Evropa e nacionalizmit dhe e komisionerëve

June 26, 2016 11:38

Evropa e nacionalizmit dhe e komisionerëve

 

Dr. Sulejman Abazi

 

Integrimi qëndron mbi elementë dezintegrues

Ppara dy vitesh, për dijeninë e opinionit shqiptar në një analizë social politike të publikuar në shtypin e ditës, është hedhur opsioni i elementëve dezintegrues dhe standardeve të dyfishta brenda sistemit të BE-së dhe në rastin e krizës greke, fillimin e “rënies së gjetheve” në pemën e lodhur nga erërat e fuqishme që kanë fryrë me kohë brenda Evropës së Bashkuar.

Statusi i “Kandidatit për në BE”, deri para pranimit të Kroacisë nuk ekzistoi si periudhë kohore për vendin tim, por ajo u zvarrit në negociata vitesh për anëtarësim. Kështu ka ndodhur me të gjithë shtetet e Evropës Juglindore, që janë futur në BE me një ndryshim kohor nga ëndrra shqiptare. Më në fund “komisionerët” [me kombësi të ndryshme] kërkonin terren dhe punë, duke hedhur vështrimin nga vendet e Ballkanit. Periudha e negociatave dhe e plotësimit të standardeve, e shpikur nga “klubi kristian” i Evropës vetëm për vendet e Ballkanit, po vazhdon të bëjë muu si lopa e uritur në mes të ditës, kur i zoti harron se dhe ajo ka shpirt dhe do të hajë.

Kush ka mbetur pa u futur në Evropë deri tani?!

Pra, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Turqia. Më në fund u gëzuam me statusin e vendit kandidat, duke u përballur veçanërisht me presionet greke, “na qetësuan”, na morën me të mirë dhe na vunë një mal me “detyra shtëpie”, pasi aderimi në NATO  ishte veçse një privilegj që u arrit me “diktatin” amerikan.

Kush ka menduar dhe ka vendosur që një ditë të bukur, me këtë gjendje që jemi do të pranohemi si vend anëtar me të drejta të plota në BE?!

Kur do të vijë ajo ditë, vetëm atëherë kur vetë BE-ja të jetë shpërbërë? Nëse Anglia del nga BE, këtë e dinë vetë qytetarët e saj. Vullneti i tyre nuk duhet të diskutohet. Problemi ndoshta duhet parë më thellë. Shkaqet politike dhe ekonomike që e çojnë Anglinë jashtë BE-së, sot janë vetëm pasoja të shkaqeve më të thella që shumë kohë më parë e kanë bërë këtë organizëm institucional të mbështetur në boshtin franko – gjerman aspak funksional me tronditje të thella brenda tij.

Me sa duket në vëmendjen e ideatorëve të integrimit dhe bashkimit janë anashkaluar mesazhet e dhëna vite më parë në referendumet franceze e holandeze për Kushtetutën e BE-së. U fol shumë rëndë për një “krizë financiare greke” të shkaktuar nga borxhet e mëdha, por ne ende sot nuk dimë sa është borxhi i Italisë brenda BE-së, po i Francës, Spanjës, Portugalisë?! Mos ndoshta trysnia ndaj Greqisë është një paralajmërim dhe diktat ndaj këtyre shteteve, të cilat rrezikojnë përfitimet e deritanishme brenda BE-së?!

Edhe pema do të rrijë e qetë, por ja që se le rehat era. Largimi i “zonjës së vjetër” po e vë Evropën në vështirësi të reja. Evropa e nacionalizmit dhe e “komisionerëve” nuk mund të bëhet Evropa e qytetarëve të lirë, kur brenda saj vlojnë aspiratat e katalonjasve, baskëve, belgëve e flamandëve, shqiptarëve, serbëve, maqedonëve, hungarezëve, boshnjakëve e mjaft popujve të tjërë, të cilët brenda diktatit të kufijve të padrejtë politikë të pasluftës së Dytë Botërore, sot vuajnë diskriminimin kombëtar.

T’u kujtojmë institucioneve të BE-së dhe “komisionerëve” faktin që akoma edhe pas 17 vitesh, Kosova mbetet në qendër të syrit të ciklonit në politikën botërore dhe veçanërisht atë evropiane. Padrejtësia që iu bë Kosovës në vitin 1999-të me rezolutën 1244, nuk po kalon pa pasoja për politikën evropiane, e cila me misionet e saj ka dështuar në Kosovë. Ngurrimi politik dhe pavendosmëria gjeostrategjike për ta çuar çështjen e Kosovës deri në fund, përplasja e interesave të shteteve në këtë rajon, nuk e shkëputën dot faktorin politik evropian nga ndikimet e vjetra neokolonialiste të fuqive të mëdha. Gabimin politik sot Evropa po e vuan me krizën në hije në Bosnje Hercegovinë dhe në Maqedoni.

Nëse mendohet se këto “çështje nacionale” do të zgjidhen me heqjen e kufijve brenda BE-së, ky është një gabim trashanik i radhës që i është shtuar gjykimit dhe vendimarrjes së institucioneve të politikës evropiane. Krizave të thella politike dhe institucionale brenda BE-së po i shtohet vendimi anglez, por me siguri kjo nuk ka për të qenë e fundit. Çfarë mund të bëjë Evropa pa SHBA-të dhe Anglinë, përballë një fuqie në rritje si Rusia në aspektin ekonomik, por veçanërisht atë ushtarak?!

 

Si e do BE-ja Shqipërinë?!

Personalisht gëzoj që Shqipëria të plotësojë aspiratën e saj drejt BE-së, por analiza gjeopolitike e fshikullon rëndë politikën shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar, ajo akuzon. Çështja qëndron në faktorin politik shqiptar, që i ka zënë goja lesh mbi integrimin dhe antarësimin, duke e përdorur këtë sllogan vetëm për kapital politik. Kjo është e vërteta e hidhur që nuk duhet të na lejojë të shikojmë ëndërrat tona me sy hapur.

Me qëndrimin e saj, është pikërisht ajo që nuk dëshiron që vendi të futet në BE. Shikoni dhe gjykoni se çfarë po bëhët me situatën fasadë të reformës në Drejtësi. Sot të gjithë e kanë kuptuar që Shqipëria ka mbetur peng i klanit me dy kokë të “arkitektit” Alia. Me futjen në BE askush nga këta individë – aktorë të politikës, nuk mund të pranojë të dorëzojë në BE “mandatin” e hajdutit, kriminelit, hipokritit, demagogut. Futja në BE për këta do të thotë ndëshkim para drejtësisë.

Nëse ka diçka pozitive në këto vite, merita është e qytetarëve shqiptarë, të cilët paqësisht dhe pa lëkundje ëndërrojnë të ecin në këtë rrugë edhe pse politikisht kemi mbrritur deri këtu. Nëse në Shqipëria ka papërgjegjshmëri totale, ajo i adresohet klasës politike shqiptare, deputetëve në parlament dhe kryetarit të shtetit, servilit partiak që sot mban peng institucionin e Presidentit.

Kontradikta e hapur që shfaqet në krizën e besimit të popullit ndaj politikës, ka kohë që në sytë e opinionit shqiptar ka bërë bashkëfajtor edhe misionin diplomatik në Shqipëri.

E vërteta e hidhur mbi varfërinë morale dhe social politike që shfaqet në Shqipëri, e shoqëruar me ngjarje tronditëse në nivelet më të larta institucionale dhe shtetërore, ka kërkuar me kohë qëndrimin e prerë dhe të papajtueshëm të trupit diplomatik në Tiranë në interes të mbrojtjes dhe respektimit të vlerave të demokracisë. Kjo është e vërteta jonë e hidhur, kur nëpër Evropë sot bredhin mbi 35 mijë prostituta shqiptare dhe mbi 60 mijë të rinj dergjen nëpër burgje. E vërteta e grabitjes së pasurisë kombëtare duke e mbajtur ekonominë në gjendje reanimacioni. Ngjarjet në Shqipëri kanë qenë aq të rënda sa nuk mund të harrohen kaq lehtë. Vrasjet mafioze imlikojnë klasën politike, po kështu vrasjet në protesta, krijimi i imazhit të rëndë mbi veprimin e karteleve të drogës të lidhura me politikën, presionet politike partiake për destabilitetin e vendit, koalicionet e frikëshme me interesa klanesh, mosfunksionimi dhe korruptimi i thellë i drejtësisë, mungesa e një programi të qartë strategjik të zhvillimit të ekonomisë, pasojat e rënda të mbartura nga një qeverisje në tjetrën, duke pasur çdo ditë para syve të njejtit aktor përgjegjës në politikë, janë tronditëse. E thënë shkurt dhe troç; në këto 26 vite politika shqiptare i ka shërbyer vetëm “statusit” për të mbajtur në këmbë një Shqipëri të dobët, të rënuar, të nëpërkëmbur dhe të kapur peng, dhe situata në të cilën ndodhemi vërteton se ajo ja ka arritur këtij qëllimi. Kjo situatë nuk mund të anashkalojë qoftë dhe në mënyrë diplomatike përgjegjësinë e rëndë të shkaktuar nga konfliktualiteti i thellë dhe i pashpresë në politikën shqiptare.

Tashmë jemi të bindur se diplomatët kryesorë të SHBA-ve dhe të BE-së e kuptojnë dhe vlerësojnë aspiratën shqiptare. Nëse janë të befasuar apo të lodhur me këtë klasë politike, atëherë është në nderin dhe detyrimin e tyre institucional që të gjejnë rrugëzgjidhje të reja në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Mjaftë më më hipokrizi politike. Nëse inteligjencia shqiptare çdo ditë denoncon korrupsionin politik dhe opinioni kupton dhe toleron, kjo nuk është një dobësi e shqiptarëve që duhet keqpërdorur, por është natyra e një populli tolerant dhe me shpirt paqësor që duhet respektuar.

Shqiptarët e duan Evropën, e duan dhe çmojnë shumë edhe miqësinë me SHBA-të, duan një Ballkan paqësor dhe të integruar, por ata kanë dëshmuar se e duan shumë vendin e tyre.

June 26, 2016 11:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*