Evropa në udhëkryq

February 4, 2017 21:04

Evropa në udhëkryq

Ikja e Britanisë së Madhe e ka futur BE-27, në një proces reflektimi mbi të ardhmen e Unionit. Një reflektim, që duhet të prek jo vetëm vizionin mbi të ardhmen, por edhe të mundësojë përafrimin e qytetarëve dhe të rrisë besimin e tyre tek ky Union. Ky besim, shfaqet i ulët dhe konfirmohet nga përqindja vazhdimisht në rënie e pjesëmarrjes së tyre, në zgjedhjet evropiane. Anketimet e Eurobarometrit shfaqin gjithashtu nivel të ulët të njohjes së funksionimit të BE-së, nivel të ulët të dallimit dhe ndryshimeve mes institucioneve të Unionit, si edhe nivel të ulët të besimit ndaj tyre, edhe pse ky i fundit shfaqet më i lartë se, niveli i besimit tek institucionet kombëtare.

Por, pavarësisht kësaj krize legjitimiteti, që ka prekur prej dekadash BE-në, qytetarët evropianë vazhdojnë të mbështesin idenë e Evropës së bashkuar, dhe shikojnë tek BE një forcë, që mund
të zgjidhë problematika të ndjeshme si papunësia, kriza ekonomike, terrorizmi apo imigracioni. Për më tepër, qytetarët evropianë vlerësojnë në mënyrë të padiskutueshme rëndësinë ekzistenciale të BE-së, që lidhet jo vetëm me mundësimin e paqes në kontinent, por edhe krijimin e hapësirës së lirë për lëvizje, për të udhëtuar, për të studiuar dhe punuar.

Reflektimi, që nisi në Bratislavë, i imponuar nga ikja e Britanisë së Madhe, vijoi edhe me Samitin e djeshëm në Valeta të Maltës. Do të ishte Presidenti i Këshillit Evropian, polaku Tusk që me një gjuhë të drejtpërdrejtë karakteristike e “shkollës së vjetër” të ish-kampit lindor, do të theksonte jo vetëm kontekstin e ri gjeopolitik që rrethon BE, duke evidentuar rreziqet, por nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi të thelluar mes BE-27 dhe të një vizioni mbi të ardhmen.

Por, duket se Evropa po shfaq shenja hezitimi, drejt një lëvizje të menjëhershme dhe një projekti avancues konkret. Hezitim, në kuptimin e mbajtjes së një profili të ulët, teksa zhvillohen bisedime reflektuese mbi të ardhmen e Unionit, që duket se lidhen me disa faktorë. Së pari, ikja e Britanisë së Madhe e ka pozicionuar Unionin në një situatë delikate, pasi forcat ekstremiste dhe populiste në një sërë vendesh të rëndësishme, kanë futur në programin e tyre, forma daljesh të plota, ose të pjesshme nga BE; së dyti, kalendarët zgjedhorë në Gjermani, Francë dhe Holandë imponojnë mbajtjen e statukuosë për sa i përket një avancimi të integrimit më të thelluar politik apo ekonomik të Unionit dhe e vetmja fushë, që po njeh shtrëngim pa ekuivok, është pikërisht ajo që shqetëson elektoratin, migrimi, nga ku kemi vendime për zgjatje kontrollesh të brendshme kufitare, përforcim të kontrolleve të jashtme të Unionit, si edhe marrëveshja të vazhdueshme për të frenuar flukset e migrimit; së treti, vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, janë shfaqur prej kohësh në bllok kundër projektit të thelluar të Evropës të dy shpejtësive. Polonia ka rritur autoritarizmin, Hungaria pret me entuziazëm Putinin, në një një klimë sanksionesh evropiane, ndërsa qytetarët e Rumanisë po mbushin rrugët, duke protestuar si rrallëherë, që prej rrëzimit të sistemit komunist, ndaj bashkëpunimit dhe favorizimit të korrupsionit nga elita politike në vend.

Gjithsesi, duhet pasur parasysh që një javë para Samitit të Bratislavës, teksa Presidenti i Komisionit Evropian, Junker mbante fjalimin para Parlamentit Evropian mbi gjendjen e Unionit, do të fliste edhe për vizionin afatgjatë mbi Evropën dhe skicimin e tij në një Libër të Bardhë, që do të publikohet
në muajin mars 2017, pikërisht me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës.

Nëse i rikthehemi kontekstit historik të integrimit evropian, një libër të tillë të bardhë e gjejmë
të hartuar edhe gjatë periudhës, ku synohej thellimi i projektit evropian, nëpërmjet traktatit Kushtetues. Do të ishte viti 2001, ku me iniciativën e Komisionit Evropian, me synim përforcimin e demokracisë dhe rritjen e legjitimitetit të institucioneve të Bashkimit Evropian, do të hartohej një libër i bardhë. Një sërë reformash të propozuara synonin të përforconin demokracinë në nivel evropian dhe të afronin qytetarët me institucionet evropiane. Dhe disa muaj, pas publikimit të këtij libri, gjatë Këshillit Evropian të Lakenit (dhjetor 2001), do të kemi miratimin e një deklarate mbi të “Ardhmen e Evropës”. Deklaratë, që inspirohej nga hartimi i librit të bardhë dhe synonte përballjen me 3 sfida kryesore: Si të afrojmë qytetarët evropianë dhe sidomos të rinjtë me projektin evropian dhe institucionet evropiane; Si të strukturojmë jetën politike dhe hapësirën politike evropiane në një Evropë të zgjeruar; dhe si ta bëjmë Unionin një faktor stabilizues dhe model në botë.

Dhe Këshilli i Lakenit çon në formimin e Konventës mbi të Ardhmen e Evropës, qëllimi i së cilës ishte, “shqyrtimi i çështjeve thelbësore që ngre zhvillimi i ardhshëm i Unionit dhe kërkimi i përgjigjeve të ndryshme të mundshme.” Jo rastësisht, Konventa mbi të Ardhmen e Evropës, do të drejtohej nga figura shumë të njohura pro-evropiane, siç do të ishin ish presidenti francez Valeri Zhiskar d’Esten dhe dy ish drejtues qeverish, italiani Xhulio Amato dhe belgu Zhan Dehen. Po ashtu, kemi për herë të parë dhe një risi në formën e organizimit të saj, pasi struktura e krijuar lejonte edhe përfaqësimin e të gjithë vendeve kandidate, si vende anëtare. Pra, ishte një grup i madh reflektues, që kërkonte zgjidhje për të organizuar Evropën e madhe, në një kuadër institucional, që do të vlente për 15-20 vitet në vijim. Dhe nga kjo Konventë doli projekti i Kushtetutës së Evropës. Kushtetuta evropiane u nënshkrua më pas në Romë, më 29 tetor 2004 dhe iu nënshtrua më pas procesit të ratifikimit nga 25 vendet anëtare. 13 prej tyre e ratifikuan, ndërsa Franca dhe Holanda e refuzuan nëpërmjet referendumeve përkatëse.

Libri i Bardhë i krijuar nga Komisioni Evropian në vitin 2001, me synim reformimin e qeverisjes evropiane, për ta bërë atë më të thjeshtë dhe të kuptueshëm për qytetarët me synim një përafrim të tyre me institucionet dhe projektin evropian, nuk rezultoi i suksesshëm. Por, ai shërbeu për të nxitur procesin e një reflektimi mbi të ardhmen e Evropës, nga ku kemi një prej lëvizjeve më të rëndësishme, pavarësisht bllokimit të Francës dhe të Holandës, siç do të ishte hartimi i Kushtetutës evropiane. Pengesë, që u tejkalua më vonë me zgjidhjen e ofruar për të avancuar me ndërtimin evropian nëpërmjet Traktatit të Lisbonës, ku u mor thelbi i avancimit institucional i parashikuar në traktatin kushtetues dhe u shmang qasja kushtetuese, me braktisjen e simboleve të Unionit (flamur, himn dhe devizë/moto) që nuk përmenden më në tekst si edhe terma si Kushtetutë, ministër evropian i punëve të Jashtme, etj.

Situata në të cilën gjendet BE aktualisht, nuk është shumë e favorshme për të mundësuar nisjen e një projekti të thelluar mbi Evropën e dy shpejtësive, çka kërkon integrim më të plotë dhe më
të strukturuar vetëm mes 19 vendeve të Eurozonës. Që në fillimet e prezantimit të tij, ky projekt shkaktoi përçarje, duke i pozicionuar vendet jashtë Eurozonës, (me në krye Britaninë e Madhe) në bllok kundër tij. Argumentet prekin krijimin e një Evrope në dy klasa, ku grupi i parë do të dominonte në vendimmarrje ndaj grupit të dytë. Por, pavarësisht situatës jo të favorshme, ai ngelet i vetmi projekt që do të mundësojë një integrim më të thelluar, është i mbështetur nga bërthama e vendeve themeluese të projektit të bashkimit evropian, si edhe nga të gjithë figurat pro-evropiane me peshë të konsiderueshme në historinë e ndërtimit evropian. Për më tepër, ai ngelet i hapur për çdo vend që kërkon t’i bashkohet Eurozonës, është ambicioz dhe krijon premisat e formimit të një bërthame të avancuar bashkëpunimi me qasje të natyrës federale.

Im.Ta.

DITA

 

February 4, 2017 21:04