Evropa mbrojtësja dhe dhunuesja e të drejtave të njeriut

March 28, 2015 23:34

Evropa mbrojtësja dhe dhunuesja e të drejtave të njeriut

Të drejtat e njeriut në disa prej vendeve anëtare të Unionit të goditur nga kriza ekonomike, janë përkeqësuar ndjeshëm. Cenim i lirisë së shprehjes dhe i grumbullimit, i të drejtës për arsimim, për punë, për pension, për drejtësi, strehim dhe pronësi, janë disa nga “dëmet” e shkaktuara nga aplikimi i politikave të Trojkës. Por, ç’po ndodh me mohimin e të drejtave themelore në këto vende të BE-së, dhe teksa ato ligjërisht dhunohen, përse ligjërisht duhet të respektohen në të gjithë vendet, që aspirojnë integrimin në BE ?

Raporti i fundit, që vjen nga Parlamenti Evropian mbi impaktin e krizës ekonomike dhe zbatimin e planeve shtrënguese ekonomike, në disa vende të BE-së, ekspozon dhunime të rënda të të drejtave themelore. Studimi është kryer mbi 7 vende, të lidhura direkt me krizën dhe aplikimin e masave shtrënguese: Belgjikë, Qipro, Greqi, Irlandë, Itali, Spanjë dhe Portugali. Nëse Greqia, trondit si shembulli i rebelimit social, Irlanda pasqyron një “vlim”, relativisht të qetë. Belgjika, por edhe Spanja, duke mos harruar edhe Italinë, i kanë shndërruar shpeshherë sheshet e tyre kryesore në zona protestimi dhe përleshje masive, në refuzime ndaj politikave ekonomike shtrënguese.

E drejta për arsimim 

Situata në lidhje me të drejtën për arsimim, shfaqet e përkeqësuar në të gjithë vendet e përfshira në studim. Me përjashtim deri diku të Belgjikës, e cila duket se është më pak e prekur, në krahasim me 6 vendet e tjera.

Masat e aplikuara kanë shkaktuar: reduktim të numrit të shkollave, apo shkrirjen e tyre (Qipro, Greqi, Itali); rritje të raportit mësues-nxënës në disfavor të cilësisë edukative, reduktim të fondeve shkollore ndaj kategorive në nevojë, si fëmijëve të varfër, fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve romë dhe fëmijëve të imigrantëve; reduktim të shërbimeve që lidhen me transportimin në shkollë të fëmijëve; përkeqësim të kushteve të përgjithshme nëpër klasa, si higjiena dhe ngrohja. Të gjithë vendet e vëzhguara me përjashtim të Belgjikës, janë përballur me ulje të kostos shpenzuese ndaj stafit të arsimit: ulje rrogash, rritje orësh në mësimdhënie, ngrirje të punësimit në këtë sektor, reduktim në stafin pedagogjik dhe stafin zëvendësues pedagogjik, si edhe reduktime në stafin teknik.

Të gjitha masat e mësipërme vlerësohen se, kanë shkaktuar një pabarazi në arsimim, sidomos ndaj kategorive në nevojë, ulje të cilësisë së arsimimit, neglizhim dhe braktisje shkollore, si edhe një zhvlerësim psikologjik ndaj edukimit, i cili shikohet si i pashpërblyeshëm në të ardhmen. Ndonëse studimi specifikon se, impakti i masave nuk mund të vlerësohet në tërësi, ai konsiderohet se, përfshin një rrezik ndaj cilësisë së edukimit në përgjithësi dhe suksesit të fëmijëve në shkollë. Vëzhgimi konfirmon se, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe fëmijët e imigrantëve, janë prekur në mënyrë të shpërpjesëtuar nga imponimi i këtyre masave.

E drejta për kujdes shëndetësor 

Të gjitha vendet e vëzhguara kanë futur një kuadër masash, që cenojnë të drejtën për kujdes shëndetësor. Në Greqi dhe Qipro janë kryer reforma masive ndaj sistemit shëndetësor,ndërsa në vendet e tjera si Portugali, ndërhyrja ka prekur vetëm një pjesë të sistemit. Në Spanjë, e drejta për kujdes shëndetësor u shndërrua nga universale dhe sistem me akses të lirë, në një sistem, që varet nga statusi i punësimit, apo i të punësuarit.

Në Qipro, e drejta për kujdes shëndetësor është reduktuar vetëm ndaj qytetarëve të Qipros, dhe qytetarëve të BE-së, që kanë leje qëndrimi të përhershme dhe kanë paguar për tre vite siguracionet shëndetësore dhe me një skemë speciale për të papunët. Në Irlandë, shërbimi shëndetësor, që ishte falas për të moshuarit 70+, është hequr që prej vitit 2009, duke u zëvendësuar me karta që japin akses vetëm për konsulta me një mjek të përgjithshëm.

Qipro, Greqia, Itali, Portugalia dhe Spanja, kanë futur pagesa për një sërë shërbimesh që më përpara nuk ishin të përfshira. Një sërë masash të tjera prekin reduktim të stafit mjekësor në spitale, ngrirjen e rekrutimeve të reja, futjen apo rritjen e tarifave ekzistuese, ndërhyrje në çmimet e ilaçeve dhe shërbimeve të tjera.

Koha e pritjes për takime shëndetësore dhe ndërhyrje kirurgjikale në Qipro, Greqi, Irlandë, Itali dhe Spanjë, është disa mujore. Në Qipro, koha mesatare e pritjes për një takim në një spital publik, është shtatë muaj edhe pse qytetari mund të jetë në kushte rreziku për jetën. Në Spanjë, në vitin 2012, më shumë se 570 mijë persona, ishin në pritje për një ndërhyrje kirurgjikale. Në Irlandë, koha mesatare e pritjes është 100 ditë, ku më shumë se 480 mijë njerëz, prisnin për një takim në një spital publik.

Masat e mësipërme kanë goditur kryesisht njerëzit e varfër, të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, gratë si edhe imigrantët pa dokumente.

Drejtësia dhe liria e shprehjes 

Të shtatë shtetet e vëzhguar, kanë kryer ndërhyrje duke përkeqësuar të drejtën për akses në drejtësi. Masat e ndërmarra kanë të bëjnë kryesisht me: shtrëngim të kritereve për të përftuar ndihmë ligjore; adoptim të rregullave procedurale për të shtrënguar aksesin në rrugët e rekursit; rritje të kostos procedurale; dhe reduktim të numrit të gjykatave dhe stafit juridik. Drejtësia në Portugali është bërë shumë e shtrenjtë, edhe Italia njeh rritje të kostove të procedurave gjyqësore dhe rritje të vështirësive. Spanja gjithashtu qëndron në të njëjtin panel. 

Ndërsa kufizime të lirisë së shprehjes dhe grumbullimit, janë konstatuar në disa qeveri të shtatë vendeve anëtare, si edhe rishikime të legjislacioneve në lidhje me këtë çështje. Dhunë e ekzagjeruar policore është konstatuar në disa prej tubimeve, si përdorimi i kimikateve në ujin, që përdoret për shpërndarjen e protestuesve, hedhja e granatave tymuese në turmë, keqtrajtim policor ndaj gazetarëve, etj. Rasti i bllokimit të protestuesve, nga forcat policore, në një prej stacioneve të metrosë në Athinë dhe goditja e tyre me granata tymuese tërheq vëmendjen në studim.

Kufizimet e të drejtës së lirisë së shprehjes, janë karakterizuar nga politika të caktuara shtypëse shtetërore. Raste të tilla janë vëzhguar në Itali, Portugali, ndërkohë që Spanja dhe Greqia kanë kryer ndryshime ligjore, që cenojnë ndjeshëm këto të drejta. Më e qetë, duket të jetë Irlanda nga të gjithë vendet e vëzhguara.

Përveç këtyre të drejtave, një sërë të drejtash të tjera janë cenuar në këto shtatë shtete: e drejta për punë dhe pension; e drejta për strehim (Belgjikë, Qipro, Irlandë, Spanjë); e drejta për pronën (Greqi, Qipro, Itali); e drejta për marrëveshje apo negociata kolektive(Qipro, Greqi, Irlandë dhe Portugali), etj.

Vlerësim dhe mohim 

Teksa studimi konfirmon cenim të rëndësishëm të të drejtave themelore në këto vende anëtare të BE-së, vëmendja detyrimisht shkon ndaj aplikimit të politikave të Trojkës, dy institucionet e së cilës, janë pikërisht Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane.

A mund të shkojmë drejt një reflektimi se, teksa këto të drejta themelore, janë dhunuar dhe vazhdojnë të dhunohen nga qeveritë përkatëse të vendeve anëtare, nën drejtimin e dy institucioneve të BE-së, respektimi i tyre si kritere plotësuese drejt rrugës integruese, duhet të mos vihet në diskutim përballë vendeve dhe politikave në zgjerim? Këndvështrimi juridik, nuk e pranon dot këtë përqasje. Por, një këndvështrim interpretues, sigurisht që krijon hapësirë edhe për një përqasje përjashtuese, nën rrethana emergjente të kontekstit të një krize, e cila mund të shkaktojë përhapje të mëtejshme.

Trojka që prej krijimit të saj dhe imponimit të programeve të reformave, me synim daljen nga kriza, në disa prej këtyre vendeve në studim, është akuzuar rëndom për një ndërhyrje të vrazhdë, me stil “kasapi”. Kjo rivënie në dyshim e politikave imponuese, ka sjellë edhe vënien nën hetim nga Parlamenti Evropian të mënyrës së saj të operimit.

Vëmendje tërheqin konkludimet e hetimit mbi punën e Trojkës, pasi problematikat, që renditen janë të forta, duke vënë në dyshim metodologjinë e operimit, mungesën e transparencës, si edhe mungesën e vlerësimit paraprak të impaktit të programeve dhe masave të aplikuara.

Por, më e rëndësishmja dukej se ishte konfirmimi se, tashmë Trojka ka cenuar të drejtat, që burojnë nga Karta e të Drejtave Themelore të Unionit, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Karta Sociale Evropiane, si edhe traktatet e Unionit Evropian, pasi programet e aplikuara nuk janë aspak në përputhje me to. Kushtet e imponuara të Trojkës, në shkëmbim të ndihmës financiare, u cilësuan se kishin kërcënuar realizimin e objektivave socialë të Unionit.

Mohimi i të drejtave themelore ndaj qytetarëve dhe sidomos kategorive sociale në nevojë, sigurisht që nuk është një prej objektivave socialë të Unionit. As mohimi për të drejtën për arsimim, shëndetësi, për punë, pension, strehim, pronësi dhe liri të shprehjes. Ndonëse i “vonuar” reagimi i PE-së, kishte vlera në një balancim-kontrollimi të skemës vendimmarrëse aktuale. Ky reagim, edhe në studimin e fundit mbi impaktin ndaj krizës në shtatë vendet anëtare, vlerësohet se duhet të jetë i vazhdueshëm, duke mbikëqyrur vazhdimisht punën e Trojkës. Kjo mbikëqyrje duhet të jetë deri sa të konstatohet përputhshmëria e masave dhe programeve të Trojkës, me të drejtat themelore të qytetarëve të Unionit.

Por, nuk duhet nënvlerësuar edhe rëndësia e presionit të lartë social-politik, që vjen nga shtetet subjekte të aplikimit të masave shtrënguese. Radikalët e majtë të Athinës, duke retushuar sfondin propagandistik apo retorikën politike, në thelb nuk kërkojnë veçse rivendosje të këtyre të drejtave të mohuara, nëpërmjet kryerjes së reformave të vlerësuara si të përshtatshme, për mos cenim të mëtejshëm të këtij kuadri. Edhe fuqizimi, që vjen nga radikalët e Spanjës, duhet vlerësuar si pozitiv, në kuptimin që krijon një klimë presioni, për ekuilibrim të situatës dhe vendimmarrje të drejtë. Këto presione social-politike, janë më se të nevojshme, paralelisht me mbikëqyrjen e vazhdueshme të PE-së ndaj politikave të Trojkës, si edhe institucioneve të drejtësisë, që gjykojnë rastet e ankimimeve të shkeljeve të të drejtave themelore, që burojnë nga këto dhunime./im.ta/

March 28, 2015 23:34