Raporti autoteknik: Çfarë ndodhi me makinën e deputetit Olldashi

November 27, 2013 03:21

Raporti autoteknik: Çfarë ndodhi me makinën e deputetit Olldashi

EKSKLUZIVE/ Raporti Autoteknik i ekspertëve i administruar nga prokuroria. Çfarë karakteristikash kishte automjeti i Olldashit dhe në çfarë pozicioni u gjet në momentin e mbërritjes së policisë dhe ekspertëve. Përse eksperti autoteknik përcakton se në automjet mungonte alkooli i frenave ndërsa sqaron se depozita e alkoolit nuk ishte e çarë, por sipas tyre alkooli ka rrjedhur pas përmbysjes.

 

“DITA” ofron për herë të parë sot për lexuesit, pjesën e parë të Raportit Autoteknik të hartuar për hetimin e aksidentimit të deputetit Olldashi dhe fotot e automjetit që administrohen në këtë raport të organit të akuzës.

Ky raport ka një rëndësi të veçantë. Ai nuk është thjesht një akt-ekspertimi apo kqyrje e një detaji apo e një prej faktorëve të aksidentit, por raporti autoteknik, është në fakt shumatorja e hetimit shkencor dhe teknik të shkaqeve të aksidentit. Ndaj dhe, ekspertët autoteknik, përpara se të bënin matjet dhe konkluzionet e tyre kanë parë dhe studiuar edhe disa raporte të tjera siç janë, procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, apo dhe rezultatet e raportit të mjekësisë ligjore. Në thelb ekspertët autoteknikë i janë përgjigjur 5 pyetjeve konkrete të bëra nga prokuroria, ku nga studimi i pyetjeve në fjalë del në pah dhe vlera e posaçme e këtij raporti autoteknik, pasi organi i akuzës ka pritshmërinë që nga ky raport të gjejë  atë që prokuroria e quan si “shkakun determinant të aksidentit”.

Gjëja e parë që të bie në sy nga shfletimi i raportit është fakti se makina “Olldashit” është gjetur e kthyer përmbys. Pra me “gomat përpjetë”, ndryshe nga sa mendohej se automjeti ishte batuar dhe ishte gjetur “brinjazi”.  Në pyetjen e parë të këtij raporti prokuroria kërkon informacion për gjendjen e automjetit. Përgjigja e ekspertëve, tërheq posaçërisht vëmendjen sa i takon çështjes së alkoolit të frenave. Ekspertët autoteknikë (duke konsultuar dhe procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes), kanë konstatuar se depozita e alkoolit të frenave të automjetit nuk  kishte alkool. Nga ana tjetër rezulton se depozita vetë nuk kishte pësuar ndonjë çarje gjatë batimit dhe përmbysjes së automjetit. Por ekspertët autoteknikë thonë se ka rezultuar se alkooli ka rrjedhur gjatë përmbysjes së mjetit, pa shpjeguar në mënyrë të qartë se si ndodhi kjo rrjedhje.

Një tjetër element që lidhet me alkoolin është konstatimi që sasia e alkoolit sipas këtij raporti është konstatuar “e rrjedhur” në vendin e ngjarjes, por në raport nuk figuron asnjë tabelë sinjalizuese e skenës së aksidentimit (tabelat hetimore të verdha me numra rendor që vendosen në një skenë krimi ose aksidenti nga hetuesit dhe ekspertët)që t’i jetë dedikuar vendit ku ka rrjedhur alkooli. Janë rreth 16 tabela të tilla të sinjalizim-orientimit në skenën e aksidentit, ka dhe një tabelë të posaçme të vendosur në vendin ku është gjetur stema e Mercedesit, por nuk figuron një tabelë sinjalizuese-orientuese hetimore në vendin e pretenduar për rrjedhjen e alkoolit. Në dosjen e ekspertimit autoteknik një referencë e tillë mungon.

Më së paku, këto mungesa justifikojnë një sqarim më të detajuar mbi këtë “detaj” të aksidentit, alkooli i frenave është element tepër i rëndësishëm në një situatë të hetimit të aksidentit. DITA ofron të plotë, fjalë për fjalë, të gjithë përgjigjen e ekspertëve autoteknikë për sa i takon gjendjes së automjetit dhe çështjes së alkoolit të frenave. Në numrin e ardhshëm gazeta do të ofrojë dhe përgjigjet tepër të rëndësishme të ekspertëve autoteknikë dhe shpjegimet e tyre se si ndodhi dinamika e aksidentit, shpjegimet e tyre shkencore se si u realizua goditja fatale në kokë e Sokol Olldashit, por edhe pasiguritë e ekspertëve në lidhje me garancinë shkencore për shkaqe apo faktorë “të panjohur” që kanë detyruar mjetin të dalë nga rruga.

 

“RAPORTI AUTOTEKNIK”

Më poshtë është pjesa e parë e raportit për aksidentin:

Më datën 20 Nëntor 2013 rreth orës 22:00, në segmentin rrugor të rrugës interurbane dytësore Elbasan-Tirane ne Krrabë pranë vendit të quajtur fshati Mushqeta tek Lapidari, pranë varrezave të këtij fshati, ka ndodhur një aksident ku është i përfshirë:

-Automjeti tip autoveturë e markës “Mercedes Benz”, me targa AA 003 HN, i drejtuar nga shtetasi Sokol Olldashi dhe që lëvizte në segmentin rrugor të rrugës interurbane dytësore Elbasan-Tiranë.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën  drejtuesi i autoveturës, shtetasi Sokol Olldashi.

Nga ana e ekspertëve u studiua dosja hetimore në të cilën ndodheshin:

1. Procesverbali i këqyrjes  së vendit të ngjarjes

2. Skica e vendit të ngjarjes

3. Procesverbali i këqyrjes së mjetit

4. Raporti mjekoligjor

 

I studiojmë një nga një këto dokumente.

1- Procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes

Vendi i ngjarjes ndodhet në segmentin rrugor të rrugës interurbane dytësore të fshatit Mushqeta pranë Krrabës, në segmentin rrugor Elbasan-Tiranë, vendi i ngjarjes kufizohet:

-në veri me vazhdimin e rrugës për në Tiranë;

-në jug me vazhdimin e rrugës për në Elbasan;

-në lindje me varrezat e fshatit;

-në perëndim me banesat e shtetasit A.Tari.

(Përmbledhja e tabelave në skenën e ngjarjes, eksperti e citon nga procesverbali i këqyrjes së vendngjarjes shën.redaks)

Rruga në vendin e ngjarjes është e shtruar me asfalt, me pjerrësi nga jugu në veri (Elbasan–Tirane) në anën lindore karrexhata kufizohet me një shpat të pjerrët i cili përfundon në rrugën e cila të çon tek varrezat e fshatit. Karrexhata ka një gjerësi prej 7 metër, në vendin e ngjarjes(ilustruar me tabelën me nr.1) është shënuar fillimi  i një gjurme streçimi e cila është në bankinë dhe përfundon jashtë bankinës (e ilustruar me tabelën me  nr. 3) ,  ku distanca mes tabelave 1-3  është 10,9 m. Po kështu me tabelën me nr.2 është shënuar fillimi i një gjurme tjetër streçimi, fundi i të cilës është ilustruar me tabelën me  nr.4 dhe ka gjatësi mes tabelash nga 1-4 është 11,4 m. Po kështu me tabelën me nr.5 është ilustruar fillimi i një gjurme tjetër streçimi fundi i së cilës është shënuar me tabelën me nr.7. Gjatësia mes tabelave 5-7 është 5,2 m.   Me tabelën me nr.6 është shënuar delinator i thyer dhe me tabelën me nr.7 është shënuar dalja nga bankina, me tabelën me nr.8 është shënuar fundi i shtypjes së shkurreve, ndërsa me tabelën me nr.9 janë shënuar copa plastike. Me tabelën me nr.10 jane dhënë mbetjet e indeve. Me tabelën nr.12 është ilustruar baxhaja e autoveturës tip benz e gjakosur, ndërsa me tabelën nr.13 është ilustruar gjurma ne skarpate. Po kështu dhe gjurma tjetër në skarpate është shënuar me nr.14. Ndërsa me tabelën me nr.15 janë shënuar fundi i copave të xhamave dhe me tabelën me nr.16 është shënuar tabela e stemës së benzit.

Si pikë referimi P.0(Pika e qendrës së sistemit kordinativ orientues, pika Zero, shën.redaks) u mor degëzimi i rrugës në anën lindore pa arritur tek kthesa ku ka dalë mjeti dhe si pikë e dyte referimi e shënuar me P.02 është marrë cepi veri-lindor i  degëzimit të rrugës së varrezave të fshatit .

 

Skica e vendit të ngjarjes

Në skicën e vendit të ngjarjes jepen relacionet në termat e distancës se elementeve të lëvizshëm dhe të palëvizshëm të fiksuar në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor nga të cilat janë:

-Rruga në vendin e ngjarjes është e shtruar me asfalt, e lagësht dhe ka një gjerësi 7 m;

-Në të dyja anët ka bankina, ku në anën lindore bankina është  me gjerësi 2,2 m dhe më pas vjen shpati i  pjerrët;

-Ky segment rrugor është rrugë interurbane dytësore, dhe kishte përvijues plastik për kufizimin e rrugës si edhe tabela vertikale të cilat tregojnë segmentin vijëpërkulur të rrugës.;

-Si pikë referimi P.0 u mor cepi juglindor i degëzimit pa ardhur tek vendi i ngjarjes, ndërsa si pikë e dytë e referimit u mor cepi i degëzimit veri lindor i rrugës së varrezave me  rrugën  kryesore.

Për të pasur elemente të plotë për gjykim, Prokurori pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor  Tiranë, z.Ramadan Troci vendosi të caktonte si ekspertë Ing.Artur Sulçe dhe Ing.Kastriot Yzeiri, Ing.Arjan Janku dhe Ing.Donetin Papa  për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme:

1. Cila është gjendja teknike e automjetit me targë AA 003 HN para dhe pas ndodhjes së aksidentit, referuar këqyrjes së mjetit, këqyrjes së vendit të ngjarjes si edhe dokumentacionit të mjetit?

2. Cila është kinematika dhe dinamika e aksidentit ku ka mbetur i vdekur shtetasi Sokol Olldashi?

3. Referuar të dhënave teknike të automjetit, e pajisjeve elektronike të inkorporuara në të, a ka lënë gjurmë në spidometrin (shpejtësimatësen, shën.redaks) e tij se sa ka qenë shpejtësia e lëvizjës së tij në momentin e ndodhjes së aksidentit?

4. A konstatohen shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor  në aksidentin e ndodhur,  nëse po cilat janë ato dhe nga kush janë shkelur?

5.Cila është sjellja e drejtuesit të mjetit në raport me sinjalistikën vertikale dhe horizontale të ndodhur në këtë segment rrugor ku është vërtetuar aksidenti?

6.  Cila prej shkeljeve ka lidhje të drejtpërdrejtë me ardhjen e pasojës, pra cili është shkaku determinant i shkaktimit të aksidentit?

 

Në lidhje me pyetjen nr.1: Cila është gjendja teknike e automjetit me targë AA 003 HN para dhe pas ndodhjes së aksidentit, referuar këqyrjes së mjetit, këqyrjes së vendit të ngjarjes si edhe dokumentacionit të mjetit?

Përgjigja jonë është:

Për të gjykuar  mbi gjendjen teknike të mjetit para aksidentit do të gjykojmë mbi bazën e certifikatës së kontrollit teknik e cila rezulton brenda afateve ligjore, çfarë do të thotë se automjeti para aksidentit ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Mjeti pas aksidentit u gjet i pa lëvizur në vendin e ngjarjes. Nga ana jonë u kontrollua dhe u provua funksionimi i sistemit të drejtimit shoqëruar dhe me fotografi u konstatua se i gjithë sistemi i drejtimit në të gjithë elementet përbërës së tij; volanti; grupi i timonit; paralelet; kokat e zbarave, janë të rregullta. Gjatë këqyrjes së pjesës së brendshme të mjetit pasi u hap kofano e tij u konstatua se depozita e alkoolit të frenave ishte e zbrazët. U verifikua se kjo depozitë pas përplasjes nuk është e çarë dhe alkooli ka rrjedhur pasi mjeti është përmbysur. Pas kontrollit të sistemit të frenimit të mjetit u kontrolluan dhe elementet e tjerë dhe nuk rezultoi se ka probleme. Gjatë manovrës së bërë nga ana e manovratorit të kareoatrecit në prezencë dhe të Prokurorit nga vendosia e ganxhës në paralelin e anës së djathtë kjo e fundit u këput. Theksojmë se në momentin e këqyrjes kur mjeti qe i pa lëvizur sistemi i drejtimit funksiononte normal.

November 27, 2013 03:21
Komento

4 Komente

  1. Shkodrani November 27, 20:06

    Me keqardhje por kemi te bajm me precedentin Trebicka

    Reply to this comment
  2. rising star November 27, 20:28

    sali berisha (urdherues i vrasjes) ket e kan hyp ne makine te vdekem edhe e kan shty ne ferra kjo eshte shume banale si histori per tu besuar .duhen fbi forensics dhe do dali qe ska qene aksident por vrasje e paster.

    Reply to this comment
  3. arbri November 27, 21:44

    ne makin me olldashin kan qen vrasesit etij ate ekan vrar dhe ekan leshuar makinen tatepjet. por ata kan ber nje gabim duet te kishin qetur nje vent tjetr me te veshtir qe te besoshe si aksitent.mjer ai oe iku dhe mjer ai qe e ka radhen pas tij. familjaret e olldashit duhet tandjekin vet kete vrasje ne qoft se ju thimset biri tyre mos blien me lek .sic u blen familjaret e azem hajdarit nka vrasesi e krimineli sali berisha.

    Reply to this comment
  4. ty November 28, 14:21

    ok 2 jane kriminelat 2b

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*