Europa ku po trokasim, një kalendar i ngjarjeve pas vitit 2000

April 19, 2018 11:00

Europa ku po trokasim, një kalendar i ngjarjeve pas vitit 2000

Eksperimenti demokratik më kompleks i botës, mori formë 61 vjet më parë, nën hijen e zgjatur të luftës më të madhe dhe më të tmerrshme botërore.

Nga ato ditë të para me gjashtë anëtarë, deri tek 28 anëtarët që ka sot (shumë shpejt do të jenë 27, sepse Britania e Madhe po largohet), ka qenë i gjithi, si një rrugëtim me karusel.

Dikur thellësisht e ndarë, Europa është sot shumë më e bashkuar, e padyshim më e pasur. Megjithatë mbetet ende e debatueshme, se sa shumë prej këtij suksesi, ka ardhur prej ekzistencës së BE dhe direktivave e rregulloreve të hartuara në Bruksel dhe miratuara në Luksemburg.

Ja disa prej momenteve më kyçe pas vitit 2000:

Fillimi i viteve 2000: Kasandra parashikon turbulenca

Komisioni Europian rekomandon që Greqia të bëhet anëtari i 12 i eurozonës, bazuar në tregues ekonomikë të falsifikuar. Ekonomistët kudo paralajmërojnë se qeverisja e eurozonës është e paplotë, e ngjashme me një shtëpi gjysmë të ndërtuar që nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë një cikloni.

2002: Para qesharake

Udhëtarët kudo festojnë që nuk u duhet të paguajnë para për normën e këmbimit falë Euros, që shumë shpejt fiton statusin e monedhës Nr. 2 në botë, pas dollarit amerikan – dhe ndërkohë i jep vetes një minë me sahat financiare. Gjermania, që mund ta përballojë borxhin, merr hua më lirë se kurrë për t’u shndërruar në një fuqi globale eksporti, që do të dominojë ekonomitë e tjera europiane. Edhe të tjerë marrin hua si gjermanët, por harrojnë të mbajnë mend se janë spanjollë, italianë… ose grekë.

2002 e më tej: Zbatuesi global

Komisioni bllokon një bashkim të propozuar mes kompanive amerikane GE dhe Honeyuell dhe vërteton se mund të përcaktojë agjendën globale për politikën e konkurrencës. Kjo gjë zemëron amerikanët, që e shpikën fushën e antitrusteve dhe tani shohin që kompanitë e tyre bëhen shënjestra në Bruksel. 15 vjet më vonë, një seri gjobash miliarda euro, urdhërash për shlyerje, dhe hetimesh disa vjeçare do të lënë të shastisura kompani të mëdha botërore, mes tyre Microsoft, Apple, Google, Gazprom, Heineken dhe Saint-Gobain.

2004: Madhësia ka rëndësi

Ka skena festimesh të ekzaltuara në tetë ish shtete sovjetike, si dhe në Qipro e Maltë, të cilët i bashkohen radhëve të klubit si pjesë e përpjekjes më të madhe zgjeruese të BE. Për herë të parë, më shumë se gjysma e vendeve europiane janë anëtarë të Unionit. Europa e vjetër nis të bëhet nervoze.

2005: “Periudha e refuzimit”

Me shumë bujë, hartohet një kushtetutë e re e Europës. Disa prej autorëve shpresojnë se do të bëhet versioni europian i kushtetutës së SHBA – një model për demokratët në gjithë botën. Por votuesit në Francë dhe Holandë e shkatërrojnë ëndrrën, duke hedhur poshtë kushtetutën dhe futur Unionin në një “periudhë reflektimi”. BE del nga depresioni duke hartuar Traktatin e Lisbonës – sërish i refuzuar, këtë herë nga irlandezët.

2008: Katastrofa financiare

Kriza financiare globale, për të cilën BE fillimisht fajësoi kaubojsat amerikanë, godet fort. Europa mbikëqyr shpëtimin e një banke në ditë, ajo sheh tregun e përbashkët të vihet në rrezik, dhe papunësinë të rritet shumë, ndërkohë që rritja ekonomike pëson një rënia dhe disa shtete kërkojnë paketat poshtëruese të shpëtimit. Shumë qeveri europiane kanë neglizhuar implementimin e reformave strukturore që do të kishin ndihmuar ekonomitë të përballonin valët e tronditjes, por e kanë më të lehtë të fajësojnë Uoll Stritin, Xhorxh Bushin… dhe Brukselin.

2010-2016: Europa e kursimit

Unioni forcon arsenalin duke krijuar një fond shpëtimi dhe union bankar. Eshtë i pamëshirshëm në shuplakat për vendet të cilët kanë shkelur rregullat e buxhetit të BE dhe u nevojitet një shpëtim, sidomos me Greqinë. Por ka suksese në Irlandë, Portugali dhe Spanjë, që marrin pilulat e hidhura dhe rregullojnë buxhetet.

2015: Shengeni pengohet

BE ka një zonë të lirë pa viza, pa një politikë reale migrimi apo kufi të jashtëm efektiv. Kjo gjë bëhet e dukshme në verën e 2015, teksa refugjatët dhe migrantët ekonomikë vërshojnë në BE, duke shembur gardhet në kufi dhe drejtuar për në Gjermani. Merkeli del si fytyra e re e liberalizmit global duke mirëpritur imigrantët me krahët hapur. Brukseli lihet mënjanë teksa qeveritë e vendeve anëtare arrijnë fillimisht në një marrëveshje për shpërndarjen mes tyre të imigrantëve, por më pas refuzojnë ta zbatojnë.

2016: A ka një magji Brukseli?

Mbretëria e Bashkuar voton për të dalë nga një union që asnjëherë nuk e përqafoi plotësisht, duke shkaktuar një krizë ekzistenciale mes bllokut 27-anëtarësh. Vota e Britanisë vjen e simbolizon një seri populizmash nacionaliste që vënë në rrezik Unionin, përpara një serie zgjedhjesh. Teksa zyrtarët në të dy anët e Kanalit grinden mbi logjistikën dhe pasojat e shkëputjes së Britanisë nga Brukseli, Brexit shndërrohet në fiksimin e BE, me negociatat që rrezikojnë të zvarritet përtej limitit prej dy vitesh që përcakton Neni 50.

b.m. / dita

April 19, 2018 11:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*