Euro zbret pranë mesatares historike, ja me sa u zhvlerësua këtë vit

December 31, 2019 08:20

Euro zbret pranë mesatares historike, ja me sa u zhvlerësua këtë vit

Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën rënëse edhe përgjatë 2019-s, ndonëse me ritme më të ngadalësuara në raport me vitin e mëparshëm. Euro po e mbyll vitin në kuotën e 122 lekëve, nga mbi 125 lekë që nisi 2019-a, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Kursi mesatar i euros për gjithë vitin 2019 ishte 123 lekë nga 127.6 lekë në 2018-n, duke shënuar një nënçmim prej 4.6 lekësh, ose 3.6%. Ky nivel është afër mesatares vjetore minimale historike që kur euro ka dalë si monedhë fizike, të arritur në vitin 2008 prej 122.8 lekësh. (Shih grafikun: Kursi mesatar i këmbimit nga viti 2002).

Ndërsa një vit më parë, në 2018-n, kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a, sipas përpunimit që Monitor u bëri të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Që nga viti 2013, kur monedha e përbashkët ishte në kulmin e saj prej 140.3 lekësh, euro ka rënë me 17 lekë, duke u zhvlerësuar me 12.3%.

Ndryshe nga 2018-a, kur bleu mbi 450 milionë euro për të frenuar rënien e pazakontë të monedhës së përbashkët, këtë vit Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg vetëm për efekt të rritjes së rezervave të saj valutore. Deri për 9 mujorin, kur janë bërë publike të dhënat, Banka e Shqipërisë ka blerë 99.3 milionë euro.

Ekonomia formale nuk shpjegon rënien e euros

Për 9 mujorin 2019, deficiti i llogarisë korente, i cili mat transaksionet ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës, pra mat hyrje-daljet e valutës (pa përfshirë llogaritë financiare) u përkeqësua në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një tregues që zyrtarisht nuk justifikon rënien e euros në të njëjtën periudhë.

Statistikat e bilancit të pagesave tregojnë se për periudhën janar-shtator, deficiti i llogarisë korente u përkeqësua me gati 40% (kyesisht si rrjedhojë e importeve të larta dhe rënies së eksporteve), çka nënkupton se në vlerë absolute, zyrtarisht në ekonominë shqiptare hynë 195 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.(Shiko grafikun: Bilanci i llogarisë korrente, janar-shtator). Teorikisht hyrja e më pak valute në vend duhet të kishte ulur ofertën dhe të ndikonte në forcimin e euros.

Por, përvoja ka treguar se në Shqipëri ecuria e këtij bilanci shpesh nuk lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e kursit. Psh në vitin 2010, kur deficiti i llogarisë korente u përmirësua me 35%, që teorikisht duhet të kishte forcuar lekun, ky i fundit ra me 5 lekë ndaj euros. Apo dhe në vitin 2016, kur ndonëse deficiti i llogarisë u përkeqësua, monedha e përbashkët u zhvlerësua me 2.3 lekë. (shih në fund grafikët e bilancit të pagesave). E njëjta dukuri ishte dhe në 2017-n, ku përmirësimi i deficitit të llogarisë korente për gjithë vitin në raport me 2016-n, ishte vetëm 10 milionë euro, ndërsa euro ra ndjeshëm nga 137 në 134 lekë për të njëjtën periudhë.

Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, rënia e euros vitet e fundit lidhet me ofertën e lartë në valutë nga njëra anë dhe qarkullimin e ngadaltë të monedhës vendase nga ana tjetër.

Një faktor që vlerësohet të ketë shtuar ofertën për valutë që nga gjysma e dytë e vitit 2016, kur filloi dhe rënia e euros është rritja e hyrjes së valutës informale, e cila rezulton se po pastrohet në vend. Në një raport të MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave.

Në një tjetër raport të fundit të Qendrës Europiane të Monitorimit të Drogave (EMCDDA), “Tregu i drogave 2019”, e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm. Sipas raportit, “Shqipëria ka të ngjarë të jetë prodhuesi më i madh i kanabisit bimor të trafikuar në BE.

Organizatat kriminale shqipfolëse bashkëpunojnë me të tjera në disa shtete anëtare të BE-së: Austri, Kroaci, Greqi, Hungari, Itali, Rumani, Suedi, Turqi dhe Mbretëria e Bashkuar. Këto shtete kanë raportuar rritje të konfiskimeve të kanabisit bimor, me origjinë shqiptare. Organizatat kriminale shqipfolëse, të përfshira në trafikun e kanabisit bimor përdorin gjithashtu korrierët e parave cash, të cilët zakonisht kontrabandojnë para me makinë në Shqipëri nga BE me makinë. Në Shqipëri, paratë cash përdoren për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm”./ Monitor

 

o.j/dita

December 31, 2019 08:20
Komento

1 Koment

  1. Adih December 31, 17:11

    Me gjithe se emigrandet shqiptare , po ju mbajne me buke ,ju jeni barbar ,dhe po i shkelni brutalisht emigrendet me kembe . Bravo ripjellja ,ja keni kaluar disa here Sali largqoftit .Ulja e pa logjikeshme e me qellim te Euros , favorizon monopolet e bandave ne politike ,dhe as edhe gje me teper , te thjeshta teknikisht per tu kuptuar .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank