Eurot në “Toyota”/ Zbulohen dëshmitë dhe rolet e të arrestuarve

June 28, 2018 15:22

Eurot në “Toyota”/ Zbulohen dëshmitë dhe rolet e të arrestuarve

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për katër të arrestuarit për 3.4 milionë eurot e gjetura në “Toyta Yaris” katër ditë më parë në portin e Durrësit.

Para gjykatës dolën sot: Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç.

Po ashtu arrest me burg në mungesë pritet të kërkohet edhe për dy kushërinjtë e shpallur në kërkim si porositës, Alfred dhe Elvis Vladi, 33 e 38 vjeç.

Sipas Prokurorisë, secili prej tyre ka rolin e vet specifik në këtë grup kriminal. Elvis Vladi ka gjetur mjetet me qëllim transportin e parave, Lika dhe Cani siguruan transportin e mjeteve, Alfred Vladi do priste mjetet kur të vinin në port, nderkohë që Mollaymeri do zhdoganonte mjetet.

Mësohet se grupi ka bërë edhe dy rrugë të tjera më parë dhe ka dyshime se në dy rrugët e mëparshme kanë kaluar para.

Administratori i kompanisë që i solli makinat, Edi Lika ka deklaruar se makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë. Ai ka treguar edhe se ku janë ngarkuar.

“7 makinat ‘Toyota’ janë ngarkuar në Bruksel, Alfa Romeo në Liezh dhe Opeli në Ashen në Gjermani. Makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë”, ka thënë Edi Lika.

Në dëshminë e zbardhur, Agim Ceka shprehet se prej një muaji punonte si shofer te kompania e administruar nga Edi Lika, ndërsa ka bërë tre rrugë në Belgjikë.

“Në datë 12.06.2018 më mori në telefon Edi Lika dhe më tha të merrja kamionin, pasi do të shkojmë për të marrë disa makina në Belgjikë. Në datë 13 qershor jemi nisur nga Tirana dhe kemi kaluar nga Hani i Hotit, duke kaluar nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania dhe me destinacion Belgjikën në Sherlo kemi mbërritur në 16 qershor, ku kishim qenë edhe më parë. Elvis Vladi ngarkoi makinat Toyota. Në kthim na mori në telefon Edi Lika, që tha se nuk duhet të kalonin nga Ancona, por nga Bari. Personi që priste makinat në Durrës e ka emrin Fredi (Alfred Vladi), djali i xhaxhait të Elvisit”, është shprehur Agim Ceka, sipas Report Tv.

Ndërsa Alban Mollaymeri ka deklaruar se makinat i gjenin në internet dhe Alfredi i porosiste jashtë Shqipërisë. Mollaymeri është shprehur gjithashtu se ka një aktivitet privat, servis makinash.

Mollaymeri thotë se ka telefonuar Alfred Vladin kur u bllokuan makinat në port. Për të katër të arrestuarit prokuroria kërkon arrest me burg për akuzat e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal.

Pas 3 ditësh kërkime brenda vendit, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi. Ata kishin kontraktuar një firmë private për të transportuar 9 automjete nga Belgjika, në dy nga të cilat ishin fshehur 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit.

l.h/ dita

June 28, 2018 15:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*