Erazmi i Roterdamit dhe harrimi

March 29, 2019 10:56

Erazmi i Roterdamit dhe harrimi

Moikom Zeqo

Një karrocë e tërhequr nga dy kuaj, me një karrocier mbi pupë, doli nga qyteti i Bazelit në mëngjesin

e vitit 1508.

Ishte mëngjes herët dhe rruga kalldrëmore qe plot mjegull, trajtat e së cilës lëviznin si mijëra fantazma të buta, por aspak kërcënuese.

Brenda në karrocë qëndronte një burrë 70-vjeçar, i dobësuar, që mbante në kokë një kapele të madhe të purpurt.

Fytyra e këtij burri pa mjekër dukej e stërplakur dhe gati e bardhë.

Balli i madh seç kishte një lloj fosforeshence, në fytyrë spikasnin vetëm sytë tepër të gjallë dhe të zinj, si sytë e një fëmije.

Ky burrë ishte i famshmi Erazmi i Roterdamit.

Ai po largohej nga qyteti i Bazelit, ku kishte ndenjur gjatë, po kërkonte të shkonte në një vend diku, pa e ditur as emrin e qytetit, të shkonte pikërisht në nj hapësirë ku të kishte mundësi të jetonte në një shtëpi të thjeshtë, larg famës së tij, përtej telasheve që kishte sjellë kjo famë e madhërishme por dhe e bezdisshme.

Ai shkoi në qytetin Fleiburg, por qëndroi shumë pak aty.

Pastaj në një tjetër qytet të quajtur Braband.

Në këtë të fundit duka i qytetit e kishte vendosur në një pallat plot përkujdesje dhe dashuri.

Por Erazmi tashmë dëgjonte zëra të tjerë.

I shihte njerëzit, adhuruesit e tij të panumërt, shihte gjestet e tyre por nuk ua dëgjonte zërat.

Erazmi nuk gjente dot prehje dhe qetësi.

Urdhëron përsëri t’i bënin gati karrocën e udhëtimit.

Ndjente një të ftohtë të çuditshëm në gjymtyrë.

I dukej se po i akullzohej truri.

I gdhinte netët pafjetur.

Qe dobësuar aq shumë sa nuk e mbanin këmbët.

U kthye përsëri në Bazel në pallatin e mikut të tij, Frobenit.

Aty në një dhomë të rehatshme, me një bibliotekë plot libra ku ishin dhe librat e tij, rrinte i shtrirë në një shtrat baldakin.

Oxhaku i dhomës qe përherë plot zjarr.

Erazmi kishte gjithmonë ftohtë dhe dridhej.

Në mes të dhomës ishte tryeza e shkrimit.

Mbi të letrat e bardha, shishja e bojës dhe pena.

Por Erazmi tani kishte frikë t’i shikonte ato.

Gjatë gjithë jetës kishte shkruar kaq shumë.

Në tërë Evropën ai mbahej si njeriu më i ditur që kishte ardhur ndonjëherë mbi Tokë.

Kishte botuar libra në greqisht dhe në latinisht, dy gjuhët e vdekura që ai i njihte më mirë se gjuhët e gjalla.

Erazmi nuk dinte ç’të bënte më.

Nuk kishte më as entuziazëm.

Çdo entuziazëm është forcë e ambicies, – mendonte ai.

Vdekja është fundi i çdo lloj ambicieje.

Hynin e dilnin njerëz për ta përshëndetur dhe për ta lavdëruar.

Por ky ishte thjesht një ritual.

Kryevepra e Erazmit “Lavdërimi i Marrëzisë” ishte ndoshta libri më shpotitës i të gjitha shekujve.

Të jesh njerëzor do të thotë të jesh edhe i marrë – kjo qe dhe substanca e librit.

Të tëra përsiatjet, alegoritë ishin fluturake, dialektika e shpirtit qe gjithmonë një paradoks i lëvizshëm, shpërthyes, që s’merr fund kurrë.

Ky libër e kishte zhbërë tërë Mesjetën, e kishte bërë errësirën e paditurisë konvencionale por dhe kishte ngjallur shpresa utopike.

Dëbora e dimrit të Bazelit kishte mbuluar pullazet e shtëpive, katedraleve.

Papritur një mëngjes posta i solli një letër.

Letrën e kishte nënshkruar një njeri i panjohur, një farë François Rabelais.

Ai shkruante në letër këto fjalë në latinisht “salve itaque etiam atque etiam, pater amantissime, pater decusque patriae, literarum assertor, veritatis propugnator invictissime”.

Që do të thonnin “gjithë ç’jam dhe sa vlej, e kam pasur vetëm nga ty, dhe po të mos e pohoja këtë do të isha krijesa më mosmirënjohëse e të gjitha kohërave”.

Këto fjalë i sollën një farë këndellje Erazmit.

Gati u përmend si nga një letargji.

Madje u ul për të shkruar për të vijuar me komentin e veprave të Origjenit, të njërit nga etërit më erudit të kishës.

Për çudi i erdhi një letër nga Papa i Romës, ku i propozonte kapelën e Kardinalit.

Por Erazmi e refuzoi këtë ofertë.

Papa kishte arsye ta bënte këtë.

Armiku më i madh i Romës qe Antipapa Martin Luteri, revolucionari fshatar gjerman, i cili përfaqësonte teologjinë e protestantizmit,- duke e shkatërruar si arkaike teologjinë  e sterholluar katolike.

Martin Luteri e njihte mirë Erazmin.

Autori i “Lavdërimi i Marrëzisë” e kishte bërë kriticizmin ndaj kishës feudale mesjetare si askush.

Por Erazmi nuk pranoi të bëhej aleat dhe përkrahës publik i Luterit.

Ndaj Luteri, i inatosur, kryeneç dhe i pamëshirshëm shkruante për miqtë “ju urdhëroj, me urdhrin e Zotit, që të jeni armiqtë e Erazmit dhe të mos i hapni librat e tij.

 Do të shkruaj kundër tij edhe sikur ta di se nga kjo gjë do të vdes, me penë dua ta vras Satanain”.

I bindur në lirinë e pakushtëzuar, Erazmi nuk kërkonte të ishte pjesë e asnjë partie fetare.

Për të liria qe gjithçka.

Ai kishte luftuar për të qenë vetvetja, për të mos qenë si të tjerët, por tani po i afronte vdekja, trupi i qe sfilitur nga vuajtjet, pulsi i zemrës i regëtinte në mënyrë të çrregullt, gjithçka rreth tij qe bërë e pakuptueshme.

Fliste por nuk dëgjonte as zërin e vet.

Në Bazel ai kishte shumë miq të përkushtuar.

Ata vinin të bënin dialogë më Erazmin, i cili u përgjigjej kuturu, gjë që i jepte një shkëlqim të çuditshëm dhe krejt të ri kuptimit të fjalëve të tij.

Ai të kujtonte Jobin biblik që bisedonte me të tjerët për kotësinë e jetës  dhe brishtësinë e njeriut.

Si dijetar i pakrahasueshëm, Erazmi bëri një risi të vërtetë në leximin si duhet dhe të shqiptimit korrekt të tingujve të greqishtes së vjetër.

Këtë filologët e quajnë “leximi erazmik”.

Por gjuha e tij e përditshmërisë në të gjitha vendet e Europës ku ai kishte shkuar, vende me gjuhë të ndryshme, qe kryesisht latinishtja.

Ai botoi dhe shumë libra në latinisht.

Ai besonte se latinishtja do të ishte gjuha e së Ardhmes. Sipas tij dallimet midis popujve dhe qytetërimeve qenë kalimtare, përvetësimi i latinishtes si gjuhë botërore do të krijonte njerëzimin e ri të humanizuar si kulturë, si histori dhe kuptimshmëri.

Në rrethet e dijetarëve Erazmin e mbanin si Mesia i Latinitetit ku Filologjia do të ishte më e rëndësishme sesa politika, ku shprehjet latine do të zëvendësonin me qartësi të pashembullt tërë shprehjet vulgare dhe provinciale të sundimtarëve dhe të njerëzve të tjerë, duke bërë kështu një ripërtëritje të botës.

Madje Latiniteti do të zëvendësonte tërë akrobacitë teologjike dhe çdo gjë në botë mund të kthehej në një harmoni të paracaktuar dhe të saktë, ashtu siç është vetë sintaksa e bekuar e latinishtes.

Por 30 ditë para se të mbyllte sytë Erazmin e zuri një krizë e astmës dhe gati u asfiksua nga mosmarrja frymë.

Pastaj kriza e liroi dhe ra në gjumë.

Kur u zgjua nga gjumi kishte ndodhur diçka fatale dhe e pandreqshme më

Ky njeri e kishte harruar përgjithmonë latinishten.

Ai e kishte harruar gjuhën e dashur intelektuale, të cilën e kishte përfaqësuar mrekullisht.

E ndjeu se kishte ndodhur një rrënim i madh brenda qenies së tij.

S’ishin gjë rrënimet e mbretërive të mëdha të Babilonisë, të Egjiptit, të Romës, të Bizantit përpara rrënimit të vetëdijes së Erazmit.

Ç’forcë kozmike ose demoniake kishte bërë që me  anë të astmës së nëmur atij t’i zhdukej nga truri latinishtja?

A nuk ishte trupi i Erazmit banesa më e epërme, më e stolisur e shpirtit të latinishtes?

Pse e kishte braktisur ky shpirt magjik, shpirti i mendimit dhe artit, i retorikës dhe i poezisë, i historisë dhe filozofisë, shpirti shprehjeve lakonike të lirisë qenien e mendimtarit të patjetërsueshëm, pa një të dytë.

Ç’kishte ndodhur kështu?

Pse duhej të ndodhte kështu?

A ishte ky kumt i Providencës?

A ishte një mençuri apo një marrëzi?

Tragjedia e heshtur në mendimet e Erazmit para vdekjes nuk mund të tregohet.

Madje as nuk mund të imagjinohet.

Ajo ishte një tragjedi sekrete, kundërthënëse, absolutisht e vërtetë dhe e përcaktuar të zhduket, të harrohet.

Përfundimisht.

30 ditë u përpëlit pa folur në shtratin e vdekjes Erazmi i Roterdamit.

U stërmundua, zgurdulloi sytë, lëvizi gjymtyrët, klithi plot ankth.

Thuhet (disa nga dëshmitarët e kundërshtojnë njëri tjetrin për këtë) se në akthin instinktiv të paravdekjes buzët e tij të ngrira kinse nxorën papritur tinguj të mësuar në fëmijërinë e largët “Lieve God”, në dialektin flamand të Holandës, ku ai kishte lindur, në gjuhën që e kishte harruar qysh kur, që s’e kishte përdorur kurrë gjatë jetës.

Edhe një frymëmarrje pas këtyre fjalëve misterioze dhe të befasishme si tërmetet apokaliptikë dhe pastaj mbi Erazmin e Roterdamit ra ajo,- e pushtetshmja,-e pakrahasueshmja,- gjëja më e bekuar dhe më e pamundur për njerëzimin,- domethënë ra paqja.

Paqja, – gjuha e së cilës është më universale dhe ndoshta më pak e vështirë dhe më pak e pakuptueshme sesa greqishtja dhe latinishtja erazmike. ( 1997)

March 29, 2019 10:56
Komento

3 Komente

  1. Buzuku March 29, 19:45

    Jete te gjate zoti Moikom! Faleminderit per keto kenaqesi intelektuale qe na dhuroni. Sigurisht asimilojme sa mundemi, Po kurre s’mbetemi ps gje.

    Reply to this comment
  2. MI March 29, 20:48

    Demo ngro veze akoma? Po dil se ka ardhur pranvera dhe komento Moikomin ngaqe nuk te rrihet, por te kruhet duke e sulmuar, Duhet te rrish e veshtrosh memorialin e vlerave te tij e te heshtesh o funderrine, se nuk ke goje te perbaltesh figuren e tij.

    Reply to this comment
  3. Bahir Lahi March 31, 00:30

    Ju falenderojme pa fund Zoti Moikom per mundesine qe na jepni me rubrikat Tuaja per te na freskuar dhe pasuruar njohurite aq te cmuara te diturakeve famemedhenj.Qofte e lavderuar Urtesia dhe Paqa qe Ata ndricojne!Edhe per Ju qofte Paqa ne ditet Tuaja te lumtura te jetes.Falenderime.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin