Evropa lë pas krizën, qytetarët janë optimistë

October 27, 2017 15:48

Evropa lë pas krizën, qytetarët janë optimistë

Anketimi i fundit “Parlemetre 2017”, ka sjellë të dhëna mjaft interesante në lidhje me evoluimin e opinionit publik evropian. Qëllimi i tij, ishte analizimi i optikës qytetare, mbi një sërë temash që kanë interes. Kryesisht mbi Unionin dhe sfidat e tij të mëdha, integrimin evropian në përgjithësi, duke përfshirë edhe tema, që prekin njohjen e Parlamentit Evropian nga qytetarët e tij. Përmes analizimit të tyre, synohet të sigurohet një panoramë e plotë e evoluimeve kombëtare, e veçantive rajonale, e ndryshimeve socio-demografike dhe e tendencave të mëdha historike.

Ku qëndron risia e zhvillimeve të fundit ?

Vëzhgimi i një sërë të dhënave, ka sjellë thyerje të rezultateve negative, duke i çuar ato në nivele të kënaqshme të para-krizës së vitit 2007.

Një shumicë e qartë e qytetarëve evropianë (57%) vlerëson se anëtarësimi i vendit të tyre në BE, është gjë e mirë. Ky rezultat, rikthen këtë tregues në nivelin e para- krizës së vitit 2007 në BE. Dhe ky stabilitet i ripërtërirë, sipas autorëve të anketimit, nuk duhet parë vetëm në kontekstin e negociatave të vështira që janë në proces mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, por se duhet marrë gjithashtu parasysh, konteksti i fillimit të debatit publik mbi drejtimin e ardhshëm të BE-së. I përforcuar ky, në fillimin e vjeshtës nga presidenti francez Makro, si edhe nga Presidenti i Komisionit Evropian para Parlamentit Evropian.

pastedGraphic.png

Burimi:PE

Rezultate pozitive vëzhgohen edhe ndaj perceptimit të qytetarëve në lidhje me përfitimin e vendit të tyre, duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian. 64% e qytetarëve të BE-së, deklarojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE. Një tendencë kjo, që sipas autorëve të anketimit, shfaqet në rritje që pas muajit maj të vitit 2011, duke tejkaluar në këtë mënyrë edhe nivelin e para-krizës së vitit 2007. Gjithsesi, luhatjet nga njëri vend në tjetrin janë të pashmangshme, duke shkuar në mbi 85% në Irlandë, Maltë, Lituani dhe Luksemburg në më pak se 50% në Greqi, Qipro dhe Itali.

pastedGraphic_1.png

Burimi:PE

Ndër të tjera, interes shfaqin edhe të dhënat që flasin për konfirmim të një vizioni gjithnjë e më të favorshëm të qytetarëve evropianë ndaj Bashkimit Evropian. Ata, shfaqin një ndërgjegjësim në rritje ndaj faktit se BE vepron në emër të tyre, në fusha që ata i shikojnë me prioritet.

Të rëndësishme shfaqen edhe të dhënat që konfirmojnë se qytetarët evropianë presin që Unioni të kontribuojë për mbrojtjen e tyre kundër disa lloj kërcënimesh. Ndër të cilat, theksohen: terrorizmi (58%), papunësia (43%), varfëria dhe përjashtimi social (42%) si edhe migrimi i pakontrolluar (35%). Më pak se 1/4 e të anketuarve kanë cituar ndryshimin klimatik (23%), radikalizmin fetar (23%), krimin e organizuar (22%), konfliktet e armatosura (21%), ekstremizmin politik (20%), përhapjen e sëmundjeve infektuese (10%), sulmet kompjuterike, mashtrimin social dhe kërcënimet mbi konfidencialitetin e të dhënave (me 9 % secila).

Por, ndërgjegjësimi i lartë i qytetarëve evropianë ndaj rëndësisë që mbart BE, nuk ndalet këtu.

Ata, presin gjithashtu që BE të mbrojë të drejtat themelore (44%), lirinë e udhëtimit, të punësimit dhe të studimit në BE (36%), të drejtën për punë (34%) dhe barazinë mes gjinive të ndryshme (32%). Njëkohësisht, ata kërkojnë që Parlamenti Evropian të mbështesë luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social (41%), luftën ndaj terrorizmit (41%), dhe luftën ndaj papunësisë së të rinjve.

Vlerësimi, që ata kanë ndaj Parlamentit Evropian, shfaq nota inkurajuese pasi njeh rritje me 8 pikë në pak më shumë se një vit (33%), ndërkohë që imazhi negativ ndaj institucionit njeh ulje me 7 pikë, (21%). Më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (55%), kanë deklaruar se janë të interesuar ndaj zgjedhjeve evropiane të vitit 2019 dhe 47% e tyre mendojnë se Parlamenti Evropian duhet të luajë një rol më të madh në të ardhmen.

Në komentimin e të dhënave që në tërësi shfaqen pozitive, kreu i Parlamentit Evropian Tajani, do të vlerësonte rëndësinë që shfaq besimi ndaj institucioneve evropiane, që tashmë e ka lënë mbrapa krizën e viteve të fundit. Rëndësia në optikën e tij, qëndron tek fakti se në përgjithësi qytetarët po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë Bashkimin Evropian si një aktor të planit të parë, kur bëhet fjalë për adresimin e sfidave të mëdha dhe mbrojtjen kundër kërcënimeve të përbashkëta, si terrorizmi, varfëria dhe papunësia. Për të, rezultatet e sondazhit janë një mandat për Parlamentin Evropian për të rritur rolin e tij kyç në përcaktimin e së ardhmes së BE-së, si edhe forumi më i mirë për të debatuar se me çfarë duhet të ngjajë BE në të ardhmen, detyrat që ajo duhet të përmbushë, apo pushtetet, që ajo duhet të disponojë.

Dhe është pikërisht konteksti i kësaj të fundit, që ka thelluar vëmendjen e publikut evropian në angazhimin e tij ndaj të ardhmes së BE-së. Që prej vendimit për dalje të Britanisë së Madhe nga BE, një sërë iniciativash evropiane synojnë përafrim dhe përfshirje të qytetarit evropian me politikat thelbësore të BE-së. Duke shfaqur vullnet të përbashkët, për arritjen e rezultateve konkrete të një bashkëpunimi të frytshëm që me udhërrëfyesin e Bratislavës dhe Deklaratën e Romës. Duke vijuar më pas me fjalimin e Junkerit mbi Gjendjen e Unionit dhe më tej me fjalimin e presidentit francez Makro. Fjalime, që jo rastësisht u shfaqën të sinkronizuara gjatë darkës jo zyrtare, në Talin të Estonisë.

Për të vazhduar më tej, me hapin e radhës mbi reflektimin evropian, në muajin nëntor, aty mes Oslos dhe Kopenhagenit, në Goteborg të Suedisë. Në mënyrë që të shkohet gradualisht, drejt shpalosjes së ideve të reja për reformimin e ardhshëm të Unionit. Siç edhe parashikohet, më 30 mars të vitit 2019, pra të nesërmen e daljes zyrtare të Britanisë së Madhe nga BE dhe vetëm dy muaj para zgjedhjeve evropiane.

Atëherë kur Evropës do t’i duhet të shpalosë vizionin e saj të bashkimit dhe të reformimit, përballë rritjes dhe konkurrencës së pashmangshme të populizmit.

Dhe pikërisht në momentin e duhur. Aty, ku simbolika e shkëputjes duhet të përcjellë në mënyrë të pashmangshme imazhin e gjenerimit dhe të fuqisë. Të fuqisë së politikave të mëdha, që nuk mund t’ia lejojnë dot vetes të thyhen nga kapriçot e politikave kombëtare.

DITA

October 27, 2017 15:48