ERA E GRUAS

January 21, 2018 03:40

ERA E GRUAS

Era e gruas është më tërheqëse në disa ditë të muajit. Këtë  tregon një studim që u bë me një grup burrash të cilët u morën erë sqetullave të grave.

Kërkuesit në Universitetin e “Karlit” në Pragë, u interesuan të dinin në se era e sqetullave të grave ndryshon gjatë ciklit menstrual. Për të vërtetuar këtë, ata kërkuan nga një grup grash të vendosin pece pambuku në sqetullat, çdo ditë, për 24 orë. Këto pece kur i hiqnin nga sqetullat e grave, u a jepnin një grupi prej 42 burrash për t’u marrë erë.

Çdo burrë nuhati pecet që hiqeshin nga sqetullat e grave për ditë.

Në ditët e studimit, Gratë, nuk përdorën parfume e deodorantë, nuk hëngrën ushqime pikante dhe me erëza, nuk tymosën duhan, nuk pinë alkool dhe nuk përdorën kontraceptivë hormonalë (pilulat kontraceptive).

Studiuesit i ndanë ditët e muajit të çdo gruaje në tre faza:

  1. Faza menstruale (në fillim të gjakosjes)
  2. Fazën follikulare (nga dita e parë e menstruacioneve deri në ovulacion)
  3. Faza luteale (faza riprodhuese ose fertile).

Nga përgjigjet që dhanë burrat lidhur me erën e sqetullave të grave në studim, kërkuesit konstatuan: Tek çdo grua ka disa ditë kur era e sqetullave ështe shumë ndjellëse seksualisht për burrat. Këto ditë “erëmira”, korrespondonin me periudhën midis ditës së parë të menstruacioneve dhe ditës kur gratë çlironin vezën nga vezorja ( ovulacionin). Pra, në atë fazë të ciklit menstrual, kur ngjizja e një fëmije është më e sigurtë.

Janë bërë edhe dy studime, nga ekipe të tjera kërkuesish, të cilat arritën në të njëjtin përfundim. Në këto studime nuk u provua me pece nën sqetull, por me  T-shirts, që i kishin veshur gratë. Studiuesit treguan se, jo vetëm era e sqetullave, por era e gjithë trupit të gruas është ndjellëse, seksualisht, për burrat, kur gruaja është në fazën e ovulacionit.

Gruaja, gjatë cikli menstrual tipik 28 ditor, pëson shumë  ndryshime fiziologjike, që e përgatisin atë për mundësinë e një shtatzënie. Gjithë këto ndryshime kontrollohen  nga sistemi hormonal riprodhues i gruas.

Cikli menstrual normal ndahet në katër faza:

  1. Faza e parë fillon me ditën e parë të menstruacioneve. Menstruacionet janë dalja e indeve dhe gjakut nga uterusi. Uterusi për të pritur dhe kujdesur për vezën e ngjizur (fekonduar), shton vazat e gjakut dhe e trash shtresën e tij të brendshme. Kur veza zbret në uterus e pangjizur, çerdhja e ngrohtë e parapërgatitur shkatërrohet dhe del jashtë si gjak menstrual.
  2. Faza follikulare. Në vezore formohet qesja që mban e pjek vezën (folikuli dominant ovarial). Veza brenda kësaj qeseje rritet dhe bëhet gati të shpërthejë, ose të dalë nga ovari.
  3. Faza e ovulacionit. Kur veza e pjekur lëshohet nga ovari, gjë që ndodh rreth ditës së 12 të ciklit menstrual.
  4. Cikli mbaron me fazën riprodhuese ose fertile.

Të kthehemi tek vlera e kërkimeve. Edhe pse shumë burra  thonë, se ata janë, vazhdimisht, në formë për seks, kërkuesit Çekë treguan se burrat i tërheq seksualisht më shumë aroma që lëshon trupi i grave, kur ato janë në fazës follikulare. Në këtë fazë gruaja lëshon feromone që e bëjnë aromën e saj më ndjellëse. Era shumë e fortë dhe aspak tërheqëse për  burrat, është kur gruaja fillon të gjakoset (fillojnë periodat).

Ekipi çek gjeti edhe diçka tjetër me rëndësi. Ata konstatuan se imazhi i fytyrës, tek gratë që janë në fazën follikulare, pra kur folikuli dominant ovarian është gati për të dalë nga ovari, është shumë më tërheqëse, kur  krahasohet  me imazhin e fytyrës së gruas në fazat e tjera të ciklit menstrual.

Tradicionalisht, njerëzit, gabimisht, mendojnë se gratë nuk e tregojnë kohën e ovulacionit, ose atë fazë të ciklit kur ato dëshirojnë të bëjnë më shumë seks. Mendohet se këtë fazë të ciklit kur gratë mund të ngjizen më lehtë, ato e mbajnë të fshehtë dhe nuk bëjnë ndryshime që të bëhen  më tërheqëse për burrat. Në fund të fundit, mendohej se, gratë, ndryshe nga femrat e gjitarëve të tjerë, e fshihnin kohën e ashkut (estrusit).

Por e vërteta nuk është kështu, treguan këto studime. Edhe pse më të maskuara nga femra e gorillës, që lëshon erë (feromone) dhe i skuq organet e saj të jashtme gjenitale, që të bëhen më  tërheqëse për mashkullin kur ajo është në estrus, edhe gratë e ndryshojnë erën e trupit (leshojnë feromone) dhe zbukurohen në fytyrë, në kohën kur janë më fertile ose në ashk, për të tërhequr burrat.

Si përfundim, ka rëndësi të themi se, tërheqja seksuale e grave nuk është në të njëjtin nivel gjatë gjithë muajit. Ato dëshirojnë më shumë seks në fazën kur janë më fertile dhe për këtë u dërgojnë sinjale burrave që i ftojnë për seks.

Kërkuesit shpresojnë të gjejnë se cila përbërje  kimike është përgjegjëse për ndryshimin e erës gjatë ciklit menstrual të grave. Këto përpjekje kanë për qëllim që të gjendet sekreti i tërheqjes seksuale të grave, për t’i bërë ato, seksualisht, ndjellëse çdo ditë

Dr. Adem Harxhi

January 21, 2018 03:40
Komento

1 Koment

  1. Casanova... January 21, 12:29

    Oh…Femina . c’Arome

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*