Epigrame

January 13, 2021 12:09

Epigrame

Pa titull..

 

Gërmo e gërmo, por s’e di,

do gjesh qymyr, apo flori,

kështu dhe njerzit nuk mundin,

ta dinë më parë si e kanë fundin!..

 

Pa titull..

 

Unë mezi marr frymë,

ti shtrëngon litarin,

mjekra ime digjet,

e ti ndez cigarin!..

 

Mua m’u tha buza,

ti hedh helm në gotë,

nga të tillë miq,

na ruaj, o Zot!..

 

Nëpër stacionet e jetës…

 

Nëpër stacionet e jetës,

na shket fati nëpër duar,

ose jemi para kohe,

ose jemi të vonuar!…

 

Nëpër stacionet e jetës,

shpesh ëndrrat na bëhen pluhur,

se gjithmonë është e vështirë,

koha dhe vendi i duhur!

 

Pa titull…

 

Shkon e vjen si një i dehur,

dhe nga jeta s’di ç’kërkon,

jeta është si një putanë,

herë të puth-herë të kafshon!

 

Pa titull…

 

Dy puthje janë vula në jetë,

Ekstreme, por aq të vërteta,

e para në çastin që vijmë,

e fundit kur shkojmë nga jeta!

 

Pa titull…

 

Është pulë e urtë,

që bën koqevenë,

po është kokoshi,

që bën gurgulenë!

 

Që bën gurgulenë,

duke kakaritur,

se në fakt veç glasa,

gjer më sot ka qitur!…

 

Në terren konkret,

më kumbon muzika,

kokoshë me shumicë,

sot ka politika!…

 

Pa titull…

 

Shumë vite të trazuar,

rrojta dhe s’e nxiva faqen,

o sa shumë paskam jetuar,

mes jush që urreni paqen!

 

Pa titull…

 

Të shikoj e bëj çudi,

pisllëku si s’të zë frymën,

më vjen keq të të pështy,

jo për ty, po për pështymën!

 

Frymëzim biblik

 

Zoti im, e s’ka më tjetër,

më largo nga çdo gënjeshtër,

mos më bëj mbret me thesar,

as të varfër gjynahqar.

 

Më jep ti, o Zot i ndritshëm,

veç ushqimin e përditshëm!

 

I pabesi

 

I pabesi në fron të pushtetit,

që dredhia aq lart e ka ngritur;

kafshon si qeni i detit,

dhe si një ari i uritur…

 

Njeriun që do

 

Mos e lajkato njeriun që do,

po e do vërtetë falsitetin shmange,

se kështu padashur, mikut tënd të mirë,

i tjerr nëpër këmbë një rrjetë merimange..

 

Pa titull

 

S’do jetë gjithmonë kjo botë,

s’do jetë një këngë pikëllimi,

ajo që sot mbillet me lotë,

do korret me këngë gëzimi..

January 13, 2021 12:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim