Esse / Metafora e Hadit

June 1, 2016 09:25

Esse / Metafora e Hadit

Nga Pirro Loli

Moikom Zeqo, pasi i kish rënë  globit kryq e tërthor, pasi kish takuar Zeusin e qiellit majë Olimpit dhe Poseidonin e detrave, na tani, metafora e tij na vjen me një gravitet të ri: Hadi. Nëndheu. Amshimi, ose metafora si  sajesë e pamundësisë. Hapur e ka dritaren e vdekjes. Por, Atje, thellë zemrës së tij, gufon një jargavan i trishtuar dhe vezullon një vetëtimë.

T’i qasesh këtij krijuesi, është gati e pamundur, andaj në këtë sprovë unë nuk i gjeja dot fjalët dhe vendosa të flas me buzët e metaforës së tij, brenda tij. Ndoshta kështu, këtë herë, mund të hedh një rreze drite në korpusin e tij poetik. Me drojë, natyrisht, të paktën të mos shkel barin gjelbërosh e lulet, as gjurmat e sorkadhes nëpër trojet e brishta të hënës; të mos ia terr atë pikën e vesës që i ka ngrirë midis një zambaku dhe trëndafili.

 

*   *   *

“Më 8 tetor  2015 i shtruar në spitalin Sent Thomas të Londrës mjekt më ekzaminuan mua me sëmundjen e rëndë dhe të pashërueshme  të Leucemisë, kancerin e gjakut. E kuptova: qe një metaforë e Hadit. “ E papritur. E frikshme e ankthshme. Leucemi, kancer?! Mos , o Zot! Njerëzit dhe kur e dinë nuk ia shqiptojnë emrin. Mos është, supozim, dyshim, gabim laboratorik?!. Jo. Harta e kancerit iu shtua trupit të poetit. “Lëkura ime ka nën të një astar të kuq, vetë vdekjen”… dhe ky trafik i rënduar në udhëkryqe është funerali im. Semaforët lotojnë. Vdekja dinake buzëqesh e na lë të jetojmë sa të na rëndohet jeta. Anija ime po lundron në hic. Ti e di, o Zot, o Zot! Unë dua detin. Lumin. Dhe shtrëngatën. S’ka gjë. Gjaku im do të bëhet gjak i sendeve dhe i ngjarjeve. Le të tymojnë oxhaqet tymin e zi. Limfa e shpirtit është e paprekshme….Mua më mbron poezia.

 

 *  *  *

Lajmi mbërriti. Telefonat u ngjirën. Miqtë mbajtën frymën e fjala  u ngeci në buzë. Zogj të lodhur mbërritën gjithandej me pluhurin e parajsave në krahët e ngrirë. Metaforat vunë kujën. Por jo, jo. Poeti ka qëlluar dhe shkencëtar, dhe e pa vetëtimthi kaprollin e brishtë në rrymën e tërbuar të lumit…Po ndoshta jo. Kaprolli po noton. Shpresa nuk mbytet. Mbase ky trëndafil ka mbirë nga thembra e Akilit. Leucemia nuk ka shigjetë me majë të helmuar…

 

*   *   *

Që nga ai tetor leuçemik erdhën dy vëllime me poezi. “Deti Kanibal” dhe “Plagosja e kujtesës”. Qindra faqe me një poezi tjetër. Tjetër. Më i pakapshëm. Pyll i dendur. Amazonë e blertë që nxin si kontinent. Dhe rrufetë nuk depërtojnë dot. Moikomi është sinonim i aktit krijues, një aventurë intelektuale e rrallë në krejt botën e letrave. Atij mund t’i afrohesh sadopak me atë vetë. Është i vetëmjaftueshëm. Poezia dhe dija  përbëjnë një simbiozë të paparë jo vetëm në kulturën shqipe. Qenie me një vetmi publike që krijon një vlerë të veçantë. Një emër. Vetveten. Mjeshtër estet i të padukshmes – tani ballëçarë ka rënë në gjakun e vet leuçemik.  …Dhe vëllai i tij i dashur, deti, prej gjaku qenka mbushur! Det leuçemik! Det kanibal! Dhe kapilarët e hënës u zbehën. Por Moikomi ngrihet vrik më këmbë sapo prek poezinë si Anteu kur prekte tokën.

Ky poet i prirë që në adoleshencë drejt dijes dhe së bukurës, po tregon në serinë e vëllimeve të tij (enciklopedike) se zotëron një cilësi superiore krijuese: në përcaktimin e temës priret nga një farë gjigandizmi. Ai merret me planete, e hapësira kozmike, yje, lartësi e humnera, male e dete, ferr e parajsë. E kjo kërkon dhe një fjalor elitar, riemërim. Që e ka ngritur fjalën shqipe në ballkone të lartë; ai dallohet për gjetje të çuditshme në poezi e në prozë e, unë brenda gjetjes së tij, mund të gjeja disa të tjera; mbi të gjitha Moikomi është metaforë. Dhe në majë dhe në humnerë. Pingul, proporcionale me majën…Çdo veçanti e tij njëherazi është dhe akt revolte dhe një mendjemadhësi, sfidë dhe  utopi tronditëse . Vetëm  një egoizëm i tillë krijues mund të guxojë të arrijë në majat e ëndrrës. Poeti i vërtetë ka lindur për t’u djegur jo për t’u ngrohur. Dendësia e informacionit të veprës moikomiane i rrëzon të gjitha fantazitë.

Poezia e tij është Metafora si Kujtesë, ose Kujtesa si Metaforë. Ai i ka prishur “rregullat”, i ka shkelur vijat e bardha, i ka rrëzuar tabutë, e ka çmendur metaforën. Dhe tani “pret ndëshkimin”. Ekzekutimi i tij do të jetë publik. Kufijtë, perimetrat, elipset e nocioneve ndërthuren dhe ndërpriten. Ky është një proces, shpesh i fshehtë dhe gjithashtu metaforik. A thua ambicje, ngulmim, naivitet, sfidë apo gjenialitet? Ai më pati thënë se i duhen dy jetë për t’i kthyer të gjithë metalet në ar.

Por, …

Për ku nxiton, o njeri? Unë e di. Dilema është e varur: të synosh të ngjitesh, do të thotë të rrezikosh, të vritesh…Lufta është e bukur. E pabarabartë. Donkishoteske. Iluzion. Utopi tronditëse: Të duhet ta sfidosh dhe Hadin, Perëndinë e vdekjes. Dhe ta mundësh.

 

*   *   *

E fryn e shfryn trazuar, viziton rrathët e ferrit e zgjatet nëpër yje, puth në buzë dashnoren e tij të përhershme, hënën e florinjtë e vazhdon fundo nëpër  detet e tij ku fshihet historia dhe kujtesa e plagosur e kombit. Ai nuk të jepet në fletën e bardhë. Veç semaforët e tij hapen e mbyllen të trishtuar se nuk ka kalimtarë e makina, anipse gjithnjë të blertë thërrasin: ejani, kapuni pas nesh të mësoni atë që nuk dini, ejani të hapim Kutinë e Pandorës, të lexoni yjet dhe detet. Dhe Hadin. Ejani me mua ta mundim frikën e asaj që na pret. Përqasja e tij me lavdinë mund të jetë alibi, por ai e ka parë e jetuar Parajsën, Currilat e fëmijërisë, pikturat e Onufrit, Sibilat e Bogdanit, Naim Beun e Lasgushin, trumcakun e Migjenit, nanë Loken e Mjedës …Po ç’them, shkurt Moikomi njeh gjithë librin e botës. Dhe nobelistët, të paktën, i ka kushërinj të parë. Ndoshta, prandaj  i do kaq shumë poetët dhe Librin  e quan thesar, Parajsë. Gjithë poetët e botës që shkruajnë libra, nga libri kanë dalë. Vecanërisht Borgesi dhe Mojkomi. Se “poeti është  vetëdija e fjalëve”(O. Paz)

Herë herë mbyllur në vetminë e tij si midhje, herë si një llambë  brenda vetes, që e hedh rrezen e dritës përtej sendeve…Pranë tij do jesh me trëndafilë që vrapojnë si kuajt, do shtrihesh në shullërin e hënës, do flesh faqe më faqe me flutura dhe kanibalë. Kafkë hamletiane dhe ballë i lulëzuar. I urtë si qengji rudë. I rreptë rebelon kundër Zotit e Satanait, materjes dhe cdo statusi të palëvizëshëm,  por, dhe atëherë kur e detyrojnë të imitojë tigrin, brenda tij bilbilon poeti dhe në sy i lodrojnë drera që qeshin…  Tel kitare që sa e prek, pikon gjak. Pranë tij dhe kryqi dhe ca gozhdë të ndryshkura…

 

*   *   *

O Zot, …

Moikomi nuk lutet si të tjerët, Dhe testamentin e ka ndryshe. Se pasuria e tij nuk mund lihet në çdo dorë.  Ka një tjetër sy në pëllëmbën e hapur, syrin e Shqipërisë që e sheh edhe përtej vdekjes. Poeti i kërkon Zotit të bëjë Shqipërinë. Ndriçomë, o Zot nga brenda, jepmë forcë, çliroma shpirtin nga trupi; të fluturoj, o Zot mbi liqenet e mi, mbi alpe e  shpate, Berat e Kostur, në çdo cep të kombit tim, dhe në fushën e Mëllënjave (Kosovë) dhe në detet dhe Epirin tim, se ti, o Zot, nuk pate sy e veshë dhe u largove nga trojet e mia para Prometheut… dhe ndoshta nuk e di që dhe varrin e Skënderbeut ma përdhunuan,…Mos i ler, o Zot kitarat e  të mërguarve të varen të pikëlluara nëpër shelgje, as mbi Makjen e De Radës, as mbi tuberkolozin e Migjenit, as në Rodon e Tomor…

Dhe kërkon një Hy të ri për poezinë. Deti të dashurohet me lulet e qershisë, lulëkuqet të kthehen dhe në jargavanë; Psherëtimat i shndërron në shpendë. Ngjyrat e Onufrit i bën  shpirtra, Bogdanin me ciklin e Sibilave profet dhe poet i rangut të lartë evropian…

Moikom Zeqo e ngriti më në majë metaforën e epiko lirike të Migjenit, dhe lirizmit deradian i dha nota të reja. Është teli i këputur i kitarës së muzgut. Dhe shpirtin e ka të mbushur me hënë, me det dhe kuaj, flutura dhe zogj, ka vend dhe për male dhe për yje. Shkova e takova. Ia lexoj rrudhëzat e ballit. Në dhomën ngjitur m’u duk se ka mbledhur të gjithë engjëjt dhe djajtë, dhe poetët e mëdhenj të botës. Dhe m’u duk se kafen e mëngjezit e pi me ta. Dr. Zeqo kish lënë orën për t’i bërë një skaner Centaurit të ri…

Dendësia e informacionit të veprës moikomjane  i rrëzon të gjitha fantazitë. Për të poezia  nuk është vetëm mesazh, ndjeshmëri , por dhe dije,  njohje sa racionale që lidhet me të gjitha qelizat e materjes, aq dhe abstaksioniste  dhe e largët si me pa një yll të largët në teleskopin e astronomit,…

Me emërtimin gjigantesk e metaforik të kësaj bote M. Zeqo, duke na treguar përmbytjen e Antlantidës rreh të na njohë me përmbytjen e planetëve. Një bote të tërë në rënie. Ka rënë planeti i kulturës, i historisë, i letërsisë. Një qytetërim i tërë në rënie. Zoti është zemëruar. S’ka më mollë të ndaluara e timonin e drejton seksi. Dhe paraja. Ai godet egër . I ka të gjitha armët. Shkatërron. Digjet. Unë nuk njoh një të dytë erudit si Moikomi. Ndoshta diku tutje buzëqesh vetëm Noli ynë. Ç’djall truri ke ti, or mik? Si ka mundësi që njeriu të jetë kaq i ndërlikuar një enciklopedi e gjallë kaq komplekse? Poet mbi të gjitha, por dhe arkeolog, historian, shkrimtar në të gjitha gjinitë e letërsisë, zbirues i mistikës, piktor dhe studiues i pikturës. Moikomi i ka kaluar 100 libra. Ai nuk punon, por gulçon, ngulmon, vrapon, prodhon. I papërmbajtur. A thua i mbjell librat si grurin në darkë e i korr në mëngjes? Po jo, jo. Ai ka lindur poet. (Dhe do mbetet poet edhe në Had. I përhershëm).

*  *  *

Dua t’u flas vetë kalimtarëve. Këtu jam varrosur unë. Kafka ime si kambanë me tru elektronik gjallon në të gjithë kompjuterat e botës. Mos u trembni. Do t’u them, se vdekjet e poetëve janë si vdekjet në teatër. Unë i kam fituar betejat edhe kundër Akilit. Se në trup kam këmishën e Migjenit të pashpuar nga shigjetat – se mua më mbron poezia. Dhe Hadi, perëndia e vdekjes s’është gjë. Unë e kam takuar dhe prostitutën e tij, Metafizikën të veshur me një tunikë kardinali. Do ta jap librin tim me autograf, e do t’i them se poezinë e pata stilizim estetik…

Ngjitu, më thanë demonët e dijes e, unë si Sizifi, u mbështeta te shpresa që përflak yllin tim kur, befas, dikush, një farë kanibali me gjak të bardhë, më heq shkallën e fundit! Por lakmia dhe egoizmi im kanë mamuze të reja dhe i gjakos brinjët e Pegasit.

Unë nuk vdes, or mik, jo!

Shqytë mbrojtëse kam detin. Vdekja ime nuk është limiti im, por vetëm metaforë. Kur i fundit njeri të ikë, unë duhet të jem afër për t’i mbyllur qepallat.

 

June 1, 2016 09:25
Komento

2 Komente

  1. Dhimiter Xhoga June 8, 22:39

    Faleminderit i nderuar Piro Loli,kaqe mjeshtwrisht e me fjalw shpirti, keni folur pwr tw gjithw, vlerwsuar tw madhin Moikom Zeqe-Poet sa shkrimtar e shkencwtar qw me tw drejtw e vini krah Nolit tonw tw Madh.
    Zot vetw wshtw me MOJKOMIN, qw sfiodon swmundien e jetn e krijon, me frymwn e vetw ZOTIT qw na e ka dhuruar kwtw GJENI tw fjalws e mendimit shqiptar.
    Jetwtw gjatw Ati sa juve, qw pa ngurim thksoj jeni BUNJAKE..
    Me kondideratw miku e lexuesi,sot me ju kremtuar 80 vjetorin tej oqeanit….

    Dhimitwr Xhoga

    Reply to this comment
  2. shefqet sulmina June 1, 12:45

    Moikom Zeqo per mua eshte dhe do te mbetet “Polumbari” me i madh poetik dhe filozofik shqiptar. Poezia e tij eshte nje anije e gjalle hedhur ne oqeanin e fjales plot art te shqipes. Z. Loli, urime per shkrimin, asnjehere per lajmin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim