Europa dhe Amerika: Vive la différence!

September 9, 2018 12:32

Europa dhe Amerika: Vive la différence!

Prof. Fatos Tarifa

Vijon nga numri i kaluar

Bota e nesërme pa dyshim do të mbartë rreziqe të shumta dhe, nëse periudha e supremacisë amerikane, siç pretendojnë shumë autorë, po i afrohet vërtet fundit të saj, tezë kjo të cilën unë vetë e refuzoj, opsioni më i mirë i mundshëm për ta vazhduar më tej lëvizjen historike për krijimin e një shoqërie ndërkombëtare të paqtë e demokratike do të ishte që stafetën e lidershipit ndërkombëtar ta merrte një superfuqi demokratike, siç është Europa e bashkuar. Një skenar i tillë, sidoqoftë, nuk ka gjasa që të materializohet.

Tri janë shtetet europianë, të cilët historikisht kanë luajtur, luajnë e do të vazhdojnë të luajnë një rol përcaktues në jetën dhe në fatet e kontinentit tonë—Gjermania, Franca dhe Anglia. Le të ndalemi shkurtimisht në to.

Një  “Gjermani europiane” apo në një “Europë gjermane”?

Riunifikimi i Gjermanisë në vitin 1990 i prishi përfundimisht balancat mbi të cilat u formua Komuniteti Europian më 1957. Tregu i përbashkët europian u krijua kur Franca, Italia dhe Republika Federale Gjermane (më vonë edhe Britania e Madhe) ishin pak a shumë në të njëjtin nivel zhvillimi ekonomik. Sot, sidoqoftë, Gjermania qëndron në një pozitë shumë më të avancuar se të gjitha vendet e tjera të BE-së, si nga potenciali ekonomik i saj, ashtu edhe nga autoriteti e prestigji politik i saj dhe nga pikëpamja demografike.

Gjermania e “normalizuar”, nëe përdor shprehjen e ish-Kancelarit Helmut Kohl, nuk ka më nevojë për garancinë e Francës ose të Bashkimit Europian për të luajtur një rol të pavarur në politikën rajonale e atë globale. Sot, ky vend nuk bën më diplomacinë e çeqeve (checkbook diplomacy), si në kohën e Luftës së Gjirit Persik, por bën një diplomaci të pavarur dhe aktive, e cila u manifestua qartë, për herë të parë, me njohjen e njëanshme prej saj të Sllovenisë e të Kroacisë si shtete të pavarur e sovranë, më 1991, edhe pse këtë e kundërshtuan në atë kohë pothuajse të gjithë partnerët e saj europianë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjermania luan sot një rol qendror në debatin politik dhe ekonomik në Europë, në një shkallë të tillë, saqë disa analistë kanë shprehur mendimin se çështja europiane mund të konsiderohet, para së gjithash, një çështje gjermane. Analistë të tjerë kanë shprehur dyshimin e tyre nëse zhvillimet e ardhshme në kontinentin europian do të rezultojnë, po të përdor sërish një shprehje të Kancelarit Kohl, në një “Gjermani europiane” apo në një “Europë gjermane”. Deri më sot, strategjia e Gjermanisë ka qenë zgjerimi i NATO-s (duke përfshirë në gjirin e kësaj aleance politiko-ushtarake ish-vendet komuniste të Europës Qendrore e Lindore), si dhe zgjerimi i BE-së në lindje e në veri. Zgjerimi i NATO-s, pas Luftës së Ftohtë ka qenë dhe është i dobishëm jo vetëm për forcimin e sigurisë në Europë, por edhe për vetë pozitën e Gjermanisë së unifikuar, e cila nuk është më një vend periferik i NATO-s, por është gjeografikisht në qendër të hapësirës europiane që mbrohet nga kjo aleancë.

Nga ana tjetër, ishte Gjermania ajo që luajti rolin kryesor në zgjerimin e BE-së me anëtarë të rinj, si Austria dhe dy vende nordike (Finlanda dhe Suedia) në vitin 1995. Po kështu, Gjermania u bë avokati më i mirë për anëtarësimin në BE të Polonisë, të Republikës Çeke e të Hungarisë. Këta vende, Gjermania Perëndimore i kishte ndihmuar ekonomikisht për vite me radhë, duke pritur jo vetëm ribashkimin e saj me Republikën Demokratike Gjermane, por edhe transformimin kapitalist e demokratik të këtyre vendeve. Me këtë, Gjermania synonte krijimin e një “blloku verior”, zgjerimin e sferës së influencës së saj në Europën Qendrore e Lindore dhe gjetjen e një partneri të ri tregtar te Polonia. Roli aktiv dhe kryesor i Gjermanisë sot në Ballkanin Perëndimor dëshmon edhe më mirë pozitën e këtij vendi në konstelacionin politik dhe ekonomik të Europës.

Sot, Gjermania kërkon që të legjitimojë një rol të ri për veten e saj, të cilin e justifikon me potencialin e vet ekonomik (si fuqia e katërt më e madhe ekonomike e globit (pas Amerikës, Kinës dhe Japonisë), me peshën e saj politike, arsenalin e saj ushtarak, shkallën e lartë të zhvillimit teknologjik dhe si vendi me popullsinë më të madhe në Europë. Gjermania me të drejtë kërkon të marrë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe, herët ose vonë, me siguri do të kërkojë të drejtën për të poseduar edhe ajo një arsenal bërthamor.

Gjermania, e cila i ka lënë pas traumat e dy luftrave botërore—që ajo vetë i nisi dhe i humbi në disfatë të plotë—është sot një ndër demokracitë më të konsoliduara dhe një aktor shumë i rëndësishëm në skenën globale, duke marrë pjesë madje, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në operacionet paqeruajtëse në përbërje të misioneve të OKB-së dhe të NATOs në Kosovë dhe në Afganistan.

Ajo që duhet theksuar në mënyrë të veçantë është se Gjermania luan sot rolin e interlokutorit kryesor të Perëndimit me Rusinë. Marrëdhëniet ruso-gjermane kanë qenë një tipar esencial i politikës europiane qysh nga koha kur Kancelari gjerman Willy Brandt formuloi atë që në zhargonin politik quhet Ostpolitik, në vitin 1969. Termi Ostpolitik i referohet politikës së jashtme të një shteti perëndimor në Europë (në mënyrë të veçantë politikës gjermane) ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj shteteve të tjerë komunistë të Europës Lindore. Pavarësisht se cila parti, ose koalicion partish ka qenë ose është në pushtet në Gjermani, Ostpolitik ka qenë dhe duket se ka mbetur një politikë konstante e këtij vendi.

 Franca—C’est la vie!

Kredoja goliste e pas Luftës së Dytë Botërore “Indépendance, puissance, grandeur et mission universelle” sot nuk është më shumë sesa një footnote në historinë e doktrinave politike të shekullit të 20-të. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lidershipin shpirtëror të Francës në vendet e “Botës së Tretë” pasi ajo humbi kolonitë e saj të dikurshme, ose mbi synimin e saj për t’u bërë lideri politik i Europës së bashkuar.

Franca doli e shkatërruar dhe e poshtëruar nga Lufta e Dytë Botërore, edhe pse në krahun e fuqive fituese. Ajo nuk u ftua në Konferencën e Jaltës bashkë me tri fuqitë e tjera të mëdha triumfuese në atë luftë—Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Britaninë e Madhe. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Franca gjithmonë ruajti solidaritetin e saj me Perëndimin sa herë që krijohej një situatë krize në sistemin dypolar, ndërsa siguria e saj kombëtare ka qenë e garantuar nga ombrella mbrojtëse amerikane. E rimëkëmbur nga Lufta me dollarët amerikanë dhe me ndihmën e Amerikës, Franca arriti të bëhej përsëri një fuqi e madhe, ose të paktën ushqente iluzionin se ajo mbeti dhe vazhdon të jetë një fuqi e tillë.

Ç’rrethana i rikthyen Francës statusin dhe prestigjin e një fuqie të madhe dhe sa e qëndrueshme është pozita ndërkombëtare e saj sot?Statusi i Francës si një ndër fuqitë e mëdha në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore u përcaktua kryesisht nga tre faktorë:Së pari, pushtimi sovjetik i Europës Lindore dhe Qendrore dhe ndarja e Gjermanisë në dy shtete të veçantë. Këto dy rrethana i dhanë Francës (edhe pse ajo nuk ishte ndër negociatorët e rendit të ri botëror në Jaltë), një superioritet politik dhe diplomatik të qëndrueshëm ndaj Republikës Federale Gjermane dhe një influencë mefistofeliane mbi këtë vend, i cili, pas Luftës, nuk u lejua të luante asnjë rol të rëndësishëm në politikën dhe diplomacinë botërore. Parisi u njoh si një ndër katër fuqitë triumfuese në Luftën e Dytë Botërore, me të drejta statutore në të gjithë Gjermaninë dhe në “Berlinin si të tërë”, të drejta këto, të cilat iu konfirmuan Francës edhe me marrëveshjen katërpalëshe të vitit 1971.Së dyti, vendi permanent që iu dha Francës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara qysh nga krijimi i kësaj organizate.Së treti, arsenali bërthamor parandalues që iu lejua të zotërojë, i cili do të shërbente për të ndërtuar, të paktën në teori, një politikë mbrojtëse të pavarur dhe një doktrinë ushtarake tërësisht franceze.

Në ditët tona, të gjitha këto pretendime që kanë mbajtur në këmbë iluzionin e Francës si një fuqi e madhe e globit nuk qëndrojnë më. Jalta është tashmë një histori e vjetër. Perandoria sovjetike është shembur. Gjermania është ribashkuar. Europa gjithashtu është bashkuar. Avantazhet politike e diplomatike të Francës në krahasim me Gjermaninë nuk janë më ato të dikurshmet, me përjashtim të vendit që ajo vazhdon të mbajë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sidoqoftë, edhe këtë privilegj ndaj Gjermanisë Franca mund të mos e ketë më në një të ardhme të afërt, nëse Gjermania, ashtu si dhe Japonia, India, Brazili dhe, ndoshta, Afrika e Jugut, do të bëhen anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ekonomikisht, Franca renditet sot e treta në kontinent, pas Gjermanisë dhe Anglisë, ndërsa arsenali bërthamor i saj nuk mund të thuhet më se përfaqëson simbolin vendimtar të statusit të një fuqie të madhe në një botë, në të cilën shumë shtete posedojnë armë bërthamorë.

Përfytyroni për një çast se si mund të ndihen francezët sot, në fillim të shekulli të 21-të. Një shekull më parë ata humbën superioritetin e tyre strategjik ndaj Gjermanisë, e cila i mundi në luftë dhe i pushtoi dy herë. Po në atë kohë, Franca humbi superioritetin e saj ndaj Amerikës, e cila, gjatë shekullit të kaluar, i erdhi dy herë në ndihmë, duke i çliruar francezët nga çizmja gjermane dhe duke i ndihmuar ata të rimëkëmbeshin e të zhvillonin ekonominë e tyre kombëtare.

Në vitet 1950 dhe 1960 francezët humbën një perandori të madhe. Pas riunifikimit të Gjermanisë në vitin 1990, Franca humbi pozitën e saj dominuese në Komunitetin Europian. Megjithatë, francezët akoma vazhdonin të ndiheshin “superiorë” për shkak të gjuhës frënge dhe të kulturës së “lartë” franceze. Sot, edhe këta faktorë nuk i japin më Francës “madhështinë” e dikurshme: frëngjishtja nuk është më një gjuhë e përbotshme dhe kultura franceze nuk është më kultura elitare e njerëzimit. Në dekadat e fundit, anglishtja i ka zënë vendin frëngjishtes si lingua franca e diplomacisë, e kulturës, e tregtisë, e teknologjisë dhe e artit dhe është bërë, në një kuptim real të fjalës, gjuha universale e Internetit. (Mëshumëse 80% e faqeve në Web që funksionojnë sot në hapësirën kibernetike janë në anglisht dhe 60 deri 85% e mesazheve e-mail që shkëmbehen në Internet shkruhen në anglisht). Njerëzimi sot flet, dëgjon, mendon, lexon, sheh, krijon, komunikon në gjuhën e fuqisë më të madhe të botës—Amerikës. C’est la vie!

Në rrethana të tilla, tingëllojnë krejtësisht jashtë realitetit fjalët e një ish-ministri të jashtëm francez, Hubert Vedrine, i cili, duke shprehur antagonizmin e qeverisë së tij ndaj hegjemonisë amerikane, më 1999 thoshte: “Ne nuk mund t’i pranojmë as një botë njëpolare, as një botë kulturalisht uniforme dhe as unilaterizmin e një hyperfuqie të vetme”. Por, nëse Franca nuk e dëshiron dhe nuk e pranon këtë realitet, ajo vetë nuk ka asnjë mundësi që ta ndryshojë atë. Francës, ashtu si edhe fuqive të tjera të mëdha, do t’u duhet të jetojnë edhe për shumë kohë në këtë botë njëpolare, përderisa as Franca, as ndonjë fuqi tjetër nuk duket se është në gjendje—dhe nuk do të jetë në gjendje për një kohë relativisht të gjatë—që të zhvillohet si një kundërpeshë ndaj Amerikës dhe ta ndryshojë strukturën e rendit të sotëm botëror.

Britania e Madhe—Brexit

E para gjë që mund të thuhet për këtë vend është se ai, duke u kushtuar vëmendje zhvillimeve në këtë anë të Kanalit të Lamanshit (në Europë), gjatë dy shekujve të fundit e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë vështrimin e saj përtej Atlantikut (në drejtim të Amerikës). Duke u bërë më shumë “europiane”, Britania e Madhe është bërë, njëkohëshisht edhe më shumë “atlanticiste”.

Është me interes të kujtojmë se Anglia ka pasur një histori marrëdhëniesh të vështira me Komunitetin Ekonomik Europian. Pranimi i Anglisë në këtë komunitet u pengua dy herë—më 1963 dhe 1967—nga Franca, e cila, nën drejtimin e Presidentit Charles de Gaulle, vuri veton për të mos e lejuar fqinjin e saj përtej Lamanshit që t’i bashkohej klubit kontinental të vendeve të Europës Perëndimore. Anglia u bë anëtare e Komunitetit Europian (Europian Community), sot Bashkimi Europian, më 1973, pas vdekjes së Presidentit De Gaulle.

Vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Europian dy vite më parë (ajo çka në fjalorin politik tashmë njihet si Brexit), nuk ishte krejt i papritur. Ky vend gjithnjë ka mbajtur një qëndrim skeptik ndaj Brukselit dhe ndaj zhvillimeve institucionale në gjirin e Bashkimit Europian. Në vitin 1988, kryeministrja britanike Margaret Thatcher kundërshtoi një plan të Brukselit për të krijuar një shtet federal europian, i cili të kishte bankën e vet qendrore dhe një monedhë të përbashkët për të gjithë vendet anëtarë të Komunitetit Europian. Qysh nga ajo kohë, çdo qeveri britanike ka refuzuar që t’u bashkohej vendeve të BE-së që adoptuan euron si monedhën e tyre të përbashkët, duke e parë këtë si një kërcënim të sovranitetit kombëtar të Britanisë. Po kështu, ky vend gjithnjë refuzoi të bëhej pjesë e zonës Shengen, duke respektuar një regjim tjetër vizash për hyrjen dhe daljen e njerëzve nga kufijtë e tij shtetërorë nga ai regjim që kanë adoptuar pothuajse të gjitha vendet e BE-së.

Euroskepticizmi i anglezëve duket se është ushqyer jo vetëm nga marrëdhëniet historikisht të vështira që vendi i tyre ka pasur me Europën, por, në një shkallë të madhe, edhe nga ineficienca e institucioneve të BE-së. Siç ka vënë në dukje Conrad Black:“Konsensusi kombëtar britanik ka qenë që të evitohet integrimi europian derisa institucionet politike të Europës të funksionojnë po aq mirë sa edhe institucionet që Britania ka zhvilluar për veten e saj gjatë 800 vjetëve të fundit; derisa të mos ketë më rrezik që vendi i tyre të kthehet pas në politikën e taksave, të shpenzimeve dhe në marrëdhëniet e punës të periudhës para Theçerit dhe derisa marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të mos bëhen pjesë e marrëdhënieve më pak produktive të Francës dhe Gjermanisë me SHBA-në”. Kryesisht po këto arsye shpjegojnë vendimin e Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja. Paradoksalisht, Anglia dhe Turqia (e lënë padrejtësisht jashtë dyerve të BE-së), janë dy fuqi të mëdha, pa të cilat Bashkimi Europian është e do të jetë më i dobët dhe më oak i pasur.

A Mid-Life Crisis?

Para se të vazhdoj të shtjelloj më tej argumentin tim, dëshiroj të bëj të qartë atë që unë nuk them. Unë nuk them se Europa është e pafuqishme. “Projekti Europian”, deri më sot, ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm, i cili ka çuar në krijimin e një tregu të përbashkët europian, që tani shtrihet nga Lisbona në perëndim deri në Helsinki e në Athinë në lindje dhe i ka shëmbur barrierat kufitare për lëvizjen e lirë të njerëzve thuajse në të gjithë kontinentin tonë.

Një Europe të bashkuar në një mënyrë vërtet efektive nuk do t’i mungonin kapacitetet e nevojshme për t’u bërë një fuqi botërore më vete. Në fakt, Europa edhe tani mund të cilësohet si një superfuqi ekonomike e financiare. Duke prodhuar gati një të tretën e GDP-së globit (pak më shumë se Shtetet e Bashkuara), BE është bërë një fuqi ekonomike e klasit të parë, e aftë që të konkurojë me Amerikën dhe me ekonomitë aziatike e të negociojë nga pozita të barabarta me to mbi çështje të tregtisë e të financave ndërkombëtare. Sidoqoftë, fuqia ekonomike e Europës nuk matet realisht me agregatin e GDP-ve të 27 vendeve anëtare të BE-së (pa Britaninë e Madhe), por me GDP-të e 19 vendeve anëtare të Eurozonës, të marra së bashku, të cilat kanë një politikë monetare dhe, deri diku fiskale, të përbashkët. GDP-ja e përbashkët e këtyre vendeve nuk e kalon GDP-në e Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, një konglomerat vendesh të pabarabarta, siç është Bashkimi Europian, nuk mund të jetë një aktor strategjik në skenën globale, njëlloj si fuqitë e tjera të mëdha. Edhe pse vendet e BE-së, të marra së bashku, shpenzojnë për mbrotje më shumë se çdo vend tjetër në botë, veç Amerikës, Europa e bashkuar as nuk ka synim që t’i arrijë Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim dhe as nuk mundet.

Ajo që unë përpiqem të argumentoj është se Bashkimi Europian, në këtë fazë të zhvillimit të tij, po kalon një mid-life crisis, të cilën e gjenerojnë pakësimi dhe plakja e shpejtë e popullsisë europiane, kriza e sistemit europian të shtetit të mirëqenies, ritmet e ulëta të zhvillimit ekonomik pothuaj në të gjithë vendet e BE-së, “deficiti demokratik” i vetë unionit europian, si dhe paaftësia e tij për të vepruar si një fuqi e vetme në fushën e politikës së jashtme, atë të mbrojtjes e të sigurisë.

Unë theksoj, gjithashtu, se fuqia ekonomike dhe financiare e Europës dhe kapacitetet ushtarake të saj nuk e bëjnë atë një fuqi strategjike globale, çka është një kusht esencial për të marrë përsipër rolin e lidershipit global. Për tre mijë vite me radhë, europianët kanë qenë një “racë” luftëtarësh, të ardhur “nga Marsi”, po të përdorim shprehjen e njohur të autorit neorealist Robert Kagan, të cilët i ranë botës kryq e tërthor për ta eksploruar dhe pushtuar atë, një “racë” e cila “zbuloi” luftën si të tillë dhe bëri, qysh nga koha e Trojës, luftrat më të përgjakshme, kryesisht në kontinentin e saj. Sidoqoftë, sot europianët nuk janë më të tillë dhe, në mungesë të një identiteti dhe të një patriotizmi europian, askush prej tyre, siç ka vënë në dukje Brzezinski, nuk ka vullnetin “të vdesë për Europën”. Nëse përdor sërish fjalët e Kaganit, duket se europianët e sotëm janë një “racë” “nga Venusi”.Përmend vetëm një fakt. Numri i forcave të armatosura në vendet e BE-së, të marra së bashku, i kalon 2.5 milionë, megjithatë, vetëm 3% e tyre janë në gadishmëri që të marrin pjesë në veprime ushtarake në çdo kohë, ndërkohë që Amerika mban në gadishmëri—dhe mund të mobilizojnë për veprime ushtarake në çdo moment—rreth 85% të forcave të armatosura të saj.

Po kështu, unë përpiqem të argumentoj se Amerika është dhe do të vazhdojë të mbetet për një kohë relativisht të gjatë e vetmja superfuqi, me të cilën sot—dhe për disa dhjetëvjeçarë—nuk do të mund të krahasohet asnjë fuqi tjetër të madhe, në asnjë nga dimensionet që përbëjnë elementet bazë të pushtetit të një fuqie globale. Në fushën e mbrojtjes, fjala vjen, Amerika shpenzon sot pothuajse aq sa të gjitha vendet e botës, të marra së bashku. Ekonomia e saj, e llogaritur në GDP, është më e fuqishme se ekonomitë e të 19 vendeve të Eurozonës, të marra së bashku. Asnjëherë më parë në historinë moderne nuk ka ndodhur që diferenca mes fuqive të mëdha të globit të jetë kaq e madhe.

Europa përballë hegjemonisë kulturore të Amerikës

Supremacia e Amerikës ndaj fuqive të tjera të globit nuk duket vetëm në faktorët ekonomikë, politikë dhe ushtarakë. Ajo shprehet, gjithashtu, edhe në një komponent tjetër të rëndësishëm, siç është hegjemonia kulturore e saj. Kjo hegjemoni nuk ka të bëjë thjesht, ose vetëm me kulturën pop, me stilet artistike, ose preferencat dhe shijet konsumeriste, siç mendohet gabimisht shumë herë, por sidomos me kulturën artistike dhe shkencore më të lartë. Amerika ka jo vetëm McDonald’s, por edhe Microsoft; edhe Starbucka, por edhe Google dhe Amazon; ajo ka edhe NBA edhe NASA, edhe Hollywood edhe Harvard.

Amerika ka universitetet më të mirë në botë, të cilët “prodhojnë” popullatën më të madhe të studiuesve me PhD, rreth 60,000 të tillë në vit. Përveç një numri të madh profesorësh nga Europa dhe nga vende të tjerë, universitetet amerikanë (veçanërisht programet e tyre doktorale), tërheqin një numër më të madh studentësh të huaj sesa të gjitha universitetet e botës, të marrë së bashku. Në ditët tona, në Shtetet e Bashkuara punojnë rreth gjysmë milion shkencëtarë nga vende të ndryshëm të Europës, pa përmendur mijëra të tjerë nga vendet e Azisë, të Amerikës Latine, nga Kanadaja, Australia, Lindja e Mesme etj. Shkencëtarët amerikanë marrin shumicën absolute të çmimeve Nobel në shkencë dhe të çmimeve të tjerë ndërkombëtarë. Qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, në katër fusha të kërkimit shkencor (mjekësi, kimi, fizikë dhe ekonomi), për të cilat çdo vit akordohet Çmimi Nobel, numri i shkencëtarëve amerikanë të laureuar me këtë çmim është më i madh sesa numri i shkencëtarëve të laureuar po me këtë çmim nga të gjithë vendet e tjerë të botës.

Duke e krahasuar Amerikën me fuqitë e tjera të mëdha, në të kaluarën por edhe sot, Josef Joffe vë në dukje se burimi i fuqisë së Amerikës është truri i saj. Ndryshe nga pushteti i mbretërve Habsburgë të Spanjës, fjala vjen, të cilin e mbante në këmbë argjendi i Amerikës Latine, osendryshe nga Gjermania e fillimit të shekullit të 20-të dhe e viteve 1930, forca e së cilës mbështetej në makinën ushtarake dhe në industrinë që punonte për të, Amerika ka mbledhur dhe vazhdon të mbledhë shkencëtarët më të mirë nga e gjithë bota. Kjo e bën Amerikën të dominojë në çdo fushë të kreativitetit e të veprimtarisë njerëzore—në ekonomi, në politikë, në fushën ushtarake, në shkencë, në teknologji, në kulturë—dominim i cili nuk ka të bëjë me qenien në krye të administratës amerikane të këtij apo të atij presidenti, por me potencialet e mëdha krijuese, me pasuritë e jashtëzakonshme të këtij vendi, si dhe me shkallën e lirisë që ekziston atje.

Aftësia për të tërhequr dhe stimuluar intelektualisht dhe materialisht talentet shkencore nga të katër anët e botës është një ndër arsyet që shpjegon, të paktën qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ritmet e larta të inovacionit shkencor e teknologjik në Shtetet e Bashkuara dhe që do t’i rezervojë shoqërisë amerikane rolin e lidershipit në këtë fushë për një periudhë kohe shumë të gjatë.

Shoqëritë aziatike, sigurisht, i çmojnë efektet transformuese pozitive shumë të mëdha që kanë luajtur universitetet amerikane në zhvillimin ekonomik, teknologjik, social e kulturor të këtyre shoqërive. Kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë për shkak se studentët aziatikë, të diplomuar e të doktoruar në Amerikë, si rregull, kthehen në vendet e tyre pas përfundimit të studimeve, duke sjellë me vete jo vetëm dijen bashkëkohore dhe aftësi të çmuara në shkencat inxhinierike, në mjekësi, në arkitekturë etj, por edhe atë “American Dream” që i bën ata të besojnë se çdo individ mund të arrijë sukses në jetë, pavarësisht kastës apo klasës shoqërore nga e cila vjen. Ashtu sikurse “katër modernizimet” e Ten Sjaopinit nuk do të kishin pasur sukses nëse ky udhëheqës refomator i Kinës nuk do t’i kishte inkurajuar aspiratat e popullit kinez me shembullin e modelit amerikan dhe me ëndrrën ekonomike amerikane, është vështirë të mendohet se si do t’i kishte arritur sukseset e saj Azia moderne pa kontributin amerikan.

Që Amerika dominon pushtetin e trurit, do të thotë se ajo jo vetëm mendon për të ardhmen, por ka edhe çelësin e saj. Dhe nëse klasa e mesme e “fshatit global”, në të cilin jetojmë, me rritjen e vazhdueshme të konsumit masiv që është karakteristikë e shoqërisë moderne, po e dëmton edhe më shumë biosferën e planetit tonë, nuk ka dyshim se (pavarësisht qëndrimeve të presidentit aktual Donald Trump), do të jenë pikërisht universitetet amerikane ata që do të realizojnë studimet dhe do të shpikin metodat e duhura për ta riparuar këtë dëm.

(vijon nesër)

September 9, 2018 12:32
Komento

4 Komente

  1. MH September 9, 14:00

    Sot botes nji polare po i afrohet krijimi i polit te dyte.Poli i verdhe kinez.Kur te arrihet ne te njejtin nivel.Stratimi i polit te verdhe do rrisin lehtesisht shpejtesin per te kene vete poli i pare strategjik i botes.

    Reply to this comment
  2. Albert September 9, 20:08

    Per kujtese profesorit
    Ne vitin 1999 GDP amerikane ishte 40% e GDP boterore ne 2016 ishte 24% e saj
    USA sot ka borxhin me te larte ne bote 20 trilion (20 mije miliarde dollar)
    USA vetem Kines i ka borxh 5000 miliarde dollare
    Usa dalengadale po kthehet ne nje vend thjesht konsumator qe prodhon thjesht copa letre (dollare) duke rrezikuar gjithe ekonomine boterore
    Sa per dijeni USA shtyp(printon)
    Afersisht 500 miliarde dollare ne dite te cilet thjeshte ulin vleren e dollarit
    Mos beni krahasime me lekun por me arin dhe nga 2009 deri 2017
    Cmimi i arit ne dollare eshte trefishuar
    pra dollari eshte zhvleresuar 3 here
    Profesorit duhet ti bejme nje upgrade se vazhdon me te dhenat e viteve kur ka qene student

    Reply to this comment
  3. Roza September 9, 22:00

    Faleminderit Profesor!
    Respekt,
    Roza , ish studentja juaj ne USA.

    Reply to this comment
  4. return of the saint September 10, 21:54

    TARIFA ja ke mbyt kot me tre te parat(Gjermani France UK) nuk fuksionon keshtu sistemi nderkombetar rishikoe, analize amatore

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*