Evropa në bllok kundër Greqisë : “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë”

February 17, 2015 10:20

Evropa në bllok kundër Greqisë : “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë”

Siç edhe pritej mbledhja e radhës e Eurogrupit në Bruksel përfundoi pa një marrëveshje konkrete me Athinën. Konferenca e shtypit, mbrëmjen e djeshme, qartësoi mjaft pikëpyetje dhe zbardhi deri diku edhe panoramën e bisedimeve mbi krizën greke. Qeveria e sapozgjedhur e Tsipras është votuar pikërisht për t’i dhënë fund masave shtrënguese ekonomike dhe për të arritur rinegocimin e termave të shlyerjes së borxhit, në pamundësi të fshirjes tërësore të tij. Por, a do të arrijë dot qeveria e Tsipras objektivin e saj dhe cili është pozicionimi i fundit i palëve në Bruksel?

Logjikë dhe jo ideologjikë 

Elementi kryesor, që u konstatua përgjatë konferencës për shtyp ishte qëndrimi në bllok, i prerë, i Eurogrupit për të vetmin opsion “zgjatjen e programit”.

Asnjë alternativë tjetër nuk është e pranueshme.

Madje edhe zgjatja e programit si opsion i vetëm, duhet të kryhet zyrtarisht nga qeveria greke deri ditën e premte, në mënyrë që institucionet përkatëse të kenë mundësi të shqyrtojnë mundësinë për fleksibilitet ndaj Greqisë. Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, konfirmoi qartë se qeveria greke duhet tashmë të bëjë kërkesën zyrtare për zgjatje të programit aktual dhe të shikohen angazhimet konkrete të Greqisë si dhe serioziteti i tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet, sipas Dijsselbloem, rindërtimi i besimit dhe të përforcohet bashkëpunimi me të vetmin synim, vazhdimin e mëtejshëm të programit.

Me të njëjtën logjikë të prerë dhe konfirmuese, u shpreh dhe Komisioneri për Ekonominë, francezi Pierre Moscovic:

“Nuk ka alternativë tjetër veç zgjatjes së programit”.

Por, gjithsesi, me tone më të buta dhe elastike, Moscovic vlerësoi se është i rëndësishëm objektivi për arritjen e një marrëveshje, pasi do të mundësojë hapjen e një faze të re mes Greqisë, partnerëve të saj, institucioneve dhe shteteve të tjera anëtare. Objektiv, që sipas tij është jo vetëm i dëshiruar por edhe i mundur. Komisioneri francez, rikujtoi gjithashtu rëndësinë që ka respektimi i rregullave me të cilën funksionojnë institucionet, duke kërkuar që qeveria greke t’i konsiderojë dhe respektojë ato.

Nën refrenin e përsëritur se, duhet të jemi logjikë dhe jo ideologjikë, Komisioneri francez,  konfirmoi vullnetin e palëve si edhe të qeverisë greke për të përdorur fleksibilitetin në mënyrë që të evitohen sanksionet e padëshiruara, në mënyrë që Greqia të hyjë përfundimisht në një logjikë bashkëpunuese me partnerët e saj. Por, gjithsesi në qëndrimin e tij, ndryshe nga kreu i Eurogrupit, u konstatua gjithashtu edhe një nevojshmëri për ekuilibrim të situatës. Ekulibrim mes modulimit që qeveria greke kërkon dhe programit aktual ekzistues, balancë nëpërmjet një zgjidhje që respekton votën e popullit grek dhe angazhimet kryesore të komunitetit të zonës Euro. Frymë, që duhet të mbizotërojë edhe dialogun në vazhdim.

Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen lidhet me semantikën, pra me formën dhe variacionin e koncepteve dhe fjalëve të përdorura nga palët. Ndonëse përfaqësuesit e Eurogrupit, u shprehën qartë mbi të vetmen mundësi pa asnjë alternativë të mundshme, pra “shtyrjen e programit”, pala greke duket se kërkonte të njëjtën gjë, por me terma të ndryshëm, që rrëshqasin nga kuptimi i drejtpërdrejtë i situatës. Element, që të çon drejt së njëjtës logjikë me heqjen e përdorimit të emërtimit Trojka, e padëshiruar nga pala greke. Termi thuajse është hequr nga përdorimi, ndonëse thelbi nuk ka ndryshuar, pasi kemi të bëjmë me të njëjtat institucione.

Duket se semantika dhe loja me formën dhe variacionin e koncepteve do të përdoret gjerësisht, nga qeveria e re greke, me rritjen e vështirësive në përballje me premtimet ndaj elektoratit.

Asgjë nuk ndryshon, reformat do të vazhdojnë

Po në të njëjtin kuadër, prezantohet edhe situata e masave shtrënguese dhe reformave. Teksa palët përpiqen të bien në marrëveshje, perceptimi i publikut grek është tërësisht i ndryshëm. Ekziston një ide e përgjithshme se, nëse arrihet një marrëveshje për shtyrje në kohë të programit, gjërat do të jenë më të thjeshta dhe se populli më në fund do të ketë fatet e tij në dorë.

Pikërisht kjo situatë shqetësuese, mori edhe konfirmimin nga kreu i Eurogrupit, se asgjë nuk do të ndryshojë.

Sipas, Dijsselbloem, programi në mënyrë të përgjithshme nuk do të jetë i ndryshëm dhe se marrëveshjet rregulluese flasin për kushte strikte: “është çështja e zbatueshmërisë buxhetore dhe e borxhit, konkurrenca ekonomike, ekonomia greke duhet të përforcohet dhe do të flitet gjithmonë për një sektor financiar stabël dhe për të gjitha këto duhen më shumë masa dhe etapa për t’u zbatuar, pra Reforma”.

Sipas, kreut të Eurogrupit,  sigurisht që disa prej këtyre reformave nuk do të jenë popullore, por është e nevojshme që Greqia të jetë së shpejti financiarisht e pavarur dhe ky është objekti i përbashkët, që duhet pasur parasysh kur flitet për shtyrje apo për marrëveshje të ardhshme.

Mbledhja e djeshme e Eurogrupit, konfirmoi qartazi “izolimin” e qeverisë së Athinës, që është vënë përballë një blloku shtetesh, që mbështesin tërësisht të vetmin opsion, pa asnjë alternativë tjetër, “zgjatje të programit aktual”. Si përfaqësuesit e Eurogrupit, por edhe Ministri i Financave të Greqisë, Varoufakis, konfirmuan se Greqia do të qëndrojë në Eurozonë dhe opsioni i daljes prej saj është i padëshiruar. Por, me sa duket vështirësia e Athinës, përballë këtij “izolimi” do të jetë e madhe. Të vetmet shtete, që duket se kanë shfaqur sjellje më elastike janë Franca dhe Italia. Nga ana tjetër, siç duket ky pozicionim delikat i qeverisë së sapozgjedhur shpjegon dhe tendencën për insistim në përzgjedhje specifike të termave të përdorur. Një manovrim, që në këto kushte, ngelet opsioni i vetëm për të shtyrë sadopak në kohë përballjen reale me elektoratin.

Përtej qëndrimit të prerë dhe strikt ndaj Greqisë, i rëndësishëm është edhe mesazhi i Eurogrupit përcjellë mbi Portugalinë, që kërkon një shlyerje paraprake të një pjese të borxhit, në mënyrë që të lehtësohet nga barra e interesave, pa penalitete. Inkurajimi ndaj Portugalisë për veprimet e fundit dhe qëndrimi i prerë dhe izolues ndaj Greqisë, sigurisht që mund të shikohen edhe si mesazhe ndaj vendeve të tjera, që frymëzohen apo udhëhiqen nga modeli radikalist i majtë, Syriza./im.ta/

 

 

February 17, 2015 10:20