Enveri në takim me Stalinin! Tito dhe grekët po rrezikojnë Shqipërinë!

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 8, 2013 12:47

Enveri në takim me Stalinin! Tito dhe grekët po rrezikojnë Shqipërinë!

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(11)

Arkivat sekrete ruse

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Vizita e Enverit në Moskë dhe apeli urgjent i 19 nëntorit 1949: “Tito dhe monarko-fashistët po rrezikojnë Shqipërinë, ju lutem ndërhyni!” Lista e ndihmave ekonomike që Enver Hoxha i kërkon Stalinit lidhur me forcimin e rolit të Partisë, zhvillimin e industrisë dhe të bujqësisë.

 

 

Enver Hoxha: Tito dhe Rankoviçi synojnë të tërheqin shqiptarë në territorin e tyre, që të krijojnë grupe sabotatorësh e diversantësh. Monarko-fashistët dhe titistët po bashkërendojnë aktivitetin armiqësor kundër vendit tonë. Ne po asgjësojmë mbeturinat e banditëve, të cilët enden në malet tona, duke asgjësuar bazën e tyre, që kryesisht janë kulakët.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Pas prishjes me Titon, refuzimit të jugosllavëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, (premtim i bërë nga Tito) me pretekstin se ‘nuk është situata e favorshme’, Enver Hoxha i shkruan Stalinit dhe shkon në Moskë për situatën e rënduar të shqiptarëve në Kosovë e Metohi, diskriminimin e tyre dhe kërkon ndihmën e rusëve. Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), Hoxha raporton në Moskë dhe për problemet e tjera me të cilat përballet Shqipëria.

 

(Letër përcjellëse e V.G. Grigorian drejtuar J. V. Stalin së bashku me letrën e përkthyer nga frëngjishtja të Enver Hoxhës drejtuar udhëheqësit sovjetik)

Moskë, më 16 nëntor 1949                       

Tepër sekret

Shokut Stalin! 

Ju paraqes letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë shokut Enver Hoxha, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Pan sovjetike (Bolshevike) në emër të shokut Stalin, të përkthyer nga gjuha frënge.

Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të KQ të PKPS(B)

V. Grigorian

16 nëntor 1949

Përkthim nga frëngjishtja

 

KOMITETIT QENDROR TË PARTISË BOLSHEVIKE

Shokut Stalin

Moskë

Shokë të dashur!

Kam ardhur në Moskë, që të parashtroj para jush problemet e mëposhtme, të cilat shqetësojnë Komitetin tonë Qendror dhe në të njëjtën kohë, të marr këshillën tuaj të çmuar.

 

I. Problemi grek

Midis Byrosë Politike Greke dhe Byrosë tonë Politike ka mosmarrëveshje parimore, të cilat kanë të bëjnë me vijën e Partisë Komuniste Greke, si dhe me zhvillimin e luftës çlirimtare në Greqi. Ne tashmë i kemi parashtruar këto mosmarrëveshje në dy letrat tona, drejtuar Komitetit Qendror të partisë bolshevike. Mendimet e vërejtjet tona, bërë shokëve grekë, kanë marrë rëndësi veçanërisht të madhe, kur shokët greke filluan të përjashtojnë mundësinë e çfarëdolloj gabimesh parimore në punën e tyre të partisë dhe në zhvillimin e luftës çlirimtare. Shokët grekë ia ngarkojnë këtë humbje shkaqeve, të cilat pa asnjë dyshim kanë rëndësinë e tyre, por ata nuk duan të shohin gabimet e tyre, të cilat, për mendimin tonë, janë jashtëzakonisht serioze. Sjellja e shokëve grekë ndaj nesh jo vetëm nuk është sinqerisht miqësore, por edhe tepër e dyshimtë. Ndaj tyre janë shtuar fakte të reja, për të cilat tashmë kemi njoftuar në letrat tona drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Bolshevike dhe një gjë e tillë në sytë tanë e bën qëndrimin e veprimin e tyre akoma edhe më të dyshimtë. Nisur nga rëndësia e jashtëzakonshme e këtij problemi, ku nuk përjashtohet mundësia e gabimeve në vlerësimin e situatës nga ana jonë, do të dëshiroja t’u parashtroja këtë çështje delikate dhe kërkoj ndihmën dhe këshillën tuaj lidhur me vijën që ne duhet të ndjekim në lidhje me problemin grek.

 

II. Gjendja e brendshme në Shqipëri

Momentet e vështira, të krijuara për këtë çështje nga monarko-fashistët e titistët, të cilët veprojnë me urdhër të imperialistëve amerikanë e anglezë kundër vendit tonë, u kaluan me sukses, në sajë të ndihmës së madhe të Bashkimit Sovjetik dhe patriotizmit të popullit tonë, si edhe të partisë e ushtrisë së vendit tonë. Kjo ishte një sprovë e vështirë, nga e cila mësuam shumë, pasi na tregoi se ku konsistojnë gabimet tona, që kanë nevojë për korrigjime, si edhe sukseset e arritura nga partia e populli ynë, të cilat, ne duhet t’i forcojmë e t’i çojmë më tej. Ushtria jonë përballoi mirë goditjen si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga pikëpamja e trimërisë dhe e patriotizmit. Pavarësisht nga mungesat qe ende ekzistojnë në ushtrinë tonë, ajo ka arritur suksese të mëdha, në sajë të ndihmës së instruktorëve sovjetikë me eksperience dhe veçanërisht të shokut kolonel Lebjedev, i cili, në saje të njohurive të mëdha ka qenë gjithmonë dhe në mënyrë të veçantë në momentet e vështira të kësaj vere, një ndihmës i paçmuar për mua dhe gjithë Shtabin tonë të Përgjithshëm.

Në periudhën e vështirë të kësaj vere, patriotizmi i masave ka qenë shumë i madh. Besimi i Partisë tonë ndaj Bashkimit Sovjetik ka qenë i palëkundur. Puna subversive e armikut të brendshëm ka pasur pak sukses. I gjithë populli është në këmbë për çështjen e tij të drejtë. Pikërisht, në këtë periudhë amerikanët, duke vepruar nëpërmjet Italisë, hodhën një grup diversantësh-parashutistë në jug e në veri të Shqipërisë. Një pjesë të këtyre diversantëve i vramë, të tjerët i kapëm rob. Duke parashikuar ndërlikime në kufirin tonë jugor, ne u morëm me spastrimin e pjesës veriore të Shqipërisë nga bandat dhe banditët e zakonshëm politikë, të udhëhequr nga Rankoviçi. Këto banda, që paguheshin nga jugosllavët, kryen disa atentate. Spastrimi ynë u krye me sukses: disa i vramë, kurse të gjithë të tjerët kaluan në territorin jugosllav, ku ndodhen aktualisht. Politika e Tito-Rankoviçit për të tërhequr shqiptarë në territorin e tyre, që të krijonin prej tyre grupe sabotatorësh e diversantësh, pësoi disfatë. Në kohën e tashme konstatohen shumë pak kalime ilegale të kufirit. Qeveria jonë ka marrë masa ekonomike, ndërsa puna politike e organizative e partisë është forcuar. Imperialistët jashtë kufijve tanë përgatitin diversantë – monarko-fashistët nga njëra anë, kurse titistët nga ana tjetër. Edhe italianët nuk mbeten prapa tyre. Plani ynë aktual konsiston në asgjësimin e mbeturinave të banditëve, të cilët enden në malet tona, dhe ne tashmë kemi krijuar kushte shumë të vështira jetese për ta, duke asgjësuar bazën e tyre, që kryesisht janë kulakët. Shumica e grupimeve reaksionare në qytete është e njohur nga organet e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë arritur rezultate e suksese pozitive.

Partia jonë përmirësoi gjendjen në Ministrinë e Punëve të Brendshme – ish vatrën e titistëve. Sigurimi i Shtetit u bë armë shumë e fuqishme e Partisë tonë. Gjeneral Mehmet Sheu[1] është një drejtues i çmuar, dhe në këtë detyrë të ndërlikuar e të vështirë atë e ndihmon këshilltari sovjetik shoku Gllaskov. Ne bëmë mobilizim të ri. Gjithçka shkoi mirë. Stërvitja e rekrutëve fillon më 1 dhjetor. Partia i ka vënë vetes detyrë që në mars, të jetë në pozita më të forta për të thyer e likuiduar goditjet e përpjekjet e mundshme nga ana e armiqve tanë të shumtë.

Ne, kemi shumë mungesa e vonesa në punën tonë organizative e politike të partisë e të shtetit, gjë që ka ndikuar në shkallë të konsiderueshme në realizimin e planit tonë ekonomik. Ne nuk realizuam planin ekonomik të këtij viti, kryesisht në industrinë e naftës, në prodhimin e kromit, bakrit, bitumeve. Ne morëm të korra të mira në misër. Rezultatet e planit tonë për kulturat teknike janë të këqija. Këtë vit, ne nuk mund t’i realizojmë detyrimet që kemi marrë para Bashkimit Sovjetik, dhe pa ndihmën e madhe që ai na jep. Na vjen shumë turp, dhe provojmë vrarje të ndërgjegjes, por e tillë është situata. Partia e populli ynë mobilizojnë të gjitha forcat për të kapërcyer këtë pengesë. Në pikëpamje ekonomike, fillimi i këtij viti ishte shumë i vështirë për popullin tonë, por tre muajt e fundit situata ekonomike është përmirësuar ndjeshëm, në sajë të ndihmës që na kanë dhënë Bashkimi Sovjetik dhe vendet e demokracive popullore. Financat tona janë përmirësuar ndjeshëm. Ne kemi përmirësuar kushtet e jetesës së punonjësve tanë, megjithëse ende duhet të bëjmë shumë në këtë drejtim. Neve na është dashur të riorganizojmë rrënjësisht të gjithë aparatin tonë shtetëror, ndërmarrjet, kooperativat etj., dhe mendojmë se kemi bërë një punë të madhe dhe e gjithë kjo në sajë të instruktorëve e këshilltarëve sovjetikë, të cilët na ndihmojnë me të gjitha forcat me sinqeritet e me zemër të hapur.

Partia jonë forcohet nga dita në ditë. Në partinë tonë të re ka shumë vullnet e guxim. Niveli ideologjik e kulturor i partisë tonë është i ulët, por ekziston dëshira e madhe për të punuar. Ne punojmë në këtë drejtim për të përmirësuar situatën. Ne kemi shumë mangësi në punën e Partisë tonë, por në sajë të përvojës së pakufishme të Partisë Bolshevike, ne do t’i korrigjojmë këto mangësi. Ju lutemi Shoku Stalin, të na dërgoni një shok nga Partia Bolshevike për të na ndihmuar ne, udhëheqësve të Partisë së Punës të Shqipërisë në problemet partiake. Shpreh këtu dëshirën e të gjithë Komitetit tonë Qendror dhe timen personalisht.

Kështu është në vija të përgjithshme situata e brendshme e vendit tonë. Ne do të vëmë të gjitha forcat me qëllim që, partia jonë të përmirësojë rezultatet e punës së saj dhe të forcojë më shumë fitoret e popullit tonë, dhe të jetë plotësisht e denjë për ndihmën e madhe

Që ju na jepni. Unë do të dëshiroja shumë, shoku Stalin, të vija në dukje atë ndihmë që na jep çdo ditë shoku Çuvahin dhe gjenerali Sokolov, të cilët janë miq të dashur e besnikë të popullit e partisë tonë.

Situata ndërkombëtare ushtron ndikim të madh në situatën tonë të brendshme dhe prandaj, shoku Stalin, ju lutem juve, në qoftë se keni mundësi të më thoni se cili është këndvështrimi juaj mbi gjendjen ndërkombëtare të Shqipërisë.

 

III. Për një zhvillim akoma më të madh të ekonomisë tonë

dhe shoqatave dypalëshe shqiptaro-sovjetike.

Në vendin tonë ka pasuri minerare, të cilat nuk shfrytëzohen. Grupi i shkencëtarëve e gjeologëve, që qeveria sovjetike do të dërgojë këtë vit, do të përcaktojë vendin e sasinë e tyre. Përveç kësaj, ne kemi miniera nafte, kromi, bakri etj. Sipas të dhënave paraprake të specialistëve sovjetikë, të cilët ndodhen në Shqipëri, ne kemi rezerva të mëdha nafte, bakri e kromi, pa folur edhe për bitumin natyror. Në sajë të kredive, të akorduara nga qeveria sovjetike, ne kemi përmirësuar shfrytëzimin e këtyre pasurive kombëtare. Një gjë e tillë është e pamundur të kryhet me forcat tona dhe me ato mjete që kemi në dispozicion. Një pjesë e madhe e kredive, që na ka akorduar qeveria sovjetike dhe vendet e demokracive popullore, janë përdorur për të përmirësuar në shkallë të caktuar, shfrytëzimin ekzistues. Një gjë e tillë do të çojë në atë që, nga njëra anë, ne nuk mund të përdorim, siç do të donim, pasuritë tona minerare, si ato që shfrytëzohen ashtu edhe ato të pritshme dhe nga ana tjetër, nuk mund të aktivizojmë degët e tjera të industrisë. Le të përmendim minierat ekzistuese. Plani ynë i këtij viti nuk u realizua. Ekzistojnë shumë mungesa organizative të partisë tonë, por ka edhe shumë sabotime sistematike të jugosllavëve, na mungojnë gjithashtu energjia elektrike e specialistët e nevojshëm. Vetëm për uzinën e re të përpunimit të naftës, që na është dhënë nga qeveria sovjetike, të cilën do ta vëmë në shfrytëzim vitin tjetër, na duhen 50 inxhinierë-specialistë, pa përmendur inxhinierët e tjerë të përpunimeve minerare në Kuçovë e Patos që na mungojnë. Për nxjerrjen e kromit, i cili ndodhet në sipërfaqe në satira të mëdha, na mungojnë krejtësisht mjetet e transportit dhe pajisje të tjera të domosdoshme. E njëjta situatë është edhe me mineralin e bakrit. Në qoftë se do të kemi parasysh zbulimet minerare të ardhshme, të dhëna mbi të cilat do të na japë grupi i shkencëtarëve sovjetikë, të cilët po e studiojnë këtë çështje në terren, ne me forcat tona nuk mund ta bëjmë këtë punë, gjë e cila do të përbënte një interes të madh për të ardhmen e popullit tonë dhe kampit të socializmit.

Byroja jonë Politike është marrë me studimin e kësaj çështjeje dhe arriti në konkluzionin se në drejtim të shfrytëzimit të vendburimeve të naftës e bakrit, si dhe të shtresave të kromit – në qoftë se ne nuk do të marrim mjete transporti, pra në rast të kundërt, në rastin më të keq, mund t’i shfrytëzojmë vetë këto të fundit – i lutemi qeverisë sovjetike të krijojë shoqata të përbashkëta për këto tri degë të industrisë. Ne mund ta parashtrojmë këtë problem në Këshillin Ekonomik, por më parë se ta bëjmë këtë gjë, do të dëshironim të dinim mendimin tuaj, Shoku Stalin. Ne do të bëjmë atë që do të na këshilloni Ju. Ne jemi plot dëshirë e vullnet për të krijuar këto shoqata me Bashkimin Sovjetik. Kjo do të jetë ndihmë kolosale që Bashkimi i madh Sovjetik i jep përsëri popullit tonë dhe ndërtimit të socializmit në vendin tonë. Vendi ynë i vogël, nga ana e tij, do të verë gjithçka që ka në shërbim të forcimit të kampit tonë të socializmit. Ne mendojmë se populli ynë në këtë ndihmë të madhe të Bashkimit Sovjetik, sheh shpëtimtarin e tij të madh e të përhershëm, sigurimin e mirëqenies, garancinë e lirisë e pavarësisë së tij, përgjithmonë të konsoliduar nga Bashkimi Sovjetik, Partia Bolshevike dhe Shoku i madh STALIN, ndaj të cilëve ushqen ndjenjën e dashurisë së thellë e besnikërisë së pakufishme.

Me lejoni, shoku Stalin, t’u shpreh Juve dashurinë tonë të madhe e besnikërinë tonë të pakufishme në emër të gjithë popullit tonë, të gjithë partisë tonë dhe në emrin tim personal.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

Enver HOXHA

Moskë, më 16 nëntor 1949

Përkthyen – Basova, Gornung

(Burimi: SF VE, T. II, AP RF. F. 3. Op. 64. D. 46. L. 61-68. Nr. 74. Origjinal).

 

(Vijon nesër)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Arkivat sekrete ruse. Informacion sekret dhe shkresa përcjellëse e datës 3 prill 1950 që Mehmet Shehu, nëpërmjet Kishinjevskit i dërgon Stalinit  lidhur gjendjen e emigracionit jugosllav në Shqipëri

-Sa emigrantë jugosllavë (oficerë të UDB-së, nëpunës shteti, etj) ishin në Shqipëri dhe roli i tyre në situatën konfliktuale Shqipëri-Jugosllavi.

-Kush ishin shtetasit jugosllavë që u dënuan nga drejtësia shqiptare dhe aktiviteti i tyre armiqësore në dëm të interesave të shqiptarëve në Shqipëri e në trojet shqiptare jashtë kufijve.

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 8, 2013 12:47
Komento

2 Komente

  1. Ura e Bunës August 8, 14:24

    Duket qarte kush jane jugosllavet dhe greket!Perhere në pengese te kombit shqiptar!Duhet kuptuar perse ne Shqiperi edhe sot ka shume agjente te ketyre shteteve qe kane diktuar per me shume se 25 vjet Shqiperine!…Pershembull PENECILINA ka kohe i deklaruar sherbetor i tyre.Gjer dhe gruan e morì me nje kontrate te turpshme!….Ka shume dhe duhen publikuar!Bravo Dita!

    Reply to this comment
  2. Reali August 8, 16:56

    Jam plotesisht dakord me ju ‘Ura e Bunes’. Po ja vlene qe keto arkiva (pjese..) qe boton ‘Diat’ te lexohen se i pasqyrojne ne shume raste ngjarjet jo sic jane vleresuar ne Shqiperi gjate afro 70 viteve….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*