Ermal Meta, të mburremi apo të krenohemi?

February 13, 2018 03:40

Ermal Meta, të mburremi apo të krenohemi?

Çapajev Gjokutaj

Një shqiptar fiton Sanremon. A na takon të krenohemi me Ermal Metën?

Jo thonë disa. Nuk është prodhim i shkollës dhe muzikës shqiptare. Ka ikur fëmijë dhe është rritur e formuar në Itali.

Kush krenohet me shqiptarësinë e personave të tillë, është racist në thelb, -shtojnë pastaj. Se artistin nuk e bën gjaku apo origjina, por shkolla, kultura, shoqëria ku jeton e ku formohet.

Anoj nga ata që mendojnë se është legjitime të krenohesh për artistë, sportistë, menaxherë, shkencëtarë me origjinë shqiptare. Paçka se mund të jenë prodhim shkollash e kulturash të tjera.

Të krenohesh dhe të propogandosh suksesin e tyre është jo vetëm e ligjshme, por edhe e dobishme dhe funksionale. Natyrisht, jo për genin a, larg qoftë, racën, por për arsye të tjera.

Mediat, të huajat por edhe tonat, kanë krijuar modelin e emigrantit shqiptar që shquan si mafioz e kriminel . Shumicën e herëve lajmet për ta flasin veç për vjedhje, plagosje, përdhunime, vrasje.

Ky model përgjithëson bëmat e një pakice dhe le në hije punën e ndershme të qindramijëra emigrantëve që jo vetëm nxjerrin jetesën e tyre, por edhe kontribuojnë për ekonominë e vendeve pritëse. Madje nëpërmjet dërgesave  kanë lehtësuar e lehtësojnë edhe ekonominë dhe jetën tonë.

Të krenohesh është një gjë, të mburresh është krejt tjetër gjë. Krenaria i ikën mburrjes dhe megallomanisë boshe se nxit dhe duhet të nxisë edhe meditime, debate e analiza. Kryesisht në dy drejtime.

Së pari, si mund t’i afrojmë talente të tilla.  Jo që të kthehen, por për të ndihmuar në lobimin e Shqipërisë, në lehtësimin e lidhjeve të institucioneve tona me ato të huaja etj. etj. Jetojmë në epokën e rjeteve dhe ky lloj afrimi është më i lehtë e më i mundur se kurrë.

Së dyti, suksese të tilla mund t’i përdorim si shkas jo për t’u qarë e për të bërë cinikun. Por për të reflektuar se ç’duhet të bëjmë, që fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, që jetojnë këtu, të zhvillohen e të mos humbasin si sopata pa bisht.

February 13, 2018 03:40
Komento

1 Koment

  1. MH February 14, 17:37

    E ndigjova kangen interpretuesit ishin shume te emocionuem per te arrite suksesin.Por kanga ma ngjante sikur rrecitonin me shoqerim te instrumentave dhe melodi.Po ama kengetaret recitonin ne gjithe rrugen e kohes te kenduarit.Teksti mund te jete prekes aq ma teper kur recitimi shoqerohet me instrumenta muzikore.
    Ndoshta kjo vjen nga qe nuk marre vesht nga muzika e lehte e moderuar me recitime nen shoqerimin e instrumentave muzikore.
    Megjithesa komentova i uroj suksese ne Eurovizion.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*