Epigrame dhe vargje të tjerë 

May 28, 2018 11:19

Epigrame dhe vargje të tjerë 

 

Pa titull…

Mos i kërko djalit,

të të thotë:”Të dua!..”,

fjalët s’mund t’i ndezin,

dy buzët e tua…

 

Ledhato pa fjalë,

puth e puth pa reshtur,

e thellë-e pafund,

si një det i heshtur…

 

Fjala e Zotit…

 

Unë jam rrënja-trungu-dega,

unë jam Alfa dhe Omega,

unë jam fillimi dhe fundi,

unë jam paqja-unë jam plumbi.

 

Unë jam mjalti-unë jam helmi,

unë jam plaga dhe melhemi,

unë jam vdekja-unë jam jeta,

unë jam shpresa-e vërteta.

 

Unë jam Ati-Biri-Néna,

unë jam Dielli dhe Hëna,

unë jam gjumi-unë jam zgjimi,

unë jam fundi dhe fillimi.

 

Unë jam zgjimi-unë jam gjumi,

unë jam zjarri-unë jam lumi,

unë jam brenga dhe gëzimi,

dhe litari-dhe shpëtimi.

 

Unë jam zogu-unë jam qielli,

unë jam rrezja-unë jam Dielli,

tek unë nis-tek unë mbaron,

mjerë ai që s’më beson!

 

Pa titull…

Hapen edhe mbyllen,

gjithë dyert e jetës,

veç prej mirësisë,

edhe të vërtetës.

 

Shkrepin edhe shkrepin,

yjet e gëzimit,

veç prej dashurisë,

edhe prej besimit!..

 

Pa titull…

U ngjite në maja,

vetëm me dredhi,

ndaj mbete-siç ishe,

veç një faqezi!.

 

Pa titull…

 

Kur shtëpizën tënde,

e ke prej kristali,

të tjerët me gurë,

mos qëllo-lum djali!.

 

Pa titull…

Po u bëre pulë,

puna mirë s’të del,

se do kesh gjithë jetën,

përsipër një gjel!.

 

Pa titull…

Është më e lehtë të hysh,

në një kështjellë hermetike,

se sa në zemrën time,moj mike!..

 

Pa titull…

Kush lindi nga errësira,

nuk mund të bëjé dot të mira,

dhe kush ka lindur nga drita,

s’të ngrë leqe-s’të ngrë prita!..

 

Pa titull…

Kush ka fjetur nëpër male,

nëpër tenda-nëpër gurë,

në hotelet me pesë yje,

rehat nuk do ndihet kurrë!

A. DUKA

May 28, 2018 11:19