Epigrame dhe vargje të tjerë

August 26, 2018 10:32

Epigrame dhe vargje të tjerë

Pa titull…

Ndonjëherë në terrin e zi,

kur muret përplasen pas kokës,

ai që të fal një qiri,

të ka falur gjithë dritën e Botës!

Pa titull…

Ata që me dyfeqe qëlluan,

mbetën siç ishin-ushtarë,

ata që veç krismat dëgjuan,

u bënë ministra e oborrtarë!

Pa titull…

Kënaqesh e s’mërzitesh-miku im,

kur të thonë se je si një skile,

se majat e pushtetit-padyshim,

ngjiten dhelpërisht edhe me hile!

Pa titull…

Të vunë një emër prej kafshe,

mes kafshëve i denjë për mbret,

dhe ti nuk e prishe imazhin,

se kafshë u bëre vërtet!..

Pa titull…

Miku i vjetër-verë e vjetër,

që ti ende s’e ke pirë,

dhe një vit-e një vit tjetër,

ajo bëhet më e mirë…

Pa titull…

Një bythëgrisur po të bëhet,

papritur milionier,

jo veç ty-more lum miku,

po dhe Babën e përmjerr!

Pa titull…

Llogaritë për të bërë,

mos u lodh-or tungjatjeta,

se është Zoti atje lart,

që t’i bën ato të shkreta!

 

Pa titull…

Na rrethojnë plot gjëra të mira,

po nuk kemi sy që t’i shikojmë,

na rrethojnë plot gjëra të mira,

por i ndjejmë veç kur na mungojnë!

Pa titull…

Shkruaj dhe një varg-edhe një faqe,

shkruaj dhe dy vargje me muzikë:

“Sot kanë vdekur burrat me mustaqe,

dhe Ata që kishin komb në grykë!”

Pa titull…

Nderi është si kupa e kristalit,

që nuk ruhet veç për zbukurime,

po të ra nga dora bëhet copë,

bëhet copë-copë dhe thërrime.

Edhe Zoti vetë në dorë ta marrë,

s’e kthen dot në gjendjen e parë!

A. Duka

August 26, 2018 10:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*