Energjia pa fashë…

Hysen Binjaku* November 8, 2014 10:32

Energjia pa fashë…

Në mjediset politike dhe jo vetëm, temë e ditës është: Do të rritet apo jo çmimi i energjisë elektrike. Opozita është kapur fort pas një shifre të Entit Rregullator të Energjisë dhe me atë kërkon të bëjë“namin”. Në fakt, mund të bëjë namin në keqinformimin e publikut për aq kohë sa mazhoranca nuk do të kundërpërgjigjet po me shifra.

Enti Rregullator i Energjisë ka thënë se 76.3% e abonentëve familjarë në kontratë me OSHEE kanë konsum brënda fashës mbrojtëse prej 300 KW në muaj. Opozita, kapur fort pas kësaj të dhëne, vjen në përfundimin se 2.1 milionë shqiptarë ose 525.000 familje, me heqjen e fashës mbrojtëse, do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike, pra, do të varfërohen më tej.

Nëse kjo shifër qëndron, opozita vërtet mund të bëjë namin. Por, për mendimin tim, nuk është aspak kështu. Në shifrën 76.3% të kontratave, që rezultojnë me harxhim nën fashën mbrojtëse, jo detyrimisht janë të 525.000 familjet, të varfra. Shifra e Entit Rregullator të Energjisë tregon që janë kaq kontrata ku fatura mujore tregon harxhim më pak se fasha mbrojtëse dhe asgjë më shumë.

Çfarë përfshin shifra76.3 % e kontratave, dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë?

Së pari, në këtë numër kontratash padyshim që përfshihen 203.000 kontrata të familjeve në nevojë: Familje me kryefamiljar pensionist, familje me përkrahje sociale, familje që kanë në përbërje të tyre një person me aftësi të kufizuar. Kryeministri ka deklaruar se këto familje do të rimbursohen (do të rritet pagesa aktuale që ato përfitojnë) në masën sa do të rritet edhe vlera e energjisë për harxhimin deri tek fasha mbrojtëse, pas heqjes së saj. Nëse nga shifra e opozitës heqim këto kontrata, numri i atyre me harxhim nën fashën mbrojtëse por që nuk merren në mbrojtje nga Qeveria, hipotetikisht, mbetet të jetë rreth 320.000 (treqind e njëzetëmijë).

Por, kjo shifër duhet të korrektohet. Dhe ja përse:

  1. 1. Në këtë numër kontratash janë të përfshira pothuajse të gjitha shtëpitë e dyta apo të treat që mjaft shqiptarë tashmë i kanë. Shtëpitë e dyta apo të treta përdoren për pushime apo fundjavë dhe në asnjë rast nuk mund të kenë, mesatarisht për dymbëdhjetë muajt e vitit, harxhim mbi fashën mbrojtëse. Sa të tilla mund të jenë? Nuk ka shifër të publikuar, por mund të jenë rreth 30.000 (tridhjetëmijë) të tilla.

2.Mjaft familje janë të shpërngulura nga fshatrat apo qytetet e tyre dhe janë vendosur në qytete të tjera të mëdha të vendit. Këto familje atje ku kanë shkuar kanë lidhur një kontratë energjie me OSHEE, por shumë prej tyre nuk i kanë shkëputur lidhjet me vendin nga kanë ikur, mbi të gjitha nuk i kanë shitur apo prishur shtëpitë e tyre, domethënë nuk kanë prishur kontratën e energjisë me OSHEE. Sa të tilla mund të jenë? Nuk ka shifër të publikuar, por mund të jenë rreth 50000 (pesëdhjetëmijë) të tilla.

3.Në këtë numër kontratash janë të përfshira mjaft shtëpi të emigrantëve, të cilët ua kanë lënë në ruajtje familjarëve apo të afërmve të tyre. Të gjitha këto shtëpi kanë kontratë energjie dhe harxhojnë nën fashën mbrojtëse. Sa të tilla mund të jenë? Nuk ka shifra, por di të them se në shkallën e pallatit ku unë banjo janë tri të tilla. Kështu që në gjithë vendin mund të jenë rreth 50000 (pesëdhjetëmijë) të tilla.

4.Në këtë numër kontratash janë të përfshira mjaft familje që “janë marrë në mbrojtje” nga faturistët e OSHEE. Ç’ndodh? Ka mjaft marrëveshje të “fshehta” midis faturuesve dhe familjarëve, me qëllim që faturimi të jetë nën fashën mbrojtëse dhe diferenca të ndahet midis tyre. Pra, këto kontrata nuk janë nën fashën mbrojtëse, por numërohen si të tilla. Sa të tilla mund të jenë? Nuk ka shifra, por le të bëjmë një llogaritje hipotetike. Në gjithë vendin thuhet se janë 600 (gjashtëqind) faturues të energjisë elektrike. Mesatarisht i bie që një faturues të ketë të paktën 1200 (njëmijë e dyqind) kontrata, por, për qytetet e mëdha, kjo shifër duhet të jetë më e madhe. Në këtë numër kontratash le ta zëmë se në 5% prej tyre bëhet marifeti i faturimit nën fashën mbrojtëse, kur ajo tejkalohet. Atëhere, po e rrumbullakosim, mund të jenë rreth 30000 (tridhjetëmijë) kontrata të manipuluara me qëllim zbritjen nën fashën mbrojtëse.

Nga sa më sipër, shifra fillestare e opozitës reduktohet në rreth 160.000 (njëqind e gjashtëdhjetë mijë) familje. Lind pyetja: Të gjitha këto familje, që konsumojnë energji elektrike më pak se fasha mbrojtëse, janë aq të varfra sa të mos e përballojnë dot heqjen e fashës? Nuk besoj. Shumica e tyre, për të mos thënë të gjitha, konsumojnë energji nën fashën mbrojtëse jo se janë të varfra, por se aq energji elektrike u nevojitet për të plotësuar nevojat në familje. Arsyeja është e thjeshtë: Mjaft familje përbëhen vetëm nga çifte bashkëshortore (me fëmijë të rritur dhe të ndarë nga trungu familjar) që janë aktivë në punë dhe kanë të ardhura mjaftueshëm; shumë familje janë të reja (të rinj sapo të martuar, ende pa fëmijë) që sigurisht punojnë dhe kanë të ardhura mjaftueshëm.

Përfundimisht, opozita ka “në dispozicion” të saj, “për të bërë namin”, shumë pak familje, dhe këto të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Nëse ajo, opozita, kërkon me të vërtetë të ngrejë në protestë shumë njerëz (aq sa duhen për të bërë “ namin”) duhet të gjejë tjetër argument. Varfëria që do të vijë nga heqja e fashës mbrojtëse për energjinë elektrike ndihmon për këtë qëllim, por nuk mjafton.

 

*Prof.Asoc.Dr. Hysen Binjaku është pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, UET

Hysen Binjaku* November 8, 2014 10:32
Komento

4 Komente

  1. mustafa November 8, 12:52

    Ky pedagogu i UET nuk më bind shumë. Shumë thjesht i ka bërë hesapet. Pa ma shpjego pak ti i mënçuri i Çilit, si mund t’ja dalë një familje ku kryefamiljari është papunësuar nga Rilindja, me dy fëmijë të vegjël dhe me kredi? A do të tatohen të ardhurat personale të bashkëshortit që punon me 15% pavarësisht faktit që kësti i kredisë kalon 60% të pagës? Je shumë i lodhur përfundimisht sa askush veç meje nuk të ka komentuar. Ta dish që të bëra nder.

    Reply to this comment
  2. LORA November 8, 13:19

    Nuk me interesojne piruetat e kampit brekedhjere per cmimin e energjise,,,as te kujtdo opinionisti,,,kam vete mend te gjykoj ,por me nje te dhene te domosdoshme; ate te intervalit ku gjykohet se do te varioje cmimi pas heqjes se fashes se kuserimit te energjise.
    Deri tani vetem kjo nuk thuhet ,ne zhurmimin e preferuar te Shqup-it dhe ate te lukunise mediatike qe e pason.
    Tendenca mediatike per te operuar ne terrenin e zhurmnajes eshte nje rrugaceri e plakur,24 vjecare, qe shperfill kriminalisht opinionin publik.U dhjefsha sojin.

    Reply to this comment
  3. Endri November 8, 14:53

    Hahahhah ky pedagogu qe nuk e vendos emrin ben nje analize qe minimalisht mund ta quash te njeanshme. Kur llogarit thote se MUND te jene 160 mij kontrata qe squhen keshtuqe le ti heqim nga analiza. Fjala mund eshte shume e bukur. Edhe Platini tha droni mund te kishte bombe dhe e pame rezultatin. Se dyti argumenton se pjesa tjeter kane te ardhura te mjaftueshme por nuk don vete te konsumoje me fashen 300kW. Edhe ky supozim shume interesant. Se treti nuk permend faktin qe do preken nga heqja e fashes edhe konsumatoret qe konsumojne mbi 300kW duke qene se do paguajne me shume, por me siguri edhe keto ne Shqiperine e pasur ku jetojme nuk e kane problem. Se treti harron te permendi qe te vetmit qe perfitojne nga mesatarizimi i cmimit do jene konsumatoret e medhenj me mbi 800-900kW te cilet do paguajne me pak por ne kete rast besoj se behet fjale me shume per biznese se per konsumatore famijare.

    Reply to this comment
  4. PalokCuca November 8, 18:13

    O Binjak, ja ke kepute krejt kot. Paske harrue edhe ate pak matematike per te cilen ke studiuar dikur!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*