”e mediave, por edhe ata që u janë bashkuar së fundmi “analistëve profesionistë” në studiot e të gjithë televizioneve—pra të lodhur e të zhgënjyer nga të gjitha këto, njerëzit përpiqen të gjejnë prehje dhe çdo kënaqësi që ofron kjo stinë pushimesh. Përgjithësisht, si kudo, gushti është një moratorium në politikë. Kushdo që i ka mjetet dhe mundësitë ekonomike është larguar për pushime, brenda ose jashtë vendit. Ata që nuk i kanë mundësitë, përpiqen që ta përballojnë vapën, të ndihmuar nga serialët e filmave turq (të cilët, për hir të së vërtetës, janë tepër joshës në këtë stinë) dhe përmes çfarëdo argëtimi “cheap” që mund të gjejnë. Fillimi i kampionatit anglez të futbollit këto ditë u jep të rinjve një mundësi për të shtyrë disa orë kohë në fundjavë. Çdo gjë duket e relaksuar, madje edhe trafiku i kryeqytetit dhe kafenetë a panumërta të tij. Qytetet janë përgjysmuar në njerëz, përveç atyre bregdetarë, popullsia e të cilëve është dy, tre ose katërfishuar.

Kjo situatë e relaksuar të krijon përshtypjen sikur askund nuk punohet, sikur jeta ekonomike ka stopuar, si një sahat që pret të kurdiset.A nuk ju duket edhe juve kështu?

Mund të duket sikur askund nuk punohet, veç në Tiranë. Bashkia e kryeqytetit, për të tretin vit radhazi, ka çelur kantjerë të shumtë pune në shumë lagje dhe rrugë të Tiranës. Këtë e sheh kushdo që lëviz me mjet ose me këmbë në kryeqytet. Është politika lokale ajo që ka rëndësi dhe kryetari i kësaj bashkie, thuajse instiktivisht, e ka kuptuar këtë më mirë se çdo politikan tjetër. Një qytet në të cilin punohet gjatë verës, është një qytet më i mirë për banorët e tij në stinët e tjera të vitit. Por nuk punohet vetëm në Tiranë. Aktiviteti ekonomik gjatë periudhës së verës mund të bjerë, por askund nuk ndërpritet. Bisnzeset e mëdhënj e të vegjël, ata prodhues dhe, sidomos, ata që aktivitet kryesor kanë tregtinë, nuk pushojnë së operuari. Për më tepër, vera gjallëron së tepërmi turizmin, i cili bëhet aktiviteti ekonomik kryesor gjatë kësaj stine.

Ju me të drejtë vini në dukje se Tirana vazhdon edhe në verë t’i ngjajë një kantieri të madh ndërtimesh. A është Tirana rasti që dëshmon suksesin e politikës së “rilindjes urbane” në Shqipëri, që Partia Socialiste e bëri kaq shumë flamurin e fushatës së saj elektorale pesë vite më parë?

Tirana sot është, pa dyshim, një qytet shumë më i mirë sesa tre vite më parë. Rrugët e saj dhe semaforët e tyre, parqet e shumtë, shëtitoret, shkollat, këndet e lojrave për fëmijë, trotuaret, vend-parkimet, linjat e autobuzëve urban, kilometrat që shtohen për çdo ditë të korsive për përdoruesit e biçikletave, veprimtaritë e shumta artistike e kulturore në mjedise të hapura publike—të gjitha këto i kanë dhënë dhe i japin kryeqytetit më shumë frymëmarrje dhe e kanë bërë Tiranën një qytet më të bukur, më të pastër, më joshës për të gjithë. Natyrisht, Tirana ka qenë dhe është lideri në transformimin e pejsazhit urban të vendit tonë, por jo i vetmi qytet që po ndryshon. Vlora (me lungomaren dhe dy bulevardet e mëdhenj të saj), Shkodra e Korça, Durrësi, Gjirokastra, Lushnja, Berati etj., kanë ndryshuar e po ndryshojnë brenda një kohe të shkurtër. Unë mendoj se kushdo që sheh me sytë e tij dhe i beson asaj çfarë sheh, nuk ka se si ta mohojë këtë transformim urban që po kryhet në vendin tonë, edhe nëse termi “rilindje” apo filozofia politike që e krymëzon atë nuk i pëlqen. Qytetet tona nuk janë ende—dhe s’do të mund të bëhen qytetet europianë që do të donim të ishin—por Tirana, Vlora e Durrësi nuk ndryshojnë shumë prej disa qyteteve në Itali, Greqi, Portugali, Hungari e gjetkë, madje janë shumë më të bukur sesa ata. Dikush që ka qenë në Shkup, në Sarajevë, në Ljubljanë, në Zagreb apo në Podgoricë mund të ketë vënë re se këta qytete nuk kanë dinamizmin që gjen në Tiranë. Nëse nuk flasim për monumentet dhe arkitekturën e kohës së Habsburgëve, pjesë të Tiranës sonë, e cila një shekull më parë nuk ishte veçse një fshat i madh ottoman, sot janë po aq, në mos edhe më të bukura sesa disa prej zonave të kryeqyteteve të tjerë të Ballkanit. Unë do të doja të shihja më shumë monumente e buste figurash të shquara historike të kombit tonë në sheshet e shumtë të Tiranës, më shumë shatërvanë, galeri artesh dhe institucione artistike, por kam besim se edhe këto do të vijnë.

Prof. Tarifa, ju keni jetuar e punuar për shumë vite me radhë në Holandë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe keni vizituar shumë vende të botës. Për këtë arsye, më habisni, por edhe më bëni të ndihem mirë kur dëgjoj nga ju këtë vlerësim për Tiranën dhe për disa nga qytetet tona. Mos vallë ky është patriotizëm dhe jo realizëm?

Le ta quajmë realizëm patriotik ☺. Do të ishte absurde ta krahasoja Tiranën me Nju Jorkun ose Uashingtonin, me Hagën dhe me qytete të tjerë në të cilët kam jetuar për një kohë të gjatë, ose me qytete ku kam qëndruar nga koha në kohë, këtej dhe andej Atlantikut, por që ta pëlqesh e ta duash një qytet nuk do të thotë që ai t’u ngjajë këtyre metropoleve, që, në fakt, janë qytet globalë (global cities). Një qytet, sidomos kur në të ke lindur, je shkolluar e je rritur, dhe me të cilin të lidh ngushtësisht—dhe emocionalisht—shumëçka që përbën eksperiencën tënde jetësore, atë që, në traditën fenomologjike të Husserl-it, që në sociologji e quajmë botë jetësore (Habermas e quan atë Lebensëelt), një qytet i tillë është për ty veçanërisht i pëlqyer dhe i dashur. Immanuel Kant, filozofi më i shquar i Iluminizmit Europian në shekullin e 18-të, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet prusian, Könisberg (sot Kaliningradi në Rusi), pa u larguar kurrë më shumë se disa kilometra jashtë tij. Krahasimi me qytetet europianë dhe amerikanë në të cilët kam jetuar nuk më ligështon për atë që Tirana nuk është e s’mund të bëhet dot, por më bën ta dua Tiranën për atë që ajo është dhe mund të bëhet.

Por, ne shohim për ditë se të rinjtë e lënë Tiranën me shpresë për një jetë më të mirë dhe për mundësi më të mëdha në Perëndim.

Ata që largohen nuk lënë Tiranën; ata lënë Shqipërinë. Në Tiranë, përkundrazi, me shpresën për një jetë më të mirë e për mundësi më të mëdha banorët e saj shtohen, madje, në një shkallë të tillë, sa shumëfishimi i popullsisë së saj 5-6 herë në këta 25 vitet e fundit (një rast pa precedent në asnjë vend tjetër europian), është bërë, në fakt, një dukuri sociologjike shqetësuese.

Ta ndërrojmë, për një moment subjektin. Flasim për politikën shqiptare. Dëgjojmë se vjeshta do të nisë me trazira e përplasje politike në Tiranë, madje ka zëra se konfrontimet mund të jenë të dhunëshme e mund të çojnë në rrëzimin e qeverisë së z. Rama. Mendimi juaj?

Gjepura! Ëndrra në vapën e gushtit të ndonjë gjoja-gazetari që duket se i ka rënë vapa në kokë. Përvoja e këtyre viteve na mëson—dhe arsyeja më thotë—se “rrëmuja e shtatorit” që “parashikojnë” disa “s’di-se-ç’janë” nuk është veçse një “pipe dream”. Kaq dhe jo më shumë.

Reforma në fushën e drejtësisë?

Jo shumë kohë më parë, jam shprehur në këtë gazetë se reforma në drejtësi duket dhe ndihet se po përparon. Vettingu është bërë kryefjala e saj dhe tema kryesore e ditës. Rezulatet e tij po i kalojnë shumë nga pritshmëritë që kemi pasur pasur për të, që kam pasur edhe unë vetë. Duke menduar se Vettingu është vetëm një process i parë, apo pararendës dhe njëherësh pjesë e reformës në drejtësi, unë besoj se kjo reformë do të ketë sukses. Suksesi i saj do të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë.

Le ta mbyllim këtë intervistë me një pyetje që ka të bëjë me debatin e nxehtë që zhvillohet këto ditë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, debat i cili mund të çojë në një përplasje fatale mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kryeministrit të saj, Ramush Haradinaj, si dhe në dështimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes tyre. Cili është mendimi juaj?

Unë nuk i njoh mirë pretendimet e njërës apo tjetrës palë. Por mund të kem se:

(1) Për një vend si Kosova, që vetëm dhjetë vite më parë u bë një shtet i pavarur, me sovranitet të plotë mbi territorin e vet, dhe për një shtet si Serbia, që e ka kuptuar se Kosovën, këtë krahinë autonome të dikurshme të saj, e ka humbur përfundimisht, çështja e kufijve mes tyre, e territoreve që besojnë se u përkasin dhe e popullsisë që jeton në to, është e një rëndësie jetike—një çështje jo vetëm ekonomike e politike, por edhe një çështje sigurie. Kjo do të thotë se trajtimi dhe zgjidhja e saj (nëse një zgjidhje mund të gjendet), kërkojnë prudencë dhe një diplomaci shumë të mençur.

(2) Zgjidhja e kësaj çështjeje nga pala kosovare i takon vetëm popullit të Kosovës dhe klasës së tij politike. Politikanë si Sali Berisha apo Besnik Mustafaj (me ose pa “Këshillin e Ambasadorëve që ai ka krijuar), nuk kanë përse përzihen në këtë çështje; i pari, për shkak të pabesisë së tij ndaj popullit të Kosovës dhe dëmit kolosal që i ka shkaktuar atij gjatë kohës së embargos ndërkombëtare të naftës ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, në mesin e viteve 1990; i dyti për shkak se ky individ nuk përfaqëson asgjë. Kosova nuk është e s’duhet përdorur nga politikanët e Tiranës dhe nga askush si një kartë politike.

(3) Unë bashkohem me vlerësimin që i bën kësaj çështjeje Prof. Rexhep Qosja, të cilin e vlerësoj si mendimtarin politik më të shquar të Kosovës dhe ndaj të njëjtin qëndrim me të.

(4) Duke qenë se politika është, në thelb, kompromis, asnjë çështje politike, përfshirë edhe korrigjimin eventual të kufijve mes dy shteteve nuk duhet konsideruar tabu. Nuk ka asgjë që nuk mund të negociohet, përveç interesit kombëtar. Në rastin ne fjalë, nëse qeveritë e të dy vendeve bien dakord ta rivlerësojnë dhe negociojnë çështjen e shkëmbimit të territoreve, ose të korrigjimit të vijës kufitare mes tyre në zona të caktuara, kjo edhe mund të pranohet, por, gjithnjë, me kushtin absolut, që interesi kombëtar i shqiptarëve të Kosovës të mos cënohet. Nëse nga një marrëveshje e tillë të dyja palët mbeten të kënaqura dhe Kosova nuk humbet më shumë sesa fiton, atëherë, pse jo, një marrëveshje edhe mund të arrihet. Fakti që këtë gjë e kërkon edhe Beogradi nuk do të thotë domosdo, siç pretendon Sali Berisha, që dikur, si President i Shqipërisë, i ka shërbyer Beogradit, se kjo është thjesht një lojë hileqare e serbëve kundër shqiptarëve të Kosovës.

(5) Nëse vendoset të shkohet në bisedime me serbët për këtë çështje, bazë e çdo marrëveshje të mundshme duhet të jenë (a) interesi kombëtar i shqiptarëve, (b) normat e së drejtës ndërkombëtare dhe (c) përvojat e ngjashme në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve të tjerë. Historia e Europës pas Luftës së Dytë Botërore njeh disa precedentë të ngjashëm, siç janë: (i) Marrëveshja dypalëshe mes Italisë dhe Zvicrës, e vitit 1952, për modifikimin e kufirit mes tyre në zonën e rezervuarit Lago di Lei; (ii) rikthimi, përmes një plebishiti mbarëpopullor, i rajonit të Saarit (në kufi mes Gjermanisë Perëndimore, Francës dhe Luksemburgut),Republikës Federale Gjermane, në vitin 1957; (iii) shkëmbimi i tre sipërfaqeve tokë dhe modifikimi i kufirit midis Hollandës dhe Belgjikës në Lumin Meuse në vitin 1961; (iv) rritja me rreth 383 ha (22% nga 2.2%) e pjesës së Lituanisë në Liqenin Vistytis nga një traktat dypalësh me Rusinë, në vitin 2003; (v) shkëmbimi i rreth 126 ha tokë mes Rusisë dhe Estonisë (në masë të barabartë), mbi bazën e një traktati dypalësh për kufijtë mes të dy vendeve, në vitin 2005; dhe (vi) rasti më i fundit, shkëmbimi mes Begjikës dhe Hollandës i një sipërfaqeje toke pranë municipaliteteve Lanaye dhe Oost-Maarland, që u bë fakt në janar të këtij viti. Precedentë të tillë më bëjnë të besoj se mundësia e një riorganizimi territoresh, pa cënuar interesin kombëtar të Kosovës nuk kapse shihet domosdo si një sakrilegj, apo si tradhëti kombëtare, por si një mundësi, në shekullit e 21-të, për të negociuar dhe zgjidhur përfundimisht në favor të interesave të shqiptarëve një çështje tepër të koklavitur në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sërbisë.

(6) Nëse një ide e tillë fiton terren, ajo duhej të ketë domosdo mbështetjen e shumicës së popullit të Kosovës dhe, prandaj, një referendum do të ishte mënyra më demokratike për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Intervistoi: Xhevdet Shehu

August 12, 2018 12:29
Komento

1 Koment

  1. ETHEM August 12, 13:39

    ANALIZE E SHKEKQYER NE D I T A E Z.TARIFA.PSE:
    -UBUBUT E OPOZITES SE NE VJESHTE DO BEHET HATAJA,SE QEVERIA RAMA 2 DO RREZOHET..ESHTE NJE ENDERR E 28 VJEÇARE E SALIMO
    TJES,I CILI TASHME PO I TREMBET SERIOZISHT VETINGUT NE DREJTESI E NE POLITIKE,KU SIPAS “PAMFLETIT”DO JET I PARI ME FAMILJEN E TIJ QE DO QE DO I KERKOHET LLOGARI PER KRIMET QE KA BERE NE KETO VITE TE SHQEVERISJES SE TIJ.
    -NE KETO 5 VITE TE QEVERISE RAMA TE GJITHA QARQEVE TE VEBDIT U KA NDRYSHUAR “FYTYRA”.VEÇ ATYRE QE CITON PROFESORI NDERUARE,FIERI ESHTE BERE MRREGULLIA E MYZEQESE,KU JANE BERE LULISHTE,SHATERVANE,LUNGOMARE,ETJ,KU I MADH DHE I VOGL NE MBREMJE NGRYSEN ATY DUKE URUAR ME GJITHE ZEMER KM RAMA SI VIZIONAR,PUNETOR E REFORMATOR,POR DHE KB.ARMANDO SUBASHI QE PO PUNON SI EDHE LALI ERI NE TIRANE.
    -PER REFORMEN NE DREJTESI UNE DHE DISA SHOK TE MI KEMI SHUME VREJTJE:-SE A.LLALLA NUK DUHEJ LENE JASHT KONTROLLIT TE VETINGUT,PASI HAP PRECEDENT PER POLITIKANET KUR TU VIJE RADHA,DUKE PERJASHTUARE ISHET E QEVERISJES SE VENDIT APO ATA AKTUAL.-SE ZAGANJORI,DEDJA E KO JANE ME TE KORRUPTUAR SE ATA QE NGELEN NE KLASE.-SE VETINGU PO ECEN SHUME NGADAL,E QE DO TE THOT SE SALIUT E KO NUK DO I VIJE RADHA E VETINGUT.
    -SA I PERKET DEBATIT THAÇI-BERISHA U VERTETUA SE ATO KRIME QE KA BERE SB I DI I GJITHE OPINIONI KOSOVAR POR DHE ND/KOMBRTAR.PRA,SB ESHTE NJE D E P O Z I T E ME HELME QE E PERDOR GJITHKUJT QE I INTERESON PER KAPITAL POLITIK,ESHTE FATKEQSI KOMBETARE QE NA E LA NE DERE SHPURA E UDB,PER TE CILEN AI KA 28 VITE QE PUNON PER TA E NE DEM TE VENDIT TON.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*