Ergys Kaçe, i vogli në fokusin e gjigantëve

November 21, 2013 12:56

Ergys Kaçe, i vogli në fokusin e gjigantëve

Kombëtarja U-21 ka përfituar nga përfshirja e mesfushorit Ergys Kaçe, por edhe lojtari duket se ka bërë më tepër admirues pas paraqitjes në dy ndeshjet e fundit, kundër Hungarisë, fituar 2-0, dhe Spanjës, humbur me të njëjtin rezultat. Edhe pse kuqezinjtë e Skënder Gegës nuk mundën të shmangnin humbjen, për pjesën më të madhe të lojës arritën t’u kundërviheshin kampionëve të Evropës dhe për këtë një meritë të madhe pati Kaçe, i shkëlqyer në mesfushë. Takimi i luajtur në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit u ndoq edhe nga të dërguarit e shumë skuadrave evropiane, të cilët shohin me interes yjet e rinj të Spanjës, por edhe të Shqipërisë. Një prej tyre është pikërisht korçari i PAOK-ut, për të cilin interesohen shumë skuadra, përfshirë Hamburgun, Veronën dhe Udinezen. Sipas shtypi grek, që më parë ka paralajmëruar ndarjen e pashmangshme midis lojtarit dhe klubit të Selanikut, për shkak të historisë së famshme të fotos me bluzën e UÇK-së, këto skuadra janë interesuar që më parë për Kaçen. Të dërguarit e tyre ishin në stadium posaçërisht për të dhe 20-vjeçari nuk i ka zhgënjyer. Tani mbetet për t’u parë se sa mund të ofrojnë klubet për lojtarin, pasi ofertat e mëparshme kanë qenë maksimumi në 500 mijë euro, gjë që PAOK nuk e ka pranuar, me pretendimin për të marrë e pakta një milion euro më tepër.

 

 

November 21, 2013 12:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*