Erdogan-Metës: Turqia do mbështesë përmirësimin e infrastrukturës së Kuvendit

May 13, 2015 20:27

Erdogan-Metës: Turqia do mbështesë përmirësimin e infrastrukturës së Kuvendit

Ilir Meta priti sot Presidentin e Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë si në rajon, ashtu edhe në kuadër të NATO-s, ku të dy vendet mike ushtrojnë peshën e tyre në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit e cilësoi vizitën e Presidentit të Turqisë në vendin tonë si tepër të rëndësishme për raportet bilaterale, vizitë e cila nderon popullin shqiptar dhe reflekton cilësinë shumë të lartë të shkëmbimeve politike që ekzistojnë mes dy vendeve. Në këtë kuadër z. Meta vuri në dukje bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy parlamenteve si në nivel kryetarësh, ashtu edhe përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve të ndryshme parlamentare.

Presidenti i Republikës së Turqisë Erdoğan vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Turqisë dhe Shqipërisë duke vënë në dukje vullnetin e palës turke për forcimin dhe vitalizimin e tyre përmes zgjerimit të platformës multidimensionale të bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe atij shumëpalësh.

Presidenti Erdoğan theksoi se Turqia është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në të gjitha fushat e bashkëpunimit si përmes qeverisë, parlamentit, ashtu edhe përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA), e cila do e mbështesë përmirësimin e infrastrukturës së funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari Meta dhe Presidenti Erdoğan ndanë bindjen në përfundim se të dy qeveritë duhet t’a thellojnë partneritetin dhe bashkëpunimin e tyre ekonomik përmes intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së prezencës së investimeve turke në rajon, të cilat hapin mundësi domethënëse punësimi dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në fushat e energjisë, shëndetësisë, agro-përpunimit dhe infrastrukturës.

May 13, 2015 20:27