EPIGRAME

June 9, 2017 18:28

EPIGRAME

1. Pa titull
Që nga dita e krijimit,
e gjithë jeta është në gjyq,
se dhe m’i miri njerëzimit,
u gozhdua keq në kryq!
Kur dhe Krishti u gozhdua,
ç’mbeti për ty e për mua?!

2. Pusi më i errët!
Është një thënie,
sa Bota e herët:
“Zemra është,
pusi më i errët!”

3. Kush del në krye
Ashtu si në breg,
mbeturinat nxjerr lumi,
shpesh herë në krye,
ngjitet llumi!

4. Rendi i Ri
Këtu mbretëron anarkia,
për asgjë nuk ka as rend-as rregull,
ndaj shtëpisë sonë të mjeruar,
për çdo ditë i bie nga një tjegull..
Dhe kuptohet-ky është veç fillimi,
i atij që quhet Rend i Ri,
kështu si ka nisur-s’ka pikë diskutimi,
s’do kemi as themele-as çati!

5. Pa titull
Flet e flet si nëpër gjumë,
thua: “Jeta qënka dreq,
për ata që bën më shumë,
ata ta fusin më keq!”

6. Jeta
Jeta është si një cigare,
andej hi e këtej tym,
cigare që duhet pirë,
gjer në fund-o miku im!

7. Të jesh barabar!
Që në jetë me këdo,
të jesh barabar,
plumbit me plumb,
zjarrit me zjarr
Këto janë gdhëndur,
kudo si me daltë,
helmit me helm,
mjaltit me mjaltë!

8. Ëndrrat
Nëpër ëndrra kam prirje gjeniu,
bëhem Zot edhe Perëndi,
ëndërrimet po mos kish njeriu,
do të qe si jeta pa rini!

9. Koka e gjarprit
Gjarpri s’ka qeder kur i pret bishtin,
se i rritet prapë-duhet ta dish,
ji i qetë veç kur i shtyp kokën,
sepse koka nuk i del sërish!

10. Në vendin tim
Në vendin tim,
ku sytë njeri-tjetrit i nxjerrin vëllezrit,
ku krimbat rrojnë,
më me dinjitet se njerzit!

June 9, 2017 18:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*