Ergys Kaçe te Lacio, për De Biazin është ideale

November 28, 2013 11:07

Ergys Kaçe te Lacio, për De Biazin është ideale

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka ndërhyrë në programin “Io fifo Lazio” që transmetohet në sitin Cittaceleste.it, për të sqaruar situatën e Ergys Kaçes te PAOK-u. Mesfushori kuqezi ndiqet nga Lacio, ndërkohë që në skuadrën e Selanikut nuk luan. De Biazi ka sqaruar se qëndrimi jashtë skuadre është për arsye krejtësisht jashtë sportit, duke treguar incidentin me foton në Facebook. “Kohë më parë, ai nxori në Facebook një foto ku mbante veshur një bluzë me shqiponjën dykrenore, e cila është simboli i Shqipërisë, e që sipër kishte inicialet UÇK, kundërshtare e serbëve dhe grekëve. Për këtë arsye në Selanik u bë hataja”, tha trajneri. “Kam folur me Zizis Vrizas, krahu i djathtë i presidentit të PAOK-ut dhe ish- lojtar i imi te Torino. Ai më tha se rreth 50 tifozë kishin manifestuar në qytet kundër gjestit të Kaçes. Por ai sigurisht që nuk donte të krijonte probleme. Nuk ishte as njëzet vjeç, por gjithçka u instrumentalizua deri në atë pikë sa nuk mundet të luajë më dhe klubi e ka nxjerrë jashtë organike. E gjitha kjo është absurde dhe na ka lënë pa fjalë”.

Trajneri i kuqezinjve tregon për Kaçen edhe nga pikëpamja teknike, ajo që u intereson më tepër tifozëve të Lacios. “Është lojtar i vogël fizikisht, por shumë i fortë në mesfushë dhe i aftë të fitojë pothuajse të gjithë duelet. Nga statistikat e kampionatit grek rezulton si pasuesi më i mirë, duke çuar drejt golave shokët e skuadrës. Është shumë i ri dhe veç mund të përmirësohet”, thotë De Biazi. “Sa për t’iu përgjigjur disa zërave, nuk e kam aktivizuar kurrë si mbrojtës i djathtë. Është mesfushor puro, që mund të luajë në çdo pozicion të mesfushës me tre apo katër lojtarë. Për mua do të ishte ideale nëse ai vjen e luan në Itali. E di që e ndjekin edhe skuadra të tjera dhe largimi nga PAOK-u në janar është i sigurt”.

Ndërkaq, De Biazi i ka dy lojtarë te Lacio tashmë, me Lorik Canën dhe Etrit Berishën. Ky i fundit i ka treguar për gjendjen që po kalon te Lacio. “Etriti është shumë i lumtur që ka ardhur në këtë pjacë të rëndësishme dhe në një skuadër ku është Marketi, i cili do të jetë një pikë referimi për të. Tani ka mundësi të punojë seriozisht e të zhvillohet më tepër. Ai nuk ka pasur kurrë një mësues dhe, nëse tani është portier, kjo ka ardhur si rrjedhojë e aftësisë së tij natyrale. Në Europa League bëri një pritje të madhe që shpëtoi rezultatin. Unë e thërras “Iceman” (njeri i akullt), sepse nuk impresionohet nga asgjë, stërvitje apo edhe sikur finale e Champions League të ishte ai do të kishte të njëjtin reagim. Është shumë i zoti n ë dalje dhe kjo i jep siguri repartit. Duhet të përmirësohet në italisht për të komunikuar me mbrojtjen. Etriti punon me Grixhonin, një përgatitës shumë i zoti”.

Në fund, komplimente për Lorik Canën: “Jam shumë i kënaqur që Loriku shënoi në ndeshjen kundër Sampdorias, duke shpëtuar Lacion e duke sjellë një barazim të rëndësishëm. Ai është lojtar karizmatik dhe mund të kritikohet si kushdo për paraqitjen në fushë, por pa diskutim që është futbollist që në çdo ndeshje, me Lacion apo kombëtaren, jep 100 për qind”.

 

November 28, 2013 11:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*