Evropa luftë anijeve të emigrantëve

June 22, 2015 22:47

Evropa luftë anijeve të emigrantëve

Flukset e larta të emigrantëve, që u largohen zonave të konfliktit me shpresë kapjen e brigjeve evropiane, ka kohë që shqetëson axhendën e Unionit. Sot, Këshilli i BE-së, vendosi nisjen e operacioneve për goditjen dhe shkatërrimin e anijeve të trafikantëve të emigrantëve në Mesdhe. “EUNAVFOR Med” do të ketë si mision identifikimin, kapjen dhe sekuestrimin e mjeteve dhe aseteve të përdoruar nga trafikantët. Por, a zgjidhet në këtë mënyrë problemi i emigracionit dhe kush është shqetësimi i organizatave të të drejtave të njeriut ?

Në deklaratën e saj për shtyp Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Federika Mogerini, konfirmoi se, BE nuk e ka marrë kurrë kaq seriozisht çështjen e imigracionit, sa në këto momente. Sipas Mogerinit, nëpërmjet këtij operacioni, synohet goditja e modelit të biznesit ndaj atyre, që përfitojnë nga mjerimi i emigrantëve: “Si BE, ne jemi të vendosur të kontribuojmë në shpëtimin e jetëve, shkatërrimin e rrjeteve të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të adresojmë shkaqet e rrënjëve të migracionit”. Operacioni planifikohet të zhvillohet në tre faza, survejimi, kërkimi ose kapja dhe neutralizimi.

Por, marrja e kësaj mase, vetëm pak kohë më parë, është konsideruar nga deputetë të Parlamentit Evropian (ALDE) si jo efikase, se nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit nën logjikën se, trafikantët i rigjenerojnë mundësitë dhe burimet e tyre, dhe se është e paqartë se çdo të bëhet me këto imigrantë, nëse ato ndodhen në anije.

Edhe kundërshtimi i organizatave të të drejtave të njeriut fokusohet pikërisht në këtë aspekt.

Së pari, shqetësimi i tyre shkon tek karakteri ushtarak i këtyre operacioneve, pasi ato kërkojnë të ketë vetëm operacione kërkimi dhe shpëtimi për anijet e imigrantëve.

Së dyti, alarmi vihet mbi rrezikimin e së drejtës të kërkimit të azilit.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut i rikujtojnë Unionit se, pavarësisht fushës së operimit, anijet e BE-së, që do të marrin pjesë në operacionet detare, janë subjekt i juridiksionit të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, që kërkon hartimin, planifikimin dhe zbatimin e të gjithë operacioneve në respekt të plotë me të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për jetë, liri dhe siguri. Detyrime këto, që ndalojnë dërgimin e personave në një vend ku rrezikojnë të bien pre e torturave, trajtimit çnjerëzor dhe denigrues, kërcënimit ndaj jetës apo lirisë.

Si rrjedhojë, Unioni ka përgjegjësinë që imigrantët e detektuar nga EUNAVFOR Med, në Mesdhe, t’i dërgojë në porte të sigurta në BE, ku ato persona që kërkojnë mbrojtje apo shfaqin frikë për kthim në vendin e tyre, detyrimisht duhet t’i nënshtrohen procesit të kërkimit të azilit. Organizatat e të Drejtave të Njeriut paralajmërojnë se, në asnjë lloj rrethane nuk duhet që Unioni të transferojë apo të kthejë anijet e imigrantëve në brigjet e Libisë, tek autoritetet portale, apo t’i zbarkojë këto imigrantë në tokën libiane.

Në tërësi ndërmarrja e masave të tilla në nivel evropian, për kërkimin dhe neutralizimin e trafikantëve të qenieve njerëzore, dhe karakteri kompleks i tyre detyrimisht ngjall debat dhe polemika. Sepse, nga njëra anë ekspozohen kufijtë mes ligjshmërisë dhe cenimit të saj dhe nga ana tjetër hapet një terren, ku mund të përplasen vlerat me të kundërtat e tyre.

Teksa këto masa janë të kritikuara si jo efikase dhe se nuk ndihmojnë aspak në zgjidhjen reale të problematikës, nga ana tjetër ato rrezikojnë veçse të përforcojnë dhe të bëjnë edhe më të pakalueshëm “Muret e Kështjellës Evropiane”. Ato nuk mund të shikohen si të shkëputura, nga një sërë mosveprimesh me karakter të rëndësishëm në nivel evropian: mungesa e solidaritetit të vendeve anëtare të Unionit, për të pranuar kuotat e shpërndarjes së imigrantëve apo azil-kërkuesve; mungesa e vullnetit për rishikimin e rregullave të DUBLIN II, për të hequr sadopak barrën e shtetit të parë hyrës; si edhe mos dëshira për krijimin e një sistemi të gjerë të ligjshëm migrimi ekuivalent të sistemit amerikan, kanadez, apo australian. Mosveprime, që shërbejnë si tregues të fortë frenimi të një Evrope, që nuk aspiron një hapje ndaj imigracionit.

Gjithsesi, nisja e operacioneve ushtarake dhe aplikimi i fazave përkatëse, sigurisht që do të kërkojë si mandat nga Kombet e Bashkuara, por edhe autorizim nga autoritetet e vendit apo vendeve përkatëse. Çka imponon përkohësisht operimin në ujëra ndërkombëtare. Megjithatë, përtej aspekteve të mësipërm, specialistët e fushës vlerësojnë gjithashtu se, këto operime përmbajnë në vetvete edhe risqe sa politike, por edhe ushtarake, teksa ato do të kryhen në brigjet e vendeve të tjera, pavarësisht aprovimit paraprak nga autoritetet vendase./im.ta/

 

Shkrime të tjera: 

Skandali me masat anti-imigracion

 

 

 

June 22, 2015 22:47